KULTURË

Biblioteka Kombëtare në rrezik zjarri, ndërhyrja këtë verë

12:03 - 11.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Thirrjes publike të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”  për ndërhyrje në sistemin elektrik që të shmangë një rrezik zjarri, i është përgjigjur zyrtarisht, ministrja e Kulturës.  Ndërhyrja pritet të bëhet këtë verë. Deklarata e Margaritit u bë këtë të premte, ndërsa në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të bibliotekës, u ekspozuan gazetat që njoftonin  hapjen e saj me 10 korrik 1920 dhe revistat që botoheshin atë kohë në vend. Ekspozita u hap në Muzeun Historik Kombëtar si për të kujtuar që një shekull me herët, Biblioteka dhe Muzeu  qenë së bashku.




DEKLARATA E MISHËS

Biblioteka mes zjarrit e ujit, Pirro Misha: U përmbyt nga punimet e Operës, për zjarrin fikim siguresat”. Kështu e pata titulluar një bisedë me Piro Mishën, më 20 qershor të këtij viti. Në intervistë, drejtori i Bibliotekës, ndante thesaret dhe sfidat e këtij institucioni në 100-vjetorin e themelimit. Hapësirat e ngushta, veprat e rralla e unike, projektet e këtij viti dhe problemet e bartura për tri dekada, vijnë në vëmendje kuadër të festimeve. Intervista e tij rrokte gjithë problematikat e projektet, e asaj që do të duhej të ishte ‘Jerusalem’ kombëtar e krenaria e vendit.

Por gjendja e tashme e bibliotekës, si strehë ku ruhen thesaret për të cilat flet Misha, është e rrezikshme.

“Është bërë një studim i sistemit elektrik në fond me ndihmën e Institutit të Ndërtimit, ata dërguan një ekip, studimi është shumë i detajuar, për ndërhyrjen që duhet bërë, se është një ndërhyrje e rëndësishme elektrike në gjithë sistemin poshtë, është shumë i amortizuar. Çfarëdo që të bëjmë ne këtu, mund te ndodhë një aksident që mund të bjerë një zjarr ose një qark i shkurtër. E kemi bere projektin e kemi çuar ne ministri se ne vete nuk kemi fond”, pati thënë ai. Projekti qe bërë falas nga Instituti i Ndërtimit, por kujtesa e zjarrit të viteve më parë nuk është fashitur, siç nuk është fashitur, as rreziku. Dhe në këtë rast, biblioteka nuk mund të ruajë dot veten. “Ne marrim masat që nga paraardhësja ime, që pati këtë fatkeqësi se nuk ishte faji i saj, se është një sistem i amortizuar ku nuk është ndërhyrë prej dhjetëra, dhjetëra vitesh. Këtu thjesht kur ikim ne, ulen siguresat që të mos ketë asnjë lloj korrenti, por këto janë zgjidhje të pjesshme. E rëndësishme është të kuptohet që këtu është vend unikal. Në çdo shtet, sidomos në të vegjlit, bibliotekat kanë rëndësi të madhe. Unë besoj se është opinioni publik, që duhet të bëjë presion. S’mund ta zgjidhë këtë vetëm drejtori as punonjësit që duhen falënderuar se këtu janë ruajtur gjërat, e jo gjithkund janë ruajtur. Kjo është meritë e punonjësve. Po tani janë shumë gjëra që duan zgjidhje urgjente”.

Ndonëse Misha shihte më të rrezikshëm zjarrin se ujin, përmbytja e fundit, pat shkaktuar jo pak dëme. I pyetur për frikën e një përmbytje tjetër, ai thotë se “Janë gjëra të së kaluarës. Erdhi ekipi i Institutit të Ndërtimit për ta parë. Me sa më thonë tani, përsëris fjalët e tyre, ka ndodhur kryesisht për shkak të punimeve që janë bërë në Opera dhe amortizimit të Pallatit të Kulturës. Janë bërë disa ndërhyrje të vogla, por problemi më serioz është sistemi elektrik se mund të digjte, ajo është e para që kërkojmë. E kemi çuar projektin në ministri. Nuk është shumë e madhe. Ne marrim masa primitive duke ulur siguresat plotësisht që nuk është normale, sepse do sistem ajrimi poshtë, librat janë poshtë, janë 3 kate, janë 1 milion e 300 mijë objekte që duhen ruajtur e kjo është situata”.

DEKLARATA E MINISTRES

Tri javë pas thirrjes publike për ndihmë, nga ana e Piro Mishës, dhe një javë pasi ministrja tha publikisht se “po, një ndërhyrje është e mundur edhe pse kjo vështirësohet duke qenë se ndërhyrja parasheh, lëvizjen e fondit”, dje, Margariti në Muzeun Kombëtar, duke ju drejtuar Mishës, tha: “Dua t’ them drejtorit që kemi marrë masa që problemin që kemi me impiantin elektrik ta zgjidhim edhe brenda verës të nisin punimet e shumëpritura. S’do të jetë zgjedhja definitive, por është një nismë e mirë për BK”. Ministrja rikujtoi që dëshira e madhe për ta shenjuar 100-vjetorin me një bibliotekë të re, është e madhe dhe se për këtë, tha ajo, tashmë puna është nisur.  Në vijim, ajo përsëriti, nevojën dhe planin për restaurimin de disa sallave në fondin e vjetër të BK-së, që gjendet pranë godinës diku në RRugën e Elbasanit, ku me hapjen e disa sallave, do të ekspozojmë disa libra të rrallë dhe do të krijojmë një zonë për të rinjtë, që të aksesojnë platformën digjitale, tashmë ka marrë jetë”,-përfundon ministrja e Kulturës.

Misha vërejti me keqardhje ndryshimet ne 100 vite teksa foli për mënyrës si shenjohet hapja ndërsa konsolidohej shteti shqiptar. “10 korriku është dita që u hodhën themelet e Bibliotekës Kombëtare, ku në Shkodër Komisia Letrare me ndihmën e ushtrisë Austriake morën vendime për të krijuar një bibliotekë, e cila pas bashkimit të Shkodrës me territorin shqiptar u vendos që të kalojë në Tiranë. Fillimisht kishim Bibliotekën Shtetërore, pjesë e Ministrisë së Arsimit. Është e rëndësishme që të dimë se është institucioni i parë qendror kulturor i shtetit të ri shqiptar. Është një nga vendimet e para të Kongresit të Lushnjës për krijimin e Bibliotekës Kombëtare”, tha Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.  Ai shtoi se “Biblioteka u krijua me ndjenja misioni, gjë që vërej me keqardhje që sot mungon”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.