Shëndet

Jeni shtatzënë? Ushqimet që s’duhet të konsumoni

14:18 - 10.07.20 Gazeta Shqiptare

Një grua shtatzënë duhet të jetë e sigurt që dieta e saj siguron mjaftueshëm lëndë ushqimore dhe energji për zhvillimin e duhur të fëmijës si dhe të sigurohet që trupi i saj është mjaftueshëm i shëndetshëm për t’u përballur me ndryshimet që janë duke ndodhur. Për një shtatzëni të shëndetshme, dieta e nënës duhet të jetë e balancuar dhe e pasur më lëndë ushqimore, që nënkupton një balancë të duhur të proteinave, karbohidrateve dhe yndyrave si dhe konsumimi i një game të gjerë perimesh dhe frutash. Kaloritë e marra nga një grua rriten gjatë shtatzënisë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që ajo duhet të ushqehet për dy persona. Konsumi i kalorive nuk dyfishohet, por vetëm rritet. Nëse një nënë është në pritje të vetëm një fëmije, kilet e fituara në peshë variojnë shumë. Sipas Institutit të Mjekësisë në SHBA, një grua, indeksi i masës trupore (BMI) e së cilës është midis 18.5-24.9 duhet të fitojë 11.4-15.9 kg gjatë nëntë muajve të shtatzënisë. Një grua që është mbipeshë në fillim të shtatzënisë duhet të fitojë rreth 6.8-11.4 kg. Rekomandimet mbi peshën e fituar gjithashtu variojnë në varësi të moshës së nënës, zhvillimit fetal dhe gjendjes shëndetësore aktuale. Pesha e tepërt e fituar ose e pamjaftueshme mund të dëmtojë shëndetin e nënës, por edhe të fëmijës. (Deri në javën e tetë, fëmija quhet embrion. Më pas, kur pjesa më e madhe e strukturave është formuar, ai quhet fetus).
Çfarë duhet të konsumoni gjatë shtatzënisë?
Sikurse u përmend edhe më sipër, nëna duhet të ndjekë një dietë të balancuar që duhet të përfshijë:
Fruta dhe perime
Ajo duhet të konsumojë rreth 5 porcione me fruta dhe/ose perime në ditë. Ato mund të jenë në formën e lëngut të frutave, të thata, të ngrira, të konservuara ose të freskëta. Produktet e freskëta dhe të ngrira zakonisht kanë përmbajtje më të lartë në vitamina. Sipas ekspertëve, konsumimi i frutave zakonisht është më i këshillueshëm sesa vetëm pirja e lëngjeve të frutave. Duhet të përdoren edhe ushqime të pasura me karbohidrate në formën e niseshtesë. Ato përfshijnë pataten, orizin, makaronat dhe bukën.
Proteina
Burime të mira të proteinave janë peshku, pula si dhe veza. Fasulet, thjerrëzat, bishtajat dhe arrat janë gjithashtu burime shumë të mira të proteinave (fasulet, thjerrëzat dhe bishtajat kanë gjithashtu burime shumë të mira të hekurit).
Fibra
Ushqimet si buka, orizi, makaronat prej gruri, frutat dhe perimet janë të pasura me fibra. Femrat kanë një risk të lartë për të zhvilluar konstipacion gjatë shtatzënisë. Konsumimi i fibrave është efektiv në minimizimin e këtij rreziku. Studimet kanë treguar se konsumimi i fibrave gjatë shtatzënisë redukton rrezikun (ose ashpërsinë) e hemorroideve, të cilat bëhen edhe më të zakonshme ndërkohë që fetusi rritet. Fibrat gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e obezitetit, diçka të cilën nëna duhet ta shmangë.
Kalciumi
Është e rëndësishme marrja e kalciumit ditor përmes dietës. Ushqimet e përditshme si qumështi, djathi dhe kosi janë të pasura me kalcium. Nëse nëna është vegjetariane, ajo duhet të konsumojë qumështin e sojës, brokoli, lakër jeshile dhe arra soje për të siguruar kalciumin e nevojshëm.
A duhet të marrë ndonjë suplement?
Hekur dhe acidi folik
