Kryesore

KOMUNISTËT ANA E DUHUR E HISTORISË? Krasniqi e Godole: Pranë zgjedhjeve, Rama nderon me grusht

13:23 - 01.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Zëra kundër: Fyen të përndjekurit, regres në profilin e tij prej antikomunisti më 1990
Replikat e së enjtes në parlament e kanë bërë kryeministrin Rama të sjellë në vëmendje edhe njëherë qasjen e sotme ndaj komunizmit. Në një debat me deputetët Kujtim Gjuzi e Adriatik Alimadhi, ai tha:




“Sa për komunistin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të, im atë po, ka qenë komunist si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë, kur ju, tani të thuash ty ju, është fyerje për Mithat Frashërin, se je një mbetje e lodhur në një gropë të historisë, por po ju them, që s’kam asnjë problem me komunistë e ballistë si persona dhe juve e mësuat këtë nga Enver Hoxha se ju bëri më të zi sesa veten, në mënyrën se si sulmoni kundërshtarin, se ju mësoi ai merru me mesazherin jo me mesazhin, se po të kishit në dorë ju do të ishit më zi se Enver Hoxha. Socialistët që ta dish, janë antifashistë dhe antikomunistë, jo si i mendoni ju, por nuk merren me persona, me ideologjitë dhe kjo është ndarja e madhe, ju jeni kopje e zezë, ti, tjetri, tjetri, Saliu i pari, dhe ata që janë jashtë kopje e zezë e të shkuarës që i turreni të kuqes si demi, por jeni e zeza, se e ktheni politikën në instrument për të fyer e sulmuar njerëz”- tha Rama ndër të tjera.

Prej tërë diskutimit,  pjesë “ komunist si shumë të tjerë, kanë qenë në anën e duhur të historisë”, lë vend për debat, në një kohë kur është kërkuar me forcë llogaridhënia për të shkuarën e më së paku, distancimi prej saj. Deklaratat e të enjten për komunistët dhe anën e duhur të historisë janë  pritur me rezerva në qarqet intelektuale në vend. Herë si mohim i krimeve e herë si fyerje për familjet e përndjekura që nuk gjetën kurrë drejtësi, retorika e shefit te qeverisë, është lexuar në këndvështrime të ndryshme. Ne kemi kërkuar mendimin e dy prej emrave që merren me studime politike e shkenca sociale, për të kuptuar qasjen publike ndaj deklaratës së shefit të qeverisë.

REAGIMI I AFRIM KRASNIQIT PËR “GSH”

Unë personalisht bëj dallimin midis individit Kristaq Rama si artist dhe qytetar, të cilin natyrisht e respektoj, me të njëjtin individ si zyrtar i një regjimi represiv dhe të dhunshëm, për të cilin natyrisht ndaj opinion të ndryshëm. Kryeministri i sotëm është produkt i atij mjedisi dhe atij statusi social të privilegjuar që i siguroi përmes anës së dytë të individit. Në fillim të viteve 90-të ai u përpoq të distancohej nga trashëgimia politike e brezit të babait dhe mori qëndrime radikale, deri në kërkesën për nxjerrje jashtë ligji të asaj trashëgimie. Pas 30 vjetësh është i njëjti person, por tashmë si udhëheqës i pjesës së mbetur të asaj trashëgimie, i një partie me lidhje të forta me të kaluarën dhe i një fryme gati imponuese për rehabilitimin e të kaluarës jo si zëdhënëse e saj, por si numra elektoralë, si frymë elektorale dhe si bazë mbështetëse politike. Sa herë vijnë zgjedhjet Rama bëhet njësh me veteranët e nderimit me grusht, sa herë mbarojnë zgjedhjet i braktis ata dhe merr pozita moderniste. Tani po vijnë zgjedhjet dhe ai ka nevojë për mobilizimin e të majtës, përfshirë asaj komuniste, gjë që po e bën duke mbrojtur e promovuar trashëgiminë e tyre. Një diktaturë nuk mund të jetë në anën e duhur të historisë, një vend i dënuar me varfëri dhe izolim, me urrejtje ndaj botës perëndimore, besimit dhe të drejtave të njeriut nuk mund të jetë në anën e duhur të historisë, siç edhe sot, një elitë politike e korruptuar që promovon si alternativë oligarkinë, legalizimin e kanabisit apo injorimin e shtetit të së drejtës natyrisht nuk është në anën e duhur të historisë. Ligjërimi për anën e duhur të historisë ditën kur Shqipëria mori një vendim kundër çdo këshille perëndimore, është edhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen në një debat pa përmbajtje, për të provokuar zhvendosje të debatit publik dhe për të siguruar mbështetësit e tij se po u mbron pushtetin dhe trashëgiminë. Së fundi, zoti Rama ka përdorur gjithnjë kartëvizitën e njeriut artist e modern në një vend post otoman, gjë që është atraktive për të huajt, por me detaje të tilla, si libri “Kurban”, personalizimi i pushtetit dhe publikes apo me kultivimin e konceptit oriental të mitizimit të fisit, kartëvizita e tij merr drejtim tjetër, duke i dhënë konotacionin e merituar të një modeli të qartë oriental në politikën shqiptare.

JONILA GODOLE PËR “GSH”

Të njëjtën qasje ka edhe Jonila Godole nga IDMC. Ajo  e sheh deklaratën si fyerje të mijëra jetëve të shqiptarëve deri edhe fëmijë, që vdiqën në burgje, kampe a internim. Mandej nuk ngurron të gjej shenja regresi në profilin e një politikani.

“Deklarata e kryeministrit, fyen të përndjekurit në vend. Ka mijëra qytetarë që në atë regjim janë vrarë, janë burgosur ose janë internuar. Ai regjim nuk kurseu as fëmijët. Ndaj një deklaratë e tillë është fyese sidomos për një kryeministër. Kjo tregon që forca politike e tij nuk është distancuar nga shkuara e vet. Madje një diskurs i tillë, ripërdoret disa herë para zgjedhjeve, qoftë edhe për të mbledhur elektoratin e majtë. Vërej në këtë rast edhe një lloj regresi të vetë kryeministri. Rama i 1990-ës ka qenë një pedagog pothuaj antikomunist i çmendur që frymëzonte studentët me qëndrimet e tij mbi demokracinë dhe të drejtat. Gjithnjë e më shumë shihet se ka pësuar regres,që tek qajsa autoritare dhe mënyrat e mekanizmat për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht”, tha Jonila Godole.

Gjatë regjimit komunist në vendin tonë, së pari u dënuan deputetët opozitarë e intelektualët, mandej kleri e çdo kundërshtar politik. 30 vite pas rënies së regjimit, për krimet nuk ka fajtorë, madje familjet e rreth 6 mijë të dënuarve kërkojnë ende eshtrat e të afërmve.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.