Kryesore

Kreu i “CRCA Albania”, Hazizaj: 5 fëmijë në Shqipëri kanë rënë në kontakt me Jonathan Galindo

10:15 - 21.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të paktën 5 fëmijë shqiptarë kanë kontaktuar pranë linjës së këshillimit “ALO 116” pasi kanë rënë në kontakt me lojën e rrezikshme “Jonathan Galindo”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i “CRCA Albania”, Altin Hazizaj tregon se të miturit janë ndjerë tepër të frikësuar dhe madje janë kërcënuar se do t’u publikohen video të papërshtatshme të prindërve të tyre, nëse nuk arrijnë të kryejnë sfidat e përcaktuara. Ai shton se ende nuk dihet se kush qëndron pas kësaj loje, e cila është në të njëjtën klasë rreziku me “Balenën Blu”. Hazizaj thekson se të dyja lojërat janë gjeneruar në Rusi dhe shton se ndoshta rusët mund ta kenë bërë me qëllim propagandistik apo për të treguar se sasa të dobët janë fëmijët në Perëndim, përfshi edhe vendosjen e jetës së fëmijëve në rrezik.




Sa raste të fëmijëve të rënë në kontakt me lojën “Jonathan Galindo” në Shqipëri janë referuar nga “ALO 116” drejt “CRCA Albania”?

“ALO 116” ka referuar pranë Platformës Kombëtare për Internet të Sigurt (ISIGURT.AL) pesë raste të fëmijëve, të cilët në kohë të ndryshme, por të gjithë brenda të njëjtës javë (java e kaluar) kanë marrë dhe janë ankuar në lidhje me këtë lojë. Pas verifikimeve që stafi ynë ka bërë, që rezultoi me vërtetësinë e informacionit të dhënë nga fëmijët, rastet i janë nisur për ndjekje – sipas procedurës sonë standarde – Njësisë së Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit. Disa ditë më vonë ata kanë dalë me një njoftim, ku me të drejtë u bënin thirrje prindërve dhe vetë fëmijëve që të tregonin kujdes maksimal me këtë lojë apo të shmangnin luajtjen e saj.

Sa të rrezikuar janë ndjerë fëmijët dhe të cilës grupmoshë janë?

Fëmijët kanë qenë tepër të shqetësuar dhe të frikësuar. Ata kanë komunikuar me persona të ndryshëm, të cilët i kanë kërcënuar që nëse nuk hynin në një nga sfidat e lojës, pra nëse nuk merrnin pjesë, atëherë personat e panjohur do të ndanin materiale personale të prindërve të fëmijës ose të vetë fëmijës. Kjo ka qenë pjesa më traumatizuese për fëmijët, të cilët janë përballur me “faktin” në thonjza që këta të panjohur zotërokan materiale intime të prindërve apo të fëmijës. Kuptohet që pjesa më e madhe e fëmijëve për shkak të kësaj kanë qenë tepër të frikësuar, pasi nga njëra anë duhet të mendonin për veten e tyre dhe nga ana tjetër nëse dështonin për fatin e familjarëve të tyre. Është një dilemë shumë e rëndë për t’u vendosur në shpatullat e një të rrituri e jo më të një fëmije. Fëmijët kanë qenë të grupmoshës 10-14 vjeç.

Çfarë sfidash u janë kërkuar të kryejnë në lojë?

Në fakt, fëmijët nuk kanë dhënë shumë detaje të sfidës që iu është kërkuar të zhvillojnë, sepse kanë qenë aq të frikësuar, sa edhe këshilluesve që kanë folur me ta, iu është dashur të merren me identifikimin e kërcënimit, qetësimin e fëmijës, por jo me njohjen e sfidës. Sot që jemi më “të qetë” të njëjtën pyetje kemi edhe ne. Kemi rënë dakord që t’i kërkojmë “ALO”-s që në kohën e duhur të flasë përsëri me fëmijët për disa detaje që në kohën e denoncimit nuk ishin të rëndësishme – krahasuar me rrezikun që ju paraqitej.

A kanë marrë kërcënime?

