DOSSIER

Gabriel Meksi: Me Patër Antonin kam shkëmbyer mejtime, më rezulton patriot

11:00 - 30.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Memorie.al publikon historinë e panjohur të prof. Gabriel Meksit, i cili në vitin 1946 kur po zhvillohej “Gjyqi i Regjencës” ai i lëshoi një deklaratë avokatit mbrojtës, Dr. Spiro Stringa, duke marrë në mbrojtje ish-mikun e tij, Patër Anton Harapin, që bashkë me regjentin tjetër Lef Nosi dhe ish-kryeministrin, Maliq Bushati, ndodheshin në bankon e të akuzuaravë si “armiq të popullit”. Ç’farë shkruhej në atë deklaratë dhe e gjithë historia e panjohur e prof. Gabriel Meksit me origjinë nga Labova e Madhe e rrethit të Gjirokastrës, i cili pasi studioi një vit në “Zosimea” të Janinës dhe më pas një vit në Egjipt, mbaroi studimet në Normalen Marasleion të Athinës në vitin 1911, dhe në 1925-ën u diplomua në Universitetin e Athinës për “Histori-Gjeografi”. Ai për disa kohë shërbeu si mësues e drejtor në disa shkolla të fshatrave të Janinës e më pas në Kolegjin Izraelit të Prevezës. Kthimi i Gabrielit në vitin 1927 në Shqipëri së bashku me familjen e tij dhe karriera e gjatë si profesor në disa prej shkollave dhe gjimnazeve më të njohura të vëndit, ku ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim të rrallë, aq sa ishte ndër të vetmit që u mbajt mësues edhe pas vitit 1944 kur erdhën komunistët në pushtet. Jeta dhe karriera e prof. Meksit në kujtimet e disa prej kolegëve dhe ish-nxënësve të tij, si: Mark Gurakuqi, Stavri Naçi, Marika Vogli, Drita Siliqi, Fedhon Meksi, Skifter Këlliçi etj.
“Patër Antonin e kam njoh qysh në Shkodër në vitin 1928-’30 kur kam shërbye në Gjimnazin e Shtetit të atjeshëm, dhe më shumë kur në korrik të vitit 1930, shkova në Shkodër si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit në provimet e maturës të Normales së Stigmatinëve, ku Padër Antoni qe si profesor i Filozofisë dhe Historisë. Po kështu më është dhënë rasti të shkoj në Shkodër në vitin 1943 si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit te matura e gjimnazit Franceskan, i cili në atë kohë ishte shtetëzue. Kam pasur gjatë gjithë kësaj kohe dhe këtu në Tiranë, bashkëfjalime të ndryshme dhe shkëmbime mejtimesh, nga të cilat më ka rezultuar Patër Anton Harapi, si patriot shqiptar me ndjenja antizogiste dhe anti-italjane, dhe gjithnjë theksoj nevojën se domosdoshme të bashkëpunimit të gjithë elementëve për mirëvajtjen e popullit shqiptar”. Kështu shkruhej në mes të tjerash në një deklaratë të profesor Gabriel Meksit që mban datën 6 shkurt 1946, lëshuar avokatit të njohur, Dr. Spiro Stringa, për ta përdorur në “Gjyqin e Regjencës”, ku ai po mbronte klientin e tij, Patër Anton Harapi, i cili ishte në bankon e të akuzuarëve së bashku me regjentin tjetër, Lef Nosi dhe ish-kryeministrin, Maliqë Bushati, të akuzuar si “tradhëtarë e armiq të popullit”. Po kush ishte prof. Gabriel Meksi, cila ishte origjina e familjes së tij, ku kishte studiuar e diplomuar ai dhe si mundi që të shërbente si profesor që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ajo nën pushtimin italo-gjerman të vendit dhe gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e karriera e profesorit të famshëm, na njeh shkrimi që Memorie.al po publikon në këtë numër, i cili është bazuar nga dokumente që na i ka vënë në dispozicion familja e avokat, Dr. Spiro Stringës, si dhe disa nga kujtimet e dëshmitë e kolegëve dhe ish-nxënësve të tij.




