Kryesore

Shëndetësia, në sfidë me kohën dhe koronavirusin

13:05 - 03.08.20 Vlera Lekaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Besimi im shkon për të gjithë ata që luftojnë secili në mënyrën e tij, njeriu për njeriun. Ky artikull i dedikohet triumfit të njeriut mbi të panjohurën. Një retrospektive e pandimeve që kanë goditur botën.




LUFTA ME TË PANJOHURËN
Historitë e njerëzimit në luftë me sëmundjet kanë qenë bashkëshoqëruese në një rrugëtim të gjatë dhe shpesh me përfundim fatal, ku shoqëri njerëzore nga e gjithë bota nuk kanë mundur t’u mbijetojnë betejave me shumë sëmundje. Por në çdo anë të historisë, pavarësisht bilanceve, shpeshherë tragjike njeriu përherë ka mbizotëruar mbi sëmundjen, është ripërtëritur dhe rimëkëmbur, duke treguar epërsinë e tij si qenie mbi çdo qenie tjetër. Pikërisht për këtë natyra i druhet dhe mban të fshehur në gjirin e saj gjallesa, të dukshme e të padukshme që përbëjnë rrezik për jetën e njeriut. Këto gjallesa të padukshme i kemi përherë mes nesh, në jetën tonë të përditshme dhe i njohim si viruse dhe baktere. Por, ajo që nuk njohim është fuqia dhe rrezikshmëria e tyre, si armë e natyrës për të na sulmuar në çdo kohë pa e ditur se kur mund te ndodhë.
Informacioni që kam zgjedhur të ndaj me lexuesit ka në fokus një retrospektivë të epidemive më të rrezikshme që kanë goditur globin.
Për herë të parë në historinë e njerëzimit rreziku i kanoset nga një parazit, i quajtur paraziti i malaries, i cili gjendet te mushkonjat. Këto të dhëna datojnë që para 30 milionë vitesh, duke e konsideruar kështu malarien si një sëmundje të lashtë. Forma e saj e përhapur te njeriu e ka origjinën nga Afrika dhe pavarësisht antikitetit të saj si sëmundje, përbën një problem që kërkon zgjidhje dhe në ditët e sotme, ku OBSH e cilëson si sëmundje e cila çdo 2 minuta merr një jetë fëmije në Afrikë. Paraqitet me simptomat e një sëmundje infektive me temperaturë të lartë, ethe dhe dhimbje koke si dhe më të rrezikuarit janë fëmijët e moshës 5 vjeç, ku në 2018 kjo grupmoshë vulnerabël përbente 67% të vdekjeve nga malaria në rang botëror. Është një sëmundje vdekjeprurëse, e cila transmetohet nga pickimet e një lloj mushkonje, por e parandalueshme si dhe e kurueshme (me grupet e medikamenteve antimalarike) në ditët e sotme. Forma e saj më e rëndë te fëmijët shkakton anemi të rëndë, detres respirator, ndërsa tek të rriturit i nsuficiencë multiorganore. Zhvillimi i munitetit ndaj kësaj sëmundje ndodh me kalimin e disa viteve ekspozim ndaj saj, ku vetëm në një kohë të mëvonshme, megjithëse nuk ndodh një mbrojtje imunitare e plotë, ndodh reduktimi i mundësisë për të kaluar një formë të rëndë të saj. Parandalimi i malaries është i veçantë, sepse lidhet me kontrollin e vektorit të saj transmetues, mushkonjat, ku i nsekticidet në formë “spray”, pra dezinfektimet e ambienteve kanë rolin kryesor. Nuk është një sëmundje që transmetohet me spërkla apo me prekje.
Në prag të epokës mesjetare do të godiste njerëzimin dhe qytetërimet e atëhershme një sëmundje e tmerrshme, e cila do të shkaktonte dhjetëra milionë vdekje në Europë. Një sëmundje e cila njihet si Murtaja. Diskutimet për periudhën e saktë të shpërthimit të saj të parë vazhdojnë ende sot, sepse nuk dihet kur nisi një përhapje e saj, por evidentohet vetëm ashpërsia e saj për të marrë shumë jetë njerëzish në një kohë shumë të shkurtër. Bota njeh 3 pandemi të fuqishme të Murtajës, ku e fundit daton në prag të shekullit 20, dukë e përcaktuar kështu sëmundjen e Murtajës ose siç njihet ndryshe shkencërisht(Yersinia Pestis), në eventin biologjik më fatal të njohur në histori. Fataliteti i saj varion nga 30%-100% vdekshmëri nëse nuk trajtohet, me një periudhë inkubacioni 3-7 ditë. Yersinia Pestis është një bakter i gjendur te gjitarët. Sëmundja transmetohet nga kafshët nëpërmjet parazitëve që ato mbartin dhe meqenëse është një Zoonoze, mund të transmetohet nga kafsha te njeriu. Transmetimi te njeriu ndodh nëpërmjet kafshës siç e përmendëm, nga kontakti