Po, po të gjithë fëmijët ishin ndjerë tepër të kërcënuar. Pjesa më e madhe e tyre ishin kërcënuar mbi prindërit e tyre, pra “nëse nuk luan ne do të bëjmë publike një video të prindërve të tu…”, duke lënë të nënkuptohet që materiali ishte i papërshtatshëm dhe do t’i ekspozonte prindërit përkundrejt një sjellje të pahijshme. Një pjesë tjetër janë kërcënuar me videot e tyre, pra diçka e tipit që “shiko se ne kemi video intime të tuat që do t’i bëjmë publike online”. Qenia në moshë vulnerabël i ka bërë fëmijët që të ndjehen vërtetë të rrezikuar dhe kjo i ka shtyrë të marrin në telefon “ALO 116-111”.

Kush mendoni se qëndron pas kësaj loje dhe sa akses mund të kenë në të dhënat personale të të miturit që bie viktimë e tyre?

Ende nuk dihet se kush qëndron pas kësaj loje, e cila është në të njëjtën klasë rreziku me “Balenën Blu”. Të dyja lojërat janë gjeneruar në Rusi dhe nuk do të më habiste fakti që ata (rusët) ta kenë bërë, me qëllim propagandistik apo për të treguar se sasa të dobët fëmijët në Perëndim janë, përfshi edhe vendosjen e jetës së fëmijëve në rrezik. Fakti që lojëra të tilla vijojnë të vijnë nga Rusia ose është tregues i faktit që fëmijët aty janë të pambrojtur ose shkencëtarët e tyre duan t’i vendosin fëmijët në prova ekstreme dhe kush ia del mund të jetë tregues i individëve që vetë Rusët po mundohen të gjejnë. Këto aspekte duhen studiuar më mirë dhe më me thellësi nga ana e Policisë së Shtetit, për të forcuar sistemin nga njëra unë dhe nga ana tjetër të parandalohet çdo krim i mundshëm.

Prindërit e fëmijëve që kanë kontaktuar “Alo 116” a kanë qenë në dijeni të situatës? Cili ka qenë reagimi i tyre?

Nuk di që prindërit të kenë qenë të njoftuar për këtë ngjarje para njoftimit të policisë.

Si mund të mbrohen të miturit nga kjo lojë?

Në parim, ata duhet të mbrohen si ndaj çdo loje tjetër. Bindja jonë është që kjo lojë për aq kohë sa ka këto karakteristika, nuk duhet luajtur fare. Ka plot lojëra të tjera “online” të përshtatshme për fëmijët e çdo moshe, që ata mund të mësojnë mbi të gjitha. Së dyti, fëmijët nuk duhet të harxhojnë orë të tëra duke naviguar “online”, sepse nuk është e përshtatshme dhe për më tepër është edhe e rrezikshme. Sot internet është bërë vendi kryesor ku pedofilët po kërkojnë dhe po gjejnë viktimat e tyre. Prindërit duhet të jenë të ndërgjegjësuar për të kuptuar që internet ka plot rreziqe dhe për më tepër ka plot mjete të tjera që mund të përdoren për informimin e fëmijës apo argëtimin e tij. Librat, filmat për fëmijë, loja ndërmjet vetë fëmijëve, ecjet në natyre apo vajtja në plazh janë shumë herë më të shëndetshme sesa qëndrimi para ekranit të një kompjuteri për orë e orë të tëra. Prindërit duhet të krijojnë një balancë të drejtë në jetën e fëmijëve, midis mësimit, lojës, argëtimit dhe botës virtuale.

A shkon rrezikshmëria e kësaj loje deri në vetëflijim?

Loja është duke u parë me shqetësim në shumë vende europiane. Ne jemi duke ndjekur me vëmendje se cilat do të jenë masat që do të marrin shtetet e tjera ndaj saj. Për momentin që flasim nuk jemi në dijeni të ndonjë rasti të tillë, por duke ditur vulnerabilitetin e fëmijëve dhe kërcënimet që iu janë bërë atyre në internet, nuk do të më habiste fakti nëse diçka e tillë ndodh. Ky është fakti pse ne e bëmë publike rrezikshmërinë e lojës dhe po insistojmë tashmë që fëmijët dhe prindërit të jenë të informuar për rreziqet e saj. Me këtë rast falënderoj edhe median, pasi e kanë pasqyruar gjerësisht këtë shqetësim përfshi edhe gazetën tuaj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.