KULTURË

Skulptori Arben Bajo vdes nga COVID-19, akuzat: Pse nuk u çua jashtë për kurim

14:40 - 10.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Miqtë të prekur nga humbja, Pipero: Po, duhej të ishte çuar jashtë – “Ti nuk ishe deputet, as  biznesmen ndaj të lanë të vdisje në shtrat”




Paraditja e së shtunës shënoi pushtimin e rrjeteve sociale me thirrjen urgjente për gjak për skulptorin Arben Bajo që po luftonte për jetën i prekur nga COVID-19. Miq artistë kërkonin ndihmë, ndërsa media i dha zë kërkesës së tyre.

I shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” për ftohje, ai do të dilte pozitiv për Covid, ndërsa gjendja e tij përkeqësohej.  Ndërsa miqtë kërkonin ende gjak, një prej tyre, Genc Llakaj, njoftoi se “Unë Benin e kam mik, ime shoqe ka kolege Teutën, të shoqen e Benit. Si pasojë e këtyre lidhjeve kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe stafin mjekësor. Ju informoj se gjaku është gjendur qysh paraditen e sotme, por beteja vazhdon me mushkëritë… Jam konsultuar edhe me mikun tim, Prof. Piperon”, shkruan Genc Llakaj, mik i të ndjerit. Të shtunën në mbrëmje, duke u gdhirë e diela, Bajo e humbi luftën. Ishte vetëm 53 vjeç, në kulmin e karrierës si artist e pedagog, i heshtur, i qetë dhe i urtë. E krahasonin me Auguste Rodin dhe jo vetëm.  Por ai vdiq nga covid, ndërsa për kurim dërgohen jashtë vendit deputetë e biznesmenë, për artistët e qytetarët pa poste e takëme, nuk ka para- kjo qe akuza në rrjetet sociale, pas ndarjes nga jeta të tij.

PËRGJIGJA e NJË MJEKU

I pyetur nga Neësbomb, mjeku Pëllumb Pipero ka thënë të dielën se Bajo “trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi”, sanatorium, jo në Infektiv. Sa i takon ankesave apo akuzave për mungesën e gjakut unë nuk kam informacion dhe nuk ka pse ta kem. Në dijeninë time, pasi më kanë pyetur shumë miq të profesorit të arteve, bëhej fjalë për plazëm hiperimune ose imune e përfituar nga persona në konvaleshencë, pra që e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë antitrupa anti-covid”. Duke dashur të sqarojë, se plazma hiperimune është një praktikë tashmë e konsoliduar në shumë vende, por me protokoll strikt, ai ka thënë se “në vendin tonë po punohet se bashku me një ekip specialistesh italianë, siç më kanë thënë, sepse unë nuk jam pjesë e asnjë strukture shtetërore në menaxhimin e COVID-19, për të mundësuar përfitimin nga përdorimi i plazmës të përfituar nga konvaleshentët! Se kur do aplikohet nuk e di”,-ka theksuar Pipero. I pyetur nëse duhet të ishte dërguar jashtë vendit për shërim, Pipero i është përgjigjur pyetjes me “Po”. Rezulton se nëse do të ishte dërguar jashtë, ai do të ishte ende gjallë. Më tej Pipero, pasi u pyet, tha se ka dëgjuar për raste të ngjashme, ku familjarë të të sëmurëve me Covid kanë kërkuar që të bëhej plazma imune te të afërmit e tyre. “Përfitimi është në fazën e parë të sëmundjes, jo në fazën terminale”, shtoi më tej mjeku.

Mes të tjerash, gazetari Enton Abilekaj, ka qenë i drejpërdrejtë në indinjatën e tij.

“Ishte ndër skulptorët më të mirë, jo ndër 122 deputetet që votojnë sipas urdhrit, jo ndër 200 biznesmenët më të mëdhenj, po ndër 2-3 skulptoret më të mirë të një vendi që artet figurative, i ka lënë në derexhenë e përfaqësimit nga një ish- piktor që iu dorëzua politikës pas përpjekjeve të dështuara për t’ia dalë jetesës së denjë me artin”,-thotë Abilekaj. Ai vëren se Arben Bajo ia doli me dinjitet, me sukses ndërkombëtar, nuk u dorëzua. Ishte pasuri e rrallë, që si gjithë pasuritë e rralla të vendit, frymore ose jo, lihen në mëshirë të fatit, që në 108 vitet e fundit (dhe te parat) ka qenë i keq për Shqipërinë, shton Abilekaj. Në një postim në ‘Facebook’, gazetari shton se
Arben Bajo nuk ia doli ama të merrte statusin e deputetit që çohet në Turqi për t’u kuruar, as fatin e biznesmenit që shkon ne Austri, as fatin e drejtorit që shkon ne Gjermani. Ai pati fatin-fatal të çdo shqiptari dhe u nda nga jeta për 10 ditë.
“Arben Bajo nuk ia doli të ishte i privilegjuari në një regjim që është ngritur mbi korrupsionin dhe servilizmin dhe si rrjedhim u shërben atyre. Ai nuk diti të përshtatej në një vend ku hijet janë më të gjata se njerëzit dhe iku atje ku dielli nuk perëndon.
Ata që shtireshin si miqtë e tij dhe e lanë të dergjej pa shpresë në shtratin e vdekjes, nuk ngurrojnë të bëjnë requieme, nuk ndihen në faj, sepse nuk ndiejnë asgjë për askënd. Sikur të heshtnin do ta nderonin kujtimin e artistit qe iku, sikur të heshtnin të paktën nuk do na kujtonin përgjegjësinë e tyre”, e mbyllpostimin Abilekaj.

