KULTURË

Aleanca për Teatrin çon në SPAK Ramën e Veliajn: Duam sekuestro të projektit danez

11:00 - 14.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, administratorin e kompanisë FUSHA SHPK, Shkëlqim Fusha, si dhe arkitektin danez Bjarke Ingels, për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Si rrjedhim i kësaj, AMT ka kërkuar, gjithashtu, masën e sekuestros preventive ndaj projektit danez, i cili konsiderohet se mund të zgjerojë pasojat e veprave penale të kryera, si dhe mund të lehtësojë apo nxisë vepra të tjera të tilla.
Kjo kërkesë e bërë nga ana e Aleancës, sipas tyre është në përputhje me nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale, dhe mbështetet në faktin se jemi përpara një projekti që ka shërbyer si mjet për kryerjen e veprës penale.
“Vendosja e kësaj sekuestroje, do të ishte një masë që do të parandalonte pasojat e parikuperueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i këtij projekti. Nga ana tjetër, referuar faktit se Bashkia e Tiranës, në shkelje të plotë të akteve ligjore në fuqi, ka hapur garën për projektin e ndërtimit të Teatrit të Ri, kemi kërkuar edhe pezullimin e procedurave të tenderit për këtë projekt, deri në zbardhjen e hetimeve dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Kjo masë, do të ndërpriste procesin për fillimin e punimeve derisa çështja të ketë përfunduar, gjë që do të krijojë mundësitë për rindërtimin e Teatrit, ashtu siç ishte, aty ku ishte”, thotë Aleanca.
Sipas saj, Rama, Veliaj, Fusha dhe Ingels kanë shkelur në bashkëpunim me njëri-tjetrin edhe akte ligjore si: Ligji Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar; Ligji Nr. 9367 datë 07.04.2005, për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”; VKM Nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Me anë të këtij kallëzimi AMT thotë se merr përsipër të përcjellë zërin e artistëve dhe qytetarëve që besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe se zbatimi i tij është e vetmja mundësi që kjo shoqëri të ecë përpara. “AMT bëhet, gjithashtu, zëri atyre artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë me forcë realizimin e këtij projekti, i cili është ngritur i tëri mbi një aferë korruptive që, veç të tjerash, ka një kosto të parikuperueshme për kulturën shqiptare. Faktet e bëra publike deri më tani në 5 kallëzimet e AMT-së, do të mjaftonin që vetë organi i prokurorisë të kishte nisur hetim kryesisht për këtë çështje, duke përmbushur në këtë mënyrë përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në deklaratë. Në vijim, viret re se me këtë çështje, SPAK ka rastin t’iu provojë qytetarëve se kjo prokurori, e ngritur posaçërisht për të hetuar krimin e zyrtarëve të lartë, ka përkushtimin e plotë për ta kryer misionin e saj. “Ajo ka në dorë, jo vetëm ndëshkimin e abuzuesve, gjë që do ti kryente një shërbim të rëndësishëm vendit, por edhe shpëtimin dhe rikthimin e një monumenti të rëndësishëm historik e kulturor, të njohur tashmë ndërkombëtarisht.AMT mbetet e vendosur ta ndjekë këtë çështje, në të gjitha instancat përkatëse brenda dhe jashtë vendit, duke kërkuar me ngulm vendosjen e drejtësisë si dhe rikthimin e Teatrit në hijeshinë e tij të plotë, si ditën kur u ndërtua”, përfundon deklarata e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Ndërkaq, të premten me 17 korrik organizohet ngjarja “Dy muaj pa Teatrin Kombëtar”, një mbrëmje dedikuar zbërthimit dhe kuptimit të valës së shkatërrimit arkitektonik, artistik, ekonomik, dhe politik të ndërtesës së Teatrit Kombëtar nga artisti-kryeministër Edi Rama ne 17 Maj 2020. “Programi i kësaj mbrëmjeje që do të përmbajë një përzjerje mes intepretimesh artistike, bisedash kritike u koordinua nga Nico Angiuli, Fabrizio Bellomo, Jonida Gashi and Stefano Romano. Mbrëmja do të drejtohet nga Anna Daneri Ilaria Lupo”.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.