Intervista

Kriza, Fatmir Mediu: Për Ramën, pushteti vlen më shumë se stabiliteti politik

11:00 - 17.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Fatmir Mediu, kreu republikan mendon se opozita duhet të fitojë bindshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mediu shprehet për “Gazeta Shqiptare” se opozita duhet të bashkojë rreth saj zërat opozitarë në mbarë vendin, t’i rikthehet në mënyrë më të organizuar përvojës së KOP-it dhe të shfaqë një qeverisje të aftë, që kapërcen atë që duket thjesht në lidershipin e saj. Aleati i Bashës akuzon kryeministrin Edi Rama se po përgatit manipulimin e zgjedhjeve, ndërsa kërkon të shkatërrojë koalicionet dhe të ngrejë pragun elektoral. Ish- ministri i Mbrojtjes flet për taktikat e kryeministrit, që sipas tij, kërkon t’i heqë opozitës mbi 100 mijë vota.




Z.Mediu, pas ndryshimeve kushtetuese në Kuvend më 30 korrik, në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste a janë prishur ekuilibrat politikë të vendosur pas marrëveshjes politike të 5 qershorit?

Dua të theksoj që në fillim se me ndryshimet e njëanshme kushtetuese është kryer një goditje për qëllime politike karshi shtetit për t’ju mohuar shqiptarëve mundësinë që me votën e tyre të zgjedhin qeverisjen e vendit. Ndërsa deri dje u përdorën banda, kriminelë, paratë e korrupsionit, institucionet e qeverisë në manipulimin e zgjedhjeve, me këto ndryshime, Rama në mënyrë të dhunshme u tregoi shqiptarëve se me të nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu, në mënyrë të paprecedente, ai kërkon të prishë marrëveshjen e 5 qershorit, duke treguar se pushteti i vlen më shumë se stabiliteti politik dhe institucional i vlen më shumë se marrëdhënia me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët ishin garantorë të marrëveshjes, si dhe është qeveria që qëllimisht po shkatërron çdo mundësi për t’u afruar drejt BE.

Çfarë fshihet sipas jush pas ndryshimeve kushtetuese?

Rama së pari me politikën e tij diabolike kërkon t’u tregojë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, se as Kushtetuta, as interesi kombëtar, as ligji, as marrëveshja nuk vlejnë për të dhe ai mund të bëjë si të dojë me këtë vend. Së dyti, ai kërkon të shkatërrojë koalicionet duke e ditur shumë mirë se në çdo rast, koalicioni opozitar është koalicioni i shqiptarëve, kundër krimit dhe korrupsionit. Është koalicioni për një shtet të së drejtës dhe Shqipëria Europiane është koalicion fitues. Rama ka fituar zgjedhjet me koalicion në 2013-ën dhe sot kërkon t’ua mohojë mundësinë e bashkimit shqiptarëve. Së treti, kërkon të ngrejë pragun elektoral, në mënyrë që në pamundësi të koalicioneve, t’i heqë opozitës mbi 100 mijë vota.

Marrëveshja e 5 qershorit ka treguar qartë mënyrën e paraqitjes në zgjedhje të subjekteve politike dhe koalicioneve.

 

“Ndryshimet kushtetuese janë kaq arbitrare dhe tinëzare sa nuk kanë ndodhur në asnjë vend të NATO-s, ku ne jemi anëtarë apo të BE-së. Putini për të përjetësuar pushtetin e tij, i bëri ndryshimet kushtetuese me referendum, ndërsa Rama me një parlament qesharak të paligjshëm dhe antikushtetues”, – deklaroi Fatmir Mediu.

 

Si i shikoni qëndrimet e lëkundura të ndërkombëtarëve…?

Këto ndryshime kushtetuese janë kaq arbitrare dhe tinëzare sa nuk kanë ndodhur në asnjë vend të NATO-s që ne jemi anëtarë apo të BE-së. Putini për të përjetësuar pushtetin e tij, i bëri ndryshimet kushtetuese me referendum, ndërsa Rama me një parlament qesharak të paligjshëm dhe antikushtetues. Bashkë me ndërkombëtarët, në marrëveshjen e 14 janarit për reformën zgjedhore dhe vendimmarrjen në Këshillin Politik u ra dakord që mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë, veçanërisht të OSBE/ODHIR, do ishte një detyrim për ndryshimet. Rama në këtë rast ka atakuar dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkombëtarët i mbajtën qëndrimet e tyre para dhe pas ndryshimeve kushtetuese, duke kërkuar përfshirje dhe mirëkuptim politik me opozitën. Mendoj se si garantë të marrëveshjes së 5 qershorit, duhet të kërkojnë respektimin e plotë të saj dhe ky është një premtim që ua kanë bërë shqiptarëve.

