OPINION

Njerëzimi përmes qytetërimeve

17:00 - 12.08.20 Ilir Kalemaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy libra të botuar së fundmi në SHBA, një nga një historian dhe tjetri nga një antropolog dhe politolog diskutojnë lindjen e qyteteve, por edhe kolapsin apo vdekjen e tyre. Nëse për dekada mijëvjeçarësh, njerëzit kishin jetuar bukur mirë në fshatra dhe komunitete të vogla, pa pasur nevojë të krijonin zonat e para urbane, befas rreth gjashtë mijë vjet më parë, komunitetet u zgjeruan dhe nisën të krijoheshin qytetet e para si Tell Brak në veri të Sirisë së sotme që për Monica Smith ishte dhe qyteti i parë. Ndërsa të tjerë flasin për qytete si Uk, Uruk apo Eridu që shtriheshin në territorin e Sumer ndonëse nuk i përkisnin qytetërimit Sumer, i cili erdhi më vonë. Pjesa më e madhe e banorëve të qyteteve të antikitetit në fakt ishin skllevër dhe shumë studiues e kanë vënë këtë në terma përqindjeje rreth 75 për qind ose tre të katërtat dhe kjo ka vijuar deri vonë, madje duke përfshirë dhe qytetërimin grek dhe romak.




Për t’iu rikthyer librave të lartë-cituar, Smith e cila është arkeologe, i imagjinon qytetet e hershme ngjashëm me këta të sotmit, ku pjesa më e madhe e aktiviteteve të tyre sociale sillej rreth pazareve apo të shkuarit të festivale apo të treguarit e statusit social përmes veshjeve dhe bizhuterive të ndryshme apo aktiviteteve rekreacionale. Natyrisht, të atyre që ishin pjesa e qytetarëve të lirë afërmendsh. Ndërsa antropologu dhe politologu James C. Scott i sheh qytetet e para si vatra epidemish dhe sëmundjesh të ndryshme, ndërsa banorët si skllevër ose robër të frustruar, që dëshironin t’i braktisnin një orë e më parë nëse do ta kishin këtë mundësi.

Ngjan disi me debatin e hershëm të mesjetës mes filozofit Hobs, që imagjinonte jetën e njeriut në fillesat e tij (dhe pa mbikëqyrjen benevolente të sovranit-mbret) si të shkurtër, të ashpër, të varfër dhe të keqe, mbushur me frikë nga rreziku i një vdekjeje të dhunshme. Ndërsa bashkëkohësi i tij Lok e shihte në këndvështrim krejt tjetër dhe besonte se komunitetet e hershme njerëzore ishin bashkësi, ku mbizotëronte bashkëpunimi dhe pajtimi i interesave të kithëta. Ndryshe nuk do të mund të vinim deri këtu, pra raca njerëzore nuk do të mbijetonte dhe aq më pak lulëzonte. Një debat që i është rikthyer së fundmi edhe shkencëtari politik amerikan Fukujama me një libër të tij të viteve të fundit, duke mbrojtur pikërisht një pikëpamje të ngjashme me Lokun.

Autorë të tjerë që kanë shkruar për ngritjen dhe rënien e qytetërimeve si Jared Diamond veçanërisht në librat e tij “Armët, Mikrobet dhe Çeliku” si dhe “Kolaps”, ku flet se si burim kryesor i rënies së qytetërimeve të shquara të së shkuarës ka qenë degradimi mjedisor dhe merr si shembull qytetërimet Vikinge, Maja, të Bangokut, të ishullit të Pashkëve etj.. Sot jetojmë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme kur mjafton të përmendësh demografinë si një variabël.

Ndërsa u deshën dhjetëra-mijëra vjet që njerëzimi të arrinte të krijonte një qytet si Uruku me 25-50 mijë banorë rreth 5-6 mijë vjet para erës sonë, deri në fillim shekullin e 18-të bota mezi kishte arritur 1 miliard banorë. Dhe pavarësisht dy luftërave botërore, gripit spanjoll dhe pandemive të tjera apo krizave të urisë dhe kërcënimeve bërthamore arritëm që në dy shekuj të kemi plot 7.8 miliardë banorë. Nga ana tjetër, rreth tre të katërtat e faunës dhe florës globale janë zhdukur kryesisht nga veprimtaria e njeriut vetëm përgjatë dy shekujve të fundit, duke kërcënuar fatin e përbashkët të njerëzimit dhe duke bërë që t’i afrohemi apokalipsit si kurrë më parë.

Por, lajmi i mirë është se njerëzimi ka arritur gjithsesi të gjejë mekanizmat përmes shpikjeve dhe revolucioneve industrialë që të krijojë vlerë të shtuar duke zhgënjyer pozitivisht njëfarësoj priftin Malthus, një nga ekonomistët neo-klasikë që ishte i pari që vuri kambanën e alarmit për shtimin me progresion gjeometrik të njerëzimit, ndërsa burimet nga ana tjetër mund të shtoheshin vetëm me progresion aritmetik. Por sot burimet jo vetëm dalin të ushqejnë mbarë njerëzimin, pavarësisht shpërndarjes jo gjithmonë adekuate të tyre, por edhe varfëria relative dhe mosushqyerja është në minimumin e tyre historik, ndërsa një nga problemet kryesorë është bërë mbipesha dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe jo vetëm që lidhen me të.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.