OPINION

Kafehaneja shqiptare: shkollë e formimit të karakterit të keq të shqiptarit

13:03 - 03.08.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një e metë serioze e karakterit të shqiptarëve, të cilën Mid’hat Frashëri e quante si të metën më të madhe të karakterit të shqiptarit, është kotësia, e cila shfaqet në mënyrë spektakolare me qëndrimin e shqiptarëve nëpër kafene. Duke pasur parasysh se çfarë ishte kafeneja shqiptare, Vangjel Koça në 1929 do ta denonconte qëndrimin e shqiptarëve në kafene si një plagë të vërtetë shoqërore:
Njëra nga plagët tona së cilës nuk i kanë vënë re veçse tepër pak njerëz, janë kafenetë. Këto lozin një rol shumë të dëmshëm në jetën tonë shoqërore. Qoftë në kryeqytet, qoftë nëpër provinca gjer në fshatrat më të vogla, shumica e popullit një pjesë të madhe të jetës e shkon në kafene.
Që nga koha kur Vangjel Koça shkruante kështu dhe deri në ditët tona, kjo plagë shoqërore vetëm sa është përkeqësuar. Me shumë mundësi, shqiptarët e sotëm rrinë në kafene më shumë se ata të kohës kur shkruante Vangjel Koça. Një gjë është e sigurt, që sot ka më shumë kafene në raport me popullsinë se në kohën kur shkruante Vangjel Koça. Por një tjetër problem me kafenenë shqiptare është se ajo edhe kur ka një pamje shumë moderne, në thelb nuk është gjë tjetër veçse mejhaneja orientale, me të gjitha traditat e saj.
Vangjel Koça thoshte se reformat në Shqipëri duhet të nisin nga reformimi i kafeneve nga ndryshimi i tyre. Sepse kafenetë në Shqipëri ishin shndërruar në shkolla të formimit të keq të karakterit të njeriut shqiptar. Faik Faik Konica, në “Doktor Gjilpëra kur zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, thotë se nga vëzhgimi i kafeneve të një vendi mund të kuptosh shumë për karakterin e popullit të atij vendi:
Kafenetë e Shqipërisë janë vënde të fëlliqura e të mërzitura; dhe asnjeri me mendje të hollë s’ mund të kërkojë atje dëfrim në mes tymeve, të pështymave dhe zhurmës. Po nga ana tjatër, për vëzhgonjësin e mënyrave, për nxanësin e shpirtit të popullit, kafenetë janë shkolla të vërteta plot me lëndë të vyer dhe me mësime.
Të huajt që kanë vizituar Shqipërinë e kanë ditur këtë gjë, prandaj kanë vëzhguar kafenetë shqiptare. Dhe kafenenë shqiptare si plagë shoqërore e kanë vënë re edhe shumë të huaj. Kështu, Ambroz Bredli Kelli, një zyrtar i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, në 1922, si këndvështrimin më të mirë për të përshkruar zhvillimet politike dhe shoqërore në Tiranën e kohës, kishte zgjedhur kafenetë të cilat ishin qendrat e jetës shoqërore dhe politike në vend: Kafenetë që kaltërojnë nga tymi i duhanit dhe kundërmojnë nga aroma pikante e kafesë turke, gumëzhijnë nga bisedimet e klientelës së ndenjur nga para tavolinave, ku flasin, argumentojnë, bëjnë plane, komplote, ose mbrojnë, konspirojnë dhe ndërtojnë kabinete qeverish.
