Intervista

“Situatë pasigurie”, Oketa: Drejtues autokratë, i pamundur qëndrimi në pushtet

16:51 - 13.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa, anë tari i Këshillit Kombëtar të PD-së vëren me shqetësim situatën në vend, të cilën ai e quan situatë pasigurie për shkak të keqqeverisjes së mazhorancës socialiste. Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se rotacioni politik është i pashmangshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ai i kërkon PD-së një program qeverisës të thjeshtë dhe me premtime të realizueshme. Qëndrimin e mëtejshëm në pushtet të socialistëve, Gazmend Oketa e sheh të pamundur, pasi sipas tij, shqiptarët prej 7 vitesh qeverisen nga drejtues autokratë apo diktatorë të kohëve moderne. Ish-ministri dhe ish-deputeti i PD-së flet konkretisht për situatë të tensionuar politike pas ndryshimeve të njëanshme kushtetuese, të cilat Gazmend Oketa i cilëson si banditeske dhe si provokim ndaj opozitës. Ai e akuzon kryeministrin Edi Rama për prishjen e ekuilibrit politik të vendosur pas marrëveshjes së 5 qershorit, ndërsa ndërkombëtarëve u kujton: “Në zgjedhjet e ardhshme, pozicioni i ndërkombëtarëve në raport me standardet e tyre dhe me mospranimin e një rezultati të manipuluar, si ai i vitit 2017, do jetë një provë jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë”.
Z.Oketa, me 30 korrik parlamenti i Shqipërisë votoi në mënyrë të njëanshme disa ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë? Në gjykimin tuaj, çfarë synojnë në thelb këto ndryshime?
Së pari, duhet theksuar se pas rënies së komunizmit, është hera e parë që ndryshimet kushtetuese bëhen në një mënyrë të tillë, të cilën pa asnjë hezitim do ta quaja banditeske. Ato janë të njëanshme, pa konsensus të gjerë politik, të realizuara nga një Kuvend, i cili është ilegjitim dhe nuk përfaqëson në asnjë rast vullnetin e qytetarëve. Ato ndryshime janë në funksion të kalkulimeve të ngushta politike, ekonomike e kriminale të një individi të vetëm, i cili fatkeqësisht është kryeministër i vendit. Janë jo të pakta ato vende, ku drejtues me prirje të theksuara autoritare, kur humbasin mbështetjen popullore dhe i tremben ndëshkimit me votë, kërkojnë të zgjasin qëndrimin në pushtet me ndryshime të herëpashershme të Kushtetutës. Një prej tyre për shembull është Rusia, një tjetër është Turqia. Këtyre modeleve që nuk kanë lidhje me modelet demokratike dhe liberale iu bashkua dhe z. Rama.
Sipas jush, çfarë fshihet pas ndryshimeve kushtetuese…?
Prishja e marrëveshjes së 5 qershorit, provokimi i opozitës, krijimi i tensioneve të panevojshme politike ishin qëllimi kryesor i ndërhyrjeve në Kushtetutë. Situata e pasigurisë e krijuar në vend për shkak të COVID-19, situata e pasigurisë në strehim për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, situata kur Shqipëria po kalon vitin e katërt pa Gjykatë Kushtetuese e pa Gjykatë të Lartë, shto këtu edhe situatën ekonomike jashtëzakonisht të vështirë përbëjnë kushte të mjaftueshme që një qeverisjeje normale as të mos i shkojë ndërmend të cenojë themelet e shtetit e jo më të ndërhyjë në to. Fatkeqësisht ato ndryshime kanë krijuar një situatë politike të tensionuar, kanë asgjësuar çdo rregull të shkruar apo të pashkruar të funksionimit të një sistemi demokratik dhe ia kanë vështirësuar Shqipërisë akoma më shumë rrugën drejt Bashkimit Europian. Mund të tingëllojë e çuditshme për dikë, por siç duket objektivi i z.Rama mund të jetë dhe mbajtja e Shqipërisë larg BE-së, pasi sa më shumë i afrohemi asaj, aq më i pamundur bëhet qëndrimi në pushtet për drejtues autokratë apo diktatorë të kohëve moderne.
Ju thatë se z.Rama prishi një lloj ekuilibri politik të vendosur pas marrëveshjes së 5 qershorit. A duhet opozita e bashkuar të vazhdojë të jetë pjesë e Këshillit Politik dhe të ulet përsëri në tryezë me z. Rama?