REAGIMET E MIQVE

Mevlan Shanaj

Humbje e paimagjinueshme! E papranueshme! Një ikje që lëndon një komb. Një ikje që la dhimbje mbytëse. Nuk kemi frymë ta shprehim. Familjarisht të tronditur! Fjalët nuk dalin! Një ikje pa ikje !( Lamtumirë Arben Bajo)

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të skulptorit Arben Bajo.

 

Berisha  ka shkruar se Bajo luftoi me ditë të tëra në spital, ndërsa shprehet se atij nuk ia sigurua gjaku që i duhej për të fituar këtë betejë.

Roland Bejko

Iku dhe Arben Bajo. Beni luante me jetën kukafshehti, ja kështu si te kjo foto.

Për herë të fundit e kam takuar disa ditë më parë pranë Akademisë. Isha duke ecur me makinë. E pash në trotuar dhe i rashë borisë. Ktheu kokën, më pa dhe u afrua te makina. Ula pak xhamin. “Ule mor tamam”,- më tha “mos ki frikë se s’na kap ne kjo e flamosura…”

Shkëmbyem romuze për politikë, edhe pse Benit nuk ia ndiente shumë për të. Folëm për punimet e tij dhe për Covid. “Na ndau”,- tha, “bëhu për një kafe, ti e di ku më gjen”.

Si mund ta dija që, në fakt, ato dy tre minutat e bisedës në këmbë, ishin të fundmet e gati 40 vjet miqësi qysh nga koha kur akoma fëmijë, mësonim pikturë në “Shtëpinë e Pionierit”?

Lamtumirë Ben-sa herë të flitet për At Zef Pllumin do kujtojmë ty. Sa herë do dëgjojmë këngët e Vaçe Zelës do na shfaqesh aty si një personazh i një videoklipi të përjetshëm! Ti u dhe jetë atyre sigurisht, por ata dhe qindra vepra të tjera ty të dhanë përjetësi të merituar.

I paharruar miku im, miku ynë!

Mirupafshim!

Ilmi Kasemi

Ora dy e natës.  Ra celulari. -Ba, Pirro jam. Beni mbaroi. Sapo e publikoi Era.

Pirro më nisi dy foto të bëra vite më parë, në studion e tij. Tek njëra i vetmuar dhe tek tjetra në shoqërinë e skulpturës së tij. U ngrita bëra kafen dhe dola në tarracë. Ndenja në errësirën e natës, në këndin ku shkruajta, shtatë orë më parë, pas shumë miqve dhe shokëve të tij, që luteshin në ‘Fb’ për pak gjak.  Duhej gjak për riformimin e plazmës.  Por shtatë orë më pas, pushoi së rrahuri zemra e Arben Bajos, artistit që plazmoi me duart e tij, me baltën që ju bind dhe u dashurua me duart e tij dhe ashtu në harmoni, të dy së bashku për tre dekada i dhanë frymë imazheve. Që do të jetojnë gjatë, jo me emrat e tyre,  por me emrin Bajo, sepse ai ndërtoi ngrehinën e stilit të tij.

Pas dy orësh. Sot në 17, më datën 9, ditën e diel të gushtit 2020, do përcjellim për në banesën e fundit, artistin që me gjuhën universale të shprehjes formale, e rilindi figurativizmin, realizmin, impresionizmin dhe të triave ju vendosi kornizën lapidare të ekspresionizmit lirik.  Ai është përkthyesi i Rodenit të madh, që në rrugëtim e sipër, me veprat e tij ndërtoi një paralele dinjitoze, personale dhe na propozoi Bajon e madh.  Arben Bajo është tenori skulpturës lirike shqiptare, që i kapërceu kufijtë nacional. Veprat që la i përkasin artit europian.

Teuta, Era dhe familjarët, kurajë, sepse pas kësaj dite të errët të sakrificës në altar dhe rrëmbimit të një jete të madhe të dukshme, nga një virus i vogël dhe i padukshëm,

ju dhe gjithë miqtë e tij, ish studentët dhe artdashësit e tij, do të kenë dritën e shpirtit prej veprave të tij. Adio te Zoti, Beni ynë i dashur.

