KULTURË

Letërsia më e mirë kineze flet shqip

11:39 - 10.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej vitit 2016, Sh. B. DITURIA ka nisur ta pasurojë katalogun e saj të botimeve me një sërë veprash letrare e historike kineze. Një nismë e cila ka filluar falë bashkëpunimit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë me Administratën Shtetërore të Shtypit, Botimeve, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës, për botimin e veprave themelore klasike kineze në shqip dhe e anasjella. Projekti, ndër të tjera, ka si synim njohjen e historisë dhe letërsisë së Kinës në Shqipëri dhe asaj shqiptare në Kinë, si vlerë e shtuar për njohjen më të mirë të kulturës dhe letërsisë së dy vendeve. Midis titujve për të rinj e të rritur të botuar më herët përmendim: Historia e Kinës dhe Kultura tradicionale kineze nga Zhang Qizhi, Mos bëj asgjë dhe bëj gjithçka nga Zhao Qiguang, Globalizimi dhe vetëdija kulturore nga Fei Xiaotong, Kina: Në brendësi të traditave dhe kulturës nga Su Shujang dhe Thirrje nën armë nga Lu Xun. Këtyre veprave, Sh. B. DITURIA u ka shtuar së fundmi edhe dy libra për fëmijë e adoleshentë me tituj Maçoku persian i quajtur Pek nga Gao Hongbo dhe Po vjen kushëriri nga Çin Wenjum, nga seria Letërsia më e mirë kineze për fëmijë, që shumë shpejt do të ndiqen edhe nga tre tituj të tjerë: Sekreti i luleshtrydheve të ëmbla nga Tang Sulan, Prag Krishtlindjeje nga Huang Beijia dhe Zogu erëmirë nga Jin Bo. Për lexuesit e vegjël, Sh. B. DITURIA ka botuar edhe një seri prej katër librash me titull Librat e stinëve, të cilët, nëpërmjet një rrëfimi tradicional e origjinal, shoqëruar me ilustrime të bukura, me një gjuhë të thjeshtë përcjellin njohuritë në nivel fëmijëror për muajt e stinët e vitit dhe punët që kryhen në to.




Letërsia moderne kineze ka tashmë histori qindravjeçare, e po ashtu edhe letërsia moderne kineze për fëmijë. Në botën e globalizuar, për letërsinë kineze jo vetëm që është e mundur, por është gjithashtu e domosdoshme të integrohet në letërsinë botërore e të përhapet në mbarë botën.
Letërsia kineze për fëmijë i ka rrënjët thellë në terrenin pjellor kulturor të kombit kinez të trashëguar në format nga më të shumtat. Në kohët moderne, me mendje krejt të hapur, ajo ka përthithur elemente të reja dhe modele të letërsisë së huaj për fëmijë të përfaqësuar nga Europa dhe Amerika, duke u zhvilluar kësisoj e duke u shndërruar në letërsinë moderne kineze për fëmijë që shohim sot. Që në fillim të shekullit XX, mbas përpjekjeve të mëdha dhe krijimeve inteligjente të pesë brezave shkrimtarësh, letërsia kineze për fëmijë paraqet tashmë një panoramë të mrekullueshme.
Kësisoj, vepra letrare të klasit të parë nga letërsia për fëmijë në Kinën bashkëkohore mund ta bëjnë botën të kuptojë jetën e vërtetë dhe qëndrimin shpirtëror të fëmijëve në Kinë, sikurse edhe idealet e tyre, interesat, ëndrrat, emocionet dhe statusin jetik; bota mund të njohë edhe se si kultura dhe shoqëria kineze shprehin kërkesat dhe pritshmëritë për brezin e ri nëpërmjet veprave letrare për fëmijë, si dhe hedh një vështrim mbi ndikimin dhe kuptimin e ndryshimeve kulturore e sociale sot në Kinë mbi themelet e njerëzimit për brezat e ardhshëm. Lu Xun, si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë moderne kineze, thotë: “Statusi i fëmijërisë vendos fatin për të ardhmen”. Natyrisht, letërsia e sotme kineze për fëmijë pasqyron prirjen e Kinës në të ardhmen.

Fëmijët në mbarë botën mund të familjarizohen e të miqësohen me njëri-tjetrin. Letërsia për fëmijë është letërsi botërore në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse ajo krijohet e bazuar në pafajësinë fëmijërore dhe “gjuhën e përbashkët”. Kështu, letërsia për fëmijë ka perspektiva globale, teksa në të njëjtën kohë tregon kulturën e kombit të vet; ajo mishëron shpirtin e kohës e prezanton edhe karakteristikat etnike; ajo ka natyrë artistike, por u përket fëmijëve. Rëndësia e letërsisë për fëmijë si letërsi botërore është mjaft e spikatur. Pikërisht në fushën e gjerë të letërsisë për fëmijë, të rinjtë e kombeve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme në mbarë botën mund të bëhen bashkë e të argëtohen, të ëndërrojnë e të gëzojnë lirinë e fëmijërisë. Pa dyshim, seria Letërsia më e mirë kineze për fëmijë u hap një derë plot ngjyra edhe fëmijëve e të rinjve shqiptarë, në mënyrë që ata të njohin letërsinë kineze për fëmijë. Ajo pikturon rrugën nëpërmjet së cilës ata të zbulojnë nëntekstin dhe botën psikologjike të fëmijëve në Kinë. Letërsia moderne kineze për fëmijë mishëron tipare të spikatura etnike, zakone e norma estetike të kohës, si dhe ndikon në brezat e fëmijëve me pushtetin e së bukurës, emocionit dhe gjuhës, duke u bërë partneri i tyre më i mirë shpirtëror, ushqimi i tyre mendor në vitet e ëndërrimeve dhe të formimit të mendimit.
Letërsia moderne kineze për fëmijë, sidomos në shekullin e ri, është përkthyer në shumë gjuhë dhe i është bashkuar hartës artistike të letërsisë botërore për fëmijë. Tanimë, edhe fëmijët e të rinjtë shqiptarë, falë kësaj nisme përkthimi, do të kenë mundësi të njohin vepra themelore të këtij shteti, me kulturë e tradita të lashta e tejet interesante.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.