Intervista

“Ndryshimet e njëanshme, gabim fatal”, Biberaj: Opozita në këmbë, në mbrojtje të demokracisë

11:00 - 27.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ka bindjen e plotë se fillimi i ri për shqiptarët do të vijë përmes zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Biberaj thotë për “Gazeta Shqiptare” se me çfarëdo lloj algoritmi, “ne do t’i fitojmë zgjedhjet me një rezultat spektakolar, fitore kjo që do të jetë në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve pas 30 vitesh tranzicion”. Ish-deputeti i PD-së flet për situatën e fundit politike, teksa akuzon mazhorancën socialiste se po tenton të vjedhë zgjedhjet qendrore të 2021-shit. Sipas Aleksandër Biberajt, “nuk mund të miratohen ndryshime kushtetuese nga një pseudomazhorancë, e cila qëndron në pushtet që nga viti 2017 me vota të manipuluara, të vjedhura dhe kjo është e certifikuar edhe ndërkombëtarisht”.




Z.Biberaj, politika nuk po gjen qetësi as në këto ditë vere për shkak të reformës së re elektorale. Mazhoranca dhe opozita parlamentare duken të vendosura për të çuar deri në fund marrëveshjen e firmosur ndërmjet tyre për ndryshimet e njëanshme kushtetuese, përfshirë edhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Si e gjykoni Ju këtë situatë?
Rilindja nuk duhet dhe nuk mund të miratojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, në mënyre të njëanshme. Nuk mund të miratohen ndryshime kushtetuese nga një pseudomazhorancë, e cila qëndron në pushtet që nga viti 2017 me vota të manipuluara, të vjedhura dhe kjo është e certifikuar edhe ndërkombëtarisht. Po ashtu, kjo pseudomazhorancë në vetë-votimet moniste të 30 qershorit nuk kishte më shume se 10% të elektoratit, kështu që rilindja realisht nuk është mazhorancë që nga viti 2017. Ndërkohë që deputetët e pseudo-opozitës në parlament nuk përfaqësojnë asgjë me shume sesa interesat dhe pazaret e tyre. Ata nuk janë të votuar nga populli, nuk përfaqësojnë as popullin opozitar dhe as opozitën. Aq më keq që ata e kanë votuar rregullisht qeverinë, duke u shndërruar në fakt në shtojcë, në patericë të qeverisë së rrënuar të rilindjes. Ky është parlament ilegjitim, të cilin presidenti mund ta kishte shpërndarë disa herë, pasi mandatet e rilindjes janë të vjedhura me paratë e pista, me paratë e drogës, me bandat dhe me krimin, ndërsa mandatet e të ashtuquajturës “opozitë parlamentare” janë të vjedhura, të grabitura në mënyrë të kundraligjshme nga votat e opozitës dhe popullit opozitar. Po të kishte pasur Gjykatë Kushtetuese, këta deputetë nuk do të mund të merrnin mandatet dhe ky parlament do të ishte shkrirë, shpërndarë që kur ne si opozitë dogjëm mandatet, pasi ky parlament nuk plotëson kushtet juridiko-kushtetuese të ekzistencës së tij.