Kjo ishte pikërisht kafeneja e llojit oriental për të cilën flet Vangjel Koça, ajo kafene ku bëhej edhe politika, edhe punët e shtetit, por ku njerëzit më shumë vegjetonin, duke harxhuar kohën kot, me thashetheme apo lodra të ndryshme. Në këtë përshkrim të kafenesë shqiptare nga ky amerikan, kuptohet se çfarë është kotësia shqiptare, për të cilën tërheq vëmendjen Mid’hat Frashëri. Është e çuditshme sa shpejt u binte në sy perëndimorëve që vizitonin Shqipërinë roli i veçantë i kafenesë në shoqërinë shqiptare. Ndoshta sepse ishin të pamësuar me diçka të tillë në vendin nga vinin, atyre iu tërhiqte vëmendjen kjo dukuri, pa e kuptuar domethënien e saj të vërtetë. Pastaj, si i viheshin ta vëzhgonin nga kureshtja, e kuptonin se kishin zbuluar befas qendrën e vërtetë të jetës shqiptari. Gazetari suedez Sven Auren, në librin e tij “Orienti i Europës: shënime nga udhëtimi nëpër Shqipëri”, të botuar në 1936, përshkruan kafenenë kryesore të kryeqytetit shqiptar Tiranës, si një mejhane orientale të kamufluar pas pamjes së jashtme moderne europiane:
Kafe “Kursali” ndodhet përballë ndërtesës së kuqe dykatëshe të prefektit dhe përbëhet nga një shtëpi e vogël e stilit amerikan, me një tarracë e një lulishte të futur si pykë midis dy rrugësh. E zbukurojnë disa pemë të holla, kryesisht palma, si dhe lule të thara, të cilat përkulin gjethet drejt rërës së ndritur, si për t’ u mbrojtur nga dielli. Klient i kësaj kafeneje është gjithë Tirana, gjithkush që dëshiron të marrë vesh apo të thotë diçka. Këtu është oborri i takimit të parisë politike me adhuruesit e tyre. Këtu mblidhen burrat intrigantë e parazitë, mashtrues e të ndershëm. Është një vajtje-ardhje e vazhdueshme, e mbushur me pëshpëritje dhe llomotitje, një kor i çuditshëm fërshëritjeje zërash e qeshjesh të shpejta, si fshehtazi. Njerëzit shikojnë tinës, sa majtas djathtas, dëgjojnë vetë gjithë sy e veshë, ndërsa përpiqen t’ i pengojnë të tjerët që të dëgjojnë. Ndonjëherë të duket sikur edhe ajri i atyshëm drithërohet së bashku me politikanët diletantë nga kjo politikë e ndyrë ekzistenciale; sikur edhe gjethet e palmave nuk janë veçse ca veshë të mëdhenj që zgjaten mbi tavolinat për të kapur sa më shumë nga ato vendimet misterioze dhe marrëveshjet sekrete. Madje edhe tavolina ime sikur ka një pamje tinzare dhe krejtësisht sekrete. Më duket sikur po përkulet majtas që të mund të kuptojë se çfarë thonë ata tre oficerët aty pranë.
E njëjta gjë ndodh sot me kafenetë në hotel “Tirana International”, në hotel “Sheraton” dhe në hotel “Rogner”, të cilat kanë të njëjtin rol që kishte “Kursali” në Tiranën e kohës kur shkruante suedezi Auren. Ky gazetar suedez ua rekomandon të huajve kafe “Kursalin”, si një pikë të domosdoshme për atë që dëshiron të njohë vendin:
Prandaj “Kursali” është pikënisja e detyruar për këdo që dëshiron të informohet mbi politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit.
Në të njëjtën mënyrë sot të huajt që e kanë njohur tani më Shqipërinë dhe shkruajnë për të, i rekomandojnë hotel “Sheratonin” dhe hotel “Rognerin” (kafenetë e tyre) si vende që kanë në jetën shoqërore shqiptare atë funksion si dikur kafe “Kursal”. At Gjergj Fishta ka qenë një kritik i rreptë i kafenesë shqiptare, si qendër e jetës politike-shoqërore-“intelektuale” në vend. Në 1923, Fishta shkruante për konceptet e gabuara që përhapeshin gjerësisht në opinionin publik shqiptar, nëpër kafenetë e vendit:
Nëpër kafe e mejhane të qyteteve të Shqipnis flitet, se politika s’ asht tjetër veç nji rrenë: por e kanë gabim; se politika asht një dije, mson si me u dhanë të mbarën popujve, e jo si me rrejtë botën e me mahitë kombet.
