OPINION

Mosshkarkimi si ulje tensioni politik

08:20 - 28.07.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mes rrezikut të një mbylljeje të dytë ekonomike (që do të ishte fatale) nga rritja e numrit të infeksioneve dhe vdekshmërisë nga COVID-19, mes ashpërsimit disi të betejës politike në sfond të zgjedhjeve të përgjithshme 11 muaj më vonë, socialistët zgjodhën dje në Kuvend vetëm të qortojnë kryetarin e shtetit për shkeljet e pretenduara prej tyre. Shkelje, që një institucion ndërkombëtar profesional si Komisioni i Venecias i cilësoi të tilla, pra dhunim të disa ligjeve, por me këshillën që edhe mund të mos përbëjnë bazë të mjaftueshme juridike për të shkarkuar një kryetar shteti. Ky veprim i urtë i socialistëve do t’i ndihë vendit, pasi gjëja e vetme për të cilën nuk kemi nevojë në këto momente është tensioni i rritur politik. Përpara pushimeve të gushtit, ngelet vetëm votimi dhe miratimi nga Kuvendi të enjten më 30 korrik i ndryshimit të Kodit Zgjedhor për zgjedhje me lista të hapura të partive. Si dhe një shpresë e vakët se ndoshta parlamenti i shtatorit 2021 mund të pastrohet nga të korruptuarit dhe pasunarët, që futen në politikë vetëm për të shtuar pasurinë e tyre vetjake. Për fat të keq, kjo shpresë-iluzion do të përbëjë zhgënjim në realitetin tonë. Sepse në zgjedhjet me lista të hapura ka dy gara paralele. Njëra mes partive në zgjedhje dhe gara tjetër brenda të njëjtës parti, mes kandidatëve të shpallur, e cila në shumë raste mund të jetë akoma edhe më e ashpër se ajo e dukshmja, mes partive. Zgjedhjet e 12 viteve të fundit janë mbështetur në shumë zona mbi fondet që sigurojnë kandidatët “pasunarë”, të korruptuar ose me precedentë penalë. Ndërkohë, listat e hapura do të kërkojnë shpenzime dyfish të kandidatit, për fushatë personale brenda partisë dhe për fushatë për llogari të partisë në zonën ku kandidati caktohet. Kështu që rritet mundësia që kandidati të korruptohet, për të siguruar mbijetesën e tij brenda partisë dhe në zonën zgjedhore. Sepse ky kandidat-“engjëll” i listave të hapura jo vetëm që rrezikon të korruptohet vetë për të financuar fushatën e dyfishtë të tij, por do të bëjë ç’të mundet që të sigurojë vota, duke provuar edhe më fort se më parë korruptimin e zgjedhësve nëpërmjet premtimeve për vende pune për ta ose familjen e tyre, bursa, tenderë, subvencione, investime infrastrukturore etj.. Edhe pse ngjan sikur me listat e hapura pakësohen mundësitë për të bërë garë për pasunarët dhe të korruptuarit që hyjnë për të bërë tregti me pushtetin që jep të qenit deputet, ka mundësi e kundërta. Do të shtohet numri i pasunarëve dhe të korruptuarve që i afrohen partisë dhe drejtuesit të saj (në mos i afron vetë partia dhe drejtuesi), duke ofruar të gjejnë (më saktë, të vjedhin) vota për vete, duke shtuar edhe numrin e votave për partinë. Partitë tona kryesore, nga cilado anë, në 12 vitet e fundit kanë vendosur që të gjitha rëndom biznesmenë të dyshimtë, apo njerëz me precedentë penalë, me qëllim rritjen e influencës te zgjedhësit dhe rritjen e votave. “Të dyshimtët” kanë “shkëlqyer” aq shumë sa jo vetëm kanë financuar fushatën e partisë në zonën ku kandidojnë, por edhe kanë blerë me para e vjedhur me presion vota që partia vetë nuk do të arrinte t’i merrte në zonën e tyre. Ja përse listat e hapura nuk do të arrijnë t’i largojnë apo çmotivojnë kandidatë të tillë në të ardhmen. Janë thjesht një iluzion për ata që ende shpresojnë parti me demokraci të brendshme te ne. Për shkak të shpenzimeve të shtuara në garat paralele të kandidatëve, këto lista do të rrisin, për fat të keq, akoma më shumë peshën dhe rëndësinë e kandidatëve pasunarë apo të korruptuar. Dhe nëse në listat e mbyllura kandidati “problematik” vihej në renditje në kufirin ku partia merrte deputetë në një zonë, që të shpenzonte pa kufi para dhe energji të rriste votat dhe të futej në Kuvend, me listat e hapura këta kandidate rrezikojnë të jenë dhe do të jenë më të shumtë në numër! Pasi tashmë nuk ka më rëndësi renditja. Drejtuesit e partive kryesore, edhe me listat e hapura do t’i kenë të gjitha mundësitë të influencojë rezultatin e zgjedhjeve në një zonë e në të gjithë vendin dhe të penalizojë kundërshtarët garues brenda në parti, duke u sjellë sërish si pashallarë të skenës sonë politike. Në listat e hapura, kundërshtarët në ide dhe program të drejtuesit të partisë mund të kenë iluzionin se po futen në garë të hapur, por mjafton një udhëzim i kryetarit ndaj strukturave për t’i nxjerrë ata lehtësisht nga gara. Prandaj dhe i vetmi lajm i mirë për situatën ku ndodhemi dhe grindjet e pabukë të politikës së ditës, është mosshkarkimi i kryetarit të shtetit. Listat e hapura që do të miratohen të enjten, do të jenë vetëm një spektakël mjeran i partive që nuk e duan garën e pastër dhe demokratike për drejtimin e partisë dhe të vendit.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.