OPINION

Brand-i politik si pikënisje për fushatë elektorale të suksesshme

07:54 - 11.07.20 Ilir Kalemaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në politikë imazhi vjen i pari. Ashtu sikundër në çdo fushë tjetër të industrisë apo tregtisë, ku brandimi diferencon mallin dhe targeton audiencën, edhe partitë politike rreken të krijojnë një brand të tyre lehtësisht të identifikueshëm dhe të arritshëm nga individët dhe bashkësitë e ndryshme. Çfarëdo industrie të marrim, dy apo tre brande dominojnë dukshëm. Fjala bie, dominimi i Coca-Cola apo Pepsi, ndonëse ka shumë pije të tjera me ngjyrë dhe gaz që prodhohen lokalisht apo ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër ka shumë lloje whisky-sh që dallojnë nga përmbajtja, fermentimi, vjetërsia etj., por kryesisht preferenca është e lidhur me imazhin që secili konsumator ka krijuar për secilin brand. Shpesh preferencat nuk vijnë nga të kuptuarit e mekanizmave teknike apo përmbajtjes së lëndës qoftë kjo një orë luksi apo një shishe vere. Por vijnë nga besimi që ti ke te ai brand, si për shembull kur themi Gucci apo Versace për rrobat, Philippe Patek apo Rolex për orat, Red Bull për pijet energjetike etj.




I njëjti parim vlen për politikën, qoftë kjo në rrafshin kombëtar apo ndërkombëtar. Ne priremi të votojmë për ata liderë që i besojmë, që inspirojnë udhëheqje, që rrezatojnë besim. Mbështesim traktate ndërkombëtare për të cilat dimë pak apo aspak teknikisht si për shembull anëtarësimi në NATO, në OSBE apo të qenit vend kandidat për në Bashkimin Europian. Presim çeljen e kapitujve të negociatave si hapjen e sezonit të plazhit, ndonëse në terma teknikë dhe praktikë, pakkush është i informuar për vështirësitë, pengesat, benefitet e me radhë. Ne shpesh i besojmë instinktit tonë, ndonëse në vetvete ky instinkt është i informuar nga mjedisi ku ndodhemi dhe është i kushtëzuar nga shoqëria ku bëjmë pjesë.

Partitë politike shpesh reflektojnë një imazh të caktuar që mund të lidhet pak me përkatësinë e tyre ideologjike, grupet që i votojnë etj. Në vende para-politike si ky i yni në fakt debati shpesh është primitiv dhe u përqendruar te personat apo interesat e drejtpërdrejta, edhe për faktin se partitë politike sillen kryesisht si parti karizmatike apo klienteliste dhe jo si parti programatike. Dhe kjo reflektohet edhe në brand-in apo imazhin që përcjell secili formacion politik. Nuk dihet për shembull se çfarë e diferencon Partinë Social-Demokrate nga ajo e Demokracisë Sociale, nga e saposhkrira e Petro Koçit, nga Partia Socialiste e Moderuar apo dhe vetë Partia Socialiste kur vjen puna te ekonomia apo politikat e mbrojtjes, ato të arsimit apo shëndetësore. Po kaq konfuze është situata edhe në kampin tjetër ku ka pak diferencë në perceptimin e përgjithshëm se ku ndryshojnë në çështjet e sigurisë kombëtare apo të taksimit, të politikës së jashtme apo të bujqësisë Partia Demokratike nga ajo Republikane, PDIU apo Partia Agrare Ambientaliste. Shpesh se nuk kanë program të qartë, ose e kanë jo koherent, ose të kopjuar keq dhe pa lidhje me problematikat reale, ose nuk kanë artikuluesit e duhur.

Por nga ana tjetër dhe jo më pak e rëndësishme, edhe se nuk kanë disiplinën e duhur partiake për ta artikuluar me konsistencë mesazhin kryesor dhe nën-mesazhet e tij. Gjë e cila do bënte që të ndërtonin një komunikim politik funksional si për anëtarësinë, ashtu dhe për simpatizantët, por më e rëndësishmja edhe për pjesën “gri”, elektoratin e lëkundur ose thjesht indiferent, atë apolitik ose të zhgënjyerit. Të ndërtuarit e mesazheve elektoralë të aftë për të identifikuar qartë brand-in e një partie nga një tjetër, edhe kur këto i përkasin të njëjtit koalicion, të ndërtuarit e mekanizmave operativë funksionalë të përcjelljes së mesazhit vertikalisht në parti por edhe horizontalisht në shoqëri, janë conditio sine qua non për një fushatë elektorale bindëse, të suksesshme dhe fituese.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.