OPINION

Politika e jashtme fillon nga brenda!

09:59 - 07.07.20 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërmjet thënieve më të njohura për politikën e jashtme spikat ajo e William E. Gladstone, ish- kryeministri brilant britanik me katër mandate për mbi 13 vite në gjysmën e dytë të shekullit XIX “Ja parimi im i parë i politikës së jashtme – qeverisje e mirë brenda vendit”. Koha me shumë ngjarje e ka vërtetuar më së miri këtë thënie të frymëzuesit të Çurçillit. Por, më mirë le të bëjmë një udhëtim të shkurtër gjeopolitik me mësimet përkatëse. Po flitet shumë për tendencat e tërheqjes amerikane nga Europa,  për krisjet në aleancën transatlantike etj. Gjithsesi, ajo çka tregoi se për herë të parë SHBA-të po e humbasin rolin e lidershipit të botës ndodhi me menaxhimin e dobët të COVID-19. Gjendja u rëndua dhe më shumë pas protestave masive antiraciste, që shoqëruan periudhën pas vdekjes së qytetarit afrikano-amerikan George Floyd. Në të dyja këto raste, administrata e Presidentit Trump nuk u tregua në lartësinë e duhur. Madje, në vend të qëndrimit autokritik, ajo mundohet ta transferojë fajin dhe përgjegjësinë në shtetet jashtë Uashingtonit, tek opozita, grupe radikale, tek OBSH-ja, Kina, Rusia dhe vende të tjera. Në këto kushte, aktualisht vështirë të flitet për një politikë të jashtme efikase amerikane, siç jemi mësuar deri tani. Sepse mungon besueshmëria e brendshme.




Bashkimi Europian jep një shembull brilant se si lindi nga brenda, si alternativë për shmangien e luftërave gjakderdhëse. Ajo e filloi këtë duke bashkuar prodhimin e “lëndëve të para të luftës” – atomit, qymyrit dhe çelikut. Kjo frymë kaloi edhe në  tregun e brendshëm, monedhën e brendshme etj.. Në fakt, fuqia e vërtetë e BE-së qëndron pikërisht te politikat e saj të brendshme, madje janë ato që nuk po e lejojnë ende të kalojë në një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ja pse BE-ja po vepron për reformimin e brendshëm, se vetëm kështu mund të jetë efikas dhe në zgjerimin e jashtëm. As Londra zyrtare nuk ia arriti që ta minonte apo shpërbënte BE-në nga jashtë me BREXIT. Madje, “hoqi të zitë e ullirit”, që të gjente “daljen”, ndaj dhe populistët italianë dhe disa vende anëtare nuk duan më “exit”, por ta “ribëjnë BE-në nga brenda”. Të shohim se sa do t’u ecë. Në fakt, edhe vetë Brexit ishte pasojë e faktorit të brendshëm britanik, që nuk u provokua dhe imponua nga jashtë. Idenë e referendumit e hodhi ish-kryeministri David Cameron për të çimentuar pozitat e tij në parti, mirëpo si i thonë fjalës “shkoi për lesh dhe u kthye i qethur” bashkë me Thereza May dhe të tjerë.

