Opinion-Komente

Për të gjithë e jo vetëm për veten

11:03 - 13.08.20 gsh

Rexhep Qosja



Të dashur e të nderuar miq e kolegë,

Vëllezër e motra,

Përshëndetje për të gjithë ju!

I falënderoj organizuesit e këtij solemniteti – Shoqatën Atdhetare për Identitet e Bashkim Kombëtar, Shoqatën Atdhetare Kulturore LABËRIA dhe Shoqatën SALARIA.

I falënderoj për nderimin që më kanë bërë duke më ftuar për të marrë pjesë në solemnitetin e inaugurimit të shtatores dhe të Muzeut historik të Heroit legjendar Selam Musai.

Ky është nderim që e pasuron jetën e të nderuarit, por ky është nderim që njëkohësisht e obligon të nderuarin: e obligon për të ruajtur përgjithmonë në mendimoren e tij përkushtimin atdhetar ndaj Selam Musait që u sakrifikua në luftën kundër atyre shteteve që në vitin 1912 bënë shumë përpjekje për të mos lejuar krijimin e Shqipërisë, kurse në vitin 1920 për të realizuar shpërbërjen e saj!

Por, i penguar prej gjendjes shëndetësore dhe kushteve që u krijuan nga pandemia e Virusit Korona, për të qenë me Ju në solemnitet, unë Ju kërkoj mirëkuptim pse mosardhjen time e zëvendësoj me disa fjalë me të cilat shpreh bindjen se inaugurimi i shtatores dhe i Muzeut historik të Selam Musait përmban porosi të rëndësishme, domethënëse e larghedhëse për shoqërinë, për politikën dhe për kulturën shqiptare sot.

Jetojmë në një kohë, për ne historike, që na solli disa gjasa: gjasa për t’u bërë subjekt politik i rëndësishëm në Ballkan dhe madje në Evropë. Na u dhuruan në këtë kohë gjasa për të shëruar disa nga plagët historike që e vështirësuan gjatë, gjatë, jetën tonë. Në përpjekjet për shërimin e tyre u flijuan rilindësit tonë e mes tyre edhe Selam Musai i lavdishëm.

Por, a jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm për këto gjasa historike? Përgjigjja ime është: mjerisht jo, jo edhe ata që do të duhej para gjithë të tjerëve të ishin të vetëdijshëm për këto gjasa.

Për këtë arsye shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë dhe kudo jetojnë tjetër ndiejnë nevojë që të flitet për të gjitha. E, nuk po flitet. Janë lënë pjesërisht a tërësisht në harresë periudha historike, ngjarje, bëma, veprime, vlera. Janë lënë në harresë pjesërisht ose tërësisht ngjarje historike dhe të përtashme, veprimtari historike dhe të përtashme, të arritura historike e të përtashme, vepra historike dhe të përtashme, që përbëjnë identitetin tonë, që sigurojnë vazhdimësinë tone në hapësirat në të cilat jemi dhe kemi të drejtë etnike e historike.

Në vend të të gjitha  këtyre, syve tanë dhe veshëve tanë u paraqiten pa pushim mbi të gjithat të tashmet politike: ngjarje politike, të rëndësishme e të parëndësishme, veprimtari politike të rëndësishme e të parëndësishme, merita politike të rëndësishme e të parëndësishme, vepra politike të rëndësishme e të parëndësishme, që janë sot e do të harrohen nesër!

Dhe, kështu politika është bërë përmbajtja kryesore, kur e kur e vetme e vëmendjes sonë, që prodhuesit e saj duan ta bëjnë përcaktuese të vetme të mendimores sonë.

Për arsyen e sipërthënë, shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë, shqiptarët kudo jetojnë sot, ndiejnë nevojë që t’u flitet edhe për të gjithë. E nuk po iu flitet! Gjatë 24 orëve të ditës e të natës atyre po iu flasin njerëz të politikës dhe po iu flitet për njerëz të politikës. Prej mëngjesit të sotëm e deri në mëngjesin e nesërm, domethënë plot 24 orë, syve të tyre në televizionet tona iu paraqiten vetëm njerëz të politikës!

Është harruar populli! Është harruar edhe fjala popull! E vërteta dhe e drejta janë varrosur! Gënjeshtra dhe mashtrimi po sundojnë! Në mediet tona, në televizionet tona, nuk shihen kurrë apo vetëm ndonjëherë në vit dhe nuk dëgjohen kurrë apo vetëm ndonjëherë në vit profesorët, historianët, albanologët, inxhinierët, arkitektët, shkrimtarët, krijuesit e arteve të ndryshme, mamitë, lehonat me foshnjet e tyre, studentët, as një varg veprimtarësh, mjeshtrish të tjerë, puna e të cilëve e përbën dhe e  pasuron jetën tonë.

Jemi të gjykuar e të dënuar të shohim vetëm veprimtari e turrahi politike, të shohim vetëm politikanë e të dëgjojmë vetëm për politikanë! Ata janë personalitete të ditës e të natës e të vitit! Ata janë prej medieve të tyre të shpallur personalitete me ndikimin më të madh në Shqipëri e në Kosovë! Dhe, personalitetet me përfitim më të madh për propaganduesit e tyre!

Ata, njerëzit e sotëm politikë dhe mediet në shërbim të tyre, janë bërë shpërfillës, nënçmues të të gjitha të tjerave dhe të të gjithë të tjerëve!

Dhe kështu e kanë varfëruar, e kanë saharizuar jetën tonë shoqërore e kulturore duke e bërë vetëm të një përmase: vetëm të përmasës politike!

Deri kur?

E thashë në fillim të kësaj fjale se fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i këtij shekulli në të cilin jemi na kanë sjellë gjasa historike për t’u shëruar prej plagëve shumë dhembjesjellëse të së kaluarës e për t’u bërë subjekt i rëndësishëm politik, shoqëror, kulturor, historik në Ballkan dhe, madje, në Evropë.

Por, për sendërtimin e këtyre gjasave duhet të bëhet ajo që nuk po bëhet. Dhe nuk po bëhet prej atyre që do të duhej ta bënin: nuk po bëhet njësimi i fuqive mendore, punuese dhe etike të mbarë popullit shqiptar.

Për arsyet e sipërthëna inaugurimi i shtatores dhe i Muzeut historik të Selam Musait, në të vërtetë vendosmëria, burrëria, etika dhe sakrifica e tij më nxitën të kërkoj çka kërkova: që popullit shqiptar t’i flitet për të gjitha, që përbëjnë historinë dhe përtashësinë tonë dhe njëkohësisht për të gjithë, që i takojnë së djeshmes, së sotmes dhe së ardhmes sonë.

Dhe, të çlirohet prej atyre që po e pengojnë sendërtimin e kësaj të drejte të patjetërsueshme të tij.

Dhe, të jetë i qeverisur jo si sot – prej atyre që kuptim dhe qëllim të parë të pushtetit të tyre kanë postet e privilegjet e veta, të mirat e vetes e të të vetëve, por që të jetë i qeverisur prej atyre që do të mendojnë për popullin, që do të flasin për popullin, që do të punojnë për popullin, që të mirat e përgjithshme do të jenë kuptimi dhe qëllimi i qeverisjes së tyre demokratike. Demokratike.

Prishtinë, 3.8.2020

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.