DOSSIER

Petrit Gaçe, profesori që i kushtoi jetën lindjes dhe zhvillimit të kardiokirurgjisë shqiptare

11:29 - 10.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Profesor Petrit Gaçe (1927-1996)
Thuhet se profesor Petrit Gaçe ka themeluar Shërbimin e Kardiokirurgjisë shqiptare. Në të vërtetë, prof. P. Gaçe, që i kushtoi gjithë jetën lindjes dhe zhvillimit të kardiokirurgjisë shqiptare, është autor dhe nismëtar i disa specialiteteve të tjera mjekësore në vendin tonë.
1. Dr. Petrit Gaçe, kirurg i përgjithshëm
Pasi përfundoi studimet e larta në Institutin e Parë Mjekësor në Shën Petërsburg (1947-1953), ai punoi si kirurg i përgjithshëm në Spitalin Civil të Tiranës dhe pedagog në Katedrën e Anatomisë Normale të Institutit të Lartë Mjekësor në Tiranë (1953-1957).
Gjatë dy viteve të para (1953-1955) ai kishte shef dhe mësues dr. Frederik Shirokën (1907-1955), që shqiptarët e kishin pagëzuar me emrin “kirurgu me duar të arta”, kurse gjatë një sesioni shkencor që vetë prof. Petrit Gaçe organizoi në Tiranë me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, ai do ta quante “Themelues i kirurgjisë moderne shqiptare”.
Gjatë aktivitetit si kirurg i përgjithshëm (1953-1957), dr. P. Gaçe ishte ngarkuar që të zgjidhte edhe problemet kirurgjikale të pacientëve të moshave pediatrike, që shtroheshin në pavionet me shef themeluesin e pediatrisë shkencore dhe të hematologjisë shqiptare në përgjithësi, prof. Selaudin Bekteshin (1917-2003).
Prof. Petrit Gaçe do të pohonte vazhdimisht më vonë se kishte përfituar nga jeta, vepra, sjelljet dhe atdhetaria e këtyre dy ikonave të mjekësisë shqiptare, të cilët u kthyen në atdhe fill pas diplomimit për t’i shërbyer popullit të tyre, edhe pse u kishin premtuar se do t’i punësonin si mësimdhënës në fakultetet ku ata ishin diplomuar (Vjenë dhe Torino).
Përveç aktivizimit të tij në kirurgjinë pediatrike, kirurgu i ri Petrit Gaçe filloi të jepte kontributin e tij në specialitete, që nuk preferoheshin nga kolegët e tjerë si p.sh., Djegie-plastika dhe Arteriopatitë periferike.
Dr. P. Gaçe ka dhënë ndihmesën e tij edhe në trajtimin kirurgjikal të djegieve, duke realizuar për herë të parë në vendin tonë transplantimin e lëkurës mbi plagët e granuluara (1953-1954). Për herë të parë profesor Petrit Gaçe realizoi operacionin e trombembolektomisë direkte në arterien iliake eksterne (1962) dhe operacionet e rikonstruktimit të arterieve me proteza arteriale, autovenë dhe operacionet dezobliteruese (1964). Kurse në vitin 1967, pasi u arrit të kryej me sukses rezeksioni i bifurkacionit të aortës, u zgjidh edhe problemi i mjekimit të traumave arteriale dhe i mjekimit kirurgjikal të obturimeve akute të arterieve të anësive, që zakonisht përfundonin me amputacionin e ekstremitetit të prekur.
Pas specializimit të mjekëve që kishte përzgjedhur vetë prof. Gaçe, shërbimi i kirurgjisë vaskulare u nda si një shërbim më vete me përgjegjës prof. E. Kapidani (1992).
Prof. P. Gaçe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe modernizimin e shpejtë të specialitetit Anestezi dhe Reanimacion. Në fillim të viteve ‘70, zhvillimi kirurgjisë në përgjithësi dhe veçanërisht lindja e kardiokirurgjisë me qarkullim ekstrakorporal, e bënë të domosdoshme zhvillimin e specialitetit të anestezisë dhe reanimacionit. Fakti që roli i shefit të shërbimit universitar të Anestezi-Reanimacionit iu besua prof. Tritan Shehut, përgjegjësi i ekipit përkatës në Shërbimin e kardiokirurgjisë, tregon se anestezia dhe reanimacioni, që tashmë kishte arritur nivele të larta teorike dhe praktike, lindi në shtratin e përgatitur nga prof. P. Gaçe dhe nga specialistët, që pasi i kishte përzgjedhur vetë, u dërguan për t’u specializuar jashtë vendit me shtysën dhe këmbënguljen e tij.
