OPINION

Për Koliqin e çmuar dhe Shkodrën e tij

11:30 - 10.07.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejt Shkodrës, zakonisht shkohet nga rruga që kalon nga Lezha. Kur udhëtarit i shqiptohet emri i fushës pjellore të Zadrimës dhe pastaj “Ja, Shkodra”, ai nuk sheh asgjë tjetër përballë vetes sesa një barrierë gjigante malesh, të shogët e të përhimtë.
Duhet të vazhdosh më tej, gjersa të arrish të shohësh se ka një kalim midis Taraboshit dhe kodrinës së kalasë të kurorëzuar me mure bedenash, që ndjek si një ngushticë udhën plot gjarpërime të Bunës, derisa në fund gjendet, ose të duket se gjendet, një zonë banimi, si e varur thikë dhe me një fole çatish të vendosura njëra mbi tjetrën; zbritet, paskëtaj, nëpër sokakët e ngushtë e të errët, duke kuptuar se ky nuk është qyteti, por pazari i tij, vendi ku ai që kalon nuk mund të thotë se aty jetohet, por vetëm se njeriu fshihet pas mallit apo nën thasët e mallit që mban në krah.
E më pas vijon veç fusha.
Vetëm paskëtaj vjen qyteti, nëse duam të përdorim një term pompoz, pasi atë mund ta quajmë thjesht edhe një qendër banimi; rruga kryesore, e para që i paraqet ardhësit fytyrën e Shkodrës nuk është asgjë tjetër veçse një varg shtëpish modeste, me dy kate më e larta, me dyqane apo kafene të vockla në katin përdhes. E, nëse del prej andej, të shoqërojnë rrugicëza akoma edhe më fushore e kalime akoma dhe më të ngushta midis ledheve të kështjellave me porta të mëdha, por pa shtëpi. Nëse dikush do të donte të vinte këtu si turist e me të gjitha ato përkujdesje e kureshti të studiuesit, duke dashur madje të ngjitej më parë në kala, do të shihte se rrënojat e fortifikimeve do ta linin të mëdyshur midis stilit turk e atij venecian, ndërkohë që ajo që do t’i paraqitej përposh si panorama e qytetit, do të qe e ngjashme me një pyll të stërmadh, prej të cilit lartësohet kambanorja e madhe e katedrales katolike dhe kambanorja e vogël e françeskanëve, të shoqëruara këto nga minaret e shumta të lagjeve myslimane në të majtë. Pak çati të kuqe nxjerrin tek-tuk kryet mes gjelbërimit, si për të justifikuar imazhin me të cilën shkodranët duan ta përshkruajnë qytetin e tyre, atë të një shege që lejon të nëpërduken kokrrat e veta.
Përveç kësaj, këtë ide të misterit të qytetit, e plotësonte edhe të kundruarit nëpër rrugët e tij të grave katolike, të mbështjella të tëra, përveç hundës dhe syve, brenda “çarçafit” të tyre aq shumë të ngjashëm me atë që përshkruan Goldoni e që Xhentile Belini ua vesh grave të Aleksandrisë. E pas kësaj, mund të shihje kudo një mënyrë vërtet mbresëlënëse të veshjeve të murgeshave: disa me fytyra të zbuluara, e këto ishin “mungeshat” e shtëpive katolike; disa të tjera me mantele e funde të gjata njëlloj si të motrave, por me disa lloj çizmesh të veçanta e shumë elegante, me taka të larta që sikur mbinin nga toka e që shoqëronin pamjen e tyre, e cila për ata që i kundronin përballë, ngjante me atë të fantazmave shëtitëse, për shkak të fytyrës së mbuluar tërësisht me një cohë të hollë të zezë. Këto qenë zonjat myslimane të veshura ala “nizamesha”, veshje kjo e importuar nga Stambolli prej grave të zyrtarëve të lartë të administratës. Po midis të gjithave, në shëtitje, binin në sy me gjithë madhështinë e tyre zonjat e shtëpive katolike, me mantelet e bukura me ngjyra të ndezura, ku spikasnin njolla të kuqe flakë, me jakat e gjata e të ngritura lart e me atë “ujëvarë të derdhur” vellosh të bardha. I shihje kudo, me çadra të zeza e të hapura, qoftë shi, diell apo muzg.
I vetmi shpengim i lejuar në jetën familjare kundrohej përballë dyerve krejt të hapura të furrave, ku gëlonin fëmijët katolikë e vajzat myslimane me pantallona e gërshetë të gjatë, duke mbajtur mbi krye ndonjë tavë a tigan, me ndonjë gjë të pjekur a ragú a ndonjë peshk, të besuar ndaj përkujdesjeve gati prindërore të të zotit të furrës së lagjes.