Duke qëndruar në Europë, Gjermania jo vetëm e rimori veten shumë shpejt nga rrënojat e Luftës së II Botërore, falë edhe ndihmave të Planit Marshall, por në më pak se 10 vjet pas saj u vu në krye të vendeve më demokratike e të zhvilluara dhe me një imazh krejtësisht të ri miqësor dhe bashkues. Pas pajtimit historik me Francën, bashkë me 4 vende të tjera krijuan BE-në edhe organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare. Mirëpo, ky imazh i ri ishte fryt kryesisht i politikave të brendshme paqësore dhe të suksesshme që sollën dhe “mrekullinë ekonomike me shtetin social” të konceptuar në kohën e Kancelarit Adenauer nga ministri legjendar i Ekonomisë për 14 vite rresht, prof. Ludvig Erhard. Sikurse edhe ribashkimi gjerman ishte fryt në radhë të parë i besueshmërisë së politikës së brendshme gjermane që buronte nga “Ostpolitik” e Brandt dhe faktorë të tjerë të mirëpritur jashtë vendit. Ndërsa, në ditët e sotme, suksesi tingëllues i Kancelares Merkel në menaxhimin e krizës së koronës më mirë se çdo vend tjetër shpjegohet me politikat e brendshme efektive gjatë 15 viteve të Kancelarisë së saj. Mjafton të përmendim se Gjermania i ka dedikuar mjekësisë 34 për qind të GDP-së, ose dy herë më shumë se Franca e duke lënë pas çdo vend tjetër të madh. Dhe lidershipi gjerman deri te “Merkelmania” e ka burimin kryesisht te politikat e tij të brendshme konseguente, që bëhen tërheqëse dhe bindëse jashtë vendit. Nuk ka ndodhur kështu me Francën. Në 10 vitet e fundit, presidentët e saj, Sarkozi, Holande dhe tani Macron kanë bërë çmos që Franca të dalë si lidere europiane dhe në botë me nisma politike, ekonomike dhe ushtarake. Por nuk ia kanë arritur dot qëllimit për shkak të defekteve, mangësive dhe mungesave në politikat e saj të brendshme, për pasojë është ulur besueshmëria jashtë vendit. Në fakt, Presidenti Macron është treguar tejet aktiv në politikën e tij të jashtme në të gjitha frontet e me një sërë nismash, por pa efektin e duhur, për shkak të kompromentimit nga protestat e “jelekëverdhëve” dhe profesioneve të tjera brenda vendit. Madje, javët e fundit ka humbur dhe shumicën absolute në Parlament dhe në pushtetin lokal, duke e detyruar të bëjë ristrukturimin e plotë të qeverisë. Ndaj sot në BE-ja ka “më pak Macron, më shumë Merkel”. Mbështetur mbi të njëjtën performancë, edhe Kina synon të dalë si fuqia e parë politike, ekonomike dhe ushtarake, kryesisht me dy projektet gjigande, 5 G dhe “Brezi i Mëndafshtë” apo dhe  Nisma 17+1 në Europën Juglindore. Mirëpo, suksesi i saj i pritshëm planetar rrezikon të kompromentohet nga politikat e brendshme me problemet tashmë të njohura e të rindezuar kohët e fundit në Hong Kong, Taivan, ujgurët etj. Së fundi, menaxhimi prej saj i COVID me problematikat e njohura, me mungesë transparence dhe informimi publik në kohë etj., ka krijuar jo pak zhgënjime dhe frikë. Për pasojë, është vënë në pikëpyetje fati i projekteve të saj, përfshirë “diplomacinë e borxhit”. Kjo ka krijuar nervozizëm te diplomacia kineze, e cila po ashpërson tonet në kundërshtim me fuqinë e butë të deritanishme, duke e kompromentuar jo pak atë.

Dhe tani, le të vijmë në Ballkanin Perëndimor dhe të ndalemi aty ku natyrshëm “na dhemb më shumë” në Kosovë dhe Shqipëri, sepse na shkon shumë për shtat  thënia “O Bato të hëngërt tenja, e ke të keqen nga brenda”.

Pas fitores së pavarësisë, politika në Prishtinë ka menduar dhe vepruar në përgjithësi gabimisht, duke kërkuar dhe shpresuar që sfidat e brendshme të zgjidhen në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris, Romë dhe gjetkë. Ndërsa Prishtina të jetë kryesisht në mos vetëm pritëse dhe konsumatore e produkteve të tyre. Pra, në vend që ajo të dilte në skenën ndërkombëtare me ofertat e saj, natyrisht me ndihmën e ekspertizës perëndimore në vend që politikën e brendshme me rritjet e saj ta “eksportojë” jashtë, ajo ka bërë të kundërtën, ka bërë çmos që politikën e jashtme të faktorizojë si t’u vijë më mbarë liderëve të saj brenda vendit, duke shfrytëzuar dhe abuzuar me koniukturat e ndryshme ndërkombëtare, përplasjet dhe krisjet ndërmjet partnerëve etj.. Gjithashtu, politika e jashtme në Prishtinë është përdorur abuzivisht për të vjelë vota, për t’u mbajtur fort pas pushtetit për të denigruar kundërshtarët politikë, ose për t’i trembur ata. Anasjellas edhe për ndryshimin e vazhdueshëm të qeverive, ku kulmi ishte rrëzimi me maska i qeverisë “Kurti” pa mbushur as 100 ditët e para!