2. Kardiokirurgu prof. Petrit Gaçe
Fill pasi u kthye në atdhe pas specializimit trevjeçar (1957-1960) në një klinikë, ku operohej vetëm me zemër të mbyllur, ai realizoi me sukses disa operacione të komisurotomisë mitrale digitale (1960) dhe një vit më vonë kreu ligaturën e Duktusit arterial-Botall (1961), që është sëmundje e lindur.
Pas vitit 1970, për realizimin e operacioneve me zëmër të hapur, një hap i madh përpara drejt operacioneve të komplikuara, u krye një volum i madh pune eksperimentale në kafshë.
Në vazhdën e këtyre përgatitjeve u montua në spital edhe një aparaturë moderne për kohën, që kryente eksplorime të plota hemodinamike duke përfshirë edhe regjistrimin e presioneve endokavitare, përmbajtjen e O2 në gjak dhe angiografinë. Këto ekzaminime, që kryheshin nga kardiologët tashmë të specializuar (M. Vullkaj, F. Meksi, A. Kondili, S. Berisha), përmirësuan ndjeshëm diagnostikimin e veseve të zemrës dhe rritën gamën e operacioneve që do të kryheshin.
Në datën 4 korrik 1970, prof. Petrit Gaçe realizoi operacionin e parë me zemër të hapur në kushte hypotermie, ndërsa në 11 maj të vitit 1971, po ai realizoi me sukses korrigjimin e defektit intraventrikular të lindur në kushtet e qarkullimit jashtëtrupor.
Për të realizuar këto ndërhyrje kardiake, duhej që kirurgët të kishin një pamje vizive sa më të pastër, pra zemra duhej ndaluar dhe të zbrazej nga gjaku, por kjo do të thoshte vdekje e sigurt për pacientin. Ishte makina zemër-mushkëri, që më në fund lejoi ndalimin e zemrës duke i mbajtur pacientët në jetë gjatë periudhës së ndërhyrjes kirurgjikale në zemër.
Këto operacione që realizoheshin duke përdorur makinën zemër-mushkëri, prof. P. Gaçe i realizoi vetëm 10 vjet pas aplikimit të tyre në rutinë në spitalet kardiokirurgjikale në SHBA dhe Europë (1960).
Pas këtyre operacioneve të suksesshme filluan të operohen rregullisht një pjesë e konsiderueshme e defekteve të lindura të zemrës si: defektet septale, tetrada Fallot, stenozat e arteries pulmonare, koaktacionet e aortës etj., ndërkohë që vazhdonin të kryheshin edhe operacionet me zemër të mbyllur.
Në datën 28 shkurt të vitit 1980 realizohet nga prof. Gaçe për herë të parë në vendin tone, vendosja në zemër e një valvule artificiale, kurse në vitin 1985, pas kryerjes së koronaro-grafisë nga dr. F. Meksi, ishte po prof. Gaçe që realizoi me sukses operacionin e parë të By-pass-it aorto-koronar, gjithmonë nën mbrojtjen e makinës çudibërëse zemër-mushkëri.
Vitet 1980 shënojnë përparime të ndjeshme në kirurgjinë e zemrës dhe të enëve të gjakut. Në këto vite i bashkohen stafit të vjetër të prof. Gaçes, i përbërë nga prof. Veli Zogu, Prof. Ajli Alushani dhe prof. Tritan Shehu, prof. F. Meksi edhe mjekë të ri, si kirurgët Arben Baboçi dhe Ali Refatllari, anestezistët Sokol Mara, Ilir Ohri, Roland Xhaxho, Arben Fino, Marian Joiç, kardiologia Efrosina Kajo dhe biokimistia Aurora Knuti.