Djem apo vajza të reja nuk shihje gjëkundi. Po kështu edhe pak njerëz, sepse të gjithë të tjerët i gjeje në pazar.
Nëse do të kërkoje të hyje në njërën nga këto shtëpi, të lypsej të kaloje nëpër disa ngushtica, të godisje fort me dorezë në njërën prej atyre portave të tyre të mëdha, të “spiunoheshe” nga brenda përmes një “frëngjie” të vendosur në mes të shtalkës monumentale të shtëpisë, e pas hyrjes, të priteshe veç në “dhomën e miqve” e askund tjetër.
Nëse të rastiste një shtëpi myslimane, nuk mund të shihje tjetër veç të zotit të shtëpisë; po nëse shtëpia ishte katolike, priteshe vërtet nga burrat, por servireshe nga gratë me një fisnikëri e shije, të mbështjellë madje edhe nga një ngrohtësi e atillë familjare, që të sillte nëpër mend atë mirësjellje të hijshme antike të Venecias së viteve ‘1500, apo ndoshta edhe të shtëpive të mbretërive shqiptare të viteve ‘1400.
Më tej nuk mund të shkohej. E më tej, pa dyshim, që gjallonin sentimente. Në kohën e Koliqit të “Hija e malevet” dhe “Gjurmat e stinvet”, po edhe më pas te “Tregtar flamujsh”, natyrisht që sentimentet e përjetshme, ato të çdo jete e të çdo vendi mbeteshin, edhe pse të fshehura, gjithmonë të gjalla. Po të tjerat, madje në njëfarë mase edhe këto vetë kishin filluar të kushtëzoheshin nga një stad i ri i gjërave, nga një jetë jo më e drejtpeshuar nga normat e rrepta antike, po nga një vërshim aspiratash të reja, e shoqëruar kjo me një rënie të përgjithshme ekonomike, e cila u jepte të gjithë instrumenteve të madhështisë e pasurisë antike një aspekt dekadence, kurse orvatjeve për gjetjen e formave të reja të ekzistencës, një klimë pasigurie me nuanca foshnjërore.
Të rinjtë mund të kenë shpesh një mënyrë të tyre artistike, sikurse mund ta kenë edhe ata studiues që mund të rijetojnë kohërat e shkuara; e këta mund të jenë të sinqertë. Ka edhe asish që zotërojnë nji mjeshtëri mjaft të përmbaruar, por vështirë se ata mund të mbërrijnë në një shkallë realizimi që vetëm eksperienca e jetës mundet tua japë; e atëherë ndihet në veprën e tyne se mungon ajo martesë fatlume ndërmjet subjektit e objektit, ç’ka përbën atë që mund të quhet përnjimend vepër arti.
Kur për fat të zi këta të rinj e bëjnë retorikën jo vetëm mënyrën e ushtrimit të tyre letrar, por një rregull a një mënyrë jetese, atëherë jeta e tyre del jashtë epoke. E kur për më tepër se kaq, me një poezi a retorikë të tillë, ata çojnë zërin e përpiqen të bëhen udhëheqës të të tjerëve, e akoma dhe më keq, dëgjohen prej tyre, atëherë ky fat i zi i poezisë dhe i artit të tyre, shndërrohet edhe në atë të jetës individuale e të përbashkët.
Kjo u ngjau shumë letrarëve të rinj shqiptarë në epokën midis dy luftërave, atëherë kur në një mënyrë të veçantë, të rinjtë e asaj kohe nuk kishin më nji objekt të gjallë, konkret, të çelur për veprimtarin e tyre, për rrjedhim s’kishin veçse ëndrra të kthyera në kohëra jo fort të vjetra, por krejtësisht të tejkaluara. Kështu doli retorikë një pjesë e madhe e letërsisë patriotike, jo pse ndjesitë nuk ishin të sinqerta, por pse aspiratat ishin ireale.
Mirëpo autori ynë nuk ra në këtë grackë.
Në këtë pikë do të qe me vend të përmendnim një artikull të famshëm të Anton Harapit mbi raportin e artit me moralin në letërsinë koliqjane. Novelat e tij, me reformën e traditave që kërkuan të bëjnë, dhanë shkas për paraqitjen dhe përcaktimin delikat të çështjes së moralit publik në traditën shqiptare. Madje, mund të nënvizojmë se Koliqi në këtë drejtim u rrit dhe u kultivua shumë karshi pikëpamjeve të tij të para.