Sot gjykoj se është e vështirë të gjesh individë, politikanë, ish-kolegë apo ish-bashkëpunëtorë të z. Rama që të mund të besojnë se ai u qëndron marrëveshjeve. Të vetmit individë që mund të kenë pjesërisht mendim ndryshe janë ata me të cilët z.Rama ndan interesat ekonomike, si për shembull çunat problematikë, që shkaktojnë tërmete elektorale, apo ata të cilët vishen me terital para se të shkojnë e ta takojnë bablokun. Edhe kjo kategori e di fare mirë se marrëveshja e tyre prishet menjëherë nëse dikush u sjell tre-katër rilindasve që kanë kapur për fyti Shqipërinë me shumë përfitime ekonomike, më shumë pushtet, apo vota të vjedhura. Opozita pranoi të ishte pjesë e Këshillit Politik pas marrëveshjes së janarit jo se kishte besim te korrektesa apo respektimi i marrëveshjeve nga z.Rama, por se ndërkombëtarët dhanë garanci se dakordësia e arritur në atë këshill do të respektohej. Të mos harrojmë se pas daljes së audio- përgjimeve, të cilat nxorën zbuluar të gjithë sistemin e ngritur nga Rilindja, për vjedhjen e votës së qytetarëve shqiptarë në bashkëpunim me personazhe të botës së krimit, opozita dorëzoi mandatet pikërisht se nuk pranoi të ishte fasadë e një qeverie dhe një Kuvendi të dalë nga një palë zgjedhjeje të manipuluara nga bota e krimit. Në këtë kuptim gjykoj se opozita nuk ka më arsye për të qenë pjesë e Këshillit Politik, përsa kohë marrëveshjet që arrihen aty nuk respektohen. Një raport i tillë, thjesht do t’i jepte funksionin e fasadës opozitës, pozicion të cilin ajo e ka refuzuar gjithmonë. Unë gjykoj se opozita, Partia Demokratike, duhet të ulet çdo ditë me qytetarët shqiptarë, të marrë mbështetjen e tyre, t’u rikthejë shqiptarëve optimizmin dhe besimin se Shqipëria do të bëhet siç duhet e siç shqiptarët e duan.
Përveç opozitës, a i “preu në besë” z.Rama edhe ndërkombëtarët, të cilët dolën me zë e figurë si garantë të asaj marrëveshjeje?
Nëse do flasim për “prerje në besë”, duhet të biem dakord se personi apo institucioni të cilit i kërkohet një gjë e tillë, së pari duhet ta gëzojë këtë cilësi. Nga ata të cilët nuk e kanë një cilësi të tillë, është naive të presësh mbajtje fjale apo bese. Më pas, shqetësimi im nuk shkon se u prenë në besë apo jo ndërkombëtarët. Ata që janë prerë krejtësisht në besë, në radhë të parë janë shqiptarët.
…Për cilat arsye?
Po i rendis disa nga arsyet përse mendoj kështu. Pas 7 vitesh qeverisjeje të z. Rama, në vend që të hapeshin 300 mijë vende pune siç premtoi z. Rama, më shumë se 400 mijë shqiptarë emigruan për shkak të papunësisë. Premtoi shëndetësi falas, ndërtoi sistemin shëndetësor më të kushtueshëm për xhepat e qytetarëve, duke e dhënë me koncesion një pjesë të sektorit dhe duke fuqizuar spitalet private nga ana tjetër. Premtoi arsim më cilësor e me tarifa të përballueshme për studentët, jo vetëm që nuk e ofroi, por rriti tarifat dhe u përball me protestën më të madhe të studenteve që pas asaj të vitit 1990. Premtoi taksa më të ulëta për biznesin e vogël e të mesëm, jo vetëm që i rriti taksat, por edhe i çoi drejt falimentit shumë biznese për shkak të krijimit të kushteve për biznes vetëm për çunat problematikë. Premtoi luftë kundër krimit, se kush e mbolli gjithë Shqipërinë me kanabis, më mirë se ai, nuk e di askush. Premtoi kthim dhe kompensim pronash, vetëm zyra e Hipotekës Vlorë, ku brenda 8 muajsh janë ndërruar 9 drejtorë hedh poshtë gjithë propagandën e ERTV-së. Ai kritikoi qeverinë paraardhëse se i la një borxh publik më të lartë se 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sot po e dorëzon me një borxh që luhatet 80 deri 90% e PBB. Taksa e karburantit që vendosi që në vitin 2013 e ka kthyer transportin dhe energjinë në Shqipëri mjaft të kushtueshëm, duke e bërë ekonominë shqiptare gjithnjë e më pak konkurruese në rajon. Në vend që t’i afronte akoma më shumë shqiptarët në të dyja anët e kufirit, i ndau ata me taksën e Rrugës së Kombit. Ai është njëkohësisht dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe si tillë, më së shumti do mbahet mend për aleancën me presidentin Vuçiç për ndarjen e Kosovës si dhe për faktin që gjeti kohë dhe energji që t’i hapë një proces gjyqësor ish- kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj. Nëse të gjitha këto nuk mjaftojnë, në intervistën e radhës do t’ju rendis edhe më shumë.
