KULTURË

Autoportreti me teleskop i Besnik Mustafajt

12:26 - 01.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Artur Spanjolli – E njihja Besnik Mustafajn si premtim të letersisë së re shqipe në vitet ‘90 me librin “Vera pa Kthim”, i cili më kishte lënë mbresa të forta. E lexova gjatë turbullirave epokale në Shqipëri. Më pas, për shumë arsye nuk e ndoqa dot më. Jo vetëm se ai ndërmori karrierën politike, por edhe pse unë jetoja larg atdheut dhe nuk e ndiqja më rregullisht letërsinë shqipe. Dhjetorin e kaluar lexova librin e tij, që vlerësoj më shumë. Më i thelli dhe sigurisht më kompleksi, romani i ngjeshur “Autoprotret me Teleskop”. Interesant dhe i padeshifrueshëm, titulli bën akoma më konfuz lexuesin mbasi autori paralajmëron se Besniku i librit nuk ështe shkrimtari vetë, duke lënë të nënkuotohet ndoshta se personazhi i romanit është shembëlltyra e tij e parë nga larg. Të ndërtosh një histori kaq komplekse sa kjo e shkrimtarit në fjalë, nuk është e lehtë. Këtë e mendoj si shkrimtar, jo si kritik. Kjo vërehet tek artikulimi i romanit prej gati 500 faqesh pothuaj pa dialog, duke u nisur vetëm nga disa skena minimaliste jete. Libri i Mustafajt e ka kapërcyer këtë rrezik te madh. Ai ka ditur të lidhë mirë ngjarjet, duke lozur jo vetëm me kohët, por edhe me distancat, me tematikat, me personazhet dhe sidomos me degezimin e subjekteve. Tek e fundit flitet për disa shokë fëmijërie, që gati rastesia i bën të takohen në një kryeqytet europian, ku autori gjendet në veshjen e ministrit. Aty, në hollin e nje hoteli, ai përballet ne fillim për gati 80 faqe, metaforikisht, me fantazmën e një personazhi të tij, e cila është dhe ndergjegja e vet. Dilema është: letersi apo karrierë politike. Ne ato ambjente ai takon dhe shoket e fëmijërisë. Shumë gjëra ndodhin, kanë ndodhur dhe do të ndodhin gjatë ecurisë së librit në pyllin e dendur përshkrues t autorit. Kujdesi ndaj detajeve, dashuria për fjalën dhe përshkrimi i hollë, i vëmendshëm i ngjarjeve e bën tregimin gjithmonë e me kurjoz dhe interesant. Mund të them me shumë bindje se Mustafaj, me këtë roman, është shkrimtar universal. Sa ekzistencialist, po aq dhe fantastik, sa francez, po aq dhe rus në hulumtimin e gjendjeve shpirtërore të personazheve, të cilët ai i njeh mirë. Nëse në 80 faqet e para, sipas meje, jo me teleskop, por me mikroskop ai hulumton ndërgjegjen e vet, ku pyet vetveten nëpërmjet gojës sensuale te Ana B., që është personazh i romanit të tij të mëparshëm “Boshi”: Sa i rëndësishëm është arti i të shkruarit për një artist, i cili tashmë i ësht përkushtuar politikës? Kush peshon më shumë, një libër i mirë i nxjerrë nga punishtja e shkrimtarit, apo një jetë nën gudulisjen e pushtetit? Autori e shtron këtë pyetje 20 vjet pasi e ka “braktisur” letërsinë dhe do e gjejë përgjigjen vetëm në fund të librit, kur e takon përsëri vetveten tek sytë joshës të personazhes se tij Ana B.




Ndërkohë, falë fuqisë evokuese, ai ben nje flash back të gjatë në femijëri. Mendoj se keto rrefime të femijerisë janë faqet më të bukura të librit. Duke ndërthurur grotesken me fantastiken, ai tregon me një ironi të këndshme ngjarjet, për të na dhënë në mënyrë të tërthortë problemet nën diktaturën e hekurt të Hoxhës. Duke filluar me kemishën e Bilal Barzezit, me hundën në rritje të Selami Beshirit,  duke përfshirë këtu dhe faqet plot ankth, që shkojnë deri në mani persekutimi në Bruksel e duke kaluar te ministri. Duke vazhduar me ndodhinë çudibërëse të gjelit dhe përsëri me aventurat e Selami Beshirit jashtë shtetit, na argëton dhe na bën të reflektojmë. Në tërësi, nuk janë më shumë se dhjetë episode q­ë e mbajnë romanin në këmbë. Trajton tematika origjinale duke filluar nga ato më ironiket si problemi i “Brezit të Virgjerisë” në aeroport, apo si qumështi i gjirit të shitur në internet, deri tek ato me tragjiket si Dosja e fshehte mbi Myzafer Zhivinin, apo vetëvarja misterioze e profesorit.

Aftesia e autorit për të thurur ngjarjet, përpikmëria e përshkrimeve, loja me kohët, thellësia psikologjike e personazheve, stili i lehtë dhe ironik e bëjnë rrëfimin të këndshëm edhe kur flitet për problemet më të mprehta të shekullit të ri si terrorizmi apo shitja e intimitetit në internet. Mes të gjithave është për t’u admiruar gjuha e pasur. Jam i sigurt që “Autoportret me Teleskop” do të jetë një gur themeltar në godinën e letersisë së sotme shqipe. Keshtu, romani i kapërcen caqet e ekzistencializmit francez. E prek dhe e tejkalon perroin psiqik të Xhojsit, i bie permes hulumtimit rus të shpirtit njerëzor dhe ka marre gjithashtu edhe nga fantastikja e bujshme e shkrimtarisë latinoamerikane.

Roman dinjitoz edhe kur prek tematikat e erosit,  emigrimit dhe korrupsionit, të cilat janë mëse aktuale. Por veçanerisht temë e ditës është akoma për shoqërinë shqiptare ajo e së shkuarës, plot nyje te pazgjidhura. Shqipëria nuk mund të ket një të ardhme të qetë nëse nuk qartëson të shkuarën e saj.

Në thelb, ky autoportret me teleskop i Besnik Mustafajt është një rrëfim intim i trefishtë: i një fëmije, i një shkrimtari dhe i një diplomati, i tejshkuar nga një sarkazmë e vetëdijshme. Është nevojitur mjeshtëri e madhe për t’i shkrirë këto tri përvoja në një. Autori ia ka dalë. Ju ftoj t’i qasemi këtij romani dinjitoz.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.