Intervista

INTERVISTA/ “Si e bindëm UNESCO-n”, Ylli Asllani: Bisedat me Kadarenë se mos Vrioni flet për Beratin në vend të Gjirokastrës

11:00 - 14.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Pas shpalljes së qytetit muze në vitin 1961, gjirokastritët synuan një tjetër hap të rëndësishëm, atë të vlerësimit të vlerave arkitektonike të vendlindjes së tyre. Bëhej fjalë për përfshirjen e qytetit në pasurinë kulturore botërore UNESCO. Ylli Asllani, ish-kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës thotë për “Gazeta Shqiptare” se atëherë kur askush nuk e kishte mendjen te monumentet, duhej një solidaritet ndërkombëtar. Pikërisht në rrokopujën e kohës, UNESCO ishte i pari institucion që i erdhi ndërmend, edhe pse duhej të udhëtonte bashkë me një staf të zgjedhur në një terren të panjohur. Ish-kryebashkiaku i Gjirokastrës, aktualisht këshilltar i Presidentit Ilir Meta, tregon negociatat e shumta me miqtë francezë dhe rolin e madh të shkrimtarit Ismail Kadare që qyteti i Gjirokastrës të përfshihej në UNESCO.




Z.Asllani, kanë kaluar 15 vjet nga dita e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e pasurive të trashëgimisë kulturore botërore UNESCO! Si lindi ideja?
Gjirokastritët kanë qenë përherë të vetëdijshëm për bukurinë e trishtë dhe vlerat arkitektonike të vendlindjes, ashtu edhe për adhurimin dhe dashamirësinë e të tjerëve ndaj magjisë së saj. Pas shpalljes së qytetit muze në vitin 1961, ata janë mikluar gradualisht nga ideja e përfshirjes së qytetit në pasurinë kulturore botërore UNESCO, si hapi më i rëndësishëm i vlerësimit të vlerave arkitektonike të vendlindjes së tyre. Në ato momente unë besoja se për të udhëhequr një komunitet, duhet një lajtmotiv kryesor. Një objektiv, i cili do të përfshinte energjitë dhe do të integronte të gjitha projektet e tjera të qytetit. Në rastin e Gjirokastrës, cila më mirë se beteja për UNESCO-n do ta kryente këtë rol?! Fillimisht dëshira e qytetit për listën e UNESCO-s u mendua si certifikim i kësaj hijeshie monumentale dhe në vitet ‘97-të si një kambanë alarmi për të sensibilizuar rrënimin e vlerave të saj monumentale dhe së fundmi u konceptua si një mundësi zhvillimi në projektin e një turizmi kulturor. Sidoqoftë, edhe pse gjirokastritët e ëndërronin këtë shans, kurrkush nuk e kishte kërkuar zyrtarisht një gjë të tillë, të paktën deri në çastet kur unë u zgjodha kryetar bashkie. Dëshira për UNESCO doli më në pah në demokraci, pasi diktatura nuk ka qenë e prirur dhe e tunduar shumë prej këtij vlerësimi nga bota kulturore e konsideruar “borgjeze”… Fati i monumenteve gjatë monizmit, sikurse vetë metamorfoza e diktaturës kishte njohur promovimin, lulëzimin, por edhe degradimin e rënien e tyre. Demokracia në Shqipëri erdhi e brishtë dhe investimi në monumente dukej për momentin luks i tepërt përpara varfërisë së tejskajshme të trashëguar. Në këtë mënyrë, shumë vlera të trashëgimisë sonë kulturore u gjenden para rrezikut të asgjësimit. Situata u keqësua akoma më tepër në krizën e vitit 1997. Gjirokastra përjetoi dëmtime e shkatërrime të mëdha krahas të tjerash dhe në monumente. Anarkia i zuri vendin shtetit ligjor. Askush nuk e kishte mendjen te monumentet. Kështu, për të dalë nga kjo situatë, veç përpjekjeve vendore e shtetërore u pa e nevojshme se duhej një solidaritet ndërkombëtar. Në rrokopujën e kohës, UNESCO ishte i pari institucion që më erdhi ndërmend, edhe pse na duhej të udhëtonim në një terren të panjohur. Në ndihmë na erdhi Ministria Franceze e Kulturës. “La maison de culture du monde”. Miqtë francezë enkas më siguruan një muaj trajnim për gjestimin e trashëgimisë në Francë, të cilin do të mund ta shfrytëzonim për të trokitur në dyert hijerënda të UNESCO-s…