images-2 5-2 IMG-20200728-WA0015-750x375 IMG-20200728-WA0014-750x375 Pater-Anton-Harapi-ne-gjyq-1946.-450x375 Lef-Nosi-Mehdi-Frasheri-Pater-Anton-Harapi-619x375
<
>
C

Deklarata e profesor Gabriel Meksit në gjyqin ndaj Patër Anton Harapit
Deklaratë
Unë i nënshkruemi Gabriel Th. Meksi, profesor pranë Liceut të Tiranës, përsa i përket të pandehunit Patër Anton Harapi, deklaroj si ma poshtë:
Patër Antonin e kam njoh qysh në Shkodër në vitin 1928-’30 kur kam shërbye në Gjimnazin e Shtetit të atjeshëm, dhe më shumë kur në korrik të vitit 1930, shkova në Shkodër si përfaqëuses i Ministrisë së Arsimit në provimet e maturës të Normales së Stigmatinëve, ku Padër Antoni qe si profesor i Filozofisë dhe Historisë.
Po kështu më është dhënë rasti të shkoj në Shkodër në vitin 1943 si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit te matura e gjimnazit Franceskan, i cili në atë kohë ishte shtetëzue. Kam pasur gjatë gjithë kësaj kohe dhe këtu në Tiranë, bashkëfjalime të ndryshme dhe shkëmbime mejtimesh, nga të cilat më ka rezultuar Patër Anton Harapi, si patriot shqiptar me ndjenja antizogiste dhe anti-italjane, dhe gjithnjë theksoj nevojën se domosdoshme të bashkëpunimit të gjithë elementëve për mirëvajtjen e popullit shqiptar.
Kur Patër Antoni ka qenë miss i Regjencës, duke përfituar nga miqësia që më lidhte me të, më datën 5 shkurt 1944, të nesërmen e masakrës së tmerrshme, kam shkuar te Patër Antoni dhe i kam thënë: “Patër Anton, ç’janë këto që po bëhen?! Pas këtyre s’ke më vënd të qëndrosh aty”. Ay duke qenë i rënduem m’u përgjigj: “Ah mor Zotni Meksi, sikur të ikim edhe unë e Lefi, edhe koka tënde s’është e sigurtë”.
Mbi kërkesën e tij e lëshoj këtë deklaratë
Tiranë, më 6 shkurt 1946
Deklaruesi
Prof. Gabriel Th. Meksi
Fjala e mbrojtjes e avokat Dr. Spiro Stringa në gjyqin ndaj Patër Anton Harapit, ku citon gjatë deklaratën e prof. Meksit në mbrojtje të tij.
Zotrinj Gjyqtarë. Nuk asht bindja e jeme që Patër Anton Harapi ka qenë anti-italjan, por na e vërteton Z. Prof. Gabriel Meksi, nji nga arsimtarët me vlerë që din dhe peshon dishminë, dhe nuk mundet të supozohet se ay ka trumbetue çka dishronte Patër Anton Harapi. Z. Meksi thekson në mënyrë të kjartë në deklaratën e tij të paraqitun se: “Kam pasë gjatë kësaj kohe që prej vjetit 1928 e deri në vjetin 1944, bashk-fjalime të ndryshme dhe shkëmbim mejtimesh me Patër Anton Harapin, nga të cilat më ka rezultue si patriot Shqiptar dhe me ndjenja anti-italjane, dhe gjithnji theksonte nevojën e doemosdoshme të bashkimit të të gjithë elementave, për mirvajtjen e popullit Shqiptar”. Përsa theksova ma nalt, Zotrinj Gjyqtarë, rezulton edhe fakti ma i mirë se Patër Anton Harapi nuk ka ba ndonji herë politikë anti-shqiptare pro Italis, sepse italjanët këtë fakt do t’a kishin spekulue me çdo mënyrë duke e trumbetue me anën e radios, me anën e shtypit për qëllimet e tyne, ashtu siç banë edhe për ngjarje të tjera që u interesonin.
