DOSSIER

Rrëmbimi i Radio Korçës, si u vendos ndërlidhja ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm dhe Tiranës

09:31 - 10.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sulejman Omerbashi  – Ndërlidhja me radio gjatë luftës Nacional-Çlirimtare ka qenë shumë e rëndësishme. Përpjekjet për përgatitjen e radiostacioneve kanë filluar në Korçë që në vitin 1942. Transmetuesin e parë e ndërtoi Todo Bojdani me shokët e tij Thanas Mërtiri dhe Jorgji Babo në laboratorin e radios të Thanas Mërtirit. Thanasi rrethohet nga Batalioni malor gjerman në datën 1 tetor 1943 dhe është ndërlidhësi i parë që dha jetën për lirinë e atdheut. Në dokumentet e gjetura rezulton se ndërlidhja e parë me radion në kohën e luftës është kryer në 16 dhjetor të vitit 1943. Për herë të parë komanda e Bakullit drejtonte me radio Batalionin e Devollit që luftonte me gjermanët në Grykën e Lozhanit-Guri Kamjes. Radiostacionet ishin përgatitur nga Todi Bojdani dhe shokët e tij ndërsa ndërlidhja u realizua nga Servet Xama që ishte radist i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Myfit Poçari ishte radist në Batalionin e Devollit. Unë dua që të shkruaj për një dokument interesant që është gjetur për vendosjen e ndërlidhjes ndërmjet Qarkorit të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm. Përpjekja e parë për të vendosur ndërlidhjen me radio me Qarkorin e Tiranës u bë në muajin mars të vitit 1944. Për këtë qëllim nga vendkomanda e Korçës, niset radisti Myfit Poçari. Myfiti u arrestua nga nazistët gjermanë porsa mbërriti në Tiranë dhe më pas u dërgua në kampin e përqendrimit në Prishtinë, kështu që kjo përpjekje dështoi. Vendosjen e e ndërlidhjes me Tiranën e merr përsipër Todi Bojdani. Todi kishte qenë ideatori dhe personi kryesor që në datën 10 shtator 1943, kishte kryer aksionin e rrëmbimit të Radio Korçës, së bashku me Njësitin Gueril të Korçës.
Në gusht të vitit 1944, Todi ndodhej në Helmës ku ishte i vendosur një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe ku u zhvillua Konferenca e Parë Antifashiste e Rinisë. Në datën 29 Gusht 1944, nga Shtabi i Përgjithshëm niset radiogrami: “Sa më parë në lidhje me Gogon, radion e vogël amerikane ta futni në Tiranë, duke iu dhënë edhe një shifër provizore për ju, deri sa t’u dërgojmë shifrën e veçantë dhe t’i lidhim direkt me ne. Tirana ka për detyrë të na mbajë me informata për çdo gjë. Kjo ka karakter urgjent. Enver.” (radiogrami nr.52, dosja 159 AQ). Në Arkivin e Shtetit u gjet një letër shumë interesante që ka të bëjë me këtë çështje. Kjo letër mban datën 31 Gusht 1944, pra 2 ditë pas radiogramit të Enverit. Letra dërgohet nga Liri Gega dhe Hysni Kapo dhe i drejtohet Gogo Nushit.
Më 31 Gusht 1944.
“ I dashur Gogo,
Siç e kupton dhe vetë, situata që na paraqitet është mjaft e favorshme e për këtë në qendra duhet të jenë shokët të sigurt, qoftë për të parë situatën dhe për punë, e më tepër ,për të dhënë informata të sakta mbi gjendjen e qyteteve (okupatori dhe reaksioni), veçanërisht Tirana, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, e për këtë, jo vetëm që duhet të jenë shokët më të mirë, por për të qenë të sigurt në çdo gjë, është e nevojshme që të shkosh ti vetë në qytet, që t’i rrish punës në krye, natyrisht duhet që të tregosh kujdesin më të madh, se mos diktohesh prej armikut.
