AKTUALITET

Reforma Zgjedhore/ Ambasadorja Kim: 5 qershori duhet të kalojë siç është, nuk mund të hapet përsëri, do ishte shkelje e besimit

22:08 - 09.07.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim në një intervistë për ‘Real Story’ në ‘News24’  është ndalur gjerësisht tek reforma zgjedhore, për të cilën u arrit një marrëveshje dakordësie mes palëve, me ndërmjetësimin e saj, në datën 5 qershor.




Kim theksoi se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen në fjalë, ndërsa shtoi se aty nuk mund të ndodhin më ndryshime të tjera kur reforma të kalojë për miratim në Kuvend.

PJESE NGA INTERVISTA

Sokol Balla: Çfarë mendoni se do të ndodhë me reformën zgjedhore? Duket shumë e ndërlikuar kur vjen tek votat. Sepse, ironikisht, kemi shumicën që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk ka votat. Keni opozitën jashtë parlamentit që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk i ka votat. Kemi dhe ata që kanë votat por nuk janë dakord. Opozita parlamentare. Si do shkojë mendoni?

Ambasadorja Kim: Është e ndërlikuar sepse, mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë. Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore.  Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare. Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme.

Sokol Balla: Ajo që është arritur, doni të thoni marrëveshja?

Ambasadorja Kim: 5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton.

Sokol Balla: Po.

Ambasadorja Kim: Sepse kur njerëzit flasin për ndryshim dhe reformën zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme.

Sokol Balla: E kuptoj.

Ambasadorja Kim: Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë.

Sokol Balla: Pra, është një lloj mesazhi që shkon kryesisht për qeverinë sepse ata kanë votat, ata kanë aftësinë të luajnë me votat në parlament. Por ju thoni që tek marrëveshja nuk ndërhyhet, po?

Ambasadorja Kim: Po them që marrëveshja, 5 qershori, është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri.

Sokol Balla: Por e dini, kur flasim për rotacion dhe ndryshim, njerëzit duan ndryshim dhe i shohin listat e hapura si shenjë e marrjes së pushtetit nga politikanët tek vetja e tyre.

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Dhe ky është çasti më i trishtë i situatës, sepse politikanët e arrijnë atë që duan të arrijnë, ndërsa atë që duan njerëzit, nuk e arrijnë dot. Prandaj ndihen të trishtuar.

Ambasadorja Kim: Të shohim çfarë do të ndodhë.

Sokol Balla: Ok, meqenëse po arrijmë një destinacion të caktuar, si e shihni procesin e integrimit evropian?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është një projekt historik dhe përgëzoj popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare që kanë arritur në këtë pikë në histori. Do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë dhe po i thoja Luigi Soreca-s, Ambasadorit të BE-së, se ne jemi miqtë e Shqipërisë për 100 vitet e fundit dhe duhet të shtoni BE-në sin jë tjetër mik për 100 vitet e ardhshme. E di që flasim për atë që mund të fitohet nga procesi. Nuk është vetëm çfarë fitohet, por në fakt, ajo që duhet bërë. Dhe kjo do të kërkojë që qeveria shqiptare dhe populli shqiptar dhe udhëheqësit politikë shqiptarë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë të bashkojnë forcat për ta bërë reformën në drejtësi realitet. Është e vështirë. E di që jo të gjithë e duan.  Jo të gjithë duan të gjitha pjesët e saj, por është vërtet e nevojshme dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar e do dëshpërimisht. Tjetra që di është që biznesi amerikan me të cilët flas e do dëshpërimisht. Askush nuk do të investojë në Shqipëri nëse nuk kanë ndjesinë se kontratat do të zbatohen, që nëse ka një mosmarrëveshje dhe nëse shkojnë në gjykatë, do të marrin një gjykim transparent dhe të ndershëm. Po ju jap një shembull: situata me duty free në aeroport. Çfarë turpi! Kur mendoj këtë, më vjen turp për të gjithë njerëzit e përfshirë në atë rast. Ishte një mundësi e madhe dhe përkundrazi, mendoj se mënyra se si situata shkoi ku një kontratë nuk u zbatua si duhej, jep pikërisht mesazhin e gabuar. Shpresoj që kjo të ndryshojë.

Sokol Balla: Si mund të ndryshojë? Sepse shembulli…

Ambasadorja Kim: Reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi. Vetingu. Gjyqtarët që janë qartësisht të korruptuar duhet të dalin që aty. Nuk duhet të ulen në ato salla gjyqi. Nuk duhet të marrin vendime për asgjë. Duhet të jenë jashtë që aty.

Sokol Balla: Në fakt duhen futur në burg. E them unë këtë. Por gjithsesi, kur sheh ç’po ndodh me gjykatën kushtetuese, të gjithë njerëzit rreth saj në konflikt interesi me të, njerëzit humbin jo vetëm durimin, por edhe besimin.

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Sepse përpara se të përfshihej Dvorani, gjërat shkonin keq. Tani që Dvorain nuk është aty, gjërat shkojnë mirë. Pra duket sikur në momentin që institucionet e drejtësisë arrijnë balancën politike, politikanët janë ok me të. Në momentin që duhet ndryshuar, luftojnë. Dhe ky është momenti kur ne themi, okay, Shtetet e Bashkuara u përfshinë, pse pranojnë kompromise në fund?

Ambasadorja Kim: Mendoj duhet të shohësh se si…

Sokol Balla: Se unë nuk mendoj që për këtë reformë na duhen kompromise.

Ambasadorja Kim: Mendoj duhet parë se u mbaron historia dhe jemi larg fundit të historisë. Do t’ju them se unë e marr procesin e vetingut shumë seriozisht. Dhe mendoj gjyqtari Dvorani është një nga gjyqtarët që e kaloi qartësisht këtë proces shumë të vështirë. Kam besim tek procesi dhe kam respekt për gjyqtarin. Se çfarë ndodh nga tani dhe kush e di se kur, të shohim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se pika kyçe tani, në këtë çast, është që kemi opinionin e Komisionit të Venecias dhe mendoj se është një mundësi dhe duhet t’i mbajmë sytë tek rezultati pozitiv fundor dhe të kërkojmë mënyra se si mund të ecim përpara. Nuk më pëlqen të ngec në pyetje teologjike. Nuk më pëlqen të ngec në çështje filozofike. Siç e kam thënë më parë, nuk jam prift që të gjykoj kush është i përlyer e kush i papërlyer, nuk jam polic që të vendos kush duhet të jetë në burg dhe kush jo. Jam vetëm një diplomate amerikane dhe jam këtu për të përfaqësuar interesat e vendit tim, të cilat ka qëlluar të përfshijnë një të ardhme për Shqipërinë si një vend i forte, sovran dhe demokratik. Prandaj jam këtu dhe ky është misioni im.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.