Kryesore

BIRN: Ndyshimet Kushtetuese të Ramës synojnë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, Jo hapjen e Listave

12:51 - 14.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama dhe politikanë të tjerë të partisë socialiste kanë prezantuar nismën për ndryshimin e nenet 64 dhe 68 të Kushtetutës së Republikës, në të cilat synohet të ndalohen koalicionet parazgjedhore mes partive si dhe të vendoset një prag në masën 5% për ndarjen e mandateve. Një ndryshim i tretë, por një i tillë që është i padetajuar aq sa ngjan si premtim elektoral dhe jo si reformë, thotë se qytetarët do të kenë të dretë “të shprehin parapëlqimin e tyre” për kandidatët për deputetë. Se si mund të funksionojë kjo pikë e tretë, propozimi për ndryshime kushtetuese nuk jep shpjegime dhe vetë Rama refuzon të flasë për të duke e quajtur “problem teknik”. Por dy propozimet e tjera janë konkrete dhe ato kanë potencialin të përcaktojnë shumë gjëra në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.




Ndërsa Rama përballet me kritikat e hapura dhe të nënkuptuara të ndërkombëtarëve që po këmbëngulin që ai të merret vetëm me transformimit në ligj të marrëveshjes së 5 qershorit mes PD, LSI dhe PS., heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosja e një pragu në masën 5% janë dy masa që, nëse bëhen realitet, do t’i japin një numër të lartë deputetësh partisë që arrin të marrë qoftë edhe një votë më shumë se sa kundërshtari.

Propozimi për heqjen e koalicioneve parazgjedhore pritet që të shtyjë ato pak parti apo politikanë që formalisht janë jashtë PD-së apo PS-së të garojnë si pjesë e këtyre partive ose të mos garojnë fare, një situatë që është parë në zgjedhjet e vitit 2017 me partitë politike të opozitës, krerët e të cilëve hynë në listat e PD-së. Por paralelisht me këtë, rritja e pragut në masën 5% pritet të eliminojë praktikisht të gjitha partitë e vogla me përjashtim të LSI.

Në zgjedhjet e vitit 2017, nga 18 parti që garuan vetëm tre, PD, PS dhe LSI, morën më shumë se 5% të votave ndërsa PDIU arriti të marrë 4.8%.

Në zgjedhjet e vitit 2013, nga 66 parti që garuan në zgjedhje, sërish vetëm këto tre parti arritën të marrin më shumë se sa 5% të votave. Pavarësisht kësaj, partitë e vogla më 2017 morën sëbashku 8.5% të votave ndërsa më 2013 morën sëbashku mbi 17%. Vendosja e pragut në masën 5% praktikisht ia kalon të gjitha këto vota tre partive të mëdha që arrijnë ta kapërcejnë pragun. Por situata nuk është kaq e thjeshtë.

Rama nuk e ka sqaruar nëse zonat aktuale zgjedhore të 12 qarqeve do të ruhen në zgjedhjet e vitit 2021 apo do të ndryshohet. Nëse zonat zgjedhore aktuale mbeten, diskutimi për pragun nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Sistemi aktual i ndarjes së mandateve parlamentare sipas formulës D’Hondt bëjnë që në kushtet e Shqipërisë, një masë e tillë si pragu të ketë efekt të kufizuar. Në zgjedhjet e shkuara, pragu ka qenë në masën 3% sipas përcaktimit të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, por në shumicën e zonave zgjedhore, përveç këtij pragu ligjor ka edhe një prag arithmetik. Fjala vjen, në qarkun e Kukësit zgjidhen tre deputetë. Nëse një parti e tretë arrin të marrë në këtë qark 30% të votave, ajo parti merr zero deputetë. Kjo njihet si favorizimi që formula D’Hondt i jep partisë që fiton numrin më të lartë të votave në zgjedhje. Nëse ajo merr, qoftë edhe një votë më shumë se sa konkurrenti i vet, ajo merr një mandat deputetësh më shumë.

