OPINION

Lokomotiva PS dhe lokomotiva PD

11:30 - 10.07.20 Eduard Zaloshnja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qysh prej ndryshimit të sistemit zgjedhor në 2008-ën, PS-ja dhe PD-ja kanë qenë lokomotivat e koalicioneve përkatëse me shumë vagonë. Në fakt, vetë ndryshimi i sistemit kishte për qëllim që partitë e vogla të kishin stimuj për t’iu bashkëngjitur njërës prej lokomotivave – një partie të vogël brenda koalicionit, për të siguruar një deputet në një qark të caktuar, i duhen vetëm gjysma e votave të një partie jashtë koalicionit. Si rrjedhojë, gara në një sistem të tillë është për të rreshtuar sa më shumë vagonë pas secilës lokomotivë, në mënyrë që në përplasjen zgjedhore, të fitojë treni me peshën më të madhe. Qysh pas 2017-ës, të gjitha partitë e vogla, përveç PSD-së dhe PDS-së, i janë bashkëngjitur lokomotivës PD në luftën e përbashkët opozitare ndaj qeverisë “Rama”. Dhe në qoftë se nuk bëhet ndryshimi kushtetues për moslejimin e koalicioneve parazgjedhore, gjasat janë që opozita e bashkuar të shkojë në zgjedhje si një tren i gjatë elektoral, i tërhequr nga lokomotiva PD.
Por, në qoftë se materializohet ndryshimi i sipërcituar kushtetues, shpresat e PD-së për ardhjen në pushtet zvogëlohen ndjeshëm. Sepse në një përplasje pa vagonë, lokomotiva PS peshon më shumë se lokomotiva PD. Nga ekstrapolimi i shumë sondazheve që kam publikuar në tre vjetët e fundit, PS-ja është luhatur në intervalin 700-800 mijë vota (nga 765 mijë vota që mori në zgjedhjet e 2017-ës). Nga ana tjetër, PD-ja është luhatur në intervalin 500-600 mijë vota (nga 455 mijë vota që mori në zgjedhjet e 2017-ës). Ndërsa partitë e tjera opozitare janë luhatur në intervalin 150-200 mijë vota. Zgjedhjet duan edhe të paktën 9 muaj që të zhvillohen, por shifrat e mësipërme tregojnë se gjasat janë të mëdha që përplasjen e lokomotivave pa vagonë ta fitojë PS-ja. Dhe pastaj Rama do të ketë të drejtën kushtetuese për t’u mandatuar për krijimin e qeverisë. Nga ku fillon dhe pazari i votave në Kuvend, për të siguruar shumicën parlamentare… Andi Bushati ka hedhur tezën që, edhe nëse ndryshohet Kushtetuta për moslejimin e koalicioneve parazgjedhore, opozita nuk duhet të frikësohet. Sipas tij, ajo thjesht mund të futet në zgjedhje me një listë të vetme të frontit opozitar. Por kjo formulë ka dy probleme; njëri afatshkurtër elektoral dhe tjetri afatgjatë politik.
Problemi afatshkurtër elektoral
Daljen me lista të përbashkëta e provoi PD-ja në zgjedhjet e 2017-ës, ku kandidatë të partive të vogla u futën në listat e PD-së. Kështu, fjala vjen, 3 kandidatë të rëndësishëm të Partisë Agrare Ambientaliste u futën në listën e Durrësit, Tiranës dhe Fierit, të renditur në vende që mendohej se mund të rezultonin fitues. Por asnjeri prej tyre nuk fitoi, ku më befasuese ishte humbja e Agron Dukës në Durrës, i cili kishte marrë 12300 vota më 2013-ën, kur kishte garuar veç PD-së. Në një prononcim të para disa javëve, Agron Duka deklaroi se nga sondazhe që kishte zhvilluar në zona rurale, kandidatët e Partisë Agrare Ambientaliste ishin konkurrues në 8 qarqe dhe kanë gjasa të marrin mandat. Kuptohet që fushata e tyre kapilare në secilin qark mund të jetë shumë më efikase, në qoftë se garojnë me siglën e kësaj partie dhe jo me atë të frontit të bashkuar të PD-së. Në këtë skenarin e dytë, lista përbëhet nga shumë kandidatë dhe stimuli nuk është i drejtpërdrejtë për kandidatët e PAA-së. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për LSI-në, PDIU-në, etj., të cilat kanë treguar se janë shumë konkurruese kur kandidatët e tyre garojnë me siglën e partisë së vet. Pra, me pak fjalë, një tren i gjatë elektoral me lokomotivë PD-në mund të grumbullojë më shumë vota se sa bashkimi i të gjitha partive opozitare në një lokomotivë të vetme opozitare.
Problemi afatgjatë politik
Partitë e vogla i druhen mosgarimit me siglën e vet, sepse gradualisht humbet arsyeja e tyre e të qenit në politikë; gjegjësisht, për të qenë faktor sa më të rëndësishëm në krijimin e qeverive të ardhshme. Vetëm duke garuar më vete, ato mund t’u demonstrojnë partive të mëdha peshën politike, e për rrjedhojë, ta ngrenë stekën e tyre kur të ndahet torta e pushtetit… Le t’i kthehemi shembullit të mësipërm të PAA-së. Dihet publikisht se Agron Duka mori 12300 vota në Durrës në zgjedhjet e 2013-ës, por në 2017-ën ai nuk mund të thoshte dot me siguri se sa vota kontribuoi për listën e përbashkët me PD-në (ku ishte i pesti e mbeti pa mandat). Në qoftë se ai dhe kandidatët e tjerë të PAA-së grumbullojnë mijëra vota në të gjithë Shqipërinë dhe disa prej tyre fitojnë mandate, pesha politike e partisë së Dukës do të demonstrohej qartë. Dhe kështu ajo do të shkonte në tryezën e krijimit të qeverisë me një listë më të gjatë kërkesash…




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.