Kryesore

Mbi 90% e votave të numëruara në Maqedoninë e Veriut, LSDM dhe BDI pranë fitores

10:29 - 16.07.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.




Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar rreth 321 mijë vota apo 36.12% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 310 mijë vota apo 34.85%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI ka siguruar 101 mijë vota apo 11.3 për qind të votave kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa kanë marrë76 mijë vota apo 8.52 për qind të votave.

Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 37 rreth mijë vota 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit rreth 13 mijë vota apo 1.48% për qind.

Në bazë të rezultateve të deritanishme dhe simulimit të tyre në mandate, LSDM ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, Aleanca Alternativa 12, “E majta” dhe PDSH 1 mandat. Por këto ndarje të mandatave mund të ndryshojnë deri në numërimin përfundimtar të votave.

Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev shpalli fitoren e partisë së tij duke theksuar se Maqedonia e Veriut tanimë ka të ardhme edhe më të sigurt.

“Ne kemi sukses, njerëzit e mi, me një avantazh prej më shumë se tre mandate ndaj VMRO-DPMNE, me mundësinë edhe për një ose dy mandate tjera. Koalicioni “Mundemi” është fitues i zgjedhjeve në të cilatkonfirmua vullneti i njerëzve. Qytetarët dolën dhe votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për atdhetarizëm, për drejtësi, për një ditë më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Ne i thamë qartë jo rrezikut”, ka deklaruar Zoran Zaev duke i vlerësuar zgjedhjeve si paqësore, të pastra, bazuar në standardet evropiane.

Për dallim nga Zaevi, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski nuk doli para mediave të mërkurën në mbrëmje ndërsa qëndrimin e partisë e bëri të ditur, sekretari i përgjithshëm, Igor Janjushev. Ai tha se VMRO-ja është e kënaqur me rezultatin por jo edhe me procesin zgjedhor për shkak të siç tha parregullsive të shumta. Janushev tha se rezultatet tregojnë se populli dëshiron ndryshimin andaj VMRO do të mbetet në garë për formimin e qeverisë së re.

Me këtë kredibilitet do të hyjmë në garë për sigurimin e shumicës në Kuvend. Beteja ende nuk ka përfunduar”, ka deklaruar Janjushev.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.

“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 15 parti politike dhe koalicione ndërsa nga gjashtë njësitë zgjedhore, do të zgjidhen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet që kanë zgjatur deri në orën 21.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 51 për qind nga 1.8 milion qytetar me të drejtë vote.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt dhe demokratik, me disa parregullsi të vogla që sipas kryetarit të KSHZ-së, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme, angazhoi rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja njoftoi se ka pranuar 11 denoncime për prishje të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.