AKTUALITET

Pafuqia e shtetit përballë kriminelëve, si duhet hartuar strategjia e re kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit

16:10 - 14.07.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

A kanë bërë sa duhet qeveritë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar? Natyrshëm përgjigja është; Jo! Padyshim ndër vite ka patur përpjekje për ta luftuar fenomenin, por këto përpjekje nuk kanë rezultuar aq të suksesshme, sa qytetarët kanë shpresuar. Sot, krimi i organizuar është kthyer në një shqetësim madhor për vendin. Tentakulat e kriminelëve janë shtrirë kudo, në çdo qelizë të shoqërisë. Ndër vite, janë denoncuar raste që bosët e krimit kanë mundur të bashkëpunojnë dhe me politikën dhe po influencojnë në sfera të ndryshme të shoqërisë. Ka të dhëna që zyrtarë të policisë bashkëpunojnë me kriminelë. Kjo referuar dokumentave të Shërbimit Informativ Shtetëror, që referon emra konkretë të policisë te lidhur me trafikantët e hashasit. Ndërsa gjyqtarët e prokurorët i kanë “amnistuar” ndër vite këta bosë, duke iu dhënë mundësinë të lëvizin të lirë nën petkun e “biznesmenit”.
Për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, qeveria shqiptare miratoi strategjinë ndërsektoriale 2013-2020, e cila sikurse rezulton nga një monitorim të bërë nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ka dështuar në disa drejtime. Ndaj në këtë aspekt lind edhe nevoja për hartimin e një strategjie të re, ndërsektoriale, që të përcaktojë objektiva dhe plane veprimi të qarta, si e vetmja mundësi për ta fituar betejën me krimin.
Në një document prej 220 faqesh, pasi bën një analizim të situatës kriminale në vend dhe evidenton problemet thelbësore se përse strategjia ndërsektoriale nuk ka funksionuar, Qendra nën edhe disa rekomandime sesi duhet të jetë qasja e institucioneve ligjzbatuese në luftën ndaj krimit dhe si duhet hartuar strategjia e re.
Disa shifra….
“Gjysma e shqiptarëve janë skeptikë në perspektivën për të fituar luftën kundër krimit të organizuar. Po kjo shumësi qytetarësh, pranon se krimi është kërcënimi i dytë më i madh për sigurinë e vendit”. Të dhënat dolën dolën nga një sondazh i realizuar tetorin e 2019 i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Mjafton ky sondazh për të pranuar se krrimi i organizuar mbetet një shqetësim serioz dhe real në Shqipëri.
Shkatërrimi i grupeve kriminale, sekuestrimi i aseteve të krimit, arrestimi i personave më rekorde kriminale, minimimi i korrupsionit, janë vetëm disa nga objektivat që do të duhej të përmbushnin institucionet ligjzbatuese në kuadër të strategjisë 2013-2020, por duket se “detyrat e shtëpisë”, nuk janë bërë mirë prej tyre, për sa kohë krimi dhe korrupsioni listohen në cdo raport ndërkombëtar si shqetësim madhore dhe po pengojnë integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, iu është referuar shifrave zyrtare dhe përmes tyre ka dalë në disa konkluzione, të cilat mund tu shërbejnë autoriteteve ligjzbatuese, për të qenë më konkret dhe eficent në luftën ndaj krimit.
Sa i përket trafikut të drogërave të forta, ndër vite thuhet se Shqipëria po përdoret si end transit nga grupet kriminale, por pavarësisht rritjes së sasive të drogërave të sekuestruara, si hashash apo kokainë (630.24 kg vetëm në 2018) e heroinë, sërish – theksohet në studimin e Qendrës – nuk mund të bëhet një vlerësim i qartë të arritjeve të strategjisë në lidhje me shtypjen e tregut të narkotikëve.
Masat e ndërmarra nga qeveritë ndër vite sa i përket parandalimit të pastrimit të parave nuk kanë qenë të kënaqshme. Baza ligjore është e plotë, por faktet flasin që hetimet janë të mangëta.
“Të dhënat tregojnë një numër shumë të ulët të rasteve të konfiskimeve, po aq sa dhe vlerë totale të ulët të pasurive të konfiskuara për vitet 2013, 2014 dhe 2016. Të dy këto elementë të sipërpërmendur (numri i çështjeve dhe vlera) janë rritur ndjeshëm në 2016 dhe 2017 krahasuar me trendin e treguar në tre vitet e mëparshme”, thuhet në document. Ndërsa specifikohet më tej se ”nuk ekzistojnë të dhëna publikisht të aksesueshme që pasqyrojnë situatën në 2018 dhe 2019, megjithatë Raporti i BE-së për Shqipërinë 2019 thekson se “numri dhe vlera e konfiskimeve të pasurive në procedimet penale janë të kufizuara”. “Raporti i Moneyval i botuar në dhjetor nxori në pah një numër mangësish në sistemin shqiptar për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, thuhet në studim.
Korrupsioni vijon të jetë një plagë e hapur në shoqërinë shqiptare dhe pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të hetuara, sërish mund të thuhet se nuk është bërë sa duhet për goditjen e këtij fenomeni. “Do të ishte e thjeshtë të pohohej se strategjia nuk ka prodhuar rezultatin e parashikuar”, thuhet në studim. Më tej theksi vihet të mungesa e kapaciteve njerëzore dhe teknike. Ndërsa flitet për hetime të mangëta, pasi shpesh institucionet nuk bashkëveprojnë.
Strategjia e mangët
Në studimin e Qendrës shpjegohen disa nga arsyet, përse strategjia ndërsektoriale kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizimit ka dështuar dhe përse nevojitet rishikimi i strategjissë së re.