Sepse këtej e tutje do kesh dorën në sup, të skulpturës tënde, të imazhit të gruas tënde dhe vajzës tënde të shtrenjtë.

Eriona Rushiti

Shiheshim ne oborrin e Akademisë. Vetëm nga një buzëqeshje e përshëndetje dhuronim, e asgjë më shumë, a thua se do jetojmë përjetesisht dhe kohën e kemi aty për të gjetur momente të tjera për biseda. Në një projekt të përbashkët pata mundësi ta njihja më shumë, sepse vetë projekti kërkonte që secili artist të fliste për veten e jetën. Ashtu buzagaz e i shpenguar, tregoi që sa është i ri krijuesi kërkon që studion e tij ta ketë jashtë shtëpisë, të jetë i lirë, por ja vjen një moshë dhe do që edhe krijimitarinë ta zhvilloje pranë familjes… këto fjalë fiksova më shumë se të tjerat rreth vetes së tij. Krijuesi qëndron shumë në vetmi, me veten… dikush gdhend nota, fjale, e dikush formëzon e i jep jetë gurit, e baltës.

Do kesh biseduar shumë me veten Arben Bajo dhe me heronjtë e pajetë që ke formësuar. Edhe kjo sëmundje të erdhi e tillë, thjeshtë në luftë me veten, e pa njerëz përreth. Para ca ditësh, kur zhvilloheshin zgjedhjet ne shkollë, mësova për covidin që të kishte prekur. Biseduam me koleget e thamë do ia dalë se është i ri. Mundohesha të gjeja informacion në ditët ne vazhdim, për ecurinë e sëmundjes, deri sa dje u mësua qe duhej dhurim gjaku. Mbrëmja na qetësoi, sepse dhuruesi u gjet. Por dje në mëngjes lajmi ishte më i hidhur se vetë dielli që mungonte. Të njoha pak Arben Bajo, por trishtimin e kam të madh.

Jetojmë e mendojmë se jeta nuk ka fund. Nuk i kushtojmë vëmendje qoftë edhe një buzëqeshjeje që nesër mbase nuk do jetë më!

Të prehesh në paqe artist!

Gëzim Basha

Dje na iku Arben Bajo! Kur miku ynë i përbashkët, skulptori Artan Marku më shkroi “Beni na la…” bota këtë gusht u bë më e ngushtë!

Jemi rritur bashkë në Shtëpinë e Pionierit të Gjirokastrës dhe në studion magjepse të profesorit tonë të shtrenjtë, Stefan Papamihali, i cili besoj ka dalë ta presë Benin në ahiret e parajsës! Katër vjet shokë bange dhe dhome në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” të Fierit, ku Arbeni ndriti mbi këdo me talentin dhe energjinë për punë. Zia për Arben Bajon është e pashmangshme por po aq i pashmangshëm është celebrimi i jetës së tij si një nga artistët më të mëdhenj të artit figurativ Shqiptar. Arbeni i ra pash më pash ferrit shqiptar duke na mundësuar atë që duket krejt e pamundur, plastikën e imazheve. Ashtu si Bodleri, Arben Bajo—ky poet i madh i formës—pa me syrin e mprehtë të artistit Lulet e së Keqes, harmoninë disharmonike të deformimeve njerëzore, viktimat e mjerimit, ato stalagmite dhimbjesh që zgjaten në formë skeletesh e prehen mbi poltronë.

I injoroi me finesë estetike skemat e klasicizmit anakronik të skulpturës (sonë) tradicionale, u bë skulptori më i ndjeshëm shqiptar prej kohës kur Odise Paskali modeloi Lypsin e tij. Statujat e Arben Bajos nuk ngrijnë në poza statike, ato kanë një dinamikë pauzash spontane ku ndihet fuqishëm lëvizja: Tina Turner duke kënduar, Vaçe Zela me kitarë në dorë…heronjtë e tij marin volum duke mbetur të brishtë e meditativë: At Zef Pllumi apo Hil Mosi. Krahasojini krijimet e Ben Bajos me mjerimin skematik të heronjve muskulozë si ngritës peshash, të mbështjellë me kapota sovjetike, dhe në atë kontrast do të gjeni postmodernistin e parë të madh Shqiptar në artin e modelimit të volumeve. I përdori me elegancë, si askush tjetër, edhe elementet e karikaturës, gjëja më e veshtirë në skulpturë. “Duke parë nga afër Balzakun e Rodenit,” mu kujtove ti, i thashë në një nga bisedat tona të fundit ku e lamë të takoheshim së shpejti në atelienë e tij. Lamtumirë, Vëlla!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.