Megjithatë, duket se edhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar janë të lëkundura në disa raste dhe fare të qarta në raste të tjera. Cili është opinion juaj në raport me ta?
Unë e kam shprehur vazhdimisht se ne duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë vendeve mike, SHBA-ve, vendeve anëtare të BE-së apo NATO-s për të gjithë mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë, shqiptarëve në Shqipëri e jo vetëm gjatë këtyre 30 viteve demokraci. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë në progresin e ngadaltë që Shqipëria ka bërë drejt anëtarësimit në BE apo në ndërtimin e një shteti vërtet demokratik. Miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të kuptojnë se në sytë e opinionit publik shqiptar, me kalimin e viteve, ideja se ndërkombëtarët janë “të pagabueshëm”, se ata “dinë se çfarë bëjnë”, është lëkundur dhe ka filluar të fitojë terren e kundërta. Ndoshta investimi në stabilitet politik dhe jo demokraci funksionale, investimi në sisteme apo “parime” të mira vetëm për në Shqipëri dhe jo qëndrimi i qartë dhe i panegociueshëm i parimeve demokratike kanë bërë që ata së bashku me qytetarët shqiptarë të jenë të zhgënjyerit më të mëdhenj nga politika shqiptare. Në zgjedhjet e ardhshme, pozicioni i ndërkombëtarëve në raport me standardet e tyre dhe me mospranimin e një rezultati të manipuluar si ai i vitit 2017 do jetë një provë jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë.
Një çështje e debatuar është edhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore dhe listat e hapura, me të cilat duket që z. Rama do t’i shkojë deri në fund idesë së tij. Miratimi i një Kodi të tillë Zgjedhor pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare, a do të ndikojë për përçarjen e vetë opozitës së bashkuar?
Unë besoj se z.Rama ka humbur çfarëdo mundësie për të përçarë opozitën. Pavarësisht manovrave me ndryshime kushtetuese apo Kod Zgjedhor të njëanshëm, rotacioni politik do të ndodhë. Rotacioni do të ndodhë jo thjesht së e artikuloj unë, apo se e kërkon opozita e bashkuar. Rotacioni do të ndodhë pasi atë e kërkojnë në shumicë dërrmuese vetë shqiptarët. Të gjitha makinacionet e z. Rama thjesht synojnë që disfata e tij në zgjedhje të jetë me një diferencë sa më të vogël në numra në Kuvend. Të gjitha sondazhet e derisotme vetëm sa e thellojnë avantazhin që opozita e bashkuar ka në mbështetjen e qytetarëve, në krahasim me qeverinë aktuale. Është propagandë e pastër dhe asgjë më shumë teoria se listat e hapura do të rikthejnë demokracinë shqiptarëve apo do t’u japin atyre mundësinë për të zgjedhur vetë ata përfaqësues që duan. Nëse z.Rama do të dëshironte të dëgjonte zërin e qytetarëve, atëherë ai do të kërkonte rikthim te sistemi mazhoritar, sistem të cilin qytetarët e kërkojnë më shumë sesa listat e mbyllura apo gjysmë të hapura të z.Rama. Po të njëjtat fjalë janë përdorur edhe në 2008-ën, kur z. Rama kërkonte listat e mbyllura, duke i paraqitur ato si shpëtimtare të demokracisë. Për mua nuk përbën më shqetësim se çfarë do të bëjë z.Rama. Më keq se kaq nuk ka se çfarë të bëjë. Pavarësisht këtyre ndryshimeve kushtetuese, listave pjesërisht apo tërësisht të hapura, lejimit apo jo të koalicioneve, zgjedhjeve të ardhshme që tani i dihet një gjë. Me përfundimin e tyre, z. Rama nuk do të jetë më kryeministër i vendit. Dhe këtë do ta realizojë opozita e bashkuar së bashku me qytetarët shqiptarë, të cilët janë shumë më të shumtë nga sa mund ta mendojë z.Rama.
Z.Oketa, drejtësia e re filloi të veprojë. Arrestimi i disa komisionerëve a është tregues se ajo do t’i shkojë deri në fund hetimit të dosjeve të Durrësit dhe të Dibrës?
