Intervista

Heqja e koalicioneve, Agron Duka: Rama synon të shkaktojë kaos elektoral

17:43 - 18.08.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani- Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste akuzon kryeministrin Edi Rama se përmes ndryshimeve kushtetuese, rritjes së pragut elektoral dhe heqjen së koalicioneve parazgjedhore i lë qytetarët të papërfaqësuar. Z.Duka thotë për “Gazeta Shqiptare” se përpjekja për të hequr koalicionet dhe zbatuar në formën e një puçi kushtetues, dëmton demokracinë, sepse sipas