OPINION

Mes hapjes së listave dhe koronavirusit

09:23 - 30.07.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuvendi sot miraton ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votimin me lista të hapura të partive. Një veprim për transparencën dhe demokracinë në zgjedhjet shqiptare, i vonuar ndoshta mbi 14 vjet. Megjithatë, “më mirë vonë, se kurrë”, thotë populli. Me gjithë kurthet dhe stërkëmbëshat që do të pësojë rrugës nga vetë partitë, kjo formë votimi përbën një zhvillim tejet pozitiv në mjedisin tonë politik. Partitë tona kryesore, të detyruara, do të përpiqen të vendosin të paktën disa njerëz me integritet në listat e tyre, për të fituar pikë te njerëzit. Dhe integriteti, edhe në mjedisin tonë të infektuar mes interesave të ngushta të militantëve dhe drejtuesve partiakë, prapë se prapë do të prodhojë deri diku pavarësi në mendim e veprim politik për këta kandidatë. Partitë, anonimët me para do t’i fusin prapë edhe në këto lista të hapura. Nuk mund të bëjnë pa ata. Por sidoqoftë, partitë, në radhë të parë kryetarët, nuk do t’i kenë duart tërësisht të lira për të luajtur me listat, sikurse bënin kur ato ishin të mbyllura. Ndërkohë, e sotmja është dita e fundit e punimeve të Kuvendit përpara pushimeve të gushtit dhe do të kishte qenë mirë që përballimi afatmesëm (pse i tillë do të jetë) i pasojave ekonomike nga koronavirusi të ishte miratuar në Kuvend në formën e një programi kombëtar ndërhyrjesh nga Buxheti i Shtetit. Virusi COVID-19 nuk do të ikë vetë, por do të qëndrojë gjatë, derisa në të gjithë planetin të shpërndahet vaksina e duhur për ta ndaluar përhapjen e tij. Deri atëherë do të vijojmë të vuajmë pasojat e rënda ekonomike nga mbyllja dhe lëvizja e kufizuar e tanishme mes shteteve. Studiuesit dhe ekonomistët në mbarë botën janë të mendimit se ekonomitë e planetit, nga ato më të zhvilluarat tek ekonomitë e vogla si e jona, pasojat e krizës nga koronavirusi do t’i ndjejnë deri në vitin 2024.




Tani duhet të presim shtatorin për veprime të Kuvendit ndaj pandemisë. Ndërsa në vend të një ligji për të përballuar këto pasoja, kemi fjalë të përhapura që ndoshta po përgatitet një vendim i Këshillit të Ministrave, për të mbështetur rimarrjen në punë të atyre 60-70 mijë vetëve që pandemia u shkaktoi humbjen e përkohshme të vendit të punës. Pra, të papunëve të rinj. Sipas fjalënajës, qeveria do të stimulojë në mënyrë të drejtpërdrejtë sipërmarrjet që kanë larguar punonjës, për t’u krijuar kushte që ato t’i rimarrin sërish në punë. Do të ishte diçka e mrekullueshme mirëfilli, po të ndodhte kështu. Nxitjen e punësimit me çdo kusht po e zbatojnë në çdo kënd të Evropës dhe botës mbarë dhe duhet të fillojmë të lëvizim edhe ne. Por vetëm pagesa drejtpërsëdrejti për të papunët e rinj dhe ndihma të një forme ose tjetër ndaj sipërmarrjeve që kanë qenë të detyruara t’i largojnë nga puna, është njëra anë e medaljes. Po shikojmë se turizmi nuk po jep rigjallërimin e shpresuar të kësaj industrie, që e lidhur me transportin, shërbimet e ushqimit dhe artizanatin jepte deri vjet rreth një të katërtën e prodhimit kombëtar. Me gjithë zbritjen masive për pushime të 100 mijë familjeve të Shqipërisë në bregdet, sidomos në rivierën tonë, 200 mijë familje të tjera nuk do të pushojnë. Nuk i kanë mundësitë ta bëjnë këtë tre në pesë shqiptarë të Shqipërisë. Edhe kosovarët për periudhën janar-qershor 2020 janë rreth 60 për qind më pak si numër nga sa erdhën vjet. Turizmi këtë vit nuk do të na japë si ekonomi ato 2.7-3 miliardë euro që na ka mësuar të na japë vitet e fundit. Do na mungojnë mbi 2.2 milionë të huaj, çekë, italianë, polakë (kanë ardhur edhe tani, por janë shumë më pak se vjet), gjermanë, zviceranë e me radhë. Gjithë këto mungesa do të sjellin të ardhura shumë më pak se vjet. Prandaj dhe të gjitha sipërmarrjet në turizëm duhet të ndihmohen. Trajtimi fiskal është i pari që duhet t’u vijë në ndihmë. Jo vetëm me shtyrjen e pagesës së tatim-fitimit, apo të kamatëvonesave. Jo. Sektori do ta ndjejë goditjen edhe gjatë vitit të ardhshëm, prandaj duhet një përjashtim një ose dy vjet nga tatimi mbi fitimin. Masa të ngjashme kanë nevojë edhe sektorët e tjerë të prekur rëndë nga pandemia, si industria e veshjeve dhe këpucëve (fasonistët), edhe pse për momentin, kjo industri po kërkon vetëm vënien në afat të garancisë së parë sovrane të kredive, e cila përfundoi më 20 qershor 2020. Ngelet të shpresohet që vendimi i pritshëm i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të përmbajë programe reale mbështetëse për këta dy sektorë të gjunjëzuar nga pandemia.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.