Personalisht nuk jam shumë optimist se drejtësia e re do të bëjë ndryshimin e madh, që është premtuar dhe që shoqëria shqiptare pret. Do të dëshiroja shumë që të isha i gabuar në konstatimin tim, por gjithsesi po jap disa raste për të treguar se përse nuk jam optimist apo besimplotë. Do të ishte tallje me opinionin publik dhe me vetë reformën në drejtësi, nëse si “peshq të mëdhenj” të dosjeve të manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve do të servireshin komisionerët e arrestuar, dy prej të cilëve të arrestuar pas vdekjes. Deri tani duket se drejtësia e ka filluar nga bishti e jo nga koka. Rasti tjetër i pastër i korrupsionit shtetëror është afera e Teatrit Kombëtar. Në fillim u tha që shteti nuk ka para as për teatër të ri e as për rikonstruksion dhe Kuvendi ilegjitim i Shqipërisë hartoi një ligj të shkruar enkas për një biznes privat. Ky ligj u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti i Republikës. Më pas kompania tërhiqet dhe z.Rama e z.Veliaj në kulmin e krizës së shkaktuar nga pandemia, “gjejnë” 35 milionë euro dhe njëkohësisht kohën që me një proces aspak transparent të marrin vendim për prishjen e Teatrit Kombëtar. Që nga fillimi i kësaj historie e deri më sot nuk di që organi prokurorisë të ketë shkruar dy rreshta lidhur me këtë aferë. Rast tjetër është afera e Unazës së Re, 40 milionë euro për dy kilometra dhe para të zhdukura si gjithmonë në drejtim të paditur. Nëse do na duhet të presim dhe 30 vite të tjera që drejtësia të funksionojë, druaj se ajo e vjetra do na duket më e mirë.
Çfarë duhet të bëjë PD-ja dhe opozita me ardhjen në pushtet? Në gjykimin tuaj, ku duhet të ndryshojë qeveria e re e opozitës nga ajo e PS-së?
Besoj se Partia Demokratike duhet ta ndërtojë strategjinë e saj qeverisëse, duke punuar me seriozitet e transparencë në disa plane. Së pari, duhet që Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar t’u drejtohet qytetarëve në planin praktik me një program qeverisës të thjeshtë dhe me premtime të realizueshme. Ulja e taksave, prishja e monopoleve, krijimi i kushteve të barabarta për të gjitha bizneset, krijimi mundësive për punësim si dhe rikthimi i investitorëve të huaj duhet të jenë disa nga piketat e programit ekonomik. Plani i dytë gjykoj se duhet të jetë ai rindërtimit të një sistemi politik, i cili të rikthejë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe të ndihmojë në forcimin e shteti shqiptar. E thënë më thjeshtë, duhet patjetër të ndërtojmë një sistem, i cili respekton pavarësinë e institucioneve, garanton të ashtuquajturën “check and balance”. Në dallim nga z.Rama, ky rikonfigurim i sistemit duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke i dhënë hapësirën e nevojshme opozitës së nesërme, por edhe mendimit të juristëve më në zë dhe më me integritet në vend. Qytetarët duhet të ndjejnë që me votën e tyre nuk do të bëjnë thjesht një ndërrim emri, por do të kontribuojnë në ngritjen e një sistemi të ri politik, i cili respekton të drejta e liritë e cilitdo individi, respekton lirinë e medias, pronës, biznesit. Plani i tretë ku gjykoj se duhet të ketë dallim të qartë duhet të jetë ai moral. Ne duhet t’i rikthejmë moralin e humbur politikës. Duhet t’i krijojmë shanse dhe mundësi pjesëmarrje cilitdo që vjen dhe angazhohet në politikë me besimin se po hyn në një terren ku vlerat individuale, mendimi ndryshe, respekti për kolegun apo dhe kundërshtarin politik, veçse e bëjnë politikën më fisnike dhe se politika nuk është vendi ku ti duhet të deformohesh në karakter për të qëndruar sa më gjatë në pushtet apo në politikë, por është vendi që të jep shansin apo mundësinë që t’i shërbesh me përkushtim maksimal vendit tënd. Rikthimi te disa vlera morale të patjetërsueshme do t’i bënte mirë jo vetëm PD-së, apo dhe politikës në tërësi dhe besoj se do të krijonte një frymë tjetër dhe një raport më pozitiv të vetë qytetarëve me politikë. Politika nuk duhet të jetë “molla e sherrit”, e cila e ndan shoqërinë shqiptare në kampe kundërshtare, por duhet të jetë një shesh ku përballen ide apo projekte të ndryshme, të cilat në thelb duhet të kenë një objektiv të përbashkët atë të krijimit të kushteve për një shoqëri më të begatë, me mundësi e shanse më të mëdha, me mirëqenie dhe kohezion social më të madh. Kjo besoj se do ishte Shqipëria, e cila pavarësisht bindjeve apo preferencave politike që çdo qytetar i lirë mund të ketë, do të na bënte akoma më krenarë të gjithëve dhe më dinjitozë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian dhe vlerave demokratike perëndimore.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.