OPINION

Ulja e varësisë nga pandemia

10:37 - 10.08.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me paraqitjen pardje të raportit tremujor të politikës monetare, vendosi të mbajë të ulët në nivel rekord të këtyre muajve koston e parasë. Duke e lënë të pandryshuar normën bazë të interesit për marrëveshjet e riblerjes (Repo) në nivelin 0.5 për qind, si dhe normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore të bankave tregtare pranë bankës qendrore përkatësisht në 0.1 për qind dhe 0.9 për qind. Në këtë mënyrë, banka jonë qendrore vijon politikën lehtësuese të parasë, në ndihmë të sipërmarrjeve dhe ekonomisë. Struktura drejtuese e Bankës së Shqipërisë gjykon se efekti i pandemisë, pavarësisht rritjes së numrit të infektimeve në ditë për shkak të hapjes, do të vijë gradualisht duke rënë gjatë gjashtë muajve të dytë të këtij viti(duke filluar që tani në gusht). Sidoqoftë, Këshilli Mbikëqyrës thekson se rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë e ngadaltë. Megjithatë Banka e Shqipërisë mendon se vendi do t’i kthehet rritjes ekonomike në fillim të vitit tjetër. Ky është një sinjal i mirë për sipërmarrjet dhe në tërësi për të gjithë ne. Ekonomisë sonë, pavarësisht nga ankesat dhe kritikat e atyre që nuk morën dot kredi (ngaqë aplikuan, por u refuzuan nga bankat tregtare për një arsye ose tjetër),.i kanë bërë mirë programet e qeverisë me dy garancitë sovrane. Tek e fundit, biznesi mori ndër duar deri tani të paktën 76 milionë euro hua pa përqindje interesi dhe i përdori menjëherë për nevojat e tij më të ngutshme. Realisht e ndihmuan fort ato para. Banka qendrore, nga ana e saj, arriti të bindë bankat tregtare të shtyjnë pagesat e kësteve të 21 mijë kredive të dhëna në total nga të 12 bankat tona tregtare për qytetarë dhe sipërmarrjet, për periudhën mars-gusht 2020. Janë afro 360 milionë euro në pagesa të kredive dhe interesave të tyre që u shtynë në kohë dhe kjo pa dyshim ndihmoi si qytetarët dhe biznesin. Në qershor 2020 kredia për ekonominë u rrit me 7 për qind, në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë. Shumë sipërmarrje qe deri tani nuk u aviteshin bankave, mësuan të krijojnë besim tek ato, tani që në ditë të hallit, paratë që morën nga bankat me garancinë e shtetit i larguan nga shembja. Banka qendrore ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator të sistemit tonë bankar, duke favorizuar ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi. Ndërsa qeveria po angazhon 400 milionë euro nga Buxheti i Shtetit për rindërtimin nga tërmeti dhe duhet të nisë bisedime të ngutshme që, pavarësisht ngrirjes nga pasojat e pandemisë, paratë e premtuara për rindërtimin si nga BE dhe nga shtetet anëtare të tij apo shtete të tjera, të mund të vijnë sa më shpejt. Të gjitha këto janë shenja që tregojnë se koronavirusi nuk na ka vënë përposhtë dh se koha tashme flet për rimëkëmbjen tonë. Në ditët e para të gushtit pushova në Sarandë. Mezi arrita të gjej një dhomë hoteli bosh. Me investimet e kryera, sidomos në dhjetë vitet e fundit, Saranda numëron më shumë se 100 hotele të vegjël dhe të mëdhenj në vijën e saj bregdetare. Në rrugët e saj, ndonëse të paktë, në krahasim me vitet e tjera, dëgjohej të flitej jo vetëm polonisht, por edhe italisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Turistët e huaj i janë rikthyer bregdetit tonë, ndonëse shumë më të pakët dhe kjo është e kuptueshme. Pra, kemi më shumë pushues në bregdet tani në gusht, në krahasim me korrikun. Këtë e pashë me sytë e mi. Po sipas bankës sonë qendrore, rritja(edhe pse e pakët) në dy tremujorët në vijim e kërkesës në ekonomi pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe shtim të pagave e të prodhimit. Kësisoj dhe më në fund, edhe të konsumit. Edhe pse këto parashikime janë të kushtëzuara nga ecuria e mëtejshme e pandemisë dhe nga shpejtësia e marrjes së vetes dhe përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë kryesorë tregtarë, si Italia dhe Greqia, sërisht kohë më e mirë për ekonominë tonë dhe ekonomikisht për të gjithë ne shqiptarët shihet në vijimësi. Tani jo gjithçka është ne duart e koronavirusit për ekonominë tonë. Po e ulim çdo ditë që kalon gjithnjë e më shumë varësinë prej tij.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.