OPINION

10 çudi shqiptare me OSBE-në 45-vjeçare !

12:25 - 31.07.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian ( OSBE) u krijua më 1 gusht 1975 me nënshkrimin e Aktit Final të Helsinkit. Atë e diktoi nevoja e dialogut Lindje – Perëndim, në vijim të detantës së viteve 70; kur në Europë dhe më gjerë vërehej shtensionimi i marrëdhënieve ndërkombëtare mes dy superfuqive; po zbatohej «Ostpolitika« ose «ndryshimi i regjimeve lindore nëpërmjet afrimit»; lufta në Vietnam ishte pranë përfundimit, po binin diktaturat fashiste në Greqi, Spanjë dhe Portugali ; më 1972 vizita e Niksonit në Pekin çeli një epokë të re, etj. Mes vendeve anëtare ishin SHBA-ja dhe Kanadaja, falë rolit të tyre të pazëvendësueshëm në këto fusha jetike. Negociatat u zhvilluan në tri komitete që u pasqyruan dhe në Aktin Final të Helsnikit, si «tri shportat« e saj – siguria ndërkombëtare, bashkëpunimi ekonomik, demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Më 1 janar 1995, KSBE-ja u mbiquajt « Organizata për Bashkëpunim dhe Sigurim Europian ( OSBE) me arritje të spikatura, me një katalog të gjerë dhe të larmishëm veprimesh kudo. Ajo shquhet në fushën e krijimit të masave të besimit, vëzhgimin dhe menaxhimin e krizave dhe konflikteve të armatosura, respektimin e pakicave të ndryshme, etj. Gjithsesi, pika e saj më e fortë mbeten vëzhgimi dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo ka Zyrën e Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut ( ODIHR) si pika më e besueshme e referimit dhe për BE-në, KiE-në, NATO-n, etj.
Ndonëse pas vitit 2000, roli dhe ndikimi i OSBE-së janë zbehur, kryesisht për shkak të fuqizimit dhe zgjerimit të BE-së, KiE-së, NATO-s dhe organizatave të bashkëpunimit rajonal, ajo mbetet e rëndësishme, sidomos për vende të vogla si ne dhe organizata më e madhe rajonale e këtij lloji.
Ky jubile është rast i volitshëm për të përgëzuar dhe vlerësuar diplomatët dhe ambasadorët tanë dhe të OSBE-së që kanë shërbyer me zell dhe profesionalizëm të madh në Vjenë, Tiranë dhe kudo gjetkë gjatë gati 30 viteve të anëtarësimit tonë në OSBE. Tani së fundi, Task Forca e kryesimit të OSBE-së në MPJ-në tonë dhe ekipi në Vjenë për punën dhe përpjekjet e shumta, me plot pengesa e sidomos nga korona! Nga bashkëpunimi si kolegë me shumë prej tyre në Tiranë, Bruksel, Berlin dhe gjetkë në 20 vitet e fundit është vërtet kënaqësi të shohësh se si kanë hyrë me diploma ekselente, kanë grumbulluar shumë eksperienca, madje disa janë qysh tani dhe të tjerë me siguri do të bëhen « excelenca » ambasadorë.
Dhe tani le të fillojmë me 10 « çuditë » shqiptare që kanë filluar qysh përpara krijimit të KSBE-së së atëhershme. Çudia e parë rezultoi një dramë me shumë akte tragjike për popullin shqiptar. Me gjithë kufizimet e sistemit, edhe vendi ynë në fillimin e viteve 70 ishte përfshirë nga valët dhe flladi i liberalizmit të lartpërmendur në të gjitha fushat. Mirëpo, me fillimin e vitit 1973 regjimi filloi të ecte në korsi krejt të kundërta dhe të rrezikshme me Europën. Fjalimi i Enver Hoxhës mbi rrethimin imperialisto-revizionist më 15 mars 1973 ishte «hiroshima » politike shqiptare. Pikërisht në ato momente fatkeqe, qeverisë shqiptare i erdhi ftesa për të qenë e pranishme në negociatat në kuadrin e krijimit të KSBE-së. Ashtu siç pritej dhe pse absurde, ftesa u refuzua, duke e etiketuar Helsinkin si « konferenca e mossigurisë europiane ». Ja pra çudia e madhe: ndërsa më 1 gusht 1975 në Helsinki 34 liderët e shteteve europiane, ndërmjet tyre dhe 12 të vendeve ish-lindore po nënshkruanin Aktin Final të Helsinkit, në Tiranë vulosej Kushtetuta Socialiste dhe bunkerët filluan « të mbinin si kërpudhat». Ajo shpalli tradhti të lartë dhe armik këdo që tregonte shenja bashkëpunimi me BE-në, NATON, SHBA dhe KSBE-në.