Po dërgojmë aty Todon bashkë me një radio transmetuese, i cili është teknik për ta instaluar simbas urdhërit të Enverit, urgjent dhe kategorik.
Radio duhet të instalohet në një vend konspirativ në qytet dhe sa më shpejt të vish në lidhje me neve duke na njoftuar simbas orarit dhe me shifrarin që po të dërgohet, çdo lajm mbi situatën e armikut dhe reaksionit dhe çdo gjë tjetër që i intereson punës dhe luftës.
…………….
Po e përsëris, radioja duhet të vejë dhe të instalohet në qytet me urgjencën më të madhe dhe me çdo kusht, cilatdo qofshin konditat në qytet. Mos zbatimi i këtij urdhëri, shkakton përgjegjësi të rëndë.
Vuri rëndësinë e duhur.
Po vendosim forcat që të jenë të gatshme për të sulmuar Tiranën. Sulmi parashikohet shumë shpejt……
Todo mbërriti në Shtabin e Korpit të Parë i cili ndodhej në Sllatinë, në fillim të shtatorit. Radist pranë këtij Shtabi ishte Isak Lile. Todi përgatiti radiostacionin tip valixhe model MKI, me të cilin do të realizonte ndërlidhjen e Qarkorit të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm.
Todo niset nga Sllatina i shoqëruar nga një partizan
Ai mbërrin në Gur-bardhë dhe kalon natën në një stan, pasi në atë zonë ishin prezente forcat balliste. Më pas kalon në Qafë Priskë dhe që andej mbi urën e Erzenit në rrugën e Elbasanit dhe mbërrin në Arbanë. Me mbërritjen në Arbanë ai takon Mehmet Shehun i cili ishte komandanti i Divizionit të I-rë i cili është vënë në dijeni të detyrës që do të kryente Todo. Todo u vesh si fshatar dhe me një karrocë me zarzavate, poshtë të cilave kishte radiostacionin, u nis për në Tiranë i shoqëruar nga 2 partizanë të forcave të Pezës edhe ata të veshur si fshatarë që shkonin për të shitur prodhimet e fshatit në Tiranë. Ishte zgjedhur dita e enjte pasi të enjten fshatarët e zonës në perëndim të Tiranës vinin për të shitur produktet e tyre bujqësore. Karrocat ndaluan në një kafene që ishte buzë rrugës atje ku është Kombinati i sotëm. Kafeneja ishte shumë e njohur dhe atje kishte vazhdimisht shumë njerëz. Takimi ishte lënë në orën 7 të mëngjesit. Në këtë kafene Todon e priste Lefter Zhegu i cili ishte dërguar nga Qarkori i Tiranës. Shkëmbyen parullat e paracaktuara dhe më pas vazhduan rrugën së bashku. Rruga ishte e mbushur plot me karroca të nisura nga fshatrat përreth si dhe fshatarë që ecnin në këmbë. Todo i veshur si fshatar, me qeleshen e bardhë në kokë dhe mustaqet të cilat i kishte lënë qysh pas aksionit të rrëmbimit të Radio Korçës por që nuk i hoqi asnjëherë gjatë luftës, ishte i aftë që ti kontrollonte ndjenjat në momente të vështira. Ai bisedonte me Lefterin qetësisht ndërsa kalonin pa ngut dhe pa krijuar asnjë fije dyshimi postbllokun gjerman por edhe patrullat e tjera gjermane deri në bazën ilegale.
Me te mbërritur në Tiranë, Todo filloi menjëherë punën.
