Opinion-Komente

Rama tërhiqet nga dakordësia e 5 qershorit, nga frika e humbjes së zgjedhjeve

09:00 - 14.07.20 Vehap Kola

Edi Rama e ka prishur tashmë konsensusin e arritur më 5 qershor ndërmjet Partisë Socialistë dhe opozitës së bashkuar me garancinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, ai po përpiqet të bindë partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët se nuk e ka shkelur dakordësinë që arriti me opozitën dhe SHBA-BE, por thjesht po adreson çështje të paprekura nga dhe të pazgjidhura nga ai konsensus. Kryeministri po përpiqet ta bëjë këtë duke e paraqitur qëllimisht dokumentin e 5 qershorit si një lëshim ndaj opozitës për çështjen e administrimit të zgjedhjeve dhe verifikimin biometrik të votuesve. Ndërsa, sipas tij, çështja e sistemit nuk gjeti zgjidhje nga palët. Prandaj, ai do të pranojë një propozim të atyre që kanë zënë vendet e opozitës në parlament për të ndryshuar sistemin dhe Kushtetutën, me qëllim që të pengojë me Kushtetutë koalicionet parazgjedhore. Rama po orvatet ta paraqesë pengimin e koalicioneve si të imponuar nga sistemi proporcional me lista të hapura, pasi fleta e votimit do të dilte shumë e madhe dhe do të vështirësonte procesin e votimit. Sipas logjikës kryeministrore, një kufizim teknik imponon kufizimin e një lirie politike kaq themelore sa liria për të zgjedhur përfaqësuesit politikë dhe për të mos lejuar devijimin e votës. Ndërkohë, që dihet se ndryshimi i sistemit realizohet përmes ndryshimit të Kodit Zgjedhor, ndryshimi i Kushtetutës është i nevojshëm pikërisht për të ndaluar krijimin e koalicioneve parazgjedhore. Por, si arritëm deri në shkeljen nga ana e Ramës e konsensusit të 5 qershorit? Me marrëveshjen politike të 14 janarit 2020, u krijua Këshilli Politik për të përgatitur me konsensus politik reformën zgjedhore, siç kërkonte Bundestagu dhe më vonë edhe Këshilli Europian. Këshilli Politik ishte një mekanizëm i ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar, për të gjetur rrugën e konsensusit për të gjitha rregullat e lojës në garën e ardhshme elektorale. Më 5 qershor, me ndërmjetësimin e SHBA-BE, palët politike nënshkruan marrëveshjen për reformën zgjedhore, e cila u kodifikua. Drafti i hartuar me konsensusin e të gjitha forcave politike në vend u depozitua për miratim Kuvendit më datë 1 korrik. Në dakordësinë e 5 qershorit thuhet shprehimisht “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Më vonë, mediat zbuluan nga burime diplomatike se propozimi për sistem proporcional me lista të hapura i hedhur në tavolinën e Këshillit Politik, u refuzua prerë nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Pas arritjes së dakordësisë së 5 qershorit, Edi Rama nxiti disa deputetë që kanë zënë vendet e opozitës në parlament, që të paraqesin një ndryshim kushtetues që në thelb synon heqjen e koalicioneve parazgjedhore, përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor. Kjo iniciativë është kundërshtuar publikisht nga OSBE-ja në Shqipëri, që është shprehur se: “Nëse një shtet pjesëmarrës i OSBE-së vendos të ndryshojë sistemin zgjedhor, ne mund të ofrojmë mbështetje për procesin nëpërmjet të cilit kryen këto ndryshime. Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”. Edi Rama fillimisht u justifikua se ishte i detyruar të shqyrtonte propozimin për ndryshime të sistemit zgjedhor, për shkak se nuk kishte votat e mjaftueshme në Kuvend, që të miratonte ndryshimet në Kodin Zgjedhor që ishin dakordësuar sipas konsensusit të 5 qershorit. Më 9 korrik, një grup prej 6 deputetësh që kanë zënë vendet e opozitës në parlament deklaruan publikisht se do të votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pa asnjë ndryshim tjetër, duke mundësuar kështu kuorumin e nevojshëm të votave për miratimin e ligjit, që adreson disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Menjëherë pasi publikisht u arrit shumica për miratimin e ndryshimeve sipas dakordësisë politike të 5 qershorit, Edi Rama hoqi dorë nga alibia që kishte deklaruar dhe ndryshoi qëndrim, duke u shprehur publikisht që do të bëjë ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe do të ndalojë koalicionet parazgjedhore, për shkak se këtë e dëshiron populli shqiptar. Për ta bërë këtë, Rama deklaroi se nuk nevojitet konsensusi me opozitën. Është me rëndësi që publiku të dijë se ndryshimi i sistemit apo ndalimi i koalicioneve nuk janë rekomandime të OSBE/ODIHR. Atëherë, përse po e prish Edi Rama konsensusin e 5 Qershorit? Është e qartë se kryeministri është i frikësuar nga optimizimi i votës opozitare brenda një koalicioni. Për këtë arsye, ai ka për qëllim t’i pengojë këto koalicione për të mos lejuar opozitën të bashkojë votat. Që qëllimi i Ramës është qartësisht zhvleftësimi i votës opozitare këtë e tregon edhe ndryshimi tjetër që ai kërkon: ngritja e pragut në 5%. Rritja e pragut i bën të panumërueshme votat e të gjithë partive politike opozitare me përjashtim të PD-së dhe LSI-së. Praktikisht, votat e këtyre partive të vogla opozitare do të ndahen në mënyrë proporcionale ndërmjet partive të mëdha. Vetë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Rama shkelin në dy pika konsensusin për ligjin zgjedhor, si kush për thirrjen e tryezës së parë BE-Shqipëri për hapjen e negociatave. Së pari, projekti i Ramës shkel marrëveshjen politike të 14 janarit, ku thuhet se, “Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore dhe në seancë plenare të tekstit të miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti”. Së dyti, Rama shkel dakordësinë e 5 qershorit, ku thuhet se: “Të gjitha propozimet e dakordësuara do të draftohen në amendamente ligjore që do të rishikohen dhe kontrollohen nga Këshilli Politik për të garantuar se reflektojnë marrëveshjen përpara se të kalojnë në Kuvend, pa asnjë ndryshim apo amendament tjetër. Për çdo korrigjim ligjor teknik që do të propozohet për këto amendamente nga institucionet e Kuvendit, ato duhet të miratohen nga Këshilli Politik përpara se të votohen”. Angazhimi i Ramës për të miratuar amendamente të tjera, pa u aprovuar nga Këshilli Politik dhe në kundërshtim të plotë me dakordësinë e 5 qershorit, Edi Rama po tërhiqet nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje. Me këtë tërheqje, ai vërtetoi edhe një herë se ajo që u arrit me 5 qershor ishte një fitore për opozitën dhe për demokracinë dhe një humbje për Edi Ramën dhe projektin e tij për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Ngulmimi i tij për të dalë hapur kundër Departamentit Amerikan të Shtetit, Bundestagut gjerman dhe Bashkimit Europian dhe për të përçmuar përfaqësuesit e tyre diplomatikë në Tiranë është provë se dakordësia e 5 qershorit ishte krejt e padëshiruar prej tij dhe se ai i frikësohet shumë koalicionit opozitar.



 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE