KULTURË

Qeveria miraton planin, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion

12:06 - 04.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Tetë muaj pas prezantimit të draftit jo pa debate, Këshilli i Ministrave ka miratuar me VKM, “Planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”. Sipas vendimit, për dhjetë vjet menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës Elva Margariti ka hyrë në fuqi, duke u botuar edhe në fletoren zyrtare, në mbështetje të kushtetutës edhe të ligjit për “Trashëgiminë kulturore edhe muzetë”, pas diskutimeve të shumta nga specialistët e trashëgimisë.
Referuar “Ligjit të Trashëgimisë Kulturore”, neni 172 përcakton se, Fondacionet e posaçme të trashëgimisë kulturore, në këtë rast Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, ka si qëllim: “Administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore, mbrojtjen, ruajtjen, restaurimin, vlerësimin e pasurive kulturore dhe dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë, në mënyrë joshteruese, qoftë veç e veç”.
Ndërkohë, para disa muajsh ky plan menaxhimi u miratua edhe nga Këshilli Kombëtar i trashëgimisë, ku sipas drejtuesit të Institut të Arkeologjisë Luan Përzhita janë reflektuar të gjitha pikat e diskutuara nga specialistët e trashëgimisë mbi kërkimet shkencore, asestet dhe laboratorët apo edhe hapësirat e tjera, që kanë të bëjnë me ekspeditat arkeologjike.
Plani i ri synon të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit 9,000 ha. Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.




Në vitin 2018 Butrintin e kanë vizituar 211,500 persona. Deri në vitin 2023, Butrintin presupozohet që ta vizitojnë 300,000. Nga muaj janar 2020 çmimi i biletës për të vizituar Parkun e Butrintit është 1 mijë lekë. Të ardhurat vjetore nga biletat gjatë viteve të kaluar kanë arritur rreth 1,5 milionë euro. Ndërsa, edhe pse ministrja e Kulturës Elva Margariti, është drejtuese e planit të integruar të Menaxhimit nuk dihet ende sesa do t’i kushtojë shtetit shqiptar implementimi i Planit të Integruar të Menaxhimit për dhjetë vite. një vit më parë, Ministrja Margariti thoshte se:
“Butrinti është një sfidë e madhe, jo vetëm se është një nga sitet e mëdha, por ku rekomandimet e UNESCO-s na shtojnë detyrime e përgjegjësi. Besoj që punët e mëdha fillojnë me sfida të mëdha. Kjo do jetë e para, por do të ketë të tjera nga pas. Kemi mundësinë që të ndërtojmë planet e menaxhimit për sitet e kulturës. Kam qenë e kënaqur që partnerët tanë ishin ekspertë të rëndësishëm që vinin me përvoja disavjeçare, duke filluar nga Pompei e Stonehenge. Të gjitha këto të përkthyera në një model zhvillimi, i cili nuk fokusohet vetëm në pjesën arkeologjike”. Ajo shprehej e gatshme për ta diskutuar këtë me të gjithë. “Kemi dëgjuar polemika mbi formulën e re të menaxhimit të Butrintit. Në gjithë botën fondacionet bashkohen me shtetin për të krijuar formula të qëndrueshme. Nuk po e shpikim ne, po e adaptojmë në vendin tonë. Kam nisur diskutimin për të në Butrint e Sarandë. Sa më parë të kemi nisur dialogun e ndryshimin e mendësisë aq më shpejt do të kemi bashkëpunëtorë të rinj dhe aktorë të rinj, sepse do kuptojnë që kjo që po bëjmë sot, është në të mirë të Butrintit dhe të gjithë kombit”, -thoshte Margariti. Koha, do të shtonte ajo do ta tregojë që sfida jonë për të ndërtuar një plan menaxhimi 10-vjeçar, është një sfidë sa e vështirë e përballueshme. “kemi gjetur bashkëpunim të mirë e dialog që sado debate të ketë pasur mes dy stafeve për të ndërtuar strukturën e re, ka rezultuar i frytshëm” pati deklaruar minsitrja.
VENDIMI
Nr. 583, datë 22.7.2020
PËR MIRATIMIN E PLANIT TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË PARKUT
KOMBËTAR TË BUTRINTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 47, të ligjit
nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës
dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e planit të menaxhimit të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, sipas tekstit
që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe
Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e
Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes
vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.