KULTURË

Leon Rey – Një guidë për Shqipërinë

09:00 - 13.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Kur në vitin 1923 arkeologu francez Léon Rey u shfaq në qytezën antike ku duhej të ishte Apolonia e Ilirisë, ai kishte imagjinuar të gjente një qytezë me fragmente arkeologjike, kapitele, statuja të gjymtuara nga tërmetet dhe koha, mure rrethuese apo pjesë ndërtesash të qytetit të dikurshëm, por menjëherë ai u zhgënjye kur gjeti vetëm një shtyllë të tempullit të dikurshëm të Dianës dhe disa amfora e poçeri që dergjeshin mbi tokë. Prej kohësh, pashallarët e Beratit merrnin me qerre mermerët e gurët e çmuar të qytezës duke i djegur për të bërë gëlqere për sarajet e tyre dhe nganjëherë ndonjë kokë luani futej në muret e konakëve. E megjithatë nga leximet e tij për ekzistencën e qytetit ai filloi gërmimet të cilat dy vjet më vonë do të nxirrnin objektet e para të këtij vendi që autorët e antikitetit e quanin “Magna urbs e gravis”. Udhëtimet e tij nga jugu në veri të Shqipërisë bënë që me vite, ai të njihej me historinë dhe natyrën shqiptare, me karakterin e shqiptarëve dhe bujarinë e tyre, edhe pse një popull mjaft i varfër dhe i prapambetur nga pikëpamja e zhvillimit dhe që hera herës kërcënohej nga krizat e mëdha të bukës dhe të urisë. Léon Rey gjithnjë e më shumë mendonte për botimin e një “Guide”. Por për këtë i duhej të ndërmerrte dhe një udhëtim drejt veriut. I duhej të shikonte zonat historike dhe arkeologjike të veriut, si dhe varret e vjetra të Komanit, për të cilat kishte shkruar dhe librin e tij Kujtime nga Shqipëria e Epërme, konsulli francez në Shkodër, Auguste Degrand.1 Këtë libër Rey e kishte lexuar në Paris, madje kishte marrë dhe shumë shënime. Ai ishte njoftuar gjithashtu se sapo kishte vënë këmbën në Shqipëri dhe Luigi Ugolini kishte zbarkuar menjëherë në Koman. Kështu, dhe ai u nis drejt atij vendi enigmatik, i shoqëruar nga miqtë e tij shqiptarë. Padyshim që për një specialist, gjurmët e varrezave të vjetra të Komanit ishin me një interes të veçantë. Tashmë ai ishte para atyre “nekropoleve misterioze”, (“nécropoles mysterieuses”), për të cilat kishte shkruar Degrand. Pikërisht në ato varre, ai kishte gjetur byzylykë, varëse grash, unaza, fibula, perla, thika e shpata, të cilat i kishte çuar në “Muzeun e Gjetjeve të vjetra Arkeologjike” në Saint-Germain-en-Lay, si dhe dy kafka, të cilat ia kishte dorëzuar për t’i studiuar, profesorit Hamy, në “Muzeun Antropologjik të Parisit”. Gjatë udhëtimin në veri, duke iu ngjitur Komanit, Rey sillte ndërmend dhe atë histori interesante që përshkruante Degrand, kur bashkë me ata që e shoqëronin, duke hapur varret e vjetra, “papritur para tyre ishte shfaqur një grua me leshrat e pushpuritura dhe me një ecje shtrige, duke i kërcënuar që t’i linin rehat të vdekurit në paqen e tyre. Shoqëruesit, të cilët piqnin aty pranë një dele për ta ngrënë, filluan të tallen me gruan grindavece, duke i thënë: “Na moj plakë se dhe ty kështu do të ç’varrosim një ditë”. Atëherë Degrand, që s’donte të bënte armiq, kishte thirrur menjëherë priftin e fshatit që të bisedonte me gruan, se ata të vdekur ishin paganë dhe jo kristianë. “Dhe kur gruaja u afrua dhe pa varrin e hapur, kur pikasi që aty brenda s’kishte as kryq e as tespije, atëherë u largua duke mërmëritur dhe duke humbur kështu në zabelin pranë.”