i drejtpërdrejtë me materiale të infektuara, ose nëpërmjet rrugëve inhalatore pra me spërkla. Format e saj më të rënda janë pneumonia dhe septicemia. Në formën e saj më të lehtë e cila njihet “Bubonic Plague”, nga kafshimi i kafshës, bakteri i Murtajës që hyn në gjak, qarkullon nëpërmjet sistemit limfatik dhe vjen e vendoset në limfonodulin më të afërt, i cili më pas inflamohet dhe ulcerohet. Por në këtë lloj forme nuk transmetohet ndërmjet njerëzve. Ndërsa forma septicemike ndodh kur infeksioni transmetohet nëpërmjet gjakut dhe merret nga kontakti me plagët, apo të çarat e një personi të infektuar. Forma që shkakton pneumoni është forma më e rrallë e saj, e cila godet mushkërinë, si pasojë e komplikacioneve të formës së saj bubonike. Pra, është një formë sekondare, që transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet spërklave. Trajtimi i murtajës është simptomatik dhe me terapi antibiotikësh, duke vepruar shpejt në kohë, shpëtohet jeta. Për udhëtarët, sidomos në disa zona të Afrikës si Madagaskar duhet të kenë kujdes që kjo është zonë endemike për Malarie dhe Murtajë. Sipas rekomandimit të mjekut sugjerohen profilaksitë përkatëse me antimalarikë, për Malarien më së shumti, por edhe antibiotikoterapi në rast gjykimi të nevojshëm, sidomos nëse në kontakt me persona që shfaqin formën pneumonike të murtajës. Nuk duhet të rrinë në ambiente të populluara me njerëz, nuk duhen prekur kafshët e ngordhura, si dhe përdorimi i spray insekticide me përbërje të përcaktuar. Pavarësisht se studimet janë zgjeruar në kohë dhe vaksinat për këto 2 patologji infektive ekzistojnë, përkatësisht për malarien administrohet në 4 doza, duke ulur rrezikun e formave të saj të rënda, sidomos formës që shkakton anemi. Disa studiues prononcohen se deri në vitin 2050 mund të zhduket malaria. Ndërsa për murtajën që në vitet 1890 është studiuar vaksina e saj me bakterin e vdekur, por nuk ka efektin e dëshiruar tek forma e saj pneumonike. Për shumë vite është përdorur dhe teknika e imunizimit ndaj Murtajës me një kombinim të bakterit të gjallë, por të dobësuar me vaksinë proteinike, e cila ka në përbërje të saj antigenin e patogjenit në fjalë, duke shkaktuar kështu një përgjigje i munitare. OBSH (Organizata Botërore E Shëndetit) rekomandon të ndiqen teknika të reja të i munizimit ndaj Murtajës, që zhvillohen çdo ditë në një gjeneratë të re vaksinash.
Kohët e fundit qarkullojnë dhe informacione që kanë zgjuar interesin e lexuesit për të ashtuquajturin Gripi Spanjoll. Sot jemi gati 100 vite pas kësaj pandemie gripi e vitit 1918, e bota kujton bashkë me të dhe një nga krizat më të mëdha të sistemit shëndetësor në historinë moderne. Pikënisjen e pati gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shumë shpejt infektoi 1/3 e popullsisë së botës. Fatalitetin e kishte më të shprehur në grupmoshat 20-40 vjeç.
E paparashikueshme, në shpërthimet e saj epidemike në vitet në vazhdim. Sipas një rendi kronologjik për ta njohur më mirë:
1957-Shpërthimi i epidemisë së këtij gripi nis në Kinë, por shumë shpejt përhapet në të gjithë botën, duke kaluar kështu në pandemi dhe duke shkaktuar 1 milion të vdekur në të gjithë botën.
1968-Një tjetër periudhë e errët me një epidemik gripi, që shkaktoi 1.3 milionë të vdekur në nivel global, duke shënuar kështu kalimin në një tjetër shpërthim pandemik që godet njerëzimin.
2003- Ky vit shënon epideminë e Gripit të Shpendëve A (H5N1), i cili konfirmon transmetimin nga kafsha te njeriu, por nuk arrin për fat të mirë një stad pandemie, sepse nuk përhapet nga njeriu te njeriu.
2009-Pandemia e Gripit të Derrit A(H1N1), e pati pikënisjen në Meksikë dhe u përhap në rreth 214 shtete të botës përtej oqeane e dete, por një tjetër goditje fati për botën, nuk përbënte fatalitet.
Shkencëtarët janë në kërkim dhe studim të vazhdueshëm të shkaktarëve të këtyre epidemive, të mënyrës së tyre të veprimit, duke ruajtur vigjilencën ndaj këtyre mikroorganizmash të pabesë, sepse shpërthimi i radhës nuk mund të parashikohet, por mund të jetë më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm.