 

…dhe cila do të ishte zgjidhja më origjinale?
Në fillim të vitit 1998 hartuam një plan me miqtë e mi, Paskal Hamon te shoqatës Francë-Shqipëri dhe atasheun kulturor të Ambasadës së Francës, z.Michel Tarran: ideja ishte që përtej formalizmave burokratik të synonim dorëzimin e dosjes së Gjirokastrës direkt në zyrat e UNESCO-s, nëpërmjet një konference sensibilizuese në Paris, para një auditori me të gjithë ambasadorët evropianë të akredituar në UNESCO. Kjo ishte edhe zgjidhja më origjinale, por edhe më efikase e me vlerë. Me këtë plan, në tetor 1998, udhëtova posaçërisht drejt Parisit për të dorëzuar kërkesën për përfshirjen e qytetit ne gjirin e UNESCO-s. Konferenca u zhvillua në pallatin e Burbonëve, pranë Parlamentit francez. Më tepër se një medalje për bukuritë e humbura, në fakt kërkesa jonë modeste ishte një sinjal alarmi për frenimin e shkatërrimeve të vlerave monumentale të qytetit. Jo pa qëllim dosjen e dorëzuar pranë autoriteteve të UNESCO-s e quajtëm “Gjirokastra SOS”. Në atë konference me vete kisha një dosje të kompletuar nga bashkëpunëtorët e mi, inxhinierët e talentuar të bashkisë Arben Lenja, Pilo Koçi e Njazi Çobani, si dhe nga specialistët e mirënjohur të monumenteve të kulturës Emin Riza, Eli Buka, Latif Lazimi e Jorgo Xuhano. Në konferencë u kujdesëm që krahas shefit të UNESCO-s Fredriko Major dhe trupit diplomatik të merrte pjesë gjirokastriti me i famshëm Z.Ismail Kadare, ambasadori ynë në UNESCO, z.Jusuf Vrioni si dhe shumë dashamirës të Gjirokastrës në Paris. Nga debati konstatova se qyteti ynë dhe sidomos banesa gjirokastrite ishte mjaft e dashur për të gjithë të pranishmit. Ndërkohë, Kadareja ishte idhull letrar i pothuajse të gjithë të pranishmeve dhe kishte padyshim një ndikim të padiskutueshëm. Në përfundim të takimit Frederiko Major, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, pasi vlerësoi shqetësimin, më njohu me bashkëpunëtorët e tij dhe theksoi hapat e mëtejshme që duhet të bënim, si dhe na siguroi për angazhimin e tij në ndjekje të problemit…
Kështu në kthim, krahas vlerësimeve e solidaritetin për qytetin, kishim me vete edhe paketën e plotë teknike që duhet të plotësonim, lobingjet e mundshme si dhe hartën e rrugës sonë të re që duhej të përshkonim.
Na duhej pas kësaj të ndiqnim skenarin e rekomanduar tyre.