Koalicioni opozitar kërkon që listat të hapen 100 për qind, ndërkohë që mbetet i pazgjidhur problemi i koalicioneve parazgjedhore…
Ne si opozite që në fillim kemi qenë për sistem të pastër maxhoritar, ose për maxhoritar të kombinuar proporcional, ose për sistem proporcional me listat e hapura, por ishte kryeministri dhe rilindja që kundërshtonin deri javën e fundit. Pranimi nga ana e tyre e idesë së hapjes së listave na dha neve mundësinë që të shpalosim alternativën tonë, gatishmërinë dhe vullnetin tonë që listat të hapen 100%, duke respektuar demokracinë direkte dhe duke e çuar atë tek ushtruesi i saj legjitim, te sovrani, i cili tani ka të drejtën që t’i zgjedhë vetë kandidatët 100 për qind dhe jo siç propozonte Edi Rama dhe rilinjda që populli të zgjidhte vetëm 1/3 e deputetëve. Edhe ky propozim i rilindjes për lista gjysmë të hapura ishte me hile dhe mashtrim, pasi nëpërmjet kësaj synonte dhe synon të ndalojë koalicionet parazgjedhore, ndërkohë që listat e hapura nuk kanë fare lidhje me koalicionet parazgjedhore. Tani pseudomazhoranca nuk ka më asnjë argument dhe as mashtrim dhe duket e zënë si “miu në çark”, gjithsesi ne po presim qëndrimin e tyre.
Përfaqësuesi juaj politik në Këshillin Politik, z.Oerd Bylykbashi, publikoi këtë fundjavë një fletë votimi për listat e hapura me koalicione parazgjedhore, e cila dukej shumë e thjeshtë, ndërkohë që kryeministri kishte thënë se për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore duhet jo një fletë, por një libër votimi, si qëndron e vërteta?
Në radhë të parë, dëshiroj të falënderoj kolegun e nderuar, ekspertin e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, për punën e shkëlqyer që ka bërë për reformën zgjedhore, natyrisht bashkë me kolegët e tjerë të PD-së dhe opozitës. Z. Bylykbashi është profesionist shumë i mirë për çështjet zgjedhore, me një eksperience mbi 20-vjeçare jo vetëm në politikë, por edhe si ekspert i OSBE-së, i cili këtë fundjavë, në mënyrë shumë të thjeshtë, por profesionale dhe me një model tepër të thjeshtë të fletës së votimit rrezoi të gjithë propagandën false, boshe dhe mashtrimet e Edi Ramës dhe rilindjes, “se votimi me lista të hapura dhe koalicione kërkon një libër votimi”.

Cili do jetë reagimi i opozitës së bashkuar, nëse në 30 korrik rilindja dhe opozita parlamentare do të votojnë për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, duke ndryshuar Kushtetutën, në mënyrë të njëanshme?
Tani gjithçka është bërë e qartë si për shqiptarët, ashtu edhe të huajt. Kryemashtruesi dhe kryehileqari, i trembur në palcë nga humbja e sigurt e zgjedhjeve dhe nga ndëshkimi popullor, por jo vetëm, nëpërmjet listave të hapura synonte të bllokonte koalicionet parazgjedhore, me qëllimin që të marrë mandate deputetësh në tavolinë. Pa koalicione, mbetjet e qarqeve (votat) i shkojnë partisë së parë në qark dhe rilindja synon që të marrë disa mandate deputetësh me votat e partive të tjera, në ato qarqe ku rilindja mund të dalë parti e parë. Nëse do të përpiqen që ta bëjnë këtë ata do të bëjë një gabim fatal me pasoja të paimagjinueshme për stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri, gjithsesi unë jam i bindur se kjo s’ka për të ndodhur, pasi opozita dhe populli opozitar është në këmbë për të mbrojtur demokracinë, me çdo kusht, mjet dhe çmim. Nëse ata ndërmarrin hapa aventurske, ne do t’i përgjigjemi me reagim mbarëpopullor. Pakënaqësia dhe urrejtja popullore ndaj kësaj bande hajdutësh ka prekur fundin, uroj që kryeministri, banda dhe patericat e tij të mos e provojnë, pasi do të humbasin gjithçka. Opozita dhe populli opozitar do të jetë i gatshëm për protesta dhe manifestime mbarëpopullore në çdo qytet dhe shesh të Shqipërisë, ne nuk do të mund të ndalojmë dot uraganin dhe zemërimin mbarëpopullor, që do të marrë përpara bandën në pushtet. Do të rrëzohet qeveria aktuale ilegjitime dhe do krijohet qeveri tranzitore për mbarëvajtjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve politike dhe vendore. Demokracia do të fitojë, pasi ajo nuk dhurohet, por fitohet.
Po nga faktori ndërkombëtar, a ka pritshmëri opozita e Bashkuar që mund të ndalojë apo ndërmjetësojë një zgjidhje mes palëve që të shmangë ndalimin e koalicioneve?
SHBA-të, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, BE-ja, Parlamenti Europian, Komisioneri për Zgjerim, Bundestagu gjerman, OSBE, Mbretëria e Bashkuar etj., pra i gjithë faktori ndërkombëtar është shprehur shumë qartë se marrëveshja e 5 qershorit duhet respektuar dhe gjithçka tjetër duhet të kalojë nga Këshilli Politik dhe konsensusi ndërmjet palëve, kështu që qëndrimi ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet shumë i qartë, korrekt, realist, i balancuar dhe ekuilibruar. Kryefolkloristi në qeveri vazhdon dhe bëjë folklor; le të vazhdojë, por të gjithë bashkë do të mbrojmë stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri nga ky aventurier dhe mashtrues ordiner, që është në grahmat e tij të fundit politike dhe ka frikë për të ardhmen e tij nga ato që ka bërë gjatë këtyre 7 viteve në qeverisje. Por, të jetë i sigurt se nuk do ketë amnisti për të dhe për bandën e tij të lidhur me krimin dhe korrupsionin, që ka 7 vjet që shkatërron Shqipërinë në mënyrë sistematike, pasi ora e së vërtetës dhe e përballjes po vjen.