Virusi i Ebolës përgjatë viteve 2014-2016 shpërthen në harkun kohor më të gjatë që nga koha e zbulimit të tij në vitin 1976. Vendi i shpërthimit shënohet në Afrikën Qendrore në afërsi të pyjeve tropikale. Virusi transmetohet tek njerëzit nëpërmjet kafshëve të egra. Nga njeriu tek njeriu transmetohet nëpërmjet kontaktit me sekrecione, gjak, lëngje humane, si dhe nga sipërfaqet e kontaminuara me këto materiale.
Ebola regjistrohet si sëmundje me fatalitet të lartë, çka ka bërë që të punohet shpejt dhe me efikasitet të lartë për të nxjerrë në treg vaksinën kundër saj.
Nuk dihet të ketë ndonjë mënyrë të veçantë parandalimi të virusit, përveç kujdesit për mirushqyerjen dhe higjienën personale. Vaksina që rezultoi efikase dhe mbrojtëse ndaj virusit të Ebolës, u provua në testimet e realizuara në Guinea në vitin 2015.
Klinika e sëmundjes së Ebolës është e ngjashme me të gjitha klinikat që ka në bazë një sëmundje infektive, me ethe, temperaturë të lartë, dhimbje trupi, dhimbje kockash. Për këtë arsye në kohë është dashur të zhvillohen teste specifike për gjurmimin e saj në organizmin e njeriut.
Në fund të shkurtit të vitit 2003, botës i prezantohet një rrezik i ri i njohur si SARS (Sindroma e sëmundjes respiratore akute). Shkaktar i kësaj patologjie njihen të jenë koronaviruset, e cila është e njëjta familje që shkakton të ftohurën. Klinika e shfaqjes kështu ngjan me ftohjen e thjeshtë, ku në ditët e para mbizotërojnë simptomat e ethes, temperaturë e lartë, kollë e thatë. Më pas mund të ketë një komplikim të gjendjes shëndetësore me vështirësi në frymëmarrje, e deri në një fatalitet të mundshëm.
SARS përhapet shumë shpejt nëpërmjet spërklave kryesisht, të folurës, kollitjes, teshtitjes.
Prandaj dhe masat parandaluese lidhen ngushtësisht me higjienën, dezinfektimin, komunikimin me maska mbrojtëse sidomos në ambiente spitalore. Në fillimet e shfaqjes ka qenë shumë e vështirë të identifikojë virusin nëpër analiza, por më pas shumë analiza janë perfeksionuar për të gjurmuar virusin që shkakton SARS. Asnjë mjekim specifik nuk është vërtetuar të funksionojë as antibiotikoterapi dhe as antiviralët, çdo gjë konsiston në parandalim. Suksesi në neutralizimin e virusit të SARS konsiston në ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit. Në ditët e sotme instancat shëndetësore mbajnë në mbikëqyrje shfaqjet e mundshme të këtij virusi, në mënyrë që të izolohen pa rrezikuar transmetim të mëtejshëm.
Për të ardhur në vitin 2020 vitin e shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Novel Coronavirus, coronaviruset janë një familje e madhe virusesh të cilët shkaktojnë sëmundje nga e ftohura e thjeshtë e deri tek sëmundjet respiratore të rënda. Aktualisht shtetet po përjetojnë një shpërthim të Novel Coronavirus, i cili shkakton komplikacione respiratore të rënda në formën e pneumonisë. Moshat më të rrezikuara duken të jenë mbi 60 vjeç e lart, si dhe transmetimi i sëmundjes është shumë i shpejtë. Si çdo shpërthim viral i shpejtë dhe deri diku i panjohur, sepse viruset mbeten një lloj mikroorganizmi, i cili mund të ndryshojë formë gjenetike dhe veprim duke vështirësuar përgatitjen përballë tij të strukturave shëndetësore. Sot bota, njerëzit, shëndetësia është në një sfidë me kohën, që të mbizotërojë aktivitetin e virusit përpara se ai të marrë më shumë jetë njerëzish. Historia ka treguar epërsinë e njeriut mbi të papriturën për ta kthyer në forcë për të qenë i përgatitur në një të nesërme, dhe të panjohurën ta mbizotërojë duke e studiuar e shpalosur të vërtetën e saj. Suksesi është në krah të njeriut i cili përherë në rrjedhën e ngjarjeve të historisë është ai i cili ka ndryshuar boshtin qendror të busullës, duke mbizotëruar mbi çdo gjë që ka kanosur njerëzimin. Besimi im shkon për të gjithë ata që luftojnë, secili në mënyrën e tij, njeriu për njeriun.

Patologe Vlera Lekaj

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.