Nga të 12 qarqet e vendit, aktualisht vetëm në Tiranë ku zgjidhen 34 deputetë, pragu në masën 3% luan një rol. P.sh., në vitin 2017, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mori në Tiranë 2.94% të votave, të cilat mjaftonin sipas formulës së D’Hondt të fitonte një mandat deputeti. Por për shkak se PDIU nuk mori dot 3% të votave, pra nuk e kaloi dot pragun, deputeti që duhej të dilte nga votat e saj efektivisht iu transferua partisë që kishte zënë vendin e parë, pra PS-së. Në qarqet e tjera të mëdha si Elbasani apo Durrësi, pragu arithmetik për marrjen e një mandati është 7.2% të votave dhe shanset që pragu 5% të ketë ndonjë ndikim në llogaritë zgjedhore është shumë i paktë.

Në përfundim, në rast se Rama arrin të kapërcejë kundërshtitë e ndërkombëtarëve për të imponuar këtë lloj pragu, ka gjasa që synimi të jetë një mandat partie të vogël në Tiranë. Por nëse e sheh panoramën aktuale politike të vendit, vendosja e një pragu edhe më të ulët se sa kaq, fjala vjen, 3% sa është aktualisht, nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim në ndarjen e mandateve.

Ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, nga ana tjetër, duket se është një masë që mund të ketë më shumë efekt.

Marrëveshja mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008 penalizoi çdo nismë politike jashtë dy partive të mëdha PS dhe PD duke krijuar një incentivë në llogaritjen e mandateve parlamentare për partitë që hynin në marrëveshje paraelektorale me një nga këto dy parti. Kjo bëri që partitë e vogla të përdoreshin për mobilizim votash brenda dy koalicioneve të mëdha. Në rast se kjo gjë pushon së ekzistuari, PS, PD dhe LSI pritet të bëhen parti akoma më të fuqishme nga sa janë dhe të bërit politikë në Shqipëri do të kufizohet më tej te këto parti.

Një strategji që përsëritet

Synimi i marrëveshjes Rama-Berisha në vitin 2008 ishte i qartë: ai synonte të eliminonte “të vegjëlit” apo politikanët që mundeshin, në ndonjë farë mënyre, të sfidonin dy udhëheqësit e mëdhenj. Shënjestra kryesore e marrëveshjes së vitit 2008 me sistemin e proporcionalit rajonal ishte LSI, një parti që garoi për herë të parë në vitin 2005 si një grup i shkëputur nga Partia Socialiste. LSI në atë kohë protestoi ashpër ndaj marrëveshjes me kryetarin e saj, sot presidenti Ilir Meta, në grevë urie të zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Një vit më vonë, në zgjedhjet e vitit 2009, LSI pothuajse doli nga loja, por arriti të mbijetojë pasi disa figura të saj arritën të kapin gjithsej katër mandate deputetësh.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, Lulzim Basha, kryetar i demokratëve dhe Edi Rama, kryeministër, arritën një marrëveshje tjetër në të cilën, sërish shënjestra ishte te eliminimi i partive të vogla.

PS dhe PD arritën një marrëveshje tjetër më 5 qershor të këtij viti por marrëveshja u kufizua te çështje të administrimit zgjedhor ndërsa palët nuk patën mirëkuptimin për të përsëritur marrëveshje të tilla si ajo e 2008 apo e 2017 që shënjestronin haptazi pushtetin e partive të vogla.

Nëse bëhet realitet, ky sistem elektoral ka gjasa që do t’i mundësojë një partie politike të marrë më shumë se gjysmën e mandateve të deputetëve duke pasur më pak se gjysmën e votës popullore. Diferenca të tilla mes votës popullore dhe votës parlamentare kanë qenë të pranishme përgjatë të gjithë kohës në sistemin politik shqiptar. P.sh., në zgjedhjet e vitit 2017 PS mori 48% të votave dhe 53% të parlamentit, por me heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe rritjen e pragut, gjasat janë që ky avantazh arithmetik që partitë e mëdha i kanë dhënë vetes do të përshkallëzohet edhe më tutje./BIRN

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.