BLUETOOTH

“Miss Shqipëria 2020”, Iljada Baci: Kupa e më të bukurës të bën të luftosh për ëndrrat, synoj televizionin

14:45 - 25.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Bukuria është dhuratë e Zotit. Por, bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia. Iljada Baci, bukuroshja që pak ditë më parë u kurorëzua “Miss Shqipëria 2020” vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta shqiptare”, për ndjesitë që përjetoi gjatë momentit të përzgjedhjes si më e bukura, si dhe udhën e re që pritet të fillojë shumë shpejt. Vajza që Zoti e ka përkëdhelur me plotë të mira na tregoj se përpos së bukurës, tek ajo mbizotëron dhe ndjeshmëria e thellë për njerëzit dhe kafshët. Në botën e saj Iljada ka pikturuar me ngjyrat më të bukura strehëzën e përkryer, që shumë shpejt do zhvendoset atje ku flenë ëndrrat. Premtuese për televizionin, bukuroshja dëshiron që të bëhet një yll ekrani, ashtu sikurse është në jetë.




Pak ditë më parë je zgjedhur “Miss Shqipëria 2020”. Si e përjetove momentin e kurorëzimit si vajza më e bukur në vend?
Është pyetja, që më është bërë më shpesh mbas kurorëzimit tim si “Miss Shqipëria” 2020. Kanë qenë emocione, që do të ngelen gjurmë, për gjatë gjithë jetës në memorien time. Kur thirrën emrin tim ndaloj së funksionuari çdo shqisë, organ dhe muskul i trupit tim. Atë emocion, që përjetova nuk kam për ta harruar kurrë.

Në kompeticione, padyshim që ndihet dhe rivaliteti. Sa e ke ndjerë përgjatë garës atë?
Në një garë ka edhe rivalitet, kjo ndihej pak. Gjithsesi, nuk di çfarë ka ndodhur në vitet e mëparshme, por ajo që di t’ju them për këtë vit është fakti se vajzat kanë qenë të bukura edhe shumë miqësore. Lidhja e ngushtë me gocat bëri që në një muaj punë intensive me orë shumë të gjata, të kem edhe kujtime shumë të bukura gjatë këtij rrugëtimi.

Sa të rëndësishme janë pasarelat për Iljadën?
Pasarelat janë bërë pjesë e dëshirave të mia më të forta këto ditë. Do jetë një nga planet e mia afatgjata për të arritur në majat e tregut ndërkombëtar. E di që më duhet shumë punë akoma, por mendoj që diçka kur e do fort e arrin.
Na trego diçka më tepër për vajzën që përtej së bukurës është dhe mjaft e zgjuar.
Që e vogël kam mësuar dhe folur shumë mirë anglisht, pasi dëgjoja këngë të huaja dhe kam lexuar gjithmonë libra në gjuhën angleze. Dashuria për baletin, këngën, pianon, pikturën, me kanë shoqëruar që në moshën 5-vjeçare, të cilat do të ngelen pasionet e mia gjatë gjithë jetës. Studimet merrnin kohën time me të madhe me synimin e qartë, për të ndjekur rrugën e vëllait tim dhe të studioj në një nga shkollat e Ivy League.

Pasionet që të rrëmbejnë kohën e lirë?
Siç e përmenda më lartë, pasioni im ka qenë gjithmonë bota e artit. Diçka që mbase se kam përmendur aq shpesh është pasioni im për kafshët, me të cilët lidhem ndonjëherë më shumë sesa me njerëzit.

Kauza që do e mbroje deri në fund?
Të bëj sa më shumë njerëz të lumtur. Familjen, të afërmit e mi, njerëz që do takoj dhe punoj gjatë jetës. Por, kuptimi i vërtetë i kësaj kauze është të ndihmoj sa më shumë njerëz në nevojë dhe sidomos atë shtresë njerëzish, që nuk kanë askënd dhe asnjë përkujdesje. E kam pas që e vogël dhe do të ketë gjithmonë kohën dhe do të gjej gjithmonë mundësinë për ta bërë.

Tanimë që mban kurorën e së bukurës priten dhe oferta për të hyrë në botën e medias. Cili është programi që do i përshtatej Iljadës?
Do e doja shumë një mundësi në botën e televizionit. Do analizoja çdo mundësi që do më afrohej. Do të dëshiroja shumë një ofertë për një program sportiv, jo se është bërë modë tashmë për miset e kurorëzuara, por për faktin se është bota që njoh më pak dhe do të doja ta pasuroja këtë fushë. Por, edhe një program muzikor ose program për të rinjtë do ishte një ofertë shumë e mirë dhe do e pranoja më shumë kënaqësi.

Pas përfundimit të kompeticionit “Miss Shqipëria 2020”, si do të jetë kjo periudhë për ty?
Deri tani ka qenë e ngarkuar, por për fatin tim të mirë shumë nga programet televizive në këtë periudhë kanë mbaruar sezonin e tyre dhe ftesat janë mbyllur për në shtator, ndërkohë po i shfrytëzoj pak këto hapësira për takime me shoqërinë dhe për pushime.

Destinacionet që do të zgjedhësh për pushime? Çfarë nuk mungon kurrë në çantën tënde të plazhit?
Situata në vend dhe mbyllja e kufijve devijoj planet për pushime, të cilat i kishim rezervuar për të Antalya që në janar të këtij viti. Për këtë fakt destinacioni për pushime do të jetë jugu dhe kryesisht Saranda. Zakonisht nuk e rëndoj çantën e plazhit me gjëra të tepruara, por me gjërat e mia personale që me nevojiten rast pas rasti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.