Intervista

“Opozita s’ka ofiqe”, Salianji: Dera, e hapur për këdo që kontribuon në përballjen me Ramën

16:59 - 12.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ervin Salianji, ish-deputet i PD-së akuzon qeverinë socialiste se po grabit Shqipërinë dhe po varfëron çdo ditë shqiptarët. Z.Salianji përmes “Gazeta Shqiptare” flet për vëmendje të shtuar ndaj çdo vendimi të “Rilindjes”, që sipas tij në këtë fundmandati po bën kërdinë me abuzime, vjedhje dhe privatizim të Shqipërisë. Pavarësisht kësaj situate, ish-deputeti demokrat thotë se rotacioni politik ka ndodhur, pritet vetëm formalizimi ditën e zgjedhjeve! Për këtë, ai shpreh bindjen e plotë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Demokratike do të fitojë me shumicë të cilësuar.
Z.Salianji, gjatë kësaj vere duket se s’ka pushime për PD-në, ndërkohë që ky muaj do jetë aktiv, pasi po përgatiten strukturat për zgjedhjet e 2021-shit. Pas mbledhjes së forumeve të partisë, çfarë pritet të ndodhë gjatë këtij muaji?




Muaji gusht është muaj aktiv në takimet e intensifikuara me demokratët në bazë, por edhe me vëmendje të shtuar ndaj çdo vendimi të “Rilindjes”, që në këtë fundmandati po bën kërdinë me abuzime, vjedhje dhe privatizim të Shqipërisë. Paralelisht Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave në PDSH po punon për vlerësimin e kandidaturave për deputetë dhe përgatitjen për të dërguar për votim tek anëtarësia listën e kandidatëve. Shtatori do të jetë muaji i konfirmimit dhe provimit para anëtarësisë me “një anëtar, një votë” të çdo kandidati.

Sa besueshmëri gëzon Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për Deputetë në funksion të përzgjedhjes së emrave më të mirë?

Parakushtet japin të gjitha të dhënat për të pasur besueshmëri të plotë. Kriteret janë po ashtu të forta dhe kombinimi i përvojës dhe personalitetit të komisionit me kriteret e matshme do të japë produktin më të mirë elektoral për Partinë Demokratike.

Ku do të bazohet procesi i përzgjedhjes së kandidatëve?

Seleksionimi i kandidaturave bëhet bazuar në analizën e kombinuar të faktorëve të mëposhtëm:

  1. a) Aktivizimit në jetën politike e publike të vendit, si mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave të PDSH-së.
  2. b) Reputacionit në radhët e anëtarësisë së partisë e komunitetit në tërësi.
  3. c) Kontributit profesional e politik në parti apo promovimit të vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në.

ç) Kontributit në fushatat elektorale për Partinë Demokratike.

  1. d) Kohëzgjatjen e anëtarësimit të parti apo shfaqjes si simpatizant i saj.

Përmes këtij procesi, a do të ketë PD-ja lojtarë të pastër në garën elektorale të 2021?

Procesi i pastërtisë së figurës është element shumë i rëndësishëm. Ne jemi partia që e imponuam, duke qenë në opozitë, ligjin e dekriminalizimit dhe kemi rregulla edhe më të forta dhe procedura strikte, që nuk lejojnë të kalojë asnjë individ me të dhëna problematike. Ka aq shumë procese, sa në fund do të jetë grupi parlamentar më cilësor që shumicat kanë pasur në parlament, pasi fitorja e zgjedhjeve do të jetë formalitet në kushtet e degradimit të qeverisjes dhe varfërimit të shqiptarëve.

Deri në 15 shtator, komisioni do të vlerësojë rreth 2000 emra të propozuar nga baza. Si ka ecur procesi në zonën ku ju jeni i deleguar nga qendra? Çfarë emrash janë propozuar nga anëtarësia?

Ka dy elemente që duhen theksuar, propozimet kanë qenë nga çdo fushë, por kjo fazë vendos në konkurrencë figurat më të spikatura partiake dhe me peshë politike qendrore dhe lokale që demokratët mendojnë se i çojnë drejt fitores. Propozimet kanë pasur parasysh kontributin publik, reputacionin në komunitet apo peshën elektorale në zona të caktuara. Secili prej kandidatëve është me avantazhe të ndryshme krahasuese, prandaj komisioni dhe më pas vota e anëtarësisë do e ketë të vështirë përzgjedhjen e emrave. Elementi i dytë që Partia Demokratike e Shqipërisë ka garantuar është hapja e partisë drejt shoqërisë dhe përfaqësimi i grupeve të ndryshme, individë me potencial të lartë dhe kontribut profesional publik, akademikë, të rinj etj.. 20% e listës do të jetë e garantuar për këtë kategori.

Mendoni se duhet një “vetting” për dosjet e sigurimit edhe brenda PD-së, në mënyrë që në parlament të mos ketë figura të implikuara me ish-sistemin komunist?

Po, absolutisht dhe një nga pikat e përcaktuara qartë në kriteret e vlerësimit është që asnjë bashkëpunëtor i Sigurimit apo figurë e lartë e regjimit nuk e kalon filtrin dhe i ndalohet kandidimi.

Si e shikoni kthesën e Genc Rulit apo Besnik Mustafajt për të hedhur pas të shkuarën, me qëllim bashkimin e fuqive të demokratëve kundër një qeverie tashmë të konsumuar nga pushteti?

E shikoj si aftësi dhe si aset të Partisë Demokratike për të marrë vendimet e duhura në momente decizive.

A duhet t’i bashkohen këtij angazhimi edhe figura të tjera si Topalli, Bode, Bregu, Imami, Patozi etj.? 

Dera ka qenë përherë e hapur, opozita nuk ka ofiqe, kontributi i çdo faktori opozitar është i mirëpritur në përballje me Ramën, me qëllimin e pastër dhe të vërtetë për të fituar Partia Demokratike.

Sa janë mundësitë, hapësirat e tyre që të garojnë sërish nën siglën e PD-së?

100% si kushdo që është në garë dhe ka pretendime.

Sa mandate synon PD-ja të marrë në zgjedhjet e ardhshme?
Partia Demokratike do të fitojë me shumicë të cilësuar.
Ndryshimet e njëanshme kushtetuese a i dëmtojnë demokratët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Dëmtojnë Shqipërinë dhe cilësinë e demokracisë, Partinë Demokratike dhe koalicionin opozitar nuk e dëmton asgjë. E kam thënë prej kohësh, rotacioni ka ndodhur pritet vetëm formalizimi në ditën e zgjedhjeve!

Socialistët sipas jush po qeverisin, apo po mbajnë pushtetin…?
Po grabisin, nuk po qeverisin. Po dëmtojnë Shqipërinë dhe varfërojnë shqiptarët, duke menduar vetëm për interesat personale dhe pasurimin e një sekti.

Ku do të ndryshojë qeveria e re e PD-së nga ajo e PS-së?

Në shërbimin ndaj qytetarëve, në fokusimin te problemet reale të qytetarëve, në ekonominë dhe pasurimin e shqiptarëve, në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, shëndetësi dhe arsim. Gjithçka në kufi Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Ne do të punojmë për shqiptarët, “rilindja” punon për sekt.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.