Ndryshimet e njëanshme kushtetuese, a dëmtojnë opozitën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Opozita do të fitojë në çdo rast, pavarësisht nga lojërat e qeverisë. Asgjë nuk mund të ndalë vullnetin e shqiptarëve për një jetë më të mirë, rrugën europiane. Asgjë nuk mund të ndalë qëllimin e tyre për një shtet të së drejtës, që u përket atyre, pa krim dhe korrupsion. Opozita do të ofrojë një qeveri nga shqiptarët, me shqiptarët dhe për shqiptarët.

 

“Rama kërkon të shkatërrojë koalicionet, duke e ditur shumë mirë se në çdo rast, koalicioni opozitar është koalicioni i shqiptarëve, kundër krimit dhe korrupsionit. Është koalicioni për një shtet të së drejtës dhe Shqipëria europiane është koalicion fitues”, – shprehet z.Mediu.

 

Pas këtyre ndryshimeve, a është solide opozita e bashkuar?

Opozita është e bashkuar dhe në një aktivitet politik dhe elektoral masiv në mënyrë të përditshme. E djathta ka një kapital historik, politik të jashtëzakonshëm që në fillimet e demokracisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave me BE, afrimin me BE-në, zhvillimin e ekonomisë së vendit, biznesit, infrastrukturës rrugore dhe energjetike në vend, thithjes së investimeve të huaja, punësimit të shqiptarëve, të pakrahasueshme me këtë qeveri që ka sjellë vetëm varfëri, papunësi dhe pasiguri. E djathta ka një kapital njerëzor të jashtëzakonshëm njerëzor, me kryeministra e ministra, deputetë, kryetarë bashkish apo të pushtetit lokal, që së bashku me të rinj e të reja krijojnë një ansambël të jashtëzakonshëm vlerash njerëzore dhe intelektuale. E djathta ka një bazë politike të jashtëzakonshme, që duhet ta kapitalizojë me ish-të përndjekur, pronarë, komunitetet fetare, të përndjekur dhe poshtëruar për afro 40 vjet nga paraardhësit e “rilindasve” të sotëm. Por, ajo duhet që qëllimet e veta t’i kthejë në qëllime të të gjithë shqiptarëve në çdo skaj të Shqipërisë, në universitete me studentë dhe profesorë, me bizneset, me shqiptarët në emigracion, me të rinj dhe të reja që kanë mbaruar studimet jashtë, që janë një aset i jashtëzakonshëm kombëtar. Politika e kësaj qeverie dhe personalizimi i saj ka rritur në maksimum dëshpërimin e shqiptarëve dhe vet socialistëve, që shohin se partia e tyre nuk ekziston më, ajo është transformuar në një kult “rilindës” pa ngjyrë dhe pa shpresë.

A e favorizon opozitën reforma e re elektorale? A mund të manipulohen sërish votat? Çfarë garancie jep opozita për mbrojtjen e votës?

Opozitën e favorizon vota e shqiptarëve, jo vetëm ajo kundër qeverisë, por sidomos ajo që beson se Shqipëria ka të ardhme dhe shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Lufta me të keqen, varfërinë, krimin, korrupsionin, që është ngulitur fort në çdo nivel dhe segment të kësaj qeverie nuk është e lehtë, por do fituar domosdoshmërish. Historia e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale ka treguar që manipulimi i zgjedhjeve organizohet dhe drejtohet nga qeveria dhe rilindja në bashkëpunim me krimin. Ndryshimet e njëanshme kushtetuese tregojnë qartësisht qëllimin e Ramës për të manipuluar zgjedhjet. Mendoj se qeverisja kujdestare për zgjedhjet është domosdoshmëri.

Po në lidhje me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, sa dëmtohen partitë e vogla? Çfarë synohet përmes kësaj nisme?

Tentativa për të ndaluar koalicionet nuk ka të bëjë thjesht me partitë e vogla, por me dëshirën për të shkatërruar bashkimin opozitar dhe kjo s’ka për të ndodhur. Opozita do të gjejë të gjitha format dhe mekanizmat për të qenë së bashku dhe jo vetëm, por mbi të gjitha për të bashkuar shqiptarët në këtë ndryshim, që i shërben vendit dhe kombit.

 

“Rama kërkon të ngrejë pragun elektoral, në mënyrë që në pamundësi të koalicioneve, t’i heqë opozitës mbi 100 mijë vota. Marrëveshja e 5 qershorit ka treguar qartë mënyrën e paraqitjes në zgjedhje të subjekteve politike dhe koalicioneve”, – u shpreh kreu i PR-së.

 

Çfarë kërkohet nga opozita në këto momente…?