Ndërkohë që PD-ja po përfundon procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të filluar më 25 qershor, si duket se po funksionon demokracia e brendshme dhe si është cilësia e të propozuarve?
Siç e thatë, ne kemi filluar fushatën brenda PD-së që në datën 25 qershor me mbledhjen e propozimeve të kandidaturave, ku spikasin propozime shumë dinjitoze dhe përfaqësues për deputetë, kryetarë bashkish, anëtarë të këshillave bashkiake dhe përfaqësues të tjerë politikë të PD-së. Gjithçka po zhvillohet në mënyrë të hapur dhe shumë demokratike, pasi anëtarësia në nivel kombëtar po bën propozimet e veta. Ka intelektualë me shumë reputacion dhe përfaqësues të të gjitha shtresave, grupeve dhe moshave të shoqërisë.

Partia Demokratike po përmbyll fazën e parë të propozimeve nga anëtarësia për kandidatët për deputetë. Në cilin qark jeni propozuar ju?
Natyrisht që në këtë fazë informacionet janë konfidenciale, megjithatë me sa duket sot është e vështirë t’i shpëtosh “syrit” të medias. Do të falënderoja të gjithë ata demokratë që më kanë propozuar duke shprehur respektin, mirënjohjen, vlerësimin dhe besimin tim pa fund për ta. Sfida dhe beteja më e rëndësishme është bërja e ndryshimit të madh, që do ta shpëtonte Shqipërinë dhe shqiptarët nga “virusi shkatërrimtar i quajtur rilindje”, që për ne rezultoi shumë më i rrezikshëm se kolera, gripi spanjoll, SIDA, ebola, sarsi, COVID-19, etj.. Shyqyr që po vjen koha që ta kujtojmë me neveri kohën kur u përhap virusi “rilindje”, pasi do ta mundim dhe mposhtim shumë shpejt atë.
Mazhoranca dhe opozita tashmë kanë zbritur në bazë për fushatën e re elektorale. Cilat janë pritshmëritë e PD-së për zgjedhjet e ardhshme?
Situata duket shumë e mirë, pasi ka frymë, shpresë, besim si dhe padurim për të shkuar në zgjedhje dhe për t’i fituar ato. Me çfarëdolloj algoritmi ne do t’i fitojmë zgjedhjet me një rezultat spektakolar. Fitore kjo, që do të jetë në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Do të kemi një fillim të ri, pas 30 vitesh tranzicioni të tejzgjatur, të lodhshëm, të dështuar dhe të tmerrshëm.

Si e konsideroni menaxhimin e qeverisë, reagimin e strukturave përkatëse për situatën e pandemisë?
S’ka asnjë lloj menaxhimi, situata është në rënie të lirë, Zoti na ruajt dhe ndërgjegjja e qytetarëve për të respektuar masat mjekësore dhe të distancimit social të propozuara nga ekspertët e fushës! Përsa i përket personelit mjekësor, ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë të shkëlqyer, por tani sikur kanë filluar të lodhen, pasi virusi ka shpërthyer edhe në ambientet spitalore dhe kjo është e patolerueshme, pasi është neglizhencë dhe papërgjegjshmëri e qeverisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.