Kryesore

XHEMAL FARKA/ Mbrojti Lef Nosin, profili i gazetarit të zhdukur në komunizëm

14:25 - 31.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xhemal Farka është një gazetar i fundit të viteve 1930 dhe fillimit të viteve 1940-ës, që ende sot nuk dihet ku i prehen eshtrat. Jeta e tij prej lindjes deri në ekzekutimin nga komunistët, shpërfaq intelektualin e panjohur tiranas që në 35 vitet e jetës, la dëshmi të një profili të rrallë. Ai lindi në 1913 në Tiranë, në një familje qytetare. U shkollua në Institutin “Harry Fultz” në Tiranë, ku shkëlqeu si student, u diplomua me rezultate të larta. Sipas Musine Kokalarit në librin “Si u krijua Partia Socialdemokrate”, “Xhemal Farka (emri i penës “Sula i Fajes”) kishte qenë student i Sotir Koleas dhe që shkruante qysh nga koha e gjimnazit”. Me bursë shtetërore të dhënë nga Sotir Kolea përfundoi Universitetin Amerikan të Bejrutit, duke mbuluar studimin e kolonisë shqiptare të atjeshme. Më pas punoi gazetar në Radio Bari dhe në Zërin e Amerikës në Jerusalem.
Si gazetar me bindje politike socialdemokrate, i bëri jehonë Luftës Nacionalçlirimtare.
Pas studimeve u rikthye në atdhe me miqtë e tij, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, me dëshirën për të ndërtuar vendin. Mik i afërt me Lef Nosin, Mirash Ivanajn, Branko Merxhanin, etj.
U përball dy herë me regjimin, të parën në korrik të 1945 se ndihmoi Lef Nosin dhe të dytën në shkurt të 1948, si agjent e tradhtar. Sipas dëshmive të kohës, nuk i tradhtoi miqtë, pavarësisht keqtrajtimeve. Pas disa viteve burg, u pushkatua në 1948 me akuzën si agjent anglez, akuza që s’u provuan dot kurrë.
I pushkatuar dhe ende pa varr, ky është fundi i intelektualit Xhemal Farka, të kërkuar për vite me radhë nga familja në mënyrë të ethshme.
Vepra publicistike
Xhemal Farka ishte satirist, kritik e hulumtues. Gazetar i Radio Barit dhe i Zërit të Amerikës në Jerusalem.