Shqiptarët duke mos qenë individë qytetarë, në kuptimin europian, por individë fisnorë nuk mund të besonin që mund të ekzistonte politika, sipas kuptimit origjinal të fjalës në Greqinë e Lashtë, dhe që ka kuptimin e ndikimit mbi njerëzit e tjerë, sa iu përket mënyrës së zgjidhjes së çështjeve publike, nga qeverisësit dhe të qeverisurit, e gjithë kjo mbi bazën e ideve dhe interesave publike. Pra, shqiptarët mendonin se politika ishte arti i gënjeshtrave, jo arti i qeverisjes. Edhe nëse do ta dëgjonin këtë të fundit, shqiptarët do të mendonin se e gjithë kjo nuk mund të jetë veçse një gënjeshtër e madhe, pasi ata ishin mësuar që ato që në shoqëritë europiane quheshin çështje publike me të cilat merreshin qytetarët, nuk kishin asnjë lidhje me ata, dhe mund të përfytyronin që të përziheshin në to, vetëm kur ndonjë prijës iu kërkonte mbështetjen e tyre, për të luftuar rivalin e tij, duke iu premtuar një shpërblim të çastit dhe të prekshëm. Politika, sipas modelit europian, ofronte shpërblime jo të prekshme, në formën e premtimeve, prandaj shihej apriori si një gënjeshtër. Të tilla ide nguliteshin në mendjen e njerëzve nëpër kafenetë shqiptare. Për ta politika normale ishte një gënjeshtër, ose siç thotë ai proverbi shumë i përhapur te shqiptarët “Politika është si kurva.” Dhe tani dilte Fishta dhe iu thoshte shqiptarëve se politika është diçka krejt tjetër, se ka politikë të mirë dhe të keqe, dhe se kjo në Shqipëri ishte politika në variantin e saj të keq. Kush e kuptonte? Që nga ajo kohë kanë kaluar më tepër se nëntëdhjetë vjet e megjithatë edhe sot, në mendjen e shqiptarë mbisundon i njëjti koncept për politikën që gjenerohet në kafenetë shqiptare, se politika është arti i gënjeshtrave. Elektorati shqiptar përbëhet kryesisht nga këta njerëz të formuar me koncepte të gabuara në kafenenë shqiptare. Këta janë njerëz që vendosin për votat e familjes së tyre. Në 1924 Fishta shkruante kështu për qeveritarët dhe politikanët shqiptarë të kohës:
Për me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtija: duhet nderë, dije, urti, burrni që se ç’ ka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija, po u zëjshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantanta t’ Europës, e mejhane e paçaxhihane të Tiranës, tue lujt “tavull” e “bixhoz” e tue pi “mastikë.
Njerëzit që bëjnë politikën dhe që qeverisin në Shqipëri, thotë Fishta për aq sa pretendojnë se kanë mësuar në Europë, duke shkuar atje, si udhëtarë apo studentë, nuk kanë marrë dije atje, sepse më shumë kanë vegjetuar në kafenetë e klubet e natës të qyteteve europiane, ku nuk merren dije e virtyte, por fitohen veset e këqija që përmend Fishta. E pastaj këto vese politikanët shqiptarë i kanë zhvilluar në kafenetë e restorantet e Tiranës, këto shkolla të formimit të keq të karakterit të njeriut ku dhelpëria, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia shpallen si cilësi për t’ u lavdëruar te njeriu. Që nga koha kur Fishta shkruante ashtu , ka kaluar rreth një shekull e megjithatë këto fjalë iu përshtaten qeveritarëve dhe politikanëve të sotëm shqiptarë, ndoshta më shumë se në 1924. Sepse politikanët shqiptarë janë formuar në kafenetë dhe restorantet, dhe atje e kalojnë një pjesë të madhe të kohës. Prandaj ata marrin votat e elektoratit të kafeneve. Po në vitin 1924, Fishta do të thoshte se politikanët e kafeneve e shndërruan parlamentin shqiptar në kafehane:
E parlamenti, mbasandej, çka bani? Mjaft me kndue procesverbalet, për me u vërtetue se parlamentarët tonë e kanë hangër haram rrogën e vet, e se parlamenti për ta, në ket kohë qesati, ka kenë një burim jetese private e jo nji institut përparimi të përgjithtë. E po: kush nder parlamentarët tanë shkrehi punën për me përfaqsues intereset e popullit parlament? Kurrkush; por të gjith, a mos tjetër 85% sish, duelën prej “kafeve” e “mejhaneve” e shkuen në parlament. Zati, prandej u ba, mbasandej, parlamenti “kafehane”.