Rrugët drejt Shqipërisë tashmë ishin hapur dhe udhëtimet që kishte bërë, i kishin dhënë jo vetëm kënaqësi, por dhe e kishin shtyrë që ky pikëtakim me historinë dhe tokën e shqiptarëve të bëhej dhe nga europianët e tjerë. Gjatë udhëtimeve të tij ai kishte shënuar shumë detaje e fakte rreth itinerareve, qyteteve, fshatrave, historive të çdonjërit vend. Në fund të vitit 1929 dhe fillimit të vitit 1930, pas disa bisedave me zyrën e turizmit shqiptar dhe me përfaqësuesin e Shqipërisë në Paris, Iliaz Vrionin, i cili ishte bërë një mik i afërt i tij, ai filloi ta shkruante këtë guidë, të cilën, siç shkruhet që në hyrje të tij, ia dedikonte mikut të tij Iliaz Vrioni: «A son Excellence Iliaz Vrioni, Envoyé Extraordinaire et Ministre Plenipotentiaire de S.M. le Roi des Albanais, en témoignage de mon respectueux dévoument». Më 13 qershor të vitit 1930, ministri Fuqiplotë i Legatës Mbretërore Shqiptare në Francë, Iliaz Vrioni, i dërgonte një shkresë ministrit të Arësimit në Tiranë, Hilë Mosi, që të kujdeset për të ndihmuar në botimin e gidës së përgatitur nga Rey. “Libri në fjalë, – i shkruante ai, – është një instrument mjaft i vlefshëm i propagandës për ne, pra, Zotnia Juaj, duhet ta përkrahni me gjithë fuqi…”
Libri Guide de l’Albanie u botua në shkurt të vitit 1930 në gjuhën frënge, dhe ishte padyshim një ngjarje në botimet për Shqipërinë. Që në hyrje të saj, Léon Rey shkruante: «Më kot do të kërkojmë botime të mëparshme rreth Shqipërisë, apo një monografi që t’u shërbejë shqiptarëve si një gidë. Dhe ky boshllëk i deritanishëm shpjegohet lehtë: Pasiguria e situatës politike, mungesa absolute e konfortit, gjendja e keqe e rrugëve, për një kohë të gjatë i kanë mbajtur turistët larg nga vendi i shqiptarëve. Por sot nuk është e njëjta gjendje. Në sajë të inteligjencës dhe vullnetit të Mbretit Zog I, në disa vjet, Shqipëria ka kapërcyer disa etapa që e vendosin atë në radhën e fuqive moderne. Ja pse duhet të jemi të nevojshëm për ata që do të donin të vizitonin Mbretërinë, duke iu ofruar këtë libër. Për ta realizuar, kam shfrytëzuar shënime të shumta gjatë udhëtimeve të mia në Shqipëri dhe në shumë raste kam pasur ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi si profesor Paul Goujon, (për Shkodrën), Jean Schveitzer (për Tiranën), Charles Leblanc (për Elbasanin), si dhe Jean Spendjopulo e Monsinjor Kristoforos, të cilët më kanë dhënë informata të çmuara, njëri mbi Durrësin, ku ai është nënpunës i konsullatës dhe tjetri mbi Beratin, ku kishte qenë peshkop i qytetit…»




assasa sfasfaff wqwqwqwqwq
<
>

Që në fillim të gidës, Léon Rey shpreh entuziazmin për Shqipërinë, ku siç shkruan ai «pak vende iu ofrojnë udhëtarëve peizazhe të tilla». Ai përmend majat e larta të Alpeve, bregun shqiptar me shkëmbinjtë e thepisur në jug, pa harruar bukurinë e liqeneve të Prespës dhe Ohrit. Madje shkruan me penën e një shkrimtari të vërtetë kur kërkon të depërtojë në jetën e qyteteve që gjallojnë. «Sidoqoftë, – shkruan ai, – bukuria e Shqipërisë nuk qëndron vetëm në peizazhet e saj dhe karakterin simpatik të shqiptarëve, spektaklet e ndryshme që ndeshim në rrugë apo qytetet që përshkojmë, të cilat e shpërblejnë lodhjen e udhëtimit… Pazari i Shkodrës prek brigjet e liqenit, duke u larguar kështu nga