3. Pedagogu, shkencëtari dhe akademiku
Prof. P. Gaçe ka dhënë ndihmesën e tij të vyer si pedagog i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, i specializantëve të kirurgjisë së përgjithshme dhe të kardiokirurgjisë. Leksionet e tij, që përfshinin në raportet e duhura eksperiencën praktike si kirurg i talentuar dhe i përgatitur teorikisht, me arritjet e kirurgjisë së përbotshme, ndiqeshin me endje nga studentët, specializantët dhe nga kirurgët e rij.
Dr. Petrit Gaçe ishte nga të parët që mori gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore”. Në vitin 1966, ai mori titullin Docent, kurse në vitin 1971 tiullin Profesor.
Ai ka një veprimtari të gjerë shkencore që është paraqitur me botimin e 50 punimeve, artikujve, teksteve mësimore universitare. Është bashkautor në tekstet Kirurgjia e përgjithshme (1976) dhe Sëmundjet kirurgjikale (1981).
Prof. Petrit Gaçe bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave (1983) dhe është dekoruar me Urdhrin e Flamurit të klasës I.
Spitali kardiokirurgjikal në QSUT “Nënë Tereza” mban emrin “Profesor Petrit Gaçe”.
4. Shefi ynë i paharruar, intelektuali elitar
Shefi ynë lindi në Elbasan, ku kreu Shkollën Normale të qytetit. Bashkë me një grup normalistësh, Petriti 15- vjeçar doli në mal.
Edhe pse kishte qëndruar për studime universitare dhe pas universitare në Petërsburg, një qytet i civilizuar dhe me tradita të lashta, edhe pse ishte njohës perfekt i gjuhës ruse, ai simpatizonte perëndimin e Europës. Si elbasanas ai kishte sjellje, edukatë dhe kulturë qytetare, pamje dinjitoze dhe vishej me shije. Ai pëlqente të gjitha kënaqësitë normale duke përfshirë letërsinë artistike, librat dhe revistat historike dhe politike, filmat, muzikën, sportin dhe joshej nga e bukura dhe modernia. Shokët e tij të një moshe me të, por edhe ne kolegët me moshë më të re, e admironim si specialist të dalluar dhe si intelektual erudit edhe pse ai ishte një modest i lindur që nuk kërkonte të binte në sy dhe të dallohej nga të tjerët. Veçse me shokët dhe me ne bashkëpunëtorët e afërt, ai zbraste të gjithë bagazhin e tij të pashterueshëm, pavarësisht nga temat në diskutim. Petrit Gaçe si njeri dhe si mjek ka qenë serioz, rigoroz dhe fjalë pak, por veçse i përkushtuar maksimalisht për të zgjidhur detyrat e tij lidhur me të sëmurët. Korrektësia dhe ndershmëria e tij kanë ngelur proverbiale. Në të vërtetë aftësia kryesore e Petrit Gaçes ka qenë dashuria për njerëzit dhe respekti për ta. Prof. Petrit Gaçe i kishte me tepri intelektualitetin dhe manualitetin, dy cilësi të domosdoshme për të qenë një kirurg i madh. Por ai kishte edhe një cilësi të tretë që u mungonte shefave të tjerë të shërbimeve kirurgjikale në QSUT. Ai dinte të formonte ekipin e tij me mjekë të aftë, ambiciozë dhe që ishin gati të sakrifikonin për të sëmurët që u kishin besuar jetën. Ai, pasi informohej hollësisht nga disa burime, i zgjidhte këta mjekë të rij kudo ku ata ndodheshin dhe më pas interesohej edhe për specializimin e tyre. Me këtë rast duhet theksuar se nga ekipi që formoi prof. Petrit Gaçe, numërohen 2 Ministra të Shëndetësisë, 2 dekanë të Fakultetit të Mjekësisë dhe 10 profesorë. Në vitin 2021 mbushen 25 vite nga data kur shefi tonë është ndarë nga familja dhe nga kolegët e tij (31 maj 1996). Me këtë rast Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shërbimin Universitar të Kardiokirurgjisë në QSUT, duhet të organizojnë gjatë gjysmës së parë të vitit 2021 një sesion shkencor në nder të akademikut Petrit Gaçe.
Prof. Fedhon Meksi




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.