SHËNDET

Vlera Lekaj: Komplikacionet që mund të sjellin patologjitë e tiroides

13:00 - 13.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sëmundjet e tiroides janë ndër problematikat më të shpeshta që prekin popullatën në Shqipëri. Sipas statistikave, femrat rezultojnë të jenë më të prekura nga patologji të tilla, por, gjithashtu, një pjesë e mirë e njerëzve nuk janë në dijeni për sëmundjen. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja patologe, Vlera Lekaj, shpjegon disa prej formave kryesore të sëmundjeve të gjëndrës tiroide, simptomat kryesore që shfaq secila prej tyre si dhe komplikacionet e mundshme. Më tej Lekaj thekson se është e rëndësishme që këto simptoma të kapen në kohë dhe pacientët të trajtohen me skemat e duhura.
Si funksionon organi i tiroides?
Tiroidja është një organ mjaft interesant për nga funksioni, e cila anatomikisht pozicionohet në pjesën e poshtme të qafës dhe duket të ngjajë me formën e fluturës. Roli kryesor i saj është të prodhojë hormonet e duhura për një funksionim normal të metabolizmit njerëzor. Si dhe është organi kryesor që prodhon jodin, të cilin e merr nga dieta ushqimore dhe e konverton në hormone të tiroides.
Hormonet esenciale që prodhon tiroidja njihen si T3, T4 qëllimi, kryesor i të cilëve është të menaxhojnë mënyrën se si çdo qelizë, ind apo organ përdor oksigjenin dhe gjithë energjinë e nevojshme për një organizëm të jetojë. Tiroidja për të realizuar mirë funksionin e saj e bashkërendon punën me një tjetër glandul, që quhet glandula pituitare, e cila kontrollon nivelet e hormoneve të tiroides në qarkullimin e gjakut. Ne varësi të rastit çliron ose frenon një hormon, që quhet hormon i stimulimit të tiroides (TSH), i cili stimulon prodhimin e hormoneve të tiroides kur nivelet në gjak janë të ulëta, ndërsa në të kundërt, niveli i TSH në gjak bie kur nivelet e hormonit tiroiden po rriten duke mos stimuluar gjëndrën tiroide për të prodhuar hormone.
Sa të shpeshta janë sëmundjet e tiroides në Shqipëri dhe cilat janë kategoritë më të prekura?
Sëmundjet e gjëndrës tiroide përfaqësojnë një nga problematikat shëndetësore më të zakonshme në popullatë. Gjinia femër rezulton të jetë dhe më e prekura nga këto patologji, duke përbërë kështu pjesën më të madhe të rasteve që vuajnë nga këto shqetësime. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e njerëzve hyjnë në grupin që mund të kenë probleme të tiroides, por që nuk janë në dijeni të këtij fakti. Në Shqipëri rastet me probleme të tiroides janë të zakonshme në popullatë, ku pjesa më e madhe e tyre janë të trashëgueshme, sepse në fakt problemet e tiroides shkojnë me linjë trashëgimie. Në rreth ¼ e rasteve kanë njerëz në familjet e tyre që vuajnë nga këto probleme. Kështu, që përveç kontrollove rutinë që këshillohen për tiroiden një rëndësi të veçantë marrin rastet me trashëgimi në familje, ku kontrollet e gjëndrës tiroide kthehen në një domosdoshmëri.
Si bëhet diagnostikimi i sëmundjeve që prekin gjëndrën tiroide?
Përpara se të listoj sëmundjet kryesore të tiroides duhet ditur se jo në të gjitha rastet këto problematika shëndetësore ndërhyjnë në funksionin e tiroides, duke ndikuar në çrregullime hormonale. Por nga ana tjetër rezultate normale të vlerave të hormoneve të tiroides në gjak nuk përjashtojnë asnjëherë mundësinë e sëmundjeve të tiroides. Sëmundjet e tiroides diagnostikohen në bazë të klinikës dhe imazherisë më së shumti.
Mund të na shpjegoni se çfarë është tiroiditi Hashimoto dhe cilat janë komplikacionet që mund të shfaqë?