Fishta thotë që parlamenti u shndërrua në kafene në kuptimin që debati në parlament bëhej si në kafene. Imagjinoni se çfarë do të kishte thënë Fishta në qoftë se do të kishte dëgjuar debatet në parlamentin shqiptar të kohës së sotme! Sepse nëse krahason debatet parlamentare të asaj kohe, me ato të sotmet, të duket se parlamenti shqiptar i kohës kur shkruan Fishta është parlamenti i një vendi perëndimor, jo i Shqipërisë. Në qoftë se parlamenti shqiptar i kohës së Fishtës ishte i ngjashëm me kafenetë e kohës, atëherë niveli i debatit në kafenetë shqiptare të asaj kohe duhet të ketë qenë më i lartë se sot. Dhe për rrjedhim niveli i debatit në kafenetë shqiptare të kohës së sotme duhet të ketë rënë shumë. Sherret me fjalë dhe jo vetëm me fjalë në parlamentin e sotëm shqiptar janë të ngjashme me sherret në kafenetë më të këqija të Shqipërisë së sotme.
Mendimtarët shqiptarë të asaj kohe e shikonin rolin e keq të kafeneve shqiptare nuk ishte vetëm se formuan politikanë të këqij, por se formuan edhe intelektualë të këqij. Tajar Zavalani në 1934, shkruante për intelektualët e rinj shqiptarë, si produkte të kafeneve:
Ata mbasi nxijën letër tërë ditën nëpër zyrat për të gjetur nonjë shkresë o nonjë plug të arratisur në labirintin burokratik, mblidhen nëpër kafenetëdhe flasin mbi situatën. Që të gjithë e pranojnë se punët venë keq, keq sa s’ ka ku të vejë më. Pa e lënë të mbaronjë fjalën gjithë të tjerët ngrenë duart në qiell dhe pshertijnë: Ah! S’ bëhet gjë me këtë popull! Fillon pastaj numurimi i të metave të këtij “populli” që ndalon intelektualët të realizojnë idealin e tyre. Po ky ideal ç’ është vallë? A mos është zgjimi i popullit, dalja e tij nga errësira ku gjendet sot? Jo, aspakë! Ideali i shumë intelektualëve të rinj shqiptarë është një jetë e rehatëshme, pa andrralla as mundime, me para boll, konfort e dëfrime moderne. Dhe në është se ata nuk e gëzojnë këtë jetë të ëndëruar, fajin e ka populli, i cili nuk kupton shpirtin e intelektualëve dhe nuk vepron siç dëshërojnë ata.
Kuptohet se idealet nuk krijohen nëpër kafene, kështu që shumica e intelektualëve shqiptarë duke vegjetuar nëpër kafene nuk mund të sillnin ndonjë kontribut në Mendimin Shqiptar. Krist Maloki në artikullin e tij të famshëm “Oriental apo Okcidental”, duke shkruar për ndikimin e keq të kafeneve në formimin e të ashtuquajturve oksidentalë shqiptarë, rimerr idenë e Fishtës të vitit 1924, të cilën e citon, si dhe potencon tezën e Tajar Zavalanit, duke e parë edhe të ashtuquajturin oksidental shqiptar si njerëz që në Perëndim më shumë kanë vegjetuar nëpër kafene, sesa kanë marrë dije dhe prandaj në thelb nuk ndryshojnë nga orientalët shqiptarë. Por Maloki citon vetëm Fishtën, jo edhe Zavalanin. Sidoqoftë, Maloki shkruan:
Sa për okcidentalizmën shqiptare âsht fort zor me bâ fjalë nër ne; sepse shqiptarët e sotshëm – (përjashtimet e vërtetojnë rregullën!) – gjinden aq larg nga okcidentalizma e vërtetë sa do të na duheshin gjuhënat e meleq-ve apo edhe burizanat e Jeriho-s që të na kuptonte pak a shumë bota arbnore. Vet djelmnia e shkollueme e ka gabim kur kujton se okcidentalizma përmbahet vetëm nër veshje e mbathje evropiane, apo në të ndenjurit plot kotësi nër sallona, ner danse e “me kafe shantanta e balerina” (si thotë Pater Fishta), apo edhe me kryemjen e ndonjë detyre pro forma sa me rrëmbye një rrogë të majme, etj, etj… (Na këtu, helbetè, po flasim me popullin xhahil dhe jo me engjikllopedistat e patentuem – dalun zoras nga ndonjë deriçkë universiteti “bon pour l’Orient!”)… E prandej po i sjellkemi edhe popullit dhe po i themi se okcidentalizma e vërtetë diftohet piksëpari me kryemjen e një detyre të ndershme – fund e majë për hatër t’asaj detyre dhe pa me qenë i shtyem nga zori, nga ndonjë dishir i prujtun apo nga shkëlqimii ndonjë fitimi material. Bilè okcidentali i vërtetë karakterizohet nëpër mënyrën se si aj i ngarkon vetes – fare vetdashas – detyrë të randa, jashta detyrave ordinare e të domosdoshme. Heroizëm s’kërkohet prej askujt, porse lartësia morale e një okcidentali matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit rreth një ideje së naltë…rreth një ideje që s’ka punë me kolltukë, me llokma e me meashe.