Xhemal Farka dosja 1 Xhemal Farka dosja 2 Xhemal Farka
<
>

ARTIKUJT
Në gazetën “Arbënia” të viteve 1930 shkruante në dialekt tiranas, me humor të hollë e qytetari, me pseudonimet Sula i Fajës, Xh. F., Xhefari, ndërsa për miqtë ishte gazetari satirik socialdemokrat Xhemal Farka. Për lexuesin e kësaj gazete, shkrimet e Sulës së Fajës u bënë aq të dashura, sa redaksia i dha një rubrikë javore me titullin “Muhabet tirançe”. Disa nga shkrimet janë: “Muhabet tirançe: Çere do me thônë dallkauk?”, “Nderimi ndaj babës, cilësi burrnore e Shqiptarit” (Arbënia”, 1936), “Natën nëpër rrugët”, “Muhabet tirançe: Mô mire t’kishe qenë… gocë!…”,“Muhabet tirançe: Çuni pri Avrope”, “Fëmijë të natës”(Arbënia, 1936).
Shkrimet pasqyronin bindjet politike socialdemokrate të Xhemal Farkës, trajtonin kushtet në të cilat jetonin njerëzit, gjendjen e dobët ekonomike me të cilën ballafaqohej fshatari shqiptar, fëmijët që lypnin rrugëve, emancipimin e gruas shqiptare, e cila duhej të përpiqej për barazi. (Motra e tij, Emine Farka ishte nga të parat studente vajza të ekonomisë në Institutin Amerikan të Tiranës).
Xhemal Farka kontribuoi edhe me hulumtime folklorike për trevën e Tiranës, duke mbledhur proverba të harruar, që i botoi në rubrikën letrare “Nga Folklora e Tiranës” në vitin 1934. Thuhet se me këtë punë i ra në sy Sotir Koleas, i cili e mbështeti dhe e dërgoi për studime të mëtejshme kërkimore jashtë vendit.
DËNIMI
Dosja hetimore-gjyqësore nr. 9273/A, në fondin arkivor të AIDSSH përmban procesin hetimor dhe gjyqësor të zhvilluar më 9/07/1945 ndaj Vasil Nosit, Stilian Nosit, Mark Menahremit, Adem Samurajit, Fahrije Haveriqit dhe Xhemal Farkës me akuzë të përbashkët: “Kanë strehuar kriminelin e luftës Lef Nosi t’ue qenë ndërlidhës”. Ndëshkimi në rast provimi, në bazë të nenit 23 botuar në fletoren zyrtare të datës 24.12.1944.
Lidhja mes Xhemal Farkës dhe Lef Nosit motivohej me miqësinë e Xhemalit me mjekun e njohur Stilian Nosi, gjatë kohës që studionin në Universitetin Amerikan të Bejrutit.
Gjatë hetimit u mblodhën shumë dëshmi të kontributit dhe ndihmës që të gjithë të akuzuarit dhanë për Luftën Nacionalçlirimtare, duke ndihmuar me para, veshmbathje, ushqime, strehime dhe veprimtari aktive në funksion të saj. Doktor Stiliani, nipi i Lef Nosit, mjekonte dhe strehonte partizanët e plagosur.
Akuza e prokurorit: ‘Kemi para nesh të pandehurit, të cilët, në kundërshtim me ligjet e qeverisë tonë demokratike, kanë përkrahur dhe strehuar kriminelin e njohur, ish-rregjentin Lef Nosi, i cili duke qenë në bashkëpunim me tradhtarët e tjerë dhe okupatorin gjerman, ka shtypur lëvizjen e popullit shqiptare, duke vrarë, djegur, grabitur krahina të tëra në vendin tonë. Kur vendi jonë u çlirue me luftë nga okupatori, tradhtarët e popullit tonë, tue ndi përgjegjësinë e tyre, u arratisën për të rifilluar prapë një veprimtari anti-popullore t’ue qene i strehuar tek i pandehuri prezent”.
Prokurori kërkoi 1 vit burg për Xhemal Farkën, ndërsa për të tjerët 5-10 vjet burgim. Gjatë hetimit Xhemal Farka binte në sy si njeri i besës dhe mirënjohës ndaj miqve që e ndihmuan në kohë të vështira.
Njëkohësisht, ndihej krenar që kishte ndihmuar luftën për çlirim nga pushtuesi i huaj, për punën e bërë në Radio Bari dhe më tej, ku shprehej: “Nga vendimi juej do të dalë se kush do të qesh dhe kush do të qa dhe sigurisht, reaksionarët dhe tradhtarët që duan dënimin e njerëzve të lëvizjes”.
Për akuzën e mësipërme, gjykata vendosi: “Duke mos respektuar ligjet e Qeverisë sonë demokratike janë munduar për një kohë të gjatë të m’fshehin të arratisurin Lef Nosi, ish anëtar i rregjencës, i cili ndiqej prej ligjit. Veprimtaria e të pandehurve parashikohet dhe ndëshkohet sipas nenit 1 të ligjes 23 datë 24.12.1944.”
Në observimin përfundimtar, gjykata i referohej edhe ligjit 21 të datës 15.12.1944, botuar në fletoren zyrtare nr. 2, datë 23.12.1994, ku citohet “… ata që fshehin kriminelët e luftës dhe ata që ndiqen prej ligjit, ata që kanë dijeni mbi ta dhe nuk tregojnë, etj, dënohen nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një deri në 30 vjet, etj.”
Xhemal Farka u dënua me dy vjet burgim dhe humbjen e të drejtave civile dhe politike për aq kohë. Vuajtja e dënimit filloi më 21.10.1945.
Musine Kokalari, në ditarin e saj shënonte se “një nga të burgosurit që e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të”.
Dënimi i dytë i gazetarit erdhi në vitin 1948.
Në dosjen hetimore nr. 1365 për 25 të akuzuar: Spiro Dhima, Xhemal Farka, Adem Derhemi, Njazi Bimi, Ali Aliaj, Qani Katroshi, Haki Qatja, Foto Veshi, Vait Naçi, Faik Hajdari, Hasan Sojli, Shefqet Kavaja, Osman Shkalla, Ramazan Bellalla, Reshat Haxhiaj (Shate Dulla), Stamati Stamitiadhi, Nikolla Bruka, Fadil Kërtushi, Vasil Llazari, Ndue Nikolla, Koço Gjika, Shahin Petrefi, Merushe Topulli, Qefsere Bega, Preng Shkoreti, thuhet se provat e njëpasnjëshme të hetimit kanë një qëllim, “zbulimin e aktit të tradhëtisë ndaj atdheut” që ndëshkohej me dënimin më të rëndë.
“Sh.gjyqtar! Të akuzuarit nuk i kam akuzuarë se kanë jetuarë në vilën Azona e La Rossa… I kam akuzuarë se të gjithë atje e kuptuan se kishin të bënin me Shërbimin Sekret të Ballkanit me agjentë Fultz-in…bashkëpunuanë me ta e pranuan të bëhen agjentë të tyre” – thuhet në pretencën e prokurorit për Xhemal Farkën dhe të tjerët, në gjyqin e garnizonit ushtarak të Tiranës, më 11.02. 1948. Sipas tij, “u vërtetua që të akuzuarit kanë (kryer) krimin e poshtër të tradhëtisë s’Atdheut tue bërë pronë atë dhe veten e tyre të agjenturave t’huaja”.
Nga 25 të akuzuar, 5 prej tyre, – mes të cilëve Xhemal Farka, – u dënuan me vdekje. Pos ndihmës së dhënë Lef Nosit, nga prokuroria e kohës, ai u rendit në grupimin e “Azona Villa Rossa”.
Xhemal Farka u pushkatua më 1948 si agjent anglez, akuza që s’u provuan kurrë.
Në një komunikim për ekspozitën “E shkuara e pakryer”, Zenita Farka, mbesa e tij, rrëfen se i ati, Hasani, shkonte shpesh ta takonte në burg, diku te “Selvia”, t’i çonte ushqime e ndërresa. “Një ditë shkurti të vitit 1948, xhandari ia hodhi ushqimet. I tha: “Ik, se e ke te Bregu i Lumit!”. Atëherë babai e kuptoi që e kishin pushkatuar. Bashkë me hallë Eminenë dilnin netëve ta kërkonin. Ajo mbulohej me një çarçaf si me burkë, që të mos e njihnin. Iknin natën e gërmonin me thonj për ta gjetur”.
Mbesa kujton se sa herë shkonte me të atin në Durrës, te hallë Emineja, hidhte sytë nga Bregu i Lumit. Nuk e gjetën kurrë Xhemalin, gazetarin që kur u kthye në atdhe, e priste Omer Nishani me nderime, sepse kishte mbështetur luftën kur punonte në radio.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.