Ja, më datën 13 Janar 1944, Patër Anton Harapi, gjindet si Antar i Regjencës, në krye të Shtetit. Nga pikpamja ligjore, veprimtaria e tij fillon që nga kjo datë, sepse simbas së Drejtës pozitive, asnji nëpunës nuk mund të fillojë nga kryemja e detyrës, para betimit. Në këtë kohë, operacioni i dimnit ishte mbarue po-thuej krejtësisht; pra duhet konsiderue se Patër Anton Harapi nuk asht përgjegjës për dhanien e urdhnit të ma-parshëm për operacionet.
Patër Anton Harapi, Zotrinj Gjyqtarë, tmerrohet për datat fatale që u përmendën ma nalt, fakt ky që del nga deklarata që ka lëshue z. Profesor Gabriel Meksi, i cili midis të tjerave përmend: “Patër, ç’janë këto që thua, t’ikim edhe unë e Lefi, edhe koka t’ande s’asht e sigurtë”. Hyri, pa dashje në nji pellg, Patër Anton Harapi, dhe vërtitet me dalë por s’asht e mundun. Kërkon, me sa asht e mundun, që degjenerimi mos të shtohet, që vuejtjet e cilitdo të pakësohen, që lëngimi të bahet ma i lehtë, të zbusi bishat e egra të Nazismit, të cilët, t’etuem për gjak, s’dinin çka të banin dhe u vërsulnin në nji mënyrë shtazarake kundra popullit fisnik Shqiptar. Patër Anton Harapi, përpiqet me sa i shkon nga dora, me qenë i afërt pranë kuejtdo; derdh lot të sinqertë, dhe nuk asht nji konvencionalizëm ipokrit, por asht tragjedia e madhe që zhvillohet në shpirtin e tij, kur shef gjendjen e mjerueshme të Shqipnis.
Kush ishte prof. Gabriel Meksi?
Gabriel Meksi lindi më 13 shtator të vitit 1894 në fshatin Labovë e Madhe e Gjirokastrës. I ati Thoma Vangjel Meksi, fillimisht punoi si arsimtar ndër të tjera dhe në Filat të Çamërisë, e më pas drejtor i një shkolle qytetëseje greke, si dhe mësues i frëngjishtes deri në Egjipt (1908), ku shkoi bashkë me djemtë e tij. Pas luftërave ballkanike, Thoma Meksi u kthye dhe vazhdoi përsëri punën, duke shërbyer si profesor i frëngjishtes në gjimnazin e Janinës e të Prevezës, deri në vitin 1919, kur u nda nga jeta.
Gabriel Meksi pasi mori mësimet e para në fshatin e tij të lindjes, (Labovë e Zhapës) dhe më tej në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, familja e tij e dërgoj për të vazhduar mësimet pranë gjimnazit të njohur “Zosimea” të Janinës, i cili asokohe ishte një nga shkollat e mesme më të njohura e prestigjoze në të gjithë Ballkanin. Pasi e mbaroi atë shkollë me rezultate të larta, ai ndoqi shkollën “Normale” të Marasleion të Athinës, ku pas diplomimit po me rezultate të larta, në vitet 1911-‘13, ai u emërua dhe punoi si mësues dhe drejtor në disa shkolla në fshatrat e Janinës, si: Papingj, Arçisht e Krapsh.