Oksidentalët shqiptarë ishin intelektualë të cilët kishin kaluar nga kafenetë e Shqipërisë në kafenetë e Europës, ku kishin shkuar për studime universitare, për t’ u rikthyer në kafenetë e Shqipërisë, pas përfundimit të studimeve. Dhe meqenëse në kafenetë e Europës nuk rrinte askush për një kohë të gjatë në kafene, përveç të huajve si këta lloj shqiptarësh, atëherë atje ata nuk e kalonin kohën me oksidentalët e vërtetë, por me të ngjashmit e tyre, nga vende si Shqipëria, të ardhur për të studiuar. Dhe atje në kafenetë e Europës ushtronin ndikim të keq mbi njëri-tjetrin.
Faik Konica na tregon për një tjetër dukuri të keqe që kishte ekzistuar në kafenetë shqiptare, por që sipas tij ishte zhdukur me kalimin e kohës dhe pothuajse nuk ekzistonte më në kohën e tij. Ky ishte provokimi. Konica shkruan për këtë.
Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit është provokimi. Megjithatë, në të kaluarën ka pasur një tip ngaci të përbuzur, i cili kishte kënaqësi të provokonte përleshje vetëm për hir të qejfit. Tipa të tillë hynin në kafene ose në ndonjë vend tjetër dhe e lëshonin një cep të brezit që të zvarritej për tokë pas tyre. Dhe sapo dikush pa e parë e shkelte cepin e brezit, dhe kjo ishte një gjë që doemos do të ndodhte, ata ktheheshin, nxirrnin jataganin dhe i kërkonin shkelësit që të nxirrte dhe ai jataganin e të ndesheshin. Mbretërimit të këtyre provokimeve i dha fund më shumë hyrja e pistoletës se sa trysnia e policisë.
Për fat të keq një dukuri e tillë është ringjallur sot në kafenetë e shumta të Shqipërisë, ku për provokime të kota, shpesh kanë krisur koburet dhe kallashnikovët dhe janë vrarë e plagosur shumë njerëz, madje jo pak prej tyre duke mos pasur lidhje me palët që grindeshin. Ne sot shohim se kafenetë zënë vendin e parë si skena krimi në kronikën e zezë në Shqipëri. Në një masë të madhe kjo gjë është rezultat i kotësisë shqiptare, për të cilën flet Mid’hat Frashëri dhe së cilës ne vazhdojmë t’ia vuajmë pasojat, dhe do t’ ia vuajmë sa kohë që nuk jemi marrë seriozisht me kurimin e saj. Pjesa më e madhe e atyre që grinden, duke u rrahur e duke qëlluar me armë njëri-tjetrin në kafenetë e Shqipërisë, kur pyeten për shkaqet e grindjes më pas, kur gjaku është ftohur, detyrohen të pranojnë se gjithçka ndodhi “ashtu kot fare”! Por nuk harrojnë të shtojnë se fajin natyrisht e ka pala tjetër. Kafenetë e Shqipërisë shpesh kanë qenë dhe janë akoma dhe sot skena të grindjeve e përleshjeve me armë, duke qenë ndër vendet ku janë vrarë dhe plagosur më shumë njerëz në Shqipëri.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.