Tiroiditi Hashimoto është një sëmundje autoimune, ku vetë sistemi imunitar i njeriut sulmon gjëndrën tiroide. Sulmin e realizon nëpërmjet prodhimit të antitrupave. Kjo sëmundje e tiroides shkakton inflamacion të saj dhe gradualisht mund të çojë deri në shkatërrim të gjëndrës tiroide. Nuk përjashtohen rastet kur mund komplikohet me hypotiroidizëm, një problem që konsiston në funksion insuficient të tiroides.
Nga cila sëmundje e tiroides preken të sëmurët kur shfaqin fryrje të qafës?
Kur përmendim sëmundjen e Graves kemi të bëjmë përsëri me një sëmundje me karakter autoimun, ku sistemi imunitar nëpërmjet antitrupave që prodhon, sulmon tiroiden, por në këtë rast duke e stimuluar atë të prodhojë nivele hormonale mbi normën. Sëmundja e Grave shoqërohet me strumë (fryrje e qafës) ose noduse në tirode.
Po tiroiditis si shfaqet?
Tirioditin e ndeshim shpesh tek moshat e reja. Është një patologji në të cilën gjëndra tiroide pëson inflamim, por nga shumë shkaqe, që mund të jenë dhe virusale apo bakteriale apo dhe autoimmune. Trajtimi në këto raste varion që nga antiinflamatorët për tiroiditin e dhimbshëm, apo kortizonikët. Por, mund të jetë dhe i padhembshëm, pa simptoma të ndjeshme, i gjatë në kohë ose dhe i shpejtë në zhvillim. Folëm më lart për disa nga problematikat kryesore të gjëndrës tiroide. Në rastet kur funksioni i tiroides kompromentohet, duke ndikuar në çrregullime hormonale atëherë një kuadër tjetër klinik mund të shoqërojë patologjinë, ku kemi shfaqje simptomash të cilat pacientët i vëmë re në organizmin e tyre dhe i shprehin.
Cilat janë simptomat kryesore të hipertiroidizmit dhe hypotiroidizmit?
Shenjat kryesore te hipertiroidizmit , pra shqetësimet që shfaqen nga prodhimi i tepërt i hormoneve të tiroides janë: rënie e pashpjeguar në peshe, ankth, panik, axhitim, takikardi, përgjithësisht janë shenja të një ankthi të shtuar në përjetimin e streseve dhe problemeve të jetës së përditshme. Dridhje trupi, vigjilencë e shtuar, probleme me traktin tretës si diarre e shtuar. Këto shenja mund të kenë një zhvillim të shpejtë, por edhe mund të mos konstatohen për disa kohë. Nëse ndjeni të tilla shqetësime, keni histori familjare për sëmundje të tiroides si dhe keni përjashtuar probleme të tjera shëndetësore, atëherë mund të jetë koha për t’i bërë një kontroll tiroides. Analiza e gjakut për të kontrolluar nivelet hormonale si dhe një eko e gjëndrës tiroide mund të jetë një kontroll fillestar i rekomandueshëm për të gjithë njerëzit. Shqetësimet e lidhura me rënien e funksionit të tiroides, pra me mosprodhimin e duhur të niveleve të hormoneve në gjak janë të një natyre tjetër, deri diku logjikisht të kundërta me shenjat e hipertiroidizmit. Këto njerëz ankohen për lodhje te theksuar, shtim në peshë shoqëruar me pamundësinë për të hequr kile pavarësisht dietave ushqimore, rënie flokësh, dhimbje muskulare, dhimbje artikulare, konstipacion e deri në probleme me fertilitetin.
Çfarë u këshilloni të gjithë pacientëve të prekur nga sëmundjet e tiroides?
E rëndësishme është që këto simptoma të kapen në kohë dhe pacientët të trajtohen me skemat e duhura. Te mjeku i familjes rastet më të shpeshta janë problematika të lidhura me hypotiroidizmin, pacientë të cilët mjekohen për një kohë të gjatë me levotiroksinë, një formë sintetike e hormonit të tiroides, në mënyrë që të arrijë të zëvendësohet mungesa e tij në qarkullimin e gjakut. Përgjithësisht janë raste të cilat ecin mirë dhe arrijnë të ekuilibrojnë funksionin e tiroides në organizëm. Por në praktikën klinike të mjekut të familjes nuk mungojë edhe rastet e tjera të lartpërmendura, ku një larmishmëri problematikash të gjëndrës tiroide mund të shfaqen në pacientët tanë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.