Pjesëmarrës në disa luftëra me gradën e kapitenit
Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërorë e zunë në moshën e shërbimit ushtarak dhe ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë bashkëmoshatarë të tij, ai u thirr nën armë, herë si ushtar aktiv e herë si rezervist, për t’u dërguar edhe në shkolla ushtarake. Kur lirohej nga shërbimi ushtarak ai ushtronte mësuesinë në fshatrat e Janinës dhe në Prevezë. Duke qenë i mobilizuar nën armë, në vitin 1918 ai morri pjesë në Luftën e Parë Botërore në frontin Maqedon, ku për merita u nderua edhe me dekorata nga forcat aleate fitimtare, gjë e cila bëri që më vonë ai të dërgohej edhe në Azinë e Vogël, në luftën greko-turke. Kjo ishte dhe lufta e fundit ku ai morri pjesë si efektiv nën armë, pasi pas disfatës së ushtrisë greke, ai u lirua përfundimisht nga ushtria dhe u kthye në Athine me trupat kryengritëse, (në tetor 1922), duke pasur gradën e kapitenit.
Me gjithë vështirësitë e peripecitë e shumta plot tensione që kaloi gjatë atyre viteve në ato luftëra ku morri pjesë, Gabriel Meksi e kishte mendjen vetëm tek mësimdhënia dhe vazhdimin e studimeve në shkollat e larta. Kështu ai konkurroi dhe fitoi të drejtën e vazhdimit të mësimeve në Universitetin e Athinës, për të plotësuar studimet në fushën pedagogjike dhe filozofike, duke fituar me meritë dhe diplomën e profesorit te Historisë e Gjeografisë. Pas diplomimit, ai shërbeu për dy vjet si mësues në Prevezë, por duke mos e hequr për asnjë moment mendjen nga vendlindja e tij. Në atë kohë ishin të shumtë ata djem të rinj të diplomuar në shkolla greke që erdhën në Tiranë, pasi ajo u bë kryeqyteti i vendit dhe mes tyre ishin dhe mjaftë bashkëfshatarë të tij labovitë, si p.sh. Vasil Dilo. Në Tiranë ndodhej ndërkohë dhe Vasil Dilo, (daja i prof. Meksit) avokat dhe publicist i njohur në mbrojtje të ndjenjave atdhetare, ndaj synimeve aneksioniste të fqinjëve.
Kthimi në Shqipëri në vitin 1927
Avokat Dilo i bëri thirrje mjaft të rinjve për tu kthyer në Shqipëri, me dëshirën e zjarrtë për t’i shërbyer atdheut dhe shtetit të ri që po ngrihej. Një ndër ta ishte dhe Gabriel Meksi, i cili në verën e vitit 1927, ai së bashku me familjen, u kthye përfundimisht në Shqipëri. Në atë kohë dyert e shkollave ishin të hapura dhe kështu ëndrra e t3 e mësimdhënies në të mirë të atdheut u kthye në realitet. Sipas studiuesit Thoma Noti, (“Gazeta Shqiptare” 3. 02. 2008), në fillim ai u emërua dhe shërbeu në gjimnazin e Beratit (l927-‘28) dhe më pas në atë të Shkodrës (1929-‘30), ku në auditorët e tyre “gjëmoi zëri kumbues e karakteristik me fjalët e zgjedhura” të profesor Gabrielit. Ndërkaq gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, ai shërbeu me pasion e devotshmëri edhe në disa shkolla të tjera, si në: gjimnazin e Tiranës, Shkollën Ushtarake Mbretërore, Institutin Teknik, Institutin Femëror, Institutin e Lartë Pedagogjik, që ishte shkolla e parë e lartë në Shqipëri. Përfundimisht ai u emërua dhe shërbeu në gjimnazin e Tiranës, duke qenë njëherazi dhe bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e Shkencave. Nga podiumi i mësuesit dhe profesorit, ai dha leksione për Historinë, Gjeografinë, Filozofinë si dhe lëndën e greqishtes së vjetër dhe frëngjishtes. Por pasioni i t3 mbeti deri në fund, lënda e Historisë së Shqipërisë, ku dhe sot shumë nga ish nxënësit e tij e kujtojnë me mjaft respekt profesor Gabrielin duke u shprehur mes të tjerave se: “Kur fliste e shpjegonte mësimin profesori labovit, nuk pipëtinte as miza”.