POR, nëse regjimi u mundua ta kalonte në heshtje këtë ngjarje epokale, te masa e njerëzve, sidomos tek ata që vuanin në burgje, KSBE-ja ngjalli shpresa të reja, sado naive për momentin. Këtu shquhet poeti, disidenti dhe mësuesi i Kukësit, martiri i demokracisë, Havzi Nela që në burgun e tmerrshëm të Burrelit, më 1977, shkroi vjershën «Fryma e Helsnikit» Ajo tregon pikërisht për shpresën dhe dritën e re që shkaktoi Helsniki. Çuditërisht, 11 vite më vonë, kur regjimi ishte në grahmat e fundit dhe nuk po «linte gur pa lëvizur» për t’u pranuar në KSBE veçse «nga halli dhe jo nga malli» sërish tregoi «dhëmbët»; as Presidiumi i Kuvendit Popullor, ku kishte dhe artistë të shquar nuk ia fali jetën, duke e varur dëshmorin e Helsinkit në litar më 10 Gusht 1988.
Dhe, vetëm një vit më vonë, po ai regjim filloi të bënte gjithçka që të pranohej në KSBE. Si diplomat, kam qenë i pranishëm në disa takime më 1990 dhe çuditesha kur dëgjoja goja e liderëve tanë të rinj « reformatorë » se si përpiqeshin «t’ua hidhnin» helsinkasve që vinin nga SHBA-të, Europa dhe gjetkë me broçkullat e tyre. Pretendonin se te ne nuk kishte opozitë, se pak ishin të burgosuri politikë, se kishat dhe xhamitë i kishte shembur vetë rinia dhe populli, madje dhe se ne ishim « shtet ligjor » me ligje shumë të mira!!!! U desh 2 Korriku 1990 dhe eksodi masiv në Mars 1991, largimi i Kadaresë dhe ngjarje të tjera alarmuese që t’i dilte boja atij regjimi që në momentet e fundit u detyrua t’i thoshte « derrit dajë » duke pranuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e KSBE-së për pluralizëm të vërtetë politik.
Shqipëria u pranua atje si vëzhguese në Maj 1990 dhe me të drejta të plota në Berlin më 22 Qershor 1991. Në shtator të atij viti, Presidenti Ramiz Alia shkoi në Helsinki për ta nënshkruar vetë Aktin Final ku dhe është e depozituar. Kjo ishte çudia e tretë, sepse vërtet atje ishin dhe nënshkrimet e Brezhnjevit, Honeker, Çausheskut, Zhivkovit, por ai i Alisë ishte «pas pilafit»
Çuditë shqiptare vazhduan dhe pas vendosjes së demokracisë.
Vetëm pesë vjet pas anëtarësimit, e tronditëm ODIHR me farsën/ masakrën zgjedhore më 26/28 Maj 1996. Me gjithë këmbënguljen e OSBE-së për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona, qeveria e atëhershme nuk i përfilli dhe vazhdoi në të vetën me pasojat e njohura.
Dhe më keq ndodhi në mars 1997, kur shteti dha «SOS» dhe OSBE dërgoi me ngut në Tiranë ish-Kancelarin austriak Vranitzky si të Dërguar të Posaçëm. Për tetë muaj rresht ai erdhi në Shqipëri në përpjekje sfilitëse për paqen politike dhe sociale. Padyshim që kapërcimi i kësaj situate ka dhe vulën e OSBE-së dhe të Vranickit, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve.
Ende pa kaluar një vit, ndodhi çudia tjetër, kur forcat e opozitës së atëhershme bënë rebelimin e armatosur për të përmbysur qeverinë e ligjshme të zgjedhur demokratikisht më 1997 nën hyqmin e OSBE-së. Edhe pse Helsinki ka konfirmuar qartë se demokracia funksionon me rotacion paqësor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe jo me dhunë; se institucionet nuk janë thjesht godina dhe zyra, por sisteme rregullash dhe parimesh që i mbajnë fort.
Çudia tjetër ndodhi në zgjedhjet parlamentare në pranverën e vitit 2001 me vjedhjet masive të votës në Dushk të Lushnjës. Me ndërhyrjen e OSBE-së u arrit pas shumë peripecish kompromisi me opozitën, të cilës iu dha posti i Presidentit të Republikës më 2002. Por kjo histori vazhdoi më 2017 në Durrës, Dibër dhe gjetkë me dosjet famëkeqe të njohura.
