Kulturë

“ARTI I KATASTROFËS”/Luljeta Lleshanaku: Pasojat e pandemisë në kulturë, afatgjata

13:00 - 06.08.20 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Ndërsa humbjet në kulturë gjatë pandemisë llogariten rreth 90%, poetja Luljeta Lleshanaku flet për pasoja afatgjata prej mungesës së artit. Ajo sugjeron ndërhyrje të menjëhershme duke u fokusuar ne prodhim e jo në promovim. Duke e konsideruar kulturën, jo si luks, por si nevojë të domosdoshme, a kusht parësor për shoqëri të ndërgjegjshme, ajo sjell shembuj te perëndimit për një qasje mbështetëse që do ta shpëtonte nga honi i mbylljes.
“Pasojat e pandemisë në kulturë janë afatgjata. Nuk bëhet fjalë për një sezon, mund të shkojnë disa muaj e një vit. Në këtë mes Gjermania ka ndërmarrë masa duke dhënë deri në 50 milionë dollarë për mbështetjen e organizatave të kulturës. Nuk është vetëm Gjermania, por ajo ka qenë më e ndjeshmja aq sa lexova një artikull ku thuhej se ‘Gjermania i bëri me turp të gjithë’ me ndihmën për kulturën”, thotë ajo.
Ndërsa përmend shtete si Kanadaja, ajo argumenton se Shqipëria një ndërhyrje të tillë e ka të domosdoshme
“Shqipëria është një vend i vogël pa mundësi të tilla të mëdha e nuk mund të krahasohet. Por, pa ndërhyrje, Shqipëria do ketë vakum, një gropë të madh në kulturë”, thotë poetja.



Që heshtimi kulturor të mos zëvendësojë sezonet e gjalla artistike, ajo propozon takimet virtuale, si një metodë alternative vetëm për aq kohë sa masat anti-COVID e kërkojnë.
“Duhet zgjidhje për kulturën që të mos bllokohet. Sigurisht festivalet ‘online’ janë një zgjidhje. Unë vetë në muajin qershor mora pjesë në Festivalin e Poezisë në Berlin, që ishte planifikuar ndryshe e u bë ndryshe, duke ju përshtatur pandemisë. U bë një takim virtual”.
Sa i takon krijimtarisë në këtë kohë, ajo bën një dallim që e gjen me vend.
“Ka një gjë interesante që duhet thënë. Arti i katastrofës është ndryshe nga arti për katastrofën. Artit i nevojitet distance që të prodhoje ide. Unë shkrova një poemë për festivalin e Berlinit, duke e nisur mbi karantinën, një lloj ditari. Por, që tani e shoh që ka diçka që i mungon, është distanca kohore që duhet të kesh me një ngjarje për të prodhuar ide mbi të. Sepse ky është qëllimi i artit, idetë, ai nuk ka për qëllim të jetë vetëm deskriptiv”.
Duke vlerësuar situatat e kësisojta si një brerore që po aq sa ushtron presion edhe shërben si shtrat e nxitje letrare, poetja, vëren edhe qasjen e përkorë që mveshi audiencat e njerëzit e letrave në Karantinë.

“Ne pandemi, poetet u ngritën sipër egos vetjake. Postuan poetë e shkrimtarë shumë të mirë dhe arritën në atë mision të artit që është komunikimi. Kam lexuar autorë që kisha kohë pa i lexuar dhe kam parë të postohen poezi e prozë shumë e mirë”, tha ajo.
E pyetur mbi politikat kulturore që do të ishin urgjente për Shqipërinë pas një sezoni artistik të djegur e një tjetri që mbetet në dilemë, ajo i vë rëndësi prodhimit para promovimit.

“Është e domosdoshme të investohet në prodhimin e kulturës. Të gjenden grante e rezidenca për artistët që të arrijnë të krijojnë shkëputjen e të merren me art. Promovimi është i rëndësishëm pasi të jetë krijuar, e për të krijuar e prodhuar duhen kushtet për artistët”, vërën Lleshanaku.
Me qasjen për kulturën si luks, e për artistët si bizhu, dëmi që i bëhet shoqërisë në terma afatgjatë është tejet i madh. Kultura është kultivim i mendjes e një mendje e pakultivuar ndjell katastrofa.

“Ministrja gjermane e Kulturës kur njoftoi për grantin që iu dha artistëve e organizatave ju tha se artistët janë të domosdoshëm e vitalë për këtë situatë. Ne vetë, gjatë kësaj kohe të vështirë, ngushëllimin e kemi gjetur te arti e letërsia. Sepse kemi në një anë vdekjen e në një anë mbijetesën, është pra një situatë e vështirë”.
Lleshanaku është një prej poeteve më në zë në vend, me botime të shumta në gjuhë të huaja dhe me çmime që e veçojnë në Perëndim.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.