Para se një femër të jetë shtatzënë, ajo duhet të konsumojë rreth 18 mg hekur çdo ditë. Gjatë shtatzënisë kërkesa për hekur rritet deri në 27 mg/dita. Pjesa më e madhe e nënave mund të marrin sasi të mjaftueshme nëse ato ndjekin një dietë të shëndetshme. Disa, gjithsesi, mund të kenë nevojë për suplemente hekuri për të parandaluar deficitet e tij. Disa femra mund të përjetojnë dhimbje të gjoksit, nauze ose konstipacion kur ato marrin suplemente hekuri. Me qëllim parandalimin e këtyre problemeve, ato duhet të pinë këto pilula gjatë vaktit. Nisni me doza të vogla, duke e rritur gradualisht deri në dozën e plotë. Ndryshoni markën nëse jeni e pakënaqur dhe shmangni marrjen e suplementit kur shkoni për të fjetur. Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në Britani rekomandon se suplementet në formën e acidit folik duhet të jenë 400 mcg (mikrogram) dita deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Ideale është që femra të ketë qenë duke i marrë ato edhe para shtatzënisë. Shmangni marrjen e suplementeve me vitaminë A. Kjo nënkupton marrjen e dozave të larta të multivitaminave. Gratë shtatzëna duhet të shmangin marrjen e sasive të mëdha të vitaminave A, për shkak se kjo mund të dëmtojë fëmijën.
A duhet të ndaloj alkoolin plotësisht?
Autoritet e shëndetit publik në botë e kanë ulur në mënyrë të vazhdueshme sasinë e rekomanduar të alkoolit gjatë javës për një grua shtatzënë. Kur një femër konsumon alkool, ai kalon në gjak dhe përmes placentës, te fëmija. Mëlçia e një fëmije është një prej organeve të fundit që zhvillohet. Mëlçia nuk maturohet plotësisht deri në gjysmën e shtatzënisë. Mëlçia e fetusit nuk mund të procesojë alkoolin sikurse bën mëlçia e një të rrituri. Ekspozimi ndaj sasive të larta të alkoolit mund të dëmtojë seriozisht zhvillimin e fëmijës. Shumica e profesionisteve të shëndetit këshillojnë që nënat shtatzëna të shmangin plotësisht konsumimin e alkoolit. Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në Britani pohon se nëse një grua shtatzënë zgjedh të pijë alkool, ajo nuk duhet të konsumojë më shumë se dy njësi alkool në jave ose në dy javë. Këshillohet që nëna të shmangë plotësisht pirjen e alkoolit gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Pirja e sasive të mëdha të alkoolit gjatë shtatzënisë mund të dëmtojë si nënën, edhe fëmijën. Ka një risk të rritur për fëmijën që të zhvillojë atë që quhet sindromi i fëmijës së alkoolizuar. Ky sindrom karakterizohet nga ndalimi i rritjes, çrregullime të sjelljes si dhe probleme në të mësuar. Ka gjithashtu një risk të lartë për anomali të fytyrës.
A duhet shmangur kafeina gjatë shtatzënisë?
Nëse nëna shtatzënë konsumon shumë kafeinë gjatë shtatzënisë, atëherë ka një rritje të riskut për të lindur një fëmijë nënpeshë. Kjo mund të sjellë më vonë probleme me shëndetin. Ka gjithashtu një risk të lartë edhe për abort. Shumë ushqime dhe pije përmbajnë kafeinë, pra jo vetëm kafe. Të tilla janë disa pije të gazuara, pijet energjetike, çokollata dhe çaji. Disa medikamente për të ftohtin dhe gripin gjithashtu përmbajnë kafeinë. Një grua shtatzënë duhet të flasë me mjekun përpara marrjes së këtyre medikamenteve. Pjesa më e madhe e autoriteteve në botë pohojnë se kafeja nuk duhet të ndërpritet plotësisht gjatë shtatzënisë, por nuk duhet t’i kalojë më shumë se 200 mg/dita.



Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Interesant: titulli ishte cfare NUK duhet te merret nga gruaja, ndersa artikulli kishte eksluzivisht keshilla se cfare duhet te merret.
    A e ka lexuar autori cfare ka shrkuar vete?

    Përgjigju ↓
CLOSE
CLOSE