Sa kohë u desh deri në pranimin përfundimtar?
Sigurisht, në tetor 1998, udhëtimi drejt UNESCO-s sapo kishte nisur dhe rruga ishte e gjatë. Do të duheshin edhe 5 vjet të tjerë përpjekje në arritjen e qëllimit. Deri në vitin 2001 përpjekjet e bashkisë ishin të vetme dhe realizuan të gjitha kërkesat që i takonin si qytet përfitues. Largimi i stafit të parë të bashkisë pas vitit 2001 do ta vështirësonte perspektivën. Qeveria dhe posaçërisht ambasada jonë në UNESCO ende nuk ishte involvuar institucionalisht. Duhej patjetër që dikush të vazhdonte zyrtarisht partneritetin… Ishte fat që në vitin 2001 në UNESCO fillon misionin si ambasadore zj. Tatjana Gjonaj. Ajo do t’i jepte impulse dhe dinamizëm projektit, si dhe do të realizonte me mjeshtëri një diplomaci efikase deri në arritjen e objektivit final! Presidenti Meidani dhe kryeministri i kohës Meta pas kësaj do të vizitonin selinë e UNESCO-s dhe do ti jepnin një ritëm të ri kauzës gjirokastrite. Vendimin përfundimtar për shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore e mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005. Pra, sikurse përmendem projekti dhe dosja e parë e aplikimit zyrtar u përpunua në periudhën 1998–2000 nga Bashkia e Gjirokastrës. Duhet theksuar se UNESCO nuk mund të trajtonte kandidatë pa disa kushte paraprake. Së pari, qyteti duhet të kishte një plan menaxhimi urban dhe planifikim territori, i cili duhej harmonizuar me idenë dhe rregulloren e ruajtjes së vlerave të trashëguara. Së dyti, duhesh rekomandim zyrtar nga site monumentale të përfshira në listën UNESCO. Së treti duheshin gjetur dhe kontraktuar specialistë ndërkombëtar të certifikuar nga UNESCO të gatshëm për të dhënë asistencë teknike për Gjirokastrën. Të tria këto kushte ne i plotësuam brenda 2 vjetëve me ndihmën e miqve të qytetit, të cilët nuk mungonin edhe në sferat më të larta të vetë UNESCO-s. Këtu gjej rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe rekomandimin që dhanë Ministria franceze e Kulturës, ICOMOS-i italian dhe grek, Bashkia Materës në Itali, Bashkia Athinë me kryetar Dhimitër Avramopullin, Universiteti Peskarës, studio Fabricio Toressi, Fondacioni Pakard si dhe në veçanti rajoni Markeve dhe mikun tim të dashur kryetarin Massimo Rosi, të cilët realizuan studimin sizmologjik, hartimin e planit të menaxhimit të zonës historike dhe pasaportizimin e të gjitha monumenteve kategorisë së parë e të dytë…

Cili ishte reagimi UNESCO-s pas këtyre hapave nga Bashkia e Gjirokastrës?
Sinjali i parë i pranimit, në parim erdhi prej drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s japonezit Koichiro Matssura, i cili viziton Gjirokastrën edhe me nxitjen e Kadaresë. Në shtator të vitit 2001 drejtuesi UNESCO-s deklaroi së Gjirokastra e meritonte të hynte në Listën e Pasurive Botërore. Këto hapa do të zgjonin interesin tashmë edhe të qeverisë shqiptare të kohës, duke u përfshirë diplomatikisht nëpërmjet iniciativës efikase të ambasadores sonë në UNESCO, zj. Tatjana Gjonaj.
Në vitin 2003 dosja e Gjirokastrës do të kërkohej të elaborohej më tej nga ekspertët e UNESCO-s drejtuar nga prof. Emin Riza si dhe ekspertë të licencuar ndërkombëtar. Maj 2004, vizitojnë Gjirokastrën 5 ekspertë të UNESCO-s, të cilët verifikojnë nga afër problematikën e ruajtjes së monumenteve në Gjirokastër. Në këtë delegacion bënin pjesë ish-drejtori i UNESCO-s për Evropën Juglindore Horst Godicke, arkeologu francez prof. Pierre Cabanes, sekretari i përgjithshëm ndërkombëtar i ICOMOS kanadezi Dinu Bumbaru, bizantologu italian Gianclaudio Macchiarella dhe përfaqësuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, kroati Damir Dijakoviç.
15 korrik 2005 erdhi vendimi final i pranimit pas një lobimi impresionues, në veçanti të ambasadores sonë në UNESCO, zj.Tatjana Gjonaj.
Të rikthehemi tek ideja e fillimit të përfshirjes së Gjirokastrës. Cili ishte qëllimi dhe cilat ishin përfitimet e qytetit nga kjo pjesëmarrje në listën e pasurisë botërore?!
Momenti i formulimit të kërkesës sonë nuk ishte shumë frymëzues, pasi kishte disa vite që SHBA-të ishin tërhequr nga donacionet e saj (rreth 64% e buxhetit)… Këtë fakt, ma tha me keqardhje një nga miqtë e mi francezë dhe me këtë sikur donte të maste vendosmërinë tonë…
Por, qëllimi ynë në përfshirjen në UNESCO nuk kishte të bënte thjesht në ndihmat monetare. Ai synonte në tri drejtime: së pari, hyrja në të këtë listë do të sillte vëmendje, përkujdesje më të madhe ndaj trashëgimisë sonë dhe si rrjedhojë edhe frenim të shkatërrimeve dhe rritjen e investimeve në monumente. Së dyti, një emblemë e UNESCO-s në portën e qytetit do të ishte ftesa më efikase e thithjes së donatorëve dhe turizmit ndërkombëtar. Së treti, mbikëqyrja nga UNESCO e restaurimeve, apo çdo projekti dhe studimi në qytet ishte shumë i rëndësishëm për ne. Koha vërtetoi se benefitet ishin të paimagjinueshme. Në fushën e turizmit në këto 15 vjet ka pasur një rritje galopante. Nga 10 mijë turistë në vit, numri tyre ka shkuar në 150 mijë, me tendencë rritje. (Pa marrë parasysh këtë vit problematik). Numri i hoteleve është rritur nga 5 hotele në gjendje jo të mirë në mbi 20 hotele të shkëlqyera. Pa përmendur këtu restaurimin dhe përshtatjen e qindra “Gest House” në gjithë qytetin. Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar në banesat karakteristike… Gjithashtu, është rritur ndjeshëm vëmendja e donatorëve. Banka Botërore, Fondi Shqiptaro-Amerikan, Dojce Bank dhe shumë agjenci po investojnë miliona dollarë në monumente, infrastrukturën dhe shërbimet publike të qytetit. Nga një qytet shpresë prerë Gjirokastra ka kapur fillin e një zhvillimi të ri me qendër turizmin kulturor.
Natyrisht, një destinacion turistik si Gjirokastra është i rëndësishëm për gjithë rajonin dhe ciklet e tij turistike. Pasi Gjirokastra i jep jetë dy cikleve turistikë të rëndësishëm:
I pari: Gjirokastër-Sarandë-Korfuz-Janinë dhe së dyti Sarandë-Butrint- Gjirokastër-Vlorë-Berat. Pa përmendur ciklin turistik kombëtar.