kështjella, dhe ku në anët e bulevardit, shfaqen misteret e rrugicave të saj… katoliket ecin me shpejtësi, ndërkohë që bukuroshet ortodokse, veshur rëndë e plot dantella, ecin ngadalë me sytë e ulur, me flokët e zezë, të shkurtra e të shtruara. Gratë e Hotit ngjisin trotuaret ngarkuar me qymyr. Duke ndjekur një prift me mustaqe, fëmijët e veshur me këmisha të kuqe këndojnë. Një makinë amerikane i shtyn drejt pluhurit. Më tutje një pajton kolovitet, turbani i një hoxhe tundet në tavolinën e një kafeneje, ku rroba e zezë e jezuitëve pikëtakon zhgunin e françeskanëve…» . E imagjinoj një çast në Shkodër duke shëtitur përballë Kafes së Madhe dhe përshkuar rrugët kryesore të qytetit. Edhe Shkodra, ashtu si Tirana, ka shumë interes për një udhëtar të huaj. Përshkrimet e tij janë të shkurtra por që informojnë për statusin e vendeve dhe karakteristikat që ato kanë. “Muzeu i jezuitëve, – shkruan ai, – është në Rrugën e Jezuitëve dhe përmban një kuvend, një seminar, një kolezh dhe një kambanore. Në të gjendet gjithashtu një koleksion objektesh arkeologjike, kryesisht nga nekropoli ilir i Komanit, zbukurime si dhe një koleksion të historisë natyrore apo kampione mineralesh. Nga kolezhi i jezuitëve arrihet tek Kuvendi Françeskan përmes rrugës Karl Topia. Ashtu si jezuitët edhe ata kanë një muze të vogël. Shihen një seri pikturash për Zonjën e Këshillës së Mirës. Rruga Justin Godart ku gjendet një Kuvend i Stigmatëve pikëtakohet në jug me “Udha e Skanderbeut” përballë katedrales së madhe, një ndërtesë e gjerë e ndërtuar më 1856 dhe e restauruar më 1898. Aty është dhe një statujë e shenjtit Louis de Gonzague rreth të cilit çdo vit bëhet një proçesion i çuditshëm…”
Lidhur me Mirditën Rey shkruan dhe diçka mjaft interesante. Duke përshkruar kostumin e grave ai pohon se “ndryshe nga gjithë Shqipëria, gratë e Mirditës mbajnë një këmishë të bardhë dhe pantallona leshi të qëndisura. Flokët i presin deri në nivelin e veshit dhe balluket i mbajnë deri në nivelin e vetullave…”
Me shumë interes është vështrimi historik mbi Shqipërinë që nga historia e lashtë, pushtimet greko-romake, pushtimet e më pasme bizantine, normande, kohën anzhuine, veneciane, luftën e Skëndërbeut dhe kontributin e tij, e më pas luftërat ballkanike, formimi e shtetit shqiptar, kohën e principatës së Princ Vidit dhe ngjarjet e Luftës Parë Botërore. Për Shqipërinë ai shkruan se ka një sipërfaqe prej 27.539 km², me një popullsi prej 833.748 banorësh gjatë vitit 1929, ku ndër ta numërohen 560.834 myslimanë, 178.546 ortodoksë, 94.328 katolikë dhe 40 izraelitë. Në këtë “Guide”, Rey përshkruan masivet malore dhe pyjet shqiptare, përcakton itineraret turistike për vizitorët në liqenet e Shkodrës, të Ohrit e të Prespës, si dhe informon për rrugët piktoreske brenda Shqipërisë si në Drin, Shëngjin, llixhat e Elbasanit, kalanë e Beratit me kishat e shumta ortodokse dhe pasurinë ikonografike, ngjitjet në Dajt apo në malin e Tomorit, udhëtimet në qytezat arkeologjike si në Butrint, Apolloni, Durrës, etj., udhëtimet në Zvërnec, Ardenicë, Voskopojë, Prespë, duke dhënë njëkohësisht një informacion mjaft interesant historik për këto vende. Në Sarandë, shkruan ka agjenci udhëtimi për rrugët detare si «Puglia», «Lloyd Triestino» apo «Jordanska».