Fillimisht duhej të përcaktohej shtëpia ku do të vendosej stacioni. Shtëpia duhej të ishte e sigurt dhe të mos binte në sy të gjermanëve dhe spiunëve por nga ana tjetër duhej të ishte e përshtatshme teknikisht dhe me oborr të mjaftueshëm që të vendosej antena. Kishte edhe probleme të tjera që kërkonin zgjidhje. Për të ndihmuar Todon Qarkori i Tiranës kishte caktuar shokët Lefter Zhegu dhe Naum Bezhani. Fillimisht ishte menduar që radiostacioni të instalohej në një shtëpi mbrapa ish kafe-hotel “Çajupi” (kafe Londonit), por më pas ky mendim u ndryshua, sepse aty pranë banonin disa familje xhandarësh e nëpunës të policisë. Nga ana tjetër, meqenëse shtëpia ishte në qendër, ajo u konsiderua e pa përshtatshme, pasi në rast se do të zbulohej nga gjermanët, ata mund ta rrethonin shtëpinë me lehtësi dhe shanset për të shpëtuar ishin të vogla. Kjo ishte arsyeja që ky variant nuk u pranua dhe u vendos që instalimi të bëhej në shtëpinë e ish rreshterit të Bandës Ushtarake, patriotit Vejsel Pinari, e cila ndodhej në rrugën e Dajtit, sot rruga Qemal Stafa nr. 357. Todo e instaloi radiostacionin në dhomën e pritjes. Gjatë kohës së punës radiostacioni vendosej në tavolinë ndërsa në kohën që nuk do të punohej, ai do te fshihej nën dyshemenë me dërrasa dhe mbi dysheme vendosej një qilim. Antena u instalua në oborrin e shtëpisë. Antena ishte 31 metra e gjatë dhe me qenë se oborri ishte i vogël, ajo u montua në mënyrë zigzage duke mos përdorur izolatorë, por në vend të tyre litarë dhe mbi litarë ndeheshin rrobe në mënyrë që të mos binte në sy. Akumulatorët do të ngarkoheshin nga laboratori i radios i Pandi Lalos i cili ndodhej në rrugën e Postës.
12 shtator 1944
Ishte pikërisht data 12 shtator 1944 kur Todo Bojdani kishte përfunduar instalimin e radiostacionit dhe antenës në shtëpinë e Vejsel Pinarit. Pikërisht në këtë datë realizohet me sukses radiondërlidhja ndërmjet Qarkorit të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm dhe më pas me Korpin e I-rë. Radisti që kreu ndërlidhjen nga shtëpia tiranase ishte Nexhat Nimeti. Atë ditë Nexhati hyn në lidhje me Korpin e I-rë, në të cilin ishte radist Isak Lile dhe gjithashtu me Shtabin e Përgjithshëm, radist i të cilit ishte Servet Xama. Sipas shënimeve të Nexhatit baza ishte e një rëndësie tepër të veçantë. Kontaktet mbaheshin vetëm nga një njeri i caktuar nga Qarkori i Tiranës. Ditët e para kontaktet i mbante vetëm Todo i cili i dha karakteristikat e lidhjes dhe shifrën. Todo mbas kryerjes së kësaj detyre kthehet në Shtabin e Korpit të I-rë, por mbas dy javësh ju desh të hynte përsëri fshehtas në Tiranë, pasi stacioni kishte pësuar defekt. E rregullon radiostacionin brenda ditës dhe kthehet përsëri në Korpin e I-rë.v Radiostacioni klandestin i Tiranës pati një rol shumë të madh. Shumë telegrame u shkëmbyen nëpërmjet tij, por roli i tij u bë shumë i çmuar në përgatitjen e sulmit për çlirimin e Tiranës dhe veçanërisht gjatë ditëve të luftimeve për çlirimin e saj. Në datën 29 Gusht 1944, nga Shtabi i Përgjithshëm niset radiogrami: “Sa më parë në lidhje me Gogon, radion e vogël amerikane ta futni në Tiranë duke iu dhënë edhe një shifër provizore për ju, deri sa t’u dërgojmë shifrën e veçantë, dhe t’i lidhim direkt me ne. Tirana ka për detyrë të na mbajë me informata për çdo gjë. Kjo ka karakter urgjent. Enver.”




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.