Pse Gjirokastra meritonte të regjistrohej në listën e trashëgimisë botërore?
Arsyet e përfshirjes së Gjirokastrës në UNESCO ishin të shumta.
Arma më e fortë ishte vlerësimi që kishin specialistët ndërkombëtarë për banesën karakteristike gjirokastrite. Ajo konsiderohej e pakrahasueshme dhe një shembull unikal në gjithë hapësirën evropiane. Aq më tepër që një bashkësi e tillë vlerash arkitektonike ishte e organizuar aq mjeshtërisht e me shumë guxim në një reliev tepër të përthyer. Problemi i vetëm u mendua se do të ishte te lashtësia, pasi UNESCO fokusohej më tepër në qytetet antike… Për këtë ne u ofruam shumë fakte e argumente që Gjirokastra përveç vlerave mesjetare, mbarte dhe histori të lashtë. Duke filluar me zanafillën e saj 3-4 shekuj p.e.s. Qendra e vet historike konsiderohet një banim ende i pazbuluar plotësisht. Themelet, disa mure mbajtës të kalasë dhe shumë artifakte flisnin për vendbanim me të njëjtën moshë me qytetin Antigonesë së Piros së Epirit. Katakombet e pazarit përmbajnë ende gjurmët e një qendre më të lashtë se mesjeta. Ndërkohë, i cituam pohimin e kronikanit turk, Evlia Celebi. Në shek. 15-të ai shkruante se kishin mbërritur në një qytet të çuditshëm me shtëpi e mure të mëdha, të cilët janë ndërtuar nga të pafetë shumë kohë para ardhjes së turqve në Ballkan. Megjithatë, përkundrejt fakteve të sipër përmendur UNESCO-ja e vlerësoi Gjirokastrën, si një shembull të rrallë të qytetit të mirëmbajtur otoman, që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për kulturën shqiptare, atë europiane dhe më gjerë…