“Trashëgimia shpirtërore e traditës te të rinjtë”, pohon ai, “natyrisht duhet të kalojë nëpër sitën e mendësisë dhe të ndjeshmërisë së kohës së tyre, për t’i përtërirë e këndellë në frymë moderne, por nuk mund t’i hedhë kurrë ato në një anë. E sotmja, si e kombeve ashtu edhe e individëve përbëhet nga elementët më të zgjedhur të traditës. Një lis pa rrënjë nuk qëndron dot në këmbë. Një komb që përbuz traditat e veta vendos vetëvrasjen e vet”.
“Qëllimi është i lartë, po mënyra që ai ka zgjedhur ka vend për disa përmirësime”, – do të nënvizonte për këtë reformë Harapi. Na duket se ende nuk është arritur të krijohet ajo masa e duhur e ekuilibrit përkatës midis librit dhe lexuesit. Librat e tij nënkuptojnë një ambient me edukatë morale shumë më të plotësuar, me kulturë shpirtërore shumë më të përsosur, që rrethi ynë shoqëror ende se ka. Jemi në udhë e do t’ia mbërrijmë, por jo me kapërcime të rrezikshme, veç me hapat e evolucionit të arsyeshëm, i cili vërtet është paksa më i ngadaltë, por i sigurt.
Ndaj, Koliqit do t’i këshillonim një shprehje të Horacit: Atë çka shkrimtari klasik lypte për zotësi të shkrimtarëve, ne ua këshillojmë letrarëve tanë t’ua kërkojnë edhe lexuesve të tyre”. Mirëpo këtu qëndron problemi. Po deshëm vërtet ta edukojmë popullin shqiptar, duhet ta marrim mirë parasysh fuqinë morale dhe shkallën e kulturës shpirtërore të lexuesve, e ta peshojmë mirë se çka atyre mund t’ua mbajë kërçiku i shpirtit, e çka jo”.
Nga ana tjetër lipset të sqarohet prerazi edhe një karakteristikë e shumëpërfolur e veprës koliqjane. Në një “Epistull” të famshme të vitit 1934, të botuar më Leka, Valentini – nëpërmjet një vargu njëmbëdhjetë rrokësh e me ton shakator, ashtu siç është rregulli i një epistulle – i bën një recension përmbledhjes me lirika të Koliqit “Gjurma e stinvet”. Duke marrë filozofinë si bisturi, e duke nisur ta “copëtojë” me të trupin e veprës, autori vëren aty mbizotërimin e një panteizmi të hollë, estetik dhe klasik, sipas stilit të Karduçit, e pse jo edhe të Virgjilit; Grish kudo një optimizëm patriot, beot, qoftë i drejtpërdrejtë apo viveur; por nga ana tjetër edhe stigmatizohet mungesa e një hareje a gjallërie në ato 80 fletë të përmbledhjes, të mbushura veç me një nostalgji sendesh të bukura, që vetë poeti nuk i di se cilët janë apo i ka harruar. Grishet aty, gjithashtu, edhe një gjuhë blegtorishte dhe e erandshme prej bjeshkëve a prej turishtës, por që s’mund të peshohet me atë gjuhën e lëmuar klasike.
Po megjithatë, nënvizon Valentini, më fort se të gjitha këto analiza të thella e kritika goxha të imta që mund t’i bëjmë poezisë koliqjane, lexuesi aty do të mrekullohet nga ai stili i tij muzikor, i lëvruar në mënyrë aq të ditur, sipas llojit “odi profanum vulgus”, me një harmoni që të kujton aq ëmbël melodinë e fyellit, curlës apo zanamares, që të josh e të bën të harosh “bisturinë” e filozofisë dhe “terezinë” e gjuhës klasike.
E kjo, sepse paganizmi e sensualizmi i Koliqit ishte vërtet një prodhim i natyrshëm i klimës historike shqiptare, që filloi pas nëntorit të 1912-ës, pa ndonjë ideal të përpunuar qartë, pa ndonjë qëllim frymëzim-lartonjës jete. Mirëpo rrezikun e kontigjentizmit historik të poezisë së një brezi të tërë, të cilin e shembi dhe i humbi udhën trashëgimi pesëshekullor turk, autori e ndjeu thellë dhe e kuptoi shpejt.
Ja, pse Koliqi udhën e tij letrare e shtyu përpara, drejt së ardhmes, duke arritur t’i kapërcejë kufijtë. Ja, pse paganizmi koliqjan nuk është antiklerikal si e “Inno a Satana”, por një kamzhik kundër dobësisë së atëhershme morale si e “Giambi ed Epodi” të Karduçit.