“Konflikti” me ministrin e Arsimit, Xhafer Ypi
Gjatë gjithë punës si arsimtar ai u mundua të jetë i drejtë dhe duke mos u nënshtruar asnjëherë urdhrave të politikës, por vetëm idealeve të larta të atdheut. Por ish-nxënësit e tij kujtojnë se profesor Meksi zotëronte edhe një “gjuhe tjetër”, atë që shprehte zemërim dhe revoltë ndaj çdo padrejtësie. Kështu gjatë një orë mësimi, at3 i shkoi për kontroll edhe ministri i Arsimit i asaj kohe, Xhafer Ypi, i cili pasi e dëgjoi me vëmendje, pastaj e pyeti: “Sa nxënës myslimane e sa të krishterë ke në klasë”. Profesor Meksi mblodhi supet dhe me një qetësi olimpike hapi evidencën dhe nisi të numëronte. Ndërkaq disi i habitur, ministri iu drejtua: “Si, vërtetë nuk e dini”?! “Natyrisht që jo’, ishte përgjigja e prerë e tij. Kështu për profesorin kishte më shumë rëndësi mësimdhënia, dhe pak i interesonte se nga ç’krahinë apo besim fetar ishin nxënësit e tij.
Në gazetën “Minerva” kundër deputetit e ministrit, Alizoti
Në ato vite kur deputeti Fejzi Alizoti, në parlamentin e kohës dhe në shtyp e konsideronte luks arsimin e mesëm dhe duke dhënë “alarm” se në Shqipëri kishte superprodhim intelektualësh, profesor Gabriel Meksi, pati guximin t’i kundërvihej dhe të shkruante në revistën “Minerva”: “Shkollat e mesme të kulturës së përgjithshme në Shqipëri, jo vetëm që nuk janë më të shumta se duhet, por as që janë të mjafta. As nxënësit e këtyre shkollave nuk janë kaq të shumtë, sa që të pretendohet seriozisht se shkolla të këtilla në vendin tonë janë të dëmshme”. Dhe me tej ai vazhdonte: “Në vend që ta pandehin fatkeqësi përpjekjen e prindit shqiptar që t’u japë fëm3ëve kulturë sa më të plotë, përkundrazi, kjo gjë duhet të konsiderohet si një lumturi kombëtare, ndaj duhet inkurajuar edhe më prej shtetit”.
Të gjitha këto dhe qëndrime të tjera të profesor Gabriel Meksit, ku ai mendonte se cenohej sadopak arsimi, e detyruan të përballej hapur me pushtetarët e kohës. Kështu me gjithë punën e palodhur të tij gjatë atyre viteve kudo që ai shërbeu në shkollat dhe gjimnazet e ndryshme, nuk u pa me sy te mire prej qeveritareve të atëhershëm. Madje edhe kur u ngarkua me funksionin e drejtorit të gjimnazit të Tiranës në vitin 1937, u shkarkua pas një viti.
