KULTURË

DEL DOSJA E JUSUF VRIONIT/ Hetuesit: Nuk iu përgjigjet pyetjeve, thotë janë pa vend

12:22 - 28.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një djalë i ri, tërheqës, me flokë të kërleshur qëndron i ftohtë dhe me sytë plotë dritë para aparatit. Kur është shkrepur kjo foto, biri i një ish-kryeministri, ishte kthyer nga Franca ku kishte studiuar dhe qe vendosur në Tiranë. Prej Parisit, ku i ati kishte qenë konsull, kishte sjellë edhe frymën e lirisë dhe të të drejtave. Asokohe në të 30-at e hershme, është me pranga në duar: ka kundërshtuar regjimin e sapo vendosur në Shqipëri dhe aparati që ka përballë do të fiksojë imazhin e tij rinor, për një dosje që do të mbyllej vetëm në vitet 1990. Me një vëlla e një motër që banojnë mes Italisë e Francës, ai është i vetëm në Shqipëri dhe i ‘vetëm’ në qelinë ku pret akt-akuzat si “agjent i Francës” e mik i të huajve që ende nuk kishin ikur nga Tirana e “çliruar”. Refuzon t’u përgjigjet pyetjeve sipas andjes së hetuesve dhe fyen rëndë atë që i del dëshmitar. Akuzohet se kur luan tenis, gjatë pushimeve, bën biseda ku jep informata. Ai nuk i pranon akuzat madje “mban qëndrim armiqësor” me hetuesit.
Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit ka publikuar pjesë nga dosja për Jusuf Vrionin.
I lindur më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, Jusufi u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943. Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës tradhtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë”.




Dosja e Jusuf Vrionit2 Dosja e Jusuf Vrionit9 Dosja e Jusuf Vrionit 7 Dosja e Jusuf Vrionit 8 Ura Vajgurore foto e vitit 1924 Dosja e Jusuf Vrionit3 Dosja e Jusuf Vrionit6 Dosja e Jusuf Vrionit 4 Dosja e Jusuf Vrionit5 Dosja e Jusuf Vrionit
<
>

AUTORITETI
Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë nji qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e tradhtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonë ni nji, kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit.
Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës. Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua.
Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez.
Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”.
“Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet.” “
Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë… “se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”.
Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim.
Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.