Po, vërtet që politikanët në Prishtinë kanë bërë karrierë dhe prokopi për t’u pasur zili, nuk kanë lënë post pa shijuar, por Kosova në shumë aspekte nuk ka bërë përpara, por ka ngecur në vend, madje edhe me hapa prapa. Problemet dhe vonesat e saj në rrugën demokratike janë shfrytëzuar nga Serbia dhe vende të tjera për të profilizuar një imazh të pakëndshëm jashtë vendit, aq sa disa shtete kanë reflektuar se kanë bërë gabim ose janë nxituar me njohjen e Kosovës dhe kanë tërhequr ato. Natyrisht, diplomacia serbe ka lobuar egërsisht, por si i thonë fjalës, ajo “ka gjetur shesh dhe ka bërë përshesh”. Cunami politik pas aktakuzave ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve ishte pasojë e drejtpërdrejtë edhe e gabimeve të lartpërmendura dhe mungesës së stabilitetit të brendshëm në vend.

E njëjta histori edhe me Tiranën zyrtare. Integrimi në përgjithësi e në veçanti anëtarësimi në OSBE,  KiE, NATO dhe në BE janë konceptuar dhe shfrytëzuar kryesisht si fushata politike të jashtme për rritjen e popullaritetit të shumicës në pushtet, për të shtuar kuotat elektorale dhe në përgjithësi për kompensimin e deficiteve në vend. Kështu, vitin e kaluar, duke u vetëkënaqur deri edhe me poza të një “viktime”,  pas mbështetjes së shumicës dërmuese të vendeve anëtare të BE-së në favor të çeljes së negociatave, kryesisht si një gjest gjeopolitik, në vend të reflektonte e të bënte përpara me hapat e kërkuara brenda vendit për plotësimin e nëntë kushteve të Bundestagut, qeveria bëri të kundërtën; me pretendimin se i kishte kryer “detyrat e shtëpisë”, edhe pse “punët brenda saj i kishte lesh e li”, madje i shtoi më shumë “zullumet”, duke futur në lojë dhe Komisionin e Venecias me rrjedhojat që dihen. Për pasojë, më 24 mars BE-ja na e dha vërtet “Po”-në, por si pohim kryesisht gjeopolitik, në parim, për të treguar se perspektiva jonë dhe e Ballkanin Perëndimor është në BE, mirëpo ajo “Po” gjeopolitike u “koracua” me 15 kushte ose detyra të brendshme, pa plotësimin e të cilave pak rëndësi ka se kur, “Po”-ja mbetet në erë dhe fare lehtë mund të kthehet në “Jo” në çdo moment. Kësisoj, u bë edhe njëherë e qartë se negociatat apo edhe vetë anëtarësimi në BE si qëllim në vetvete nuk na jep kurrfarë imuniteti ndaj të këqijave dhe ndërhyrjeve nga palë të treta. Këtë siguri dhe sukses në procesin e negociatave ta garanton vetëm mirëqeverisja e brendshme, pa krim e korrupsion, me drejtësi vërtet të reformuar, zgjedhje të lira e të ndershme etj.. Vetëm kështu dhe ato demarshe të suksesshme diplomatike lidhur me kandidaturat tona në disa organizata ndërkombëtare si zgjedhja në borde, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe këtë vit si kryesuese të OSBE-së 2020 duhet të shoqërohen dhe mbështeten me politika efektive të brendshme, ndryshe ato do të jenë vetëm dekoracion politik dhe diplomatik brenda e jashtë vendit. Ca më keq akoma, pa “tabanin” e brendshëm, ato mund të kthehen në bumerang politik. Sepse në vend që prania në këto poste të shfrytëzohen për avancimin e axhendës sonë, shumicën e kohës dhe energjive diplomatike atje do të shpenzohet duke shpjeguar dhe justifikuar mungesat dhe mangësitë e zhvillimeve të brendshme, sidomos “bëmat dhe gjynahet” tona. Ja dhe tani pyetja që bëhet kudo është “nëse do të ketë marrëveshje me opozitën për zgjedhjet dhe a po plotësohen kushtet për çeljen e negociatave”? Ja pse, pa kurrfarë nënvleftësimi edhe për politikën e jashtme dhe diplomacinë, politika jonë ka ardhur koha të ndërgjegjësohet njëherë e mirë se suksesi i saj i vërtetë fillon dhe përcaktohet nga brenda!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.