Që në fillim, Rey i sugjeron udhëtarit të huaj dhe një bibliografi librash që duhet të lexojë për të njohur më mirë vendin e shqiptarëve, duke përmendur librat e Legrand, Nopçës, librin Shqipëria dhe shqiptarët e Jacques Bourcart, Shqipëria në vitin 1921 të Justin Godart, Shqipëria e panjohur (L’Albanie inconnu) e Gabriel Jarray, raportin e udhëtimit të gjeografit të njohur Jean Bruhnes apo Vendi i shqiptarëve dhe historia e tyre e Frédéric Gibert, etj. Lidhur me itinerarin e udhëtimeve nga Franca në Shqipëri, Rey propozon tri drejtime: Paris-Milano-Bari (ose Brindizi), çka është rruga më e shpejtë; Paris-Milano-Venecie-Trieste, një itinerar më i gjatë, por që të lejon të vizitosh bregun dalmat dhe qytete si Shebeniku, Spalato, Raguza, Kotorri, Tivari; Paris-Ljubjana-Zagreb, duke përvijuar me tren bregun dalmat. Për udhëtarin e huaj, Rey ka dhënë dhe një fjalorth të shkurtër për fjalët më të përdorura gjatë udhëtimit dhe kontaktit me shqiptarët si: «bonjour-mirdita», «oui-po», «eglise-kisha», «bon-e mirë», «Français-francez», «doucement-ngadalë», «vite-shpejt», «combien?-sa?», «esence-benzinë», etj. Pasi bën një vështrim gjeografik dhe historik të Shqipërisë, Rey shkruan për traditat dhe folklorin e pasur shqiptar: «Këngët mund të ndahen në këngë dashurie, lufte dhe dhimbjeje. Shumica e tyre kanë një karakter të trishtuar, çka reflekton shpirtin e këtij populli që ka vuajtur për një kohë shumë të gjatë. Shqiptarët pëlqejnë të këndojnë në grup, në korr. Jo rrallë mund të shohësh ushtarë, apo fshatarë, që mblidhen pas pune dhe këndojnë këngë, ku monotonia këtyre këngëve u jep një lloj bukurie. Kurse pasuria e madhe e legjendave është e lidhur me faktin se nën regjimin turk, shumica e popullsisë ishte e pashkolluar, për mungesë të shkollave. Por shqiptari është një natyrë kureshtare dhe imagjinata e tij është e pasur… Ja pse ka dhe shumë supersticione në Shqipëri. Kush nuk i ka parë kafkat e kafshëve të ngulura në hunj në mes të fushave si shenja të «syrit të keq» për të mbrojtur të korrat?…» Duke folur për Beratin dhe pasurinë e kishave mesjetare, Rey nuk harron të flasë dhe për funeralet në fshatra, të cilat për udhëtarin e huaj janë tepër piktoreske. Te ortodoksët, pohon ai, pas ceremonisë së kishës, njerëzve u jepet grurë dhe bukë, të vdekurit varrosen rrotull kishës, ndërsa varrezat e muslimanëve janë jashtë fshatit. «Varrezat, si të ortodoksëve, ashtu dhe të muslimanëve, nuk janë të rrethuara, një zakon prekës që duket sikur do të afrojë të vdekurit me të gjallët».