“Strategjia ka disa të meta në formulim, përkatësisht; inkoherencës midis kontekstit të krimit të organizuar dhe të synimeve, objektivave dhe rezultateve të pritura’ mospërputhjet e rrjedhës së rezultateve në strategji dhe në lidhje me planet e veprimit dhe me strategjitë e tjera; indikatorëtjanë formuluar pa informacion bazë, me objektiva të përhershëm (në vend të vjetorëve), si edhe pa asnjë dispozitë për mbledhjen e të dhënave dhe asnjë dispozitë për metodën e llogaritjes për matjen e rezultateve. Dukshëm, difektet e formulimit kanë ndikuar në procesin e implementimit dhe në vlerësimin e rezultateve të arritura”.
Mangësitë në formulim – thuhet në dokument – kanë nxjerrë në pah dobësitë e qasjeve si edhe të kapaciteteve të monitorimit dhe vlerësimit.
“Dështimi për të prodhuar raporte të rregullta të monitorimit dhe për të komunikuar lidhur me proceset e implementimit dhe të rezultateve për më shumë se shtatë vjet ka bërë që strategjia të kalojë në harresë pothuajse të plotë, duke cënuar në këtë mënyrë arsyen themelore të miratimit të dokumenteve të tilla”, theksohet më tej.
“Në shtatë vitet e implementimit të strategjisë Shqipëria ka dështuar në indikatorët kryesorë, përkatësisht: -zvogëlimi i barrës së imponuar nga krimi i organizuar në ekonominë e vendit;- zvogëlimi i sasisë së narkotikëve të prodhuara ose / dhe që kalojnë në tranzit;-të konfiskojë proporcionalisht pasuritë të krijuara përmes veprimtarive të krimit të organizuar;- të [kontribuojë] në uljen e korrupsionit dhe në përmirësimin e renditjes ndërkombëtare të Shqipërisë për antikorrupsionin”, theksohet në studim.
Qasja institucionale
Dokumenti bazë i hartuar nga Qendra, u diskutua në një tryezë pak ditë më parë, ku vec drejtuesve të lartë të institucioneve, ishte e pranishme dhe Ambasadorja e Holandës në Tiranë, e cila e mbështeti studimin. Arjan Dyrmishi drejtor i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, u shpreh se që një strategji të funksionojë duhet të të jetë e formuluar qartë, të ketë plane veprimi, kapacitete njerëzore të mjfatueshme, si dhe ti nënshtrohet debatit publik.
“Në dokumentat tonë strategjike vendosim indikatorë dhe objektiva që janë shpeshherë të pakapshëm dhe të nesërmen e miratimit të strategjisë themi s’kemi burime. Komunikimi mbi zbatimin e saj ka qenë inekzistent. Sfidë është mosvazhdimësia deri në fund e strategjisë”, tha Dyrmishi.
Guusje Korthals Altes, Ambasadore e Hollandës në Shqipëri tha se mirëpret angazhimin e të gjithë institucioneve, por edhe të vetë qytetarëve në luftën kundër krimit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fitohet.
“Kur njerëzit përfshihen rritet edhe besimi ndaj institucioneve, sepse për pjesëmarrjen e tyre do të bëhen edhe ndryshime të tjera ligjore. Sic kemi provuar kërkohet një përpjekje e përbashket dhe kjo është arsyeja që të përfshihen të gjitha palët për të luftuar këtë fenomen të rrënjosur. Kjo nuk duhet të jetë pjesë e luftës vetëm nga ana e qeverisë, por edhe nga qytetarët”, tha ambasadorja.
Artan Shkëmbi, drejtor i Policisë Kriminale, u shpreh se policia nuk mund ta fitojë e vetme këtë luftë, ndaj u kujtoi të gjithë institucioneve të përmbushin detyrimet e tyre në këtë drejtim. Ai vlerësoi kontributin e shoqërisë civile në këtë drejtim.
“Dhënie e kontributit dhe vlerësimi nga organizatra joqeveritare është një tregues që do të na ndihmojë ne për të vendosur indikatorë apo objektiva jo vetëm të matshme dhe të monitorueshme, por edhe sa më afër parametra të vendeve të tjera të BE apo të treguesve të kriminalitetit në vendin tonë”.
Sokol Stojani prokuror deklaroi se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të patur sukses në luftën ndaj krimit, porse nevojitet më shumë bashkëpunim institucional dhe forcim kapacitetesh njerëzore.
Disa rekomandime
Rezultatet në luftën kundër të organizuar dhe trafiqeve, mund të korren nëse plotësoshen disa kushte. Më kryesori është vullneti politik. Sepse gjithcka nis nga miratimi i një strategjie të mirëmenduar dhe që përcakton objektiva të qarta. Së dyti, planet e veprimit duhet të jenë konkrete dhe zbatimi i strategjisë duhet të monitorohet hap pas hapi. Një pikë nevralgjike është forcimi i kapaciteve njerëzore dhe teknike. Një polici e kualifikuar dhe e mirëpaguar do të ishte eficente në luftën kundër krimit. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes vë theksin tek forcimi i policisë kriminale ndërsa sheh me pozitivitet faktin që është ngritur struktura e posacme SPAK, e cila nëse plotësohet edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, mund të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Hartimi i strategjisë së re, kërkon gjithashtu t’i nënshtrohet një debati publik, ku të përfshihen të gjithë aktorët dhe faktorët, e në këtë mënyrë institucionet të angazhohen seriozisht për të përmbushur detyrat në këtë betejë të ashpër. Ndërsa theksi duhet të vihet tek llogaridhënia institucionale, që sikurse rezulon në document ka qenë inekzistente ndër vite. Thënë thjeshtë, objektivat mbetën vetëm në letër.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.