Gjirokastra dhe Berati, cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy qyteteve?
Në fakt, arsye e ngjashmërisë së dy qyteteve ishte argumenti që u përdor përfshirjen edhe të Beratit në listën e UNESCO-s. Së pari, të dyja qytetet e kanë zanafillën në konceptin e krijimit të Qyteteve–Kështjellë. Ngjashmëria tjetër konsistonte te stili arkitektonik i ndërtimit, pamjet e fasadave të banesave, përdorimi i gurit dhe drurit si materiale bazë ndërtimi, mënyra e kultura e njëjtë e jetesës në këto objekte muzeore dhe shumë anë të tjera konstruktive. Dallimi kryesor midis dy qyteteve është se Berati ka vetëm dy lagje me vlera muzeore, kurse trashëgimia në Gjirokastër përfshin pothuaj gjithë lagjet.
Gjirokastra ndryshe nga Berati është qytet unicentrik mjaft i organizuar nga ana urbane. Pazari Gjirokastrës është unikal dhe poshtë tij ekzistojnë katakombe si askund tjetër. Kurse ndërtimet në Berat janë uniformë në formë blloqesh dhe të vendosura poshtë kalasë jo sipas një qendre. Duhet përmendur se kalaja e Beratit është më e lashtë se e Gjirokastrës dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë përherë e banuar.
Dallimi tjetër është te forma, funksioni dhe madhësia e banesave. Banesa gjirokastrite është tip kështjellë, e rrethuar me mure të lartë, me oborre dhe bahçe, si dhe vend banimi për shërbyesit. Ndërsa banesa beratase vjen më e thjeshtë, fine dhe pa shumë hapësira ndihmëse.

A keni punuar me qytetin e Beratit për të arritur në UNESCO?
Jam involvuar indirekt si detyrim shtetëror, por edhe i bindur për vlerat e mëdha të trashëgimisë monumentale të Beratit. Në atë kohë kam qenë këshilltar i kryeministrit për qeverisjen lokale dhe trashëgiminë kulturore. Kryeministri Berisha kishte gjithë kulturën dhe vëmendjen e nevojshme për involvimin e siteve shqiptare në pasurinë e njerëzimit.
Pas Gjirokastrës dhe isopolifonisë synimi i qeverisë, në vitet 2006-2008 ishte përfshirja edhe e Beratit në listën e pasurisë botërore. Ambasadorja jonë në UNESCO, Tatjana Gjonaj, një gjirokastrite tepër me intuite dhe aktive zhvilloi një fushatë të paparë në dobi të Beratit. Ministria e Kulturës dhe Instituti Monumenteve ishte fokusuar po aty.
Po kështu, Prefektura dhe Bashkia po bënin goxha sensibilizim. Kryetari Fadil Nasufi dhe stafi vet kishin tashmë gati një dosje të kompletuar me specialistët më të mirë. Problemi për pranimin e Beratit ishte se komiteti vendimmarrës i UNESCO-s nuk pranonte qytet tjetër nga Shqipëria në harkun e kaq pak kohe. Në këtë pikë ata ishin të prerë. Pikërisht kur shpresat u venitën, na erdhi në ndihmë ngjashmëria mes dy qyteteve. Pikërisht për këtë, nga dashamirësit në UNESCO na u sugjerua që kërkesa për Beratin të formulohej në trajtë patronazhi tek i njëjti sit me Gjirokastrën. Kështu u desh që Instituti Monumenteve dhe kryetarët e bashkive të të dyja qyteteve të nënshkruanin një akt mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe partneriteti. Mbi këtë bazë u formulua edhe kërkesa dhe në datën 8 korrik të vitit 2008 u krye regjistrimi i Beratit në listën e UNESCO-s.

Si ju duket vendimi i UNESCO-s për regjistrimin e të dyja qyteteve në të njëjtin sit?
Natyrisht! Lajmi që UNESCO do të pranonte edhe Beratin si pjesë e trashëgimisë Botërore të kulturës na entuziazmoi, pavarësisht se ishte në sitin e Gjirokastrës. Kjo do të ishte një arritje e madhe për trashëgiminë tonë monumentale. Nuk duhej ta humbnim këtë shans për meskinitete pa kuptim. Madje, në formë demonstrative në këtë situatë bashkitë dhe prefekturat e dy qyteteve organizuan shumë aktivitete të përbashkëta sensibilizuese dhe solidarizuese, krahas marrëveshjes së mirëkuptimit të kërkuar nga UNESCO. Nga ana tjetër, personalisht ndjeja edhe një obligim më shumë, pasi kur po prezantoja dosjen e Gjirokastrës, taktikisht nuk doja të përmendej Berati, sepse dihej që UNESCO pranonte vetëm një sit… I thosha me humor Kadaresë, “duhet ta porositim edhe z.Vrioni të mos ngatërrohet në fjalën e tij dhe fillon të flasë për Beratin, qytetin e tij të lindjes”… Gjë e cila sikurse u pa ishte e pamundur për ambasadorin e nderuar.