Opozita duhet të dëgjojë e ndjejë dëshpërimin dhe mosbesimin e shqiptarëve dhe ta kthejë në shpresë, besim dhe bashkëpunim me të gjithë faktorët shoqërorë, sepse ky ndryshim është jo vetëm jetik, por është përtej të majtës dhe të djathtës. Është emergjencë kombëtare. E djathta duhet të kapitalizojë të gjithë historinë e saj të suksesshme, burimet e saj njerëzore, grupet shoqërore, që janë pjesë e qëndresës komuniste 45-vjeçare. Të shmangë banalitetin e politikës së sotme, të tregojë se politika në shërbim të njerëzve ka vlerë dhe se pjesëmarrja në politikë dhe zgjedhje është domosdoshmëri kombëtare për të luftuar të keqen. Ajo duhet të shfaqë një qeverisje të aftë, që kapërcen atë që duket thjesht në lidershipin e saj. Përvoja e KOP-it duhet të rikthehet me një nivel shumë më të organizuar dhe thelbësore për politikën dhe shtetin. E djathta duhet të tregojë se rruga e vetme është ndërtimi i shtetit bazuar mbi Kushtetutë, institucione dhe respektim të ligjit. Me pak fjalë, nga opozita kërkohet të jetë e kundërta e “rilindjes” dhe Basha e kundërta e Ramës. Një opozitë njerëzore, me një lider qytetar, europian, ku qeveria është ekip në shërbim të njerëzve, Shqipërisë dhe kombit.

Cila platformë e rikthen opozitën në pushtet?

Ekonomia është primare, taksa të ulëta, taksë e sheshtë 9%, lehtësi dhe mbështetje maksimale për biznesin, shkurtim të procedurave, rikthimi i “silent consent” për lejet e biznesit, zhvillim ekonomik dhe punësim. Mbështetje dhe siguri juridike për biznesin, investimet e huaja dhe investimet që vijnë nga diaspora me minimizim të taksave apo krijimi i zonave pa taksa për një periudhë 10-vjeçare në zonat e varfra. Luftë pa hezitim dhe kompromis korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafikut të drogës. Mbështetja për ndërtimin e shpejtë, funksional dhe të pavarur i pushtetit gjyqësor. Domosdoshmëri për një reformë të plotë, kushtetuese për të garantuar një republikë parlamentare, që garanton të drejtat dhe pushtetin e qytetarëve dhe kufizon rolin e qeverisë. Rikthimin e pushtetit lokal te qytetarët me një rindarje administrative dhe garanci për decentralizim fiskal.

Rikthimi i Shqipërisë në rolin e saj në rajon, si shtet progresiv, që i shërben pa hezitim interesit kombëtar, duke kapitalizuar rolin dhe detyrimet tona si vend anëtar i NATO-s. Anëtarësimi në NATO ka qenë fitorja më e madhe kombëtare pas pavarësisë, por për fatin e keq e shpërdoruar deri në marrëzi. Një marrëdhënie e drejtë bashkëpunimi me faktorin politik shqiptar, duke hequr dorë nga paternalizmi shkatërrues i Tiranës dhe loja me interesat kombëtare për qëllime pushteti apo përfitimi. Një analizë e qartë e situatës gjeopolitike në rajon, përcaktimi i qartë i marrëdhënieve strategjike dhe partneritetit me SHBA-të, BE-në, vendet anëtare të saj dhe analiza ekonomike e investimeve të huaja në kuadër të sigurisë dhe detyrimeve si vend anëtar i NATOs-, shmangia me ligj e influencave të Rusisë dhe Kinës në investime për sektorët strategjikë të lidhur me sigurinë. Një politikë të qartë “Brain-gaining” për të rikthyer vlera profesioniste dhe intelektuale në drejtimin e vendit. Ka vetëm një rrugë, thjesht dhe qartë me qytetarët, duke dëgjuar dhe vlerësuar mençurinë e tyre.

 

“Historia e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale ka treguar që manipulimi i zgjedhje organizohet dhe drejtohet nga qeveria dhe ‘rilindja’, në bashkëpunim me krimin. Ndryshimet e njëanshme kushtetuese tregojnë qartësisht qëllimin e Ramës për të manipuluar zgjedhjet. Mendoj se qeverisja kujdestare për zgjedhjet është domosdoshmëri”, – tha z.Mediu.

 

Sa mandate synon opozita e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme?

Opozita duhet të fitojë bindshëm për të kthyer Shqipërinë në një vend normal të NATO-s dhe për të mundësuar anëtarësimin në BE.

Në gjykimin tuaj, ku duhet të ndryshojë qeveria e re e PD-së nga ajo e PS-së?

Mjafton që të jetë tërësisht ndryshe nga qeverisja e PS-së. Të tregojë dashuri, përulje për vendin dhe njerëzit. Krenari për historinë e vendit dhe historinë e vet politike. Respekt për njerëzit e çdo lloj kategorie, duke filluar nga respekti për zërat dhe mendimet ndryshe. Lëvizja e bërë me z. Mustafaj, z.Ruli etj., është një lëvizje e mirë dhe e drejtë, dhe duhet të vazhdojë edhe më tej. Çdo kontribuues i së djathtës në qeveri, administratë, pushtet lokal apo parlament duhet të kthehet në një zë i fuqishëm ndryshimi.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.