OPINION

Një cirk që na kushton shtrenjtë

08:59 - 14.07.20 Imer Mushkolaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumë shtrenjtë po na kushtojnë institucionet, të cilat në vend që të ofrojnë zgjidhje për problemet e qytetarëve, prodhojnë sharje, fyerje, papërgjegjësi e inate. Një parlament që është shndërruar në cirk për “argëtimin” e qytetarëve, një qeveri që po dështon të menaxhojë një situatë fatkeqe.




Të gjithë ata që e kanë ndjekur seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës e kanë parë “live” se si deputetë të zgjedhur nuk e kanë fort dert se çfarë ndodh me qytetarët, respektivisht nëse shumë nga ta kanë mundësi të sigurojnë gjërat elementare për jetesë. Si pasojë e mosvotimit të buxhetit të rishikuar, të gjithë punëtorët që është dashur t’i marrin 170 eurot e qeverisë dhe të tjerë të papunë, që është dashur t’i marrin 130 kanë mbetur pa këto para, sepse deputetët kanë zgjedhur të merren me llafe e muhabete të tjera, e jo të ngrenë dorën për buxhetin. Mund ta kuptoj arsyetimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që buxhetin le ta votojnë ata që zgjodhën ta rrëzojnë qeverinë “Kurti” në mes të pandemisë, por në këtë rast nuk kemi të bëjnë vetëm me qytetarë që kanë votuar partitë që rrëzuan qeverinë dhe krijuan të renë, por me qytetarë që janë mbështetës të të gjitha opsioneve politike. Mungesa e vullnetit politik për të kaluar në Kuvend jo vetëm buxhetin, por edhe marrëveshje ndërkombëtare që do të mundësonin ndihmë financiare në një situatë mjaft të rëndë, tregon se sa me inat e mosdurueshmëri funksionon politika në Kosovë, se si deputetë e qeveritarë janë në gjendje të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, vetëm për të kënaqur egot e veta individuale e partiake. Gjatë diskutimeve të deputetëve, Kuvendi më tepër ngjante në arenë akuzash e kundërakuzash, sesa në institucionin më të lartë ligjvënës në të cilin do të duhej diskutuar çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Dhe, çfarë mund të ketë më të rëndësishme në këtë kohë se çështjet që kanë të bëjnë me jetesën e mbijetesën e qytetarëve, çështje që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve në një situatë me pandeminë që thuajse ka dalë jashtë kontrollit? Për inate politike, e jo arsye logjike, qeveria “Hoti” e konsideroi të panevojshëm projektligjin për pandeminë. Sipas qeverisë, menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi. Projektligji është inicuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, të cilën LDK-ja tashmë e ka përjashtuar nga organet drejtuese dhe kjo qasje e qeverisë nuk është gjë tjetër veç hakmarrje ndaj saj. Punë e madhe se me këtë ligj të rekomanduar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pandemia do të menaxhohej më mirë. Kryesorja të mbizotërojnë inatet personale, karshi arsyes dhe logjikës.
* * *
Kur qeveria “Kurti” u rrëzua në mars, një ndër arsyetimet e atyre që ngrenë dorën ishte se pandemia nuk po menaxhohej mirë. Më shumë se një muaj pasi qeveria e re mori detyrën, situata është alarmante. Masat e rekomanduara nuk zbatohen si duhet, klinikat e repartet infektive janë stërmbushur dhe numri i të vdekurve është rritur drastikisht. Qeveria nuk po arrin të menaxhojë gjendjen si duhet e as të zbatojë masat e parapara. Po të procedohej në Kuvend ligji për pandeminë, gjithçka do të menaxhohej më lehtë. Baza ligjore për ndëshkimet ndaj atyre që nuk i respektojnë masat nuk do të ishte e kontestueshme, ashtu si dhe vendimet tjera në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve. Ndërkohë, me numrin e zëvendësministrave të emëruar, qeveria po funksionon me logjikën e koalicionit PAN. Ministra të caktuar po zhvleftësojnë vendime të paraardhësve të tyre – jo pse kanë qenë të këqija, por veç për inat. E Lista Serbe vazhdon ta sfidojë ekzekutivin, duke folur haptazi për respektim të vendimeve që vijnë nga Beogradi. Kështu, vetëm pas dy ditësh që Beogradi vendosi për masat e kufizimit të lëvizjes në veri të vendit, reaguan institucionet e Kosovës. Për më keq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës për dy ditë, më 7 e 8 korrik, zbatuan vendimin e qeverisë serbe për kufizimin e lëvizjes. Pra, deri sa qeveria “Hoti” nxori vendimin për kufizimin e lëvizjes, policia kosovare zbatoi masat e një shteti tjetër. Një numër tjetër cirku për masat kufizuese, në përpjekje për të arsyetuar pafuqinë e veprimit karshi Listës Serbe, nga votat e së cilës varet dhe karshi Beogradit, nga i cili varet Lista Serbe.
* * *
Deputetë e ministra mbase do të vepronin ndryshe, po qe se pagat dhe privilegjet e tyre do të kushtëzoheshin nga miratimi i buxhetit. Nuk do të gjenin kohë për budallallëqe, por do të vepronin shpejt për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset. Por, përderisa pagat marramendëse i marrin në fund të muajit – ndonjëherë edhe pse janë mbledhur vetëm në një seancë koti – nuk e kanë fort dert se qytetarët nuk i kanë përfituar ende 130 e 170 eurot. Shtrenjtë po na kushton cirku i tyre.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.