KULTURË

Primo Shllaku: “KOLIQI E CAMAJ AGJENTE? AKADEMIA E IMPLIKUAR”

17:34 - 08.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Përmendja e Martin Camajt e Ernest Koliqit si bashkëpunëtorë të agjencive të huaja të inteligjencës, ka ngjallur reagime. Poeti e Primo Shllaku sheh dashakeqësi dhe kërkon të mbajë qëndrim Akademia e Shkencave. Ai del kundër Auron Tares për çështjen e implikimit të Ernest Koliqit e Martin Camajt në agjenturat e huaja. “Nuk kam gjë të keqe me të, as të mirë më. Por dua të kuptoj se ku fle peshku tani, se këtu ka një peshk që fle. Ka kohë që ai e grric këtë histori. Derisa tani doli me paketë kundër tre autoriteteve të letrave e letërsisë, Camajt, Koliqit e Krist Malokit”- thotë Primo Shllaku.




Shllaku, ish-mësues në Prekal e ish-pedagog në Beograd si Camaj, thotë se nëse Camaj ka qenë apo jo pjesë e UDB-së, duhet vërtetuar me dokumente arkivore dhe jo me aludime mbi punësimin e martesën. Duke e parë studimin e Tares të botuar nga Ardian Vehbiu, i një bombe e hedhur, a si një silur, një përgjegjësi të madhe ai vë mbi shpatullat e Akademisë së Shkencave.
“Përderisa ai e ka botuar shkrimin në sajtin e Ardian Vehbiut, që është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave, unë mendoj se Akademia e Shkencave është e implikuar. Dhe tani unë dua të di, Akademia e re, me drejtues të ri, që unë e kam përshëndetur, ku e ka mendjen? Me sa shoh unë, Akademia e re e ka nisur me silurime”, thotë Shllaku. “Ai nuk është një studim, por është një koleksionim dokumentesh të deklasifikuara nga CIA, që mund të futet gjithkush, edhe me siguri që Tare ka një lloj hobi të merret me arkivat. Akademia e Shkencave ndodhet e implikuar me apo padashje, përderisa unë i shikoj emrin. Unë jam ndër kritikët e fortë të Akademisë së Shkencave, në kohën që kishte tjetër kryetar, edhe e kam përshëndetur ardhjen e të rinjve. E kam përshëndetur. Por, tani unë po shikoj, edhe më intereson që të di, se çfarë duhani pi kjo akademia e re, ku e ka mendjen?! Unë shikoj se e kanë filluar me sigurimin, por unë e dua fjalën e tyre. Nuk po them se janë gënjeshtra, por unë si studiues i Camajt, e dua mendimin e tyre”, shtoi ai.

“Po, Koliqi bashkëpunoi me fashistët. Kjo dihet. Hapi disa shkolla, bëri disa gjëra. Ndihmoi të shpëtohej jeta e Petro Markos në Itali, gjë që Tare e përdor me shumë djallëzi. Pse, a bëri keq ai që e shpëtoi Petro Markon? Duhet thënë se shumë figura të njohura kanë bashkëpunuar në kohë të ndryshme. Çfarë do t’u themi ne atyre që thonë se Pashko Vaso ka qenë satrap në Liban? Ndërkohë, a nuk ishin vëllezërit Frashëri me osmanët? Asnjë nuk vrau sulltanin, punuan për ta. Të gjithë, bashkëpunuan dhe ndihmuan vendin e tyre”, thotë mes të tjerash, Shllaku.

REAGIMI I FLORESHA DADOS
Pas kërkesës për një mendim, akademikja Floresha Dado, studiuese e letërsisë shqiptare, specialiste e Teorisë së Letërsisë, në Universitetin e Tiranës, tha dje për “GSh” se “sa herë hapet debat rreth figurave të shquara të kulturës sonë, ka një prirje për të mos kuptuar me objektivitet historinë për të risjellë sa më shumë hije në figura të vyera të kulturës sonë…” Sipas, saj “nëse dokumentet janë ashtu si i ka paraqitur z.Tare atëherë pse turremi të ‘mbrojmë’, të ngrijmë debat të kotë! Sepse ekziston akoma i njëjti mentalitet komunist. Dikush që del në dokumente kundër regjimit komunist, ishe agjent armik…Po a nuk jemi sot të gjithë kundër atij regjimi? Pra, gjykimi është gjithnjë historik. Nga ana tjetër, nëse dikush ishte ‘agjent’ kundër pushtetit të E. Hoxhës, kjo nuk e fshin vlerën historike të veprës letrare, te aktivitetit kulturor ne shërbim të Shqipërisë…Dhe sot janë konfirmuar këto vlera të mëdha, si të Camajt ashtu dhe Koliqit, duke i ditur gjithë aspektet e aktivitetit te tyre ne kontekste historike të caktuara. Faktet ‘e reja’ nuk zbulojnë ndonjë gjë te padëgjuar. Le te jene dhe te merren ne konsiderate kur shkruhen monografi shkencore për jetën dhe veprimtarinë e këtyre dy autoreve qe sot janë rivlerësuar nga shkenca jonë letrare. Ju lutem, mos ngrini debate që s’kanë ndonjë vlerë të re”, përfundon reagimi i Dados.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.