KULTURË

BOTIM I RI, poezitë e At Zef Pllumit

15:24 - 07.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Át Zef Pllumit i është botuar një libër me poezi nga “Botimet Françeskane” në Shkodër 2020. Për to, studiuesi Kujtim M. Shala shkruan se: “Vepra e vetme poetike që Pllumi, me pseudonimin Lis Mali, botoi për të gjallë është ‘Antipoezi për shekullin e njizetë’ (2001), me shënjim gjinie qysh në titull, madje me gjininë e përmbysur, me kanonin e shprishur dhe me shekullin si shenjë kohe e si shenjë të shprishjes. Një vepër e vogël, tematikisht tipike për Pllumin, e mbushur ideologji, me bazë dashurinë e faljen, si mësim moral e konstanta të diskursit të tij”. Sipas Shalës, vepra poetike e pabotuar e Pllumit është më e gjerë, e shkruar përgjatë jetës së tij burgjeve e llogoreve të punës së detyrueshme, në epokën e robërisë komuniste të shqiptarëve. Themelor është dorëshkrimi me 100 faqe, i titulluar “Poezi dhe Antipoezi”, shkruar në dekadën 1950-1960, i cili ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan të Gjuhadollit, në Shkodër, shoqëruara dhe me disa dorëshkrime të tjera.




Poezia e Zef Pllumit, është strukturuar nga vepra e botuar “Antipoezi për shekullin e njizetë”, Tiranë, 2001, dhe vepra në dorëshkrim “Poezi dhe Antipoezi” 1950-1960, e cila botohet për herë të parë, në trajtën në të cilën e la vetë Pllumi. Kështu, Poezi e përfaqëson Pllumin poet, në vepra të strukturuara e në libër të botuar.
Shala vërën se libri ‘Poezi’ kap cepat e poetikës së Zef Pllumit, për të dëshmuar se Pllumi dashuninë e parë me diskurset e pati me poezinë.
“Poezi” jep portretin e një poeti, në artikulimet e tij më të thella e më personale, madje në mësimet poetike tipike për një figurë morale si Zef Pllumi.
Botimi, si leximi i poezisë së Pllumit, përbëjnë akt njohjeje e identifikimi, ndërsa njohja (e poezisë) e identifikimi (me poezinë) janë kategoritë e mëdha të procesit letrar që lidh poetin me lexuesin e tij. Lidhjen e bën botimi, prandaj botimi i poezisë së Zef Pllumit përbën akt kulturor thelbësor. Ai e gjykon “Poezinw” si  një libër për lexim, për mësim e për t’u identifikuar.

 

Te “Saga e fëmijnisë”, ai ka shkruar gjithë ç’mbante mend frati për vitet e para, a ç’i kishin thënë – kur fisit të Gjekmarkajve u lindi djalë, shtinë me pesë fishekë. Jeta pat nisur krejt e zakonshme. Flet për pishën molike, për qingjin rrunak, për mishin n’ferlik, për bimën e mjedrës, për rubën e kokës, flet edhe për Tenzonë, e për t’ramin mohit. Kallxon rrenën e parë, kur hala i thirrshin Prekë, kur hante në bludë, e mbërrin te dëshira me u ba frat, në kohën kur ujin e merrte në saranxha. Kujton se për herë të parë ka thënë se do të bëhet frat më 1941, e kur i ati e pa për seri, ai kërcënoi se do mbytej në pus, po të mos e linin. Kujton dom Alfons Trackin “mësuesin” e parë, pranimin n’kolegj në moshën 7-vjeçare, orën e parë të mësimit me At Gjergj Fishtën, kur ai pat thënë se “këta duhet të jenë shkrimtarët e së nesërmes” a kur tha se “kur mungon dhantia, ma mirë të baheni doktora e inxhinera, ose edhe këpuctarë se sa shkrimatrë t’këqinj” pasi ai mendonte se një shkrimtar i keq, i ban ma shumë dam popullit që lexon. E pat marrë ‘Lahtunë e Malcis’ me autograf e kur më 11 dhjetor 1946 e nxorën prej Kuvendit Franceskan nuk mundi të marrë asgjë me vete, veç asaj Lahute.
Ka në këtë libër fjalë të mbajtura, e letërkëmbime me intelektualë si Petro Zheji e meshtarë si Ambroz Martini, ka kritika për “përkthimin” në gjuhë letrare të Lahutës së Malcis, ka ese e kujtime për meshën e parë në Shkodër, për të cilën pat frikë se do përdorej nga regjimi i parënë se do përdorej si “dëshmi” e lirisë së besimit para Këshillit të Europës. Kujton se me 25 nëntor, njerëzit qenë mbledh për meshë në Rrmaj, “edhe me kobure n’brez. Edhe me dekë në ras nevoje”. Kujton meshën e parë në Tiranë për Krishtlindje, meshë më drita borxh, me ndihmën e myslimanëve çamë me të cilët kishte qenë në burg. Në vitin 1991, ai ishte një ndër 28 meshtarët e mbetur gjallë (nga 180), ishte një nga 8-9 meshtarët që mundeshin të shërbenin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.