Sociale

Kriteret për të përfituar pension pleqërie, paga referuese

18:00 - 27.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Me ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar për sigurimet shoqërore, ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së pensionit, ku si bazë për llogaritjen së tij, nuk është më pensioni bazë (pensioni minimal), por pensioni social. Sipas ligjit iu lind e drejta e përfitimit të pensionit të gjithë individëve të siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, në momentin kur arrijnë moshën e paracaktuar. Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket pensionit të pleqërisë në vendin tonë. Ndërkohë personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Aktualisht për vitin 2020 mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 61 vjeç pasi rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç. Ndërsa për burrat 65 vjeç (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056. Ndërkaq vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 37 vjet për 2020, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas ligjit. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59. Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekono-mike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë. Ndërsa mbas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientët përkatës, japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficienteve përkatës, do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales.
Pensioni social
Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumë-zuar)BV ( baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi.
Paga referuese
Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.