Itineraret e tij në këtë libër janë itinerare të sakta, pasi ai i ka përshkuar vetë, ashtu siç e shohim dhe në rrugëtimin nga Cetinje drejt Shkodrës dhe zbritjen nëpër grykat e maleve shqiptare, apo itinerarin nga Tivari e Ulqini drejt Shkodrës: emra hotelesh, garazhesh, stacione trenash, duke mos harruar se në kohën mesjetare ishin zotërime të familjes së Balshajve e më pas të Republikës venedikase; Ulqini me plazhet e tij dhe historinë e rrethimit të tij nga venecianët më 1696; kufiri shqiptar Buna, dhe tutje në sfond kështjella e Rozafës. Në Shkodër ai shkruan për «Grand Hotel» në «Udhën e Madhe», pronë e Sokrat Shkrelit, për «Pension Romano», ku ka një kuzhinë italiane, “Hotel Continental”-in në skaj të «Rrugës d’Estournelle», në kujtim të ndihmës që baroni Paul D’Estournelle de Constant, humanistit të Çmimit Nobel të Paqes në vitin 1906, që aq shumë e kishte ndihmuar Shqipërinë për mbrojtjen e kufijve të saj si dhe për pranimin e saj në “Shoqatën e Kombeve”. Në Shkodër, ai na informon se ka një agjenci ajrore S.A.M.R., agjencia e automobilëve «Saks»; se aty janë agjencitë detare si “Puglia”, shoqëria «Besa», apo agjencia “Alid Bihali”. Në dyqanin e antikuarëve, udhëtari i huaj mund të gjejë tek Muho Gila kostume shqiptare, armë të zbukuruara, qëndisma, etj. “Ndër libraritë, për tu përmendur është ajo e jezuitëve, të cilët kanë dhe një shtypshkronjë, ndërkohë që parfumeritë i kanë vllaznia e Sereqëve.” Ndër fotografët, në krye është Marubi dhe biri i tij, vendosur, siç shkruan ai, në “Udhën e Madhe”, anash «Grand Hotel»-it, ku ka kartolina dhe fotografi mbi Shqipërinë, ndërsa për fonografët, për disqet e muzikës me këngët shqiptare, është Ismail Shurdha. Lart, në ngjitje drejt kështjellës, sipër pazarit, ai tregon për varret e vezirëve të Shkodrës, Bushatllinjtë, në galerinë pranë një xhamie, minareja e së cilës është e thyer. Eshtë pikërisht vendi kur dikur ngrihej kisha e Saint-Etienne.
Duke folur për Shkodrën, Shirokën buzë liqenit, “Xhaminë e Plumbit”, apo “Urën e Mesit”, Léon Rey na kujton se në vitin 1392, Gjergj Strazimiri II, nipi i Balshës I, i cili ishte kapur rob nga sulltan Bajaziti, e fitoi lirinë vetëm duke dorëzuar Shkodrën. Në Shkodër është dhe «Rruga Justin Godart», vendosur në kujtim të ndihmës së senatorit francez në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Léon Rey nuk harron as detajet më të vogla kur përshkruan një itinerar, siç ndodh kur shkruan për rrugën Shkodër-Mirditë, të cilën e ka përshkuar vetë, dhe ku përshkruan se ku duhet kapërcyer lumi, cilat fshatra duhen kaluar, pyjet dhe kishat që ndjekin njëra-tjetrën gjer në Orosh, në zemër të Mirditës. Ndërsa për itinerarin e Krujës, ai na kujton se historiani Desdevizes, në librin e tij Gjeografia e vjetër, shkruan se Kruja është vendi që Ptolemeo e cilëson si Albanopolis. «Në shekullin e XIII, sipas disa autorëve, – shkruan Rey, – ky vend quhej Bistrum Arbanum (Albanon), që duhet të jetë një deformim i fjalës Albanopolis.» Tirana padyshim zë një vend kryesor në gidën e tij, jo vetëm nga pikëpamja historike, por dhe në informacionet më të vogla, të cilat padyshim të informojnë për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Rey na mëson se në qëndër të Tiranës kishte një bulevard me emrin e Musolinit. Hotelet janë të shumta si «Continental», «International», «Palace», «Grand Hotel», «Adriatik», etj. Po kështu dhe restorantet «International», «Bristol», «Roma», apo «Royal” “Excelsior» në Rrugën Mbretërore, ku ka kuzhinë franceze. Madje në Tiranë ka dhe një garazh francez për riparimin e makinave, «Fagea». Tirana mbledh përfaqësitë e shumta diplomatike, ku legatat franceze, rumune, turke, bullgare gjenden në Bulevardin Musolini, ndërsa zyrat në rrugën e «Tenis-Club». Italianët janë në rrugën Carnavon ashtu si dhe gjermanët, ndërsa amerikanët në rrugën e Tabakëve… Njihemi gjithashtu me fotografët e asaj kohe si “Rusi”, dhe “Bali” në rrugën e Tabakëve, “Maca” para lulishtes publike, “Othello Renzoni” para xhamisë së vjetër, “Baki” në Rrugën e Dibrës. Rey n’a informon gjithashtu për krijimin e Tiranës si qytet që në shekullin XVII nga Sulejman Pasha me origjinë nga Mulleti. Në vitet ’30 Tirana ka 17.000 banorë dhe ka shumë xhamia si ajo e Et’hem beut në qëndër, Xhamia e Vjetër, Xhamia e Karapicëve, Xhamia Stermasi, etj. Ashtu si në Tiranë edhe në Durrës e Korçë shkruhet për konsullatat e ndryshme të akredituara atje. Në Korçë, konsullata e Greqisë dhe e Çekosllovakisë janë tek pallati Turtulli, në rrugën e Shën Gjergjit, ajo e Jugosllavisë në të dalë të qytetit nga shkon rruga për në Mborje.