A ka një garë aktualisht mes dy qyteteve përsa i përket turizmit?
Nuk mendoj se ka arsye për konkurrencë të dëmshme, përkundrazi të dyja qytetet plotësojnë dhe kanë shumë nevojë të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën. Gjirokastra dhe Berati janë destinacione të veçanta, por edhe pjesë e cikleve të njëjtë turistike. Arritjet e secilës janë një bazë e mirë për shkëmbimin e eksperiencave, rritjen e bashkëpunimit dhe nxitjen e konkurrushmërisë së pastër.

Nëse Gjirokastra nuk do të regjistrohej në sitin e trashëgimisë botërore, si do të dukej qyteti tani në raport me zhvillimin ekonomik, e turizmin?
Gjirokastra është një qytet që u ka mbijetuar kohërave. Mendoj se edhe në të ardhmen do të mund të ekzistojë dhe t’u rezistojë rrebesheve të fatit! Por, duhet theksuar se shumë nga arsyet të cilat atë e kanë shndërruar dikur në kryeqendër të jugut të Shqipërisë po zveniten dita-ditës. Kështu, e ardhmja duket e turbullt dhe jo shumë optimiste. Prandaj duhen alternativa energjike! Përfshirja në UNESCO i ofroi mundësinë e një zhvillimi të ri e të qëndrueshëm, në bazë të të cilit do të ishte industria e turizmit. Tashmë qyteti nuk është më i vetëm në përpjekjet e tij për mbijetesë. Prezenca në UNESCO nëse përdoret me racionalitet, do të jetë një garanci për një zhvillim afatgjatë. Faktori UNESCO e ka shndërruar atë në një treg kulturor të kërkuar dhe po e bën edhe më tepër tërheqës për donatorët dhe investitorët. Mendoj se nëpërmjet turizmit duhet të marrin jetë edhe shumë degë të ekonomisë si agrobiznesi, manifaktura, nënproduktet blegtorale dhe e gjithë infrastruktura në përgjithësi. Pavarësisht vështirësive të momentit, Gjirokastra do të jetë e aftë t’u sigurojë brezave të ardhshëm mbijetesën dhe do të nxisë dëshirën për ta vizituar dhe jetuar në këtë qytet. Përfshirja në listën e pasurisë kulturore botërore ishte një arritje e madhe për qytetin e gurtë, por dihet se suksesi nuk është asnjëherë përfundimtar, ndaj duhet punuar çdo ditë ndaj sfidave të reja… Nuk mund të lë pa përmendur faktin se dy vitet e fundit fati nuk e ka ndihmuar komunitetin e biznesit turistik. Rikonstruksioni i qendrës historike, tërmeti dhe këtë vit koronavirusi i kanë stepur vizitorët. Por unë jam i sigurt në të ardhmen turistike të Gjirokastrës. Piketat e vendosura me mençuri do të japin së shpejti produktin e dëshiruar.

Si e vlerësoni projektin e UNESCO-s që qendrën e qytetit ta kthejë plotësisht për këmbësorët?
Gjirokastra është projektuar si qytet unicentrik dhe bllokimi menjëhershëm i qendrës tregtare do të paralizojë aktivitetin tregtar e zejtar, sikurse po ndodh… Mendoj se ky do është një projekt i domosdoshëm për të ardhmen, pasi të jenë ndërtuar parkingje dhe rrugë devijuese të nevojshme… Tradita e tregut gjirokastrit kështu ka qenë, me qarkullim me orar mjetesh (apo dikur kafshësh). Hanet e tyre ishin brenda dhe rreth pazarit. Në kushtet e sotme qarkullimi i makinave duhet të lejohet vetëm në dy fasha orare 5.00-8.00 të mëngjesit dhe gjatë drekës 14-16. Kjo për t’i lejuar biznesit dhe hotelerisë qarkullimin e mallrave dhe klientelës. Pasi në të kundërt do asfiksohet qarkullimi sikurse po ndodh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.