Shkarkimi nga Instituti Femnor, për ndjenja antifashiste
Lidhur me periudhën e pushtimit italian të vendit, në kujtimet e tij, profesor Gabrieli në mes të tjerash shkruan: “Okupacioni më gjeti si profesor në Institutin Femnor, prej nga u transferova me propozim të drejtoreshës italiane, i akuzuar për ndjenja antifashiste. Tërë atë kohë kam qenë në vërejtje të autoriteteve italiane, të cilët me detyruan të jap një deklaratë, “që të mos bëja politikë disfatiste dhe të bëja jetë të vetmuar”. Shtoj se nuk kam pranuar gradime nga autoritetet”. Lidhur me atë periudhë kohe, në kujtimet e tyre disa nga ish-nxënëset e tij shumë të nderuar, si Marika Vogli dhe Drita Siliqi, mes të tjerash në vitin 1975, (duke mos i’u shpëtuar dot kornizave dhe barrierave ideologjike e politike të kohës), kanë shkruar: “Në të njëjtën kohë që qeveria përpiqej për interesat e saj, të zhvishte popullin e sidomos rininë nga idealet kombëtare e liridashëse, profesor Meksi u fliste vajzave të Institutit Femëror, për luftërat çlirimtare të popujve dhe, me krenari të veçantë, për të kaluarën dhe përpjekjet heroike të popullit Shqiptar. Atë dite që foli për pushtimin e vendit nga fashistët italianë, të gjitha vajzat e klasës u përlotën”. I tillë ishte profesor Gabriel Meksi, i cili si busull dhe kredo të jetës së tij kishte “nderimin për vendlindjen, devotshmërinë e përkushtimin në punë, dashurinë dhe krenarinë për atdheun”, të cilat ai i shprehte në jetë me përkushtimin tërësor në kryerjen e detyrës. Të gjitha këto ai i arriti me pasionin dhe këmbënguljen shembullore për të njohur udhën e të parëve, duke shfletuar e studiuar pandërprerë, për të përgatitur së pari veten, e pastaj duke ua transmetuar ato nxënëseve të tij.
Autor i shumë studime historike
Krahas mësimdhënies, profesor Gabriel Meksi është autor i studimeve të shumta, si p.sh. studimi për “Flamurin kombëtar”, për “Bajram Currin”, për “Kryengritjen në Shqipëri kundër zbatimit te reformave te Tanzimatit”, për “Ali Pashë Tepelenën”, për “Shqipëria gjatë periudhës të sundimit bizantin”, “Problemin pellazgjik”, duke polemizuar me dinjitet me autorë e huaj, e deri në dhënien e një kuptimi të vërtetë shkencor për fjalën “raja”. Lidhur me këto, vlen të kujtohen disa mendime të t3 në monografinë “Tanzimati kur u shtrua”, ku ai shpjegon me këtë rast, se: “asnjë ngjarje historisë sonë të para vitit 1912, nuk është menduar kaq shumë e bukur sa kryengritja e fshatarësisë shqiptare në kohën e Tanzimatit. S’kanë të mbaruar këngët popullore të Labërisë dhe Mallakastrës, që këndojnë trimëritë e Gjolekës dhe Rapo Hekalit, të Tafil Buzit e të Hodo Nivicës me shokë, kur luftonin me ushtritë turke në malet e Kurveleshit e në brigjet e Mallakastrës dhe fushat e Myzeqesë e të Delvinës”. Po kështu profesor Meksi botoi shpesh në shtypin e kohës, si gjatë periudhës së Monarkisë ashtu dhe mbas Luftës, duke shkruar artikuj me tema pedagogjike e historike, që ndiqeshin me vëmendje nga elita intelektuale e kohës, ku spikaste aftësia e t3 shpjeguese dhe thellësia e dijes në ato fusha.