Léon Rey përshkruan në këtë gidë gjithë itineraret shqiptare, të brendshme dhe jashtë, lidhjet e Shqipërisë me botën, duke dhënë fakte mbi qytetet e saj me karakteristikat e tyre; shkruan për Korçën, Vlorën, Sarandën dhe shumë qytete të jugut, pa harruar qytetin e tij të dashur Durrësin, ku ai filloi gërmimet e para në Shqipëri. Ky qytet është një nga portet që e lidh Shqipërinë me Europën. Sigurisht, nuk ka shkëlqimet e dikurshme, por rrënojat e saj, muret rrethuese të qytetit dhe vetë historia flasin për një epokë të lavdishme kur Catulle, e quante këtë qytet «Taverna e Adriatikut». «Sipas Tuqididhit, shkruan Rey, – Epidamni është krijuar nga kolonët e ardhur nga Korkyra, (Korfuzi), në vitin 617 p.e.s. Më kot e rrethuan këtë qytet korinthasit, çka bëri që të fillonte dhe lufta e Peloponezit. I quajtur Dyrrachium në vitin 48 p.e.s. ky qytet u bë teatër i luftës midis Cesar-it dhe Pompe-ut. Pas skizmës së perandorisë në vitin 395 era jonë, qyteti ra nën influencën bizantine dhe pësoi shumë invazione. Më 1082 Durrësi u rrethua nga normandët e Robert Guiscard-it. Në fillim të shekullit XIII, ishin kryqtarët e Kryqëzatës që e pushtuan atë dhe më 1205, ia lanë atë venecianëve… »
Në qershor-korrik të vitit 1930, Léon Rey është shumë i shqetësuar. Në Rrugën e Durrësit, në vendin e quajtur “Shën Martino”, nga ndërtimet, janë prekur e shkatërruar disa varre të vjetra të antikitetit. Ai shkon menjëherë në vendin e ngjarjes, vëzhgon objektet dhe menjëherë informon autoritetet shqiptare për vlerat e tyre dhe se punimet duhen ndaluar urgjentisht. Madje për këtë informon dhe Legatën shqiptare në Paris (sipas dokumentacionit të Arkivit shtetëror shqiptar) dhe ministrin e Punëve të Jashtme. “Zoti Léon Rey, si albanofil që është, – shkruhet në një nga shkresat, – menjëherë ka njoftuar Legatën mbi këtë çështje dhe i asht lutun Legatës që të merren masat sa ma shpejt për konfiskimin e këtyre gurëve, mbasi vendi është afër detit dhe mund të transportohen shumë lehtë si kontrabandë”.
Gida e Léon Rey, edhe pse një botim i para 90 vjetëve, në vështrim të parë duket se i ka kaluar koha por për historinë ka një vlerë të madhe. Mjafton të shohësh planimetritë e Tiranës, Shkodrës, Korçës, etj., apo të dhënat e hollësishme për agjencitë, garazhet, farmacitë, institucionet e ndryshme tregëtare, bankare, deri tek ata që shkëmbejnë devizat në rrugë apo vende të posaçme, të gjitha këto përbëjnë referenca historike dhe krahasuese me kohën tonë. Shumë familje shqiptare gjejnë emrat e pararendësve të tyre si bankierë, pronarë firmash, agjencish udhëtimesh, parfumerish, shitës antikuaresh e gjithçka të jetës qytetare. Eshtë një botë e panjohur që të rizgjohet papritur, çka leximi i kësaj gide të bëhet i këndshëm. Madje kur ai shkruan se në Shkodër, përballë statujës së shenjtit Louis de Gonzague kryhej një procesion i çuditshëm, kemi dëshrië të zbulojmë se ç’ishte ky procesion…
(Footnotes)
1 Konsulli francez në Shkodër në vitet 1893-1899 dhe autori i librit të njohur
Në Shqipërinë e Epërme


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.