Aktualitet

BE shtyn sërish hapjen e kufijve për Shqipërinë, shtete të tjera futen në listë

20:15 - 31.07.20 gsh

Bashkimi Europian ka përditësuar sot listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit, duke ‘fshirë’ totalisht vendet e Ballkanit Perëndimor.



Kufijtë e vendeve anëtare të BE-së do të qendrojnë të mbyllur jo vetëm Shqipëri, por edhe për Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat ishin të përfshira fillimisht në këtë listë.BE nuk ka hapur kufijtë me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi kanë një numër më të madh rastesh të reja me COVID-19 na krahasim me nivelin mesatar europian gjatë 14 ditëve të fundit, i cili është 16 raste për 100 000 banorë.

Kjo listë nuk është një instrument ligjërisht i detyrueshëm, por deri më tani, të gjitha shtetet anëtare fqinjë kanë kufizuar udhëtimet drejt dhe nga Shqipëria. Italia ka vendosur karantinën e detyrueshme për udhëtarët nga Shqipëria. Por vendimi më i ashpër ka ardhur nga Greqia, e cila do të mbajë edhe për dy javë kufijtë e mbyllur për qytetarët nga vendi ynë. Kështu, deri më 15 gusht në territorin grek nuk do të lejohen të hyjnë turistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Kosova, etj. Në pikat kufitare me Greqinë lejohen të hyjnë vetëm rezidentët, ndërkohë që pritet të bllokohet totalisht hyrja e punëtorëve sezonalë.

Nga dita e djeshme, kufijtë grekë janë hapur edhe për shtetasit britanikë, charterat me të cilët mbërritën në zonat turistike, duke i dhënë një frymëmarrje turizmit në vend.

Një sërë vendesh, si Gjermania, Holanda, Austria dhe Greqia kanë mbyllur kufijtë për qytetarët serbë, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Gjermania dhe Austria nuk këshillojnë udhëtimin në asnjë prej vendeve të Ballkanit, duke lëshuar një paralajmërim udhëtimi kundrejt rajonit.

Për pasojë, shqiptarët nuk mund të rezervojnë as udhëtime tranzit që kalojnë në një prej vendeve të BE-së sepse nuk lejohen të ulen në aeroporte. Vetëm rezidentët mund të udhëtojnë drejt Italisë dhe Greqisë, por për qytetarët e tjerë kufijtë e vendeve fqinjë janë të mbyllura. Për momentin shqiptarët mund të udhëtojnë pa paraqitur tampon drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Turqisë.

Listës së mëparshme të 14 vendeve të treta, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian i është shtuar Australia dhe Kina, pasi autoritetet australiane kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE