OPINION

SPAK dhe heshtja jonë

17:35 - 13.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më në fund, pas 9 muajsh (u ngjiz në 25 nëntor 2019), SPAK lindi rastin e tij të parë të bujshëm. Sekuestrime pronash dhe akuza që duken të bazuara, lidhur me përfshirje në trafik droge, të një investuesi në ekonomi dhe media. Bazuar mbi vrojtime dhe hetime tremujore, mbi dokumentacion të siguruar nga policitë dhe organet hetuese të shteteve fqinje si Turqia dhe Italia. Dhe çfarë bëjmë ne, shoqëria jonë civile, mediat që formojnë vetëdijen tonë publike? Heshtim! E vetmja që nuk heshti ishte ambasada amerikane në Shqipëri, e cila përshëndeti veprimin e SPAK-ut pak orë pas kryerjes së tij. Mirë do të kishte qenë që me këtë drejtpërsëdrejtësi dhe shpejtësi të reagonte edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian këtu te ne. Aq më tepër që drejtohet nga një ish-prokuror. Heshti edhe qeveria jone, me sa duket e kompleksuar dhe me ndrojtjen se mos e akuzonin për përfshirje të saj në këtë punë të SPAK-ut. Po pse heshtim ne, qytetarët, opinioni ynë publik, pavarësisht se flasim lirisht në hapësirat pa mure të kafeneve dhe restoranteve? Heshtim, sepse kemi dekada që kemi ngritur, ndoshta dhe pa e kuptuar plotësisht mes nesh, Murin e Frikës. Po. Murin e Frikës ndaj të paligjshmes, abuzueses, korrupsionit dhe përfshirjes së krimit të organizuar në jetën tonë. Me ndjesinë dhe gati auto-hipnozën “Të mos flasim, pse do të ikim si qeni në vreshtë”. Me një pjesë të këtyre të këqijave, shumë syresh nga ne kemi ndarë edhe fatin e jetës. Ngjan sikur jetojmë kohët e Italisë së Jugut të viteve ‘80-të të shekullit të kaluar, të kapur keqazi nga dara e Camorra-s dhe Ndrangeta-s (dy organizata mafioze famëkeqe italiane në Napoli dhe Kalabri). Njëlloj si në Italinë e Jugut të asaj kohe, disa nga ne janë punësuar nga njerëz korruptivë në shtet. Të tjerë janë punësuar nga investues të dyshimtë në struktura private. Të tjerë shpresojnë se këto dy skuadrone t’ju japin një dorë të gjejnë punë ose të bëjnë biznes tenderash shtetërorë. Ndërsa shumica dërrmuese e jona ka jetuar me abuzimin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndoshta edhe pa e ndeshur fizikisht ose pa u varur prej saj. Por, sigurisht, duke pasur frikë nga pasojat e denoncimit të saj.




Një shoqëri e pagojë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin, kur ai faktohet nga struktura të ndërtuara posaçërisht për të ndjekur dhe zbuluar të paligjshmen, korrupsionin, krimin është një shoqëri e kapur. Ne mendojmë ndoshta gabimisht se të kapur janë vetëm politikanët tanë. Jo! Fakti që sot asnjë zë publik ose qytetar (me përjashtim të një ose dy komentuesve kurajozë në media) nuk ka dalë të përshëndesë SPAK, tregon sa të kapur jemi. Sa ende në çfarë frike të fortë dhe vetëcensure jetojmë. Por a do të kemi forcë të shkëputemi nga kjo kapje, kllapi, tundim, bashkëjetese me të padrejtën, anti-shtetin, abuziven, ryshfetin, korrupsionin? Do të varet shumë nga sa thellë do të hyjë SPAK në muajt e ardhshëm, në skutat e anti-shtetit. Nga sa skandale, qofte edhe të përfolura rëndshëm këto njëzet vitet e fundit do të zbulojë dhe faktojë, dhe nga sa njerëz të rëndësishëm deri dje do të vendosë përpara përgjegjësisë, duke ua konfiskuar edhe pronat. Dhe këtu nuk ka asgjë nga pseudogjuetia e shtrigave, që dikush rreket sot të deklarojë se po bëhet. Jo! Sot më në fund disa llogari të hershme me drejtësinë po paguhen. Të paprekshmit befas po bëhen të prekshëm. Në këtë transformim që po e përjetojmë ndoshta pa e kuptuar mirë se po ndodh, prokurorët e SPAK-ut janë njerëz të zakonshëm si të gjithë ne. Pavarësisht se gëzojnë një trajtim dhe mbrojtje të veçantë dhe mbështeten nga donatorët dhe aleatët tanë më të mëdhenj, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë për simpatinë, mirëkuptimin dhe angazhimin tonë qytetar. Ai do të jetë skudi më i sigurt, mburoja e padepërtueshme ndaj presionit mafioz dhe e të gjithë të korruptuarve në shtetin tonë, të cilët gëzojnë jo pak mbështetje edhe politike te ne, përveç forcës së parasë që kanë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.