Po atë vit, meqenëse nuk i linte politikanët tanë « të livadhisnin » si të donin, disa prej tyre kërkuan çuditërisht mbylljen e Pranisë së OSBE-së dhe largimin e drejtuesit të saj, gjermanit Ahrens. Në një drekë pune të Ministres së Jashtme të asaj kohe me homologun e saj gjerman më 2002 në Berlin ku isha i pranishëm, Joschka Fischer i ra « pragut të dëgjojë porta » kur tha se « Ahrens e do shumë Shqipërinë, dhe pse ndonjëherë mban qëndrime kritike » Kështu kjo çështje u mbyll dhe pse me një shije jo të këndshme. Mirëpo ja që e njëjta u përsërit në vjeshtën e vitit 2019, kur një pjesë e opozitës kërkoi shpalljen « person të padëshiruar » të Kryetarit të Pranisë së OSBE-së, sërish Ambasadorit gjerman Borchard; për një gjest jo fort të hijshëm « alla shqiptarshe » për një diplomat me përvojë të gjatë. Por aq. E pafalshme histeria e sulmeve dhe nga ambasadorë tanë me emër, kur Borchard kërkoi ndjesë dhe OSBE-ja u mjaftua me hapa administrativë. Si mund të shpallësh «person non grata» Kryetarin e Pranisë së OSBE-së, diplomat dhe mik gjerman, që na ka ndihmuar shumë dhe mbi të gjitha në prag të marrjes së kryesimit të saj ?!!!!. Për më tepër, kur në diplomaci ka shumë mënyra dhe forma të tjera «me pambuk» si tërheqje vëmendje, nota qarkulluese, etj. Por, u desh Tërmeti i 26 Nëntorit dhe ky muhabet u harrua se do të « kishim lënë « kokrrën e namit »
Çudia e 10-të dhe më e madhe u shfaq këtë vit, kur kryesojmë OSBE-në! Kështu, në vend që të drejtojmë përpjekjet e saj në zona krizash, ia kemi shtuar « dhimbjet e kokës » lidhur me reformat e nevojshme.
Aspekti i parë i kësaj çudie qëndron te fakti se vetë Komisioneri i Medias i OSBE-së, u detyrua nga halli i madh të dilte nga tradita dhe të kritikonte Presidencën e saj shqiptare, natyrisht « me lezet » për projekt ligje e sidomos atë të medias, sepse bie ndesh me parimet e saj!!!!
Aspekti tjetër është se në vijim të rekomandimeve të OSBE-së, me mbështetjen e hapur të SHBA-ve dhe BE-së, Këshilli Politik miratoi me konsensus të plotë më 5 Qershor Marrëveshjen e re zgjedhore të cilën e përshëndeti gjithë komuniteti ndërkombëtar. Mirëpo, shumica ka kohë që « bën naze » duke vonuar dhe vështirësuar procesin. Edhe pse as tre muaj nuk na ndajnë nga 23 Tetori, kur Këshilli i BE-së do të vendosë nëse do të çelë negociatat dhe kur 5 Qershori faktikisht plotëson kënaqshëm një nga kushtet e njohura.
Mirëpo, me ndryshimet kushtetuese të miratuara nxitimthi më 30 Korrik, pa konsensusin e kërkuar nga OSBE, SHBA dhe BE, shumica del pa qenë fare nevojë jashtë kërkesave për këtë reformë!. Kësisoj, ajo vepron kundër thënies së urtë amerikane «Mos e lër perfekten të bëhet armike e të mirës» duke u treguar «më katolike se Papa». Ca më keq akoma, nëse do të vijojë më tej, pa dialog dhe pa KONSENSUS me opozitën, veç jo «sa për të larë gojën», ka rrezik që «në vend t’i verë vetullat, mund t’i nxjerrë sytë » procesit të ardhshëm zgjedhor ! Ndërsa, lidhur me qëndrimet më të fundit të Kryeministrit Rama ndaj SHBA-ve dhe BE-së, kujdes, sepse «uthulla e fortë prish enën e vet». Dhe, të mos gënjejë mendja askënd: siç tregojnë dhe këto 10 çudi, duke vepruar «kontrapedal» brenda dhe jashtë, «çdo fitore do të jetë si ajo e Pirros».




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.