Kuptimi dioniziak i jetës, një jetë pa fund e pa kufi, e bukur, e gëzuar dhe fitimtare, e hedh poetin tonë në prehrin e sensualizmit danuncian. Kështu, ai e kap jetën në rrjedhën e saj të përjetshme, në një përtëritje të pasosur valësh e të rrahurash, ku ai mbledh një pjesë të madhe të ritmeve të saj të panumërt dhe me ndjesinë vetjake të ngjyrës dhe veshit, na jep fytyrën e saj, e cila herë-herë arrin edhe simbolin kozmik. Muzika e gjërave duket sikur vjen nga viset e largme të ëndrrës. Pasioni për të jetuar bëhet melodi. Dhe përmes kësaj nis t’i shfaqet faqja melankolike dhe e pikëlluar e jetës. Por, pikërisht në këtë pikëllim qëndron dëshirimi, të cilin shpirti i poetit e merr dhe e vendos si një kusht të domosdoshëm për të jetuar e për ta ndjerë si një notë të nevojshme në muzikën e amshuar të jetës.
Vepra, pra, po qe përnjimend artistike, po zotëroi një fuqi të mrekullueshme, nuk ka si ta lërë lexuesin indiferent. Ideja, tipi a veprimi i përfytyruar prej autorit ndez fantazinë, kjo e fundit merr vrull e krijon një rrymë të re shpirtërore, e cila sipas një ligji të natyrës josh e bën për vete ndjesi; ndjesitë të çuara kështu peshë, nuk priten, por fuqishëm maten të shpërthejnë përjashta, të kristalizuara në veprime të caktuara. E po qe se lexuesi, i shkëputur prej ndjesive e shijeve të ulëta, ngjitet ndër ndjesi të larta shpirtërore e ndër shije të kulluara estetike, atëherë kemi dhe lartësim shpirtëror. Në një pikë të tillë arti përkon me moralin.
Ja, kjo ishte tatëpjeta e madhe që kërkonte të ngjiste Koliqi: ta përdorte mjeshtërinë e vet artistike dhe fuqinë e saj ndikuese, për përmbushjen e një reformimi shpirtëror të shqiptarëve. E në këtë përpjekje u mundua të gjente një të përpjesshme të artë në ekuilibrin delikat art-moral.
Në këtë sens, ndërrimi dhe përmirësimi i dokevet të Shkodrës së atëhershme, që Koliqi synonte, mund të arrihej vetëm nëse ndiqej një parim mëse i arsyeshëm: Të ruheshin visaret morale e shpirtërore të shqiptarit, e pa e shndërruar atë në të huaj të vetvetes, të qortohej ajo çka e pengon dhe e shënjon me dobësi, për t’u nxjerrë në pah dhe për t’u përcaktuar si tagër për thellim e shpërhapje, ajo çka atij i duhet më tepër dhe e larton më fort shpirtërisht.
E kjo është diçka me të vërtetë sublime, një mënyrë që do të qe mirë të paralelizohej e projektohej edhe në epokën që po jetojmë. Nuk mund të themi me siguri se deri në ç’masë pati forcën dhe qëndresën arti i Koliqit të ndikojë në këtë reformim shpirtëror të shqiptarit, por kemi trashëgiminë e tij të çmuar që për këtë qëllim gati të shenjtë, arti letrar – brenda caqeve të arsyes – është një instrument i pazëvendësueshëm.
Të paktët persona largpamës të asaj kohe nisën ta kuptonin problematicitetin gëlues të momentit; po shumica rreshtoheshin kokëfortësisht në mbrojtje të së shkuarës ose druajtësisht kah aventurës së re. Ishin në lojë thelbi dhe qëndrueshmëria e shoqërisë, morali dhe feja; ishin në lojë fortesat e shpirtit të kombit, traditat e mira e të bukura, pastërtia e gjuhës, respekti, kultura e seriozitetit, interesat lokale e kështu me radhë.
Në këtë sens, Koliqi novelist dhe lirik shkaktoi skandal kudo. Për konservatorët, ai nuk ishte mjaftueshmërisht konservator, kurse për inovatorët shumë konservator.
E atëherë skandali letrar shndërrohej edhe në një skandal moral: kush nuk respekton gramatikën tonë shkodrane, hedh poshtë vlerat e mëparshme historike dhe të pakundërshtueshme të komunitetit tonë kristian, kësisoj nuk është me ne. Kush merr përsipër të praktikojë një gjuhë si tonën, kush duket se i ndien problemet që na ngucin, por vonohet nga soditja edonistike e së shkuarës, nuk është sinqerisht me ne, por është një borgjez (e nëse Koliqi do të kish qenë mysliman, do ta kishin quajtur feudar).
Por ai ishte veçse një poet.
