OPINION

Tregimi i shkurtër i Hemingway-it në Kosovë

11:29 - 07.08.20 Veton Surroi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Si po i prin Kosova COVID-it në botë




1.Në qarqe letrare të shekullit të kaluar përflitej se si u vu bast se kush mund ta shkruante tregimin më të shkurtër dhe se këtë bast e fitoi Ernest Hemingway. Pra, si ngjarje e vërtetë a jo, në përfoljet letrare do të hyjë ky si tregimi më i shkurtër në historinë e letërsisë: “Shiten: këpucë bebesh. Të papërdorura”. Tregimi prej pesë fjalësh (në anglisht gjashtë) do të duhej të ilustronte se si ngërthehet e tërë një dramë njerëzore me sa më pak përshkrim. Diçka ngjashëm më tingëlloi një tregim që nuk është letrar dhe që në formë të një informate burokratike të State Department ruan gjuhën prej emocionit letrar. E, megjithatë, ambasada amerikane në Prishtinë lëshoi një kumtesë që përshkruan Kosovën kështu: “Përkeqësimi i aftësisë për t’u marrë me pacientët COVID-19, mungesa e furnizimeve dhe masat e pazbatuara të sigurisë që rezultojnë në një nga nivelet më të larta të reja të infeksioneve të COVID-19 për frymë në botë”.

  1. Në klasat e shkrimit kreativ të universiteteve amerikane mund të jetë shkas i mirë fillimi i orës me pesë a gjashtë fjalët e rrëfimit të Hemingway-it për të zënë kapacitetin dramatik të përshkrimit të ankthit, në këtë rast të humbjes së një foshnje në sa më pak fjalë, ashtu siç e kuptojnë pak a shumë tregimin fitimtarë të bastit. Në klasat e shkencave politike, deklarata 38-fjalëshe e ambasadës amerikane për gjendjen e koronavirusit në Kosovë mund të hyjë si përshkrimi më ekonomik i ankthit të theqafjes së një shoqërie a shteti. Në tridhjetë e tetë fjalë zihen tri momente themelore të dramës së tanishme kosovare. “Përkeqësimi i aftësisë për t’u marrë me pacientët COVID-19” tregon për një lëvizje cilësore, pra prej një gjendjeje ku kishte aftësi për t’u marrë me pacientët, në një gjendje ku ka gjithnjë e më pak aftësi për ta bërë këtë. “Mungesa e furnizimeve” është cilësor i mëtejmë i këtij përkeqësimi; me faktin se furnizimi në sistemin publik të shëndetësisë është prerogativë e shtetit, atëherë përgjegjës për mungesën është shteti, gjegjësisht pushteti. Dhe, në fund flitet për “masa të pazbatuara të sigurisë”, që flet për pamundësinë e institucioneve të shoqërisë/shtetit për të vendosur kontrollin në sjellje publike. Si rezultat, ashtu si pjesa më e dhimbshme te rrëfimi i Hemingway-it, është konstatimi se këpucët e bebes qenë të papërdorura, në kumtesën e ambasadës amerikane Kosova përshkruhet si vendi me “nivelet më të larta të infeksioneve të reja të COVID-19 në botë”.
  2. Në një fjali të zgjeruar të tregimit të Ernest Hemingway-it, Kosova prin sot me numrin e infektimeve të koronavirusit në botë, sepse po tregon më pak aftësi menaxhimi sesa përpara, nuk tregon aftësi për furnizimet e nevojshme për ta luftuar pandeminë dhe nuk është e aftë për të zbatuar masat e sigurisë, që do të pengonin infektimet e mëtejme. Ky është përshkrim i pafuqisë së shtetit në kufi të një rreziku tjetër, prishjes së kontratës bazike shoqërore. Pra, nëse shteti nuk është i aftë (apo mjaftueshëm i aftë) për të përmbushur obligimet e veta ndaj popullatës – e ky është përshkrimi i ambasadës amerikane, atëherë faza tjetër është mosbesimi i qytetarëve në institucionet e shtetit. Kjo fazë tashmë ka filluar. Sipas së njëjtës kumtesë, të ambasadës amerikane thuhet se “megjithëse masat për distancimin shoqëror dhe maska për fytyrën janë të detyrueshme, rregullat shpërfillen haptazi në vende publike, si restorante, dyqane dhe kafene”. Kjo shpërfillje quhet, në një instancë të vogël, por domethënëse, padëgjueshmëri qytetare. Në këtë rast dhe për fat të keq në nivel të tërë shtetit, tashmë ekziston një mosbesim mes qytetarëve dhe shtetit në përballjen me pandeminë. Rritja eksponenciale e infektimeve ka ndodhur në vendin e njëjtë, me popullatë të njëjtë, me sistem mjekësor të njëjtë. Por mes Kosovës, që ishte në vendet e para për nga parandalimi i infeksioneve të reja dhe Kosovës, që është ndër vendet e para për nga infektimet e reja në nivel botëror, ndodhi një krizë politike. Një qeveri që u ndërtua me parullën “Beso”, u rrëzua me parullën “Mos beso”. Të tjerat janë, pastaj, pasoja.
  3. Në përshkrime të gjendjes çfarë po përjeton Kosova më duket se janë më të lehta përshkrimet me ekonomizim të fjalëve, ato telegrafike. Në ditët në vijim nuk do të jetë më e mundur të flitet se si të rritet performanca e qeverisë, se si të forcohet inspektimi apo të rriten dënimet e policisë. Tashmë ka kaluar ajo gjendje; në analogjinë e Hemingway-it, ajo bebe nuk ka nevojë më për këpucë. Tash po hyjmë në kohën kur nevojitet një kontratë e re mes qytetarëve dhe pushtetit.

“KOHA”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.