Mark Gurakuqi: Rinia do thonë me mburrje: ‘ishim nxënës të profesor Gabriel Meksit’
Gabriel Meksi mbeti në kujtesën e nxënësve dhe bashkëkohësve të t3 si profesor i vjetër i historisë sonë dhe ndofta si i vetmi i periudhës së Monarkisë që vazhdoi të jepte mësim në shkollat e mesme edhe pas vitit 1944. Jo vetëm kaq, por në vitin 1955, Gabriel Meksi u caktua në komisionin qendror për hartimin e Historisë së Shqipërisë. Në parathënien e tekstit të volumit të parë të kësaj historie, thuhet. “Një kontribut të vlefshëm ka dhënë me materialet dhe vërejtjet e t3 kritike edhe Gabriel Meksi”. Më shumë se kaq, do të thoshte një nga anëtarët e komisionit, studiuesi i njohur Stavri Naçi, i cili vite më vonë do të shkruante: “Gabriel Meksi na udhëhiqte në shumë çështje, na merrte për dore, për shkak të eksperiencës se t3 të gjatë e të pasur”. Nëse do tentonim ta përmblidhnim me pak rreshta jetën e punën shembullore të Gabriel Meksit në fushën e arsimit dhe si intelektual adhetar e patriot, do të thoshim se: si intelektual i rrallë, ai i’u përkushtua historisë së vendit të tij, Shqipërisë së dashur. Mbase nuk ishte një rastësi që jeta e t3 u mbyll pikërisht në mes të nxënësve, me fjalën e pedagogut në gojë për të kaluarën e vendit të vet. Tepër kuptimplotë për respektin që gëzonte ndër nxënësit dhe kolegët, janë edhe fjalët e kolegut të tij Mark Gurakuqi, të nesërmen e varrimit, ku ai mes të tjerash do të shprehej: “Se desha vetëm unë. E deshën mija e mija nxënës e kolegë të tij. Për thjeshtësinë, për humanizmin, për atë besim të madh në njeriun, për atë besim të patundshëm në të ardhmen. Ai ishte tërheqës edhe kur nxehej. E kush s’e deshi Gabriel Meksin! A ka dashuri ma të qartë se kjo turmë prej m3ra njerëzish, që e përcjellin sot në banesën e mbrame? Rinia e do. Ajo s’do ta harrojë mësuesin e saj. E nxënësit e t3 të sotëm, kur të rriten e të bëhen burra, do të thonë me mburrje: Kam qenë nxënës i profesor Gabriel Meksit”.
Skifter Këlliçi: Ai na mbërthente me shpjegimet e tij
Ndërsa një ish nxënës dhe njëherësh nipi i t3 , Prof. Dr. Fedhon Meksi, midis të tjerash do të shprehej: “Nuk njoh njeri tjetër që të ishte kaq i këndshëm. Ishte në gjendje të fliste një orë dhe t’i linte dëgjuesit gojëhapur. Ai nuk përdorte asnjë fjalë të huaj dhe shprehjet e t3 ishin kaq të zgjedhura e të bukura, sa të kujtonin këngën e bilbilit. Kish sy, zë, buzëqeshje të veçante”. Por akoma më domethënëse për personalitetin e tij, janë fjalët e po një ish nxënësi të tij, shkrimtarit, komentatorit të njohur sportiv dhe publicistit, Skifter Këlliçi, i cili në një shkrim të para do kohe me kujtime për rrugën “Siri Kodra” dhe banorët e saj, do të shkruante: “Këtu që në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar ka jetuar prof. Gabriel Meksi. Për nxënësit e gjimnazit të Tiranës, që i kanë kaluar të 60-at, midis të cilëve dhe unë, ai është emri i profesorit shumë popullor të historisë, që na mbërthente gjatë shpjegimit me ngjarje tërheqëse nga historia e Shqipërisë dhe botës, një pjesë të të cilave, sidomos të Luftës së Parë Botërore, i kishte jetuar dhe vetë”. I tillë ishte dhe mbeti profesor Gabriel Meksi edhe në kujtesën e shumë e shumë nxënëseve e kolegëve të tij dhe mbase nuk ishte një rastësi, që jeta e t3 u mbyll pikërisht në mes të nxënësve, me fjalën e pedagogut në gojë, për të kaluarën e vendit të vet. Dhe paradoksalisht, edhe pse po bëhen gati tre dekada nga shembja e regjimit komunist, emrin e tij nuk e mban asnjë nga rrugët, institucionet, shkollat e gjimnazet e vendit, të cilave ai u kushtoi gjithë jetën e tij, deri sa ndërroi jetë në auditor, duke u shpjeguar mësimin nxënësve të tij./Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.