E këtu pjesëza veçse, nuk nënkupton aspak më pak, përkundrazi më shumë.
Në thelb, nëse do të donim të shkonim në kërkim të kritereve me të cilat krijuesi na ka pajisur për të zbatuar zgjedhjet tona në mes të një pafundësie gjërash të krijuara përreth nesh, pa dyshim që do të gjejmë mjaft kritere të tipit racional, në mënyrë evidente të domosdoshme për ne, qeniet racionale. Gjithsesi, nuk mund t’i japim kaq besim arsyes për ta shndërruar atë në një hyjni, përveç rastit kur jemi nën trysninë e urgjencës së një zgjedhjeje. Përndryshe, ai që na qeveris është instinkti, ai instinkt që na udhëheq drejt gjërave të këndshme; ai që i jep fuqinë e edilit edhe sendeve më të zakonshme të jetës. Megjithatë, ekziston dhe diçka tjetër. Jeta jonë nuk është krijuar veç për të bërë diçka e për të punuar. Jemi njerëz, e si të tillë jemi krijuar edhe për të menduar e soditur; e së fundi, edhe për të dashuruar. Mirëpo, dashuria nuk mund të mendohet të ekzistojë pa soditje e veprimi i të soditurit është ai që i përket përjashtimisht një esteti. Aty ku arsyeja ndalet, ai vijon soditjen, harenë dhe dashurinë. Madje, ngandonjëherë shija e rafinuar e estetit arrin ta përfundojë përzgjedhjen edhe aty ku mendimtari s’mundet.
Ata që e reçensuan dhe shprehën publikisht mendimin e tyre rreth novelave dhe lirikave të Koliqit, në të gjitha tematikat e tyre, shkurt mund të përmblidhen në shprehjen “të bukura, por asgjë më shumë”. Në distancë vitesh nga ajo kohë, na duhet të shtojmë se ato qenë edhe të gjetura.
Nga ana tjetër, Shkodra përgjatë gjithë historisë së saj qe vlerësuar si një thesar i çmuar vlerash me të cilat s’mund të mburrej asnjë qytet tjetër i Shqipërisë. Në vend të parë ajo shquhej për katolicizmin e saj të përjetshëm e të pathyer kurrë, për të cilin mund të thuhet se ka shoqe vërtet shumë të rralla në të gjithë botën katolike. Mirëpo nga një bastion i përhershëm i katolicizmit dhe atdhetarisë, në një moment të caktuar – e qe pikërisht koha e Koliqit, – Shkodra filloi të tregohej shumë e mbyllur në vetvete, filloi që gjërat t’i ruante përbrenda e të mos i pranonte të tjerët. Kjo do të ishte dëm për të e për të gjithë.
Koliqi e kuptoi – ose e ndjeu – qartë një gjë të tillë.
Gjuha e tij kulloi prej Shkodrës dhe maleve të saj, por nuk ishte as njëra e as tjetra. Ngrohtësia ishte vërtet për kujtimet shkodrane, por entuziazmi i tej drejtohej drejt misionit të Shkodrës në shërbim të gjithë atdheut.
Koliqi e kuptonte Shkodrën familjare, po nuk kuptonte ose nuk mund a nuk donte të kuptonte Shkodrën fanatike, Shkodrën politike, Shkodrën që stërfalej, Shkodrën që si të gjithë fanatikët, tradicionalistët apo hiperpolitikët, besonte se po ruante një traditë së cilës nuk i njihte tjetër veçse mbeturinat, kësisoj nuk mund t’i shpëtonte dot asgjë.
Nga ana tjetër, është plotësisht e vërtetë që shkodrania e tij mbeti gjithmonë transparente, e bashkë me të edhe koncepti i saj themelor kristian, katolik e perëndimor i jetës private, edhe pse i prirur te edonizmi, te jeta kombëtare, apo edhe pse i konceptuar në bashkëpunim me të tjerë elementë.
Nuk mund të thuhet, pra, se ai pat qenë me fat e as i pritur me zemër të hapur nga bashkëqytetarët e vet apo nga të tjerët.
E megjithatë, për ta përballja me të qe e pashmangshme. Poezia e tij nuk mundej, nuk do të mundeshe e as nuk do të mundet kurrë të anësohet, jo vetëm në historinë letrare shqiptare, por ndoshta edhe në të gjithë historinë e Shqipërisë.
Ndaj, Shkodra me të do të mbetet e gjallë, si një tablo prekëse e me ngjyra të ndezura, si një tablo që s’e pat bërë askush më parë e që asnjë tjetër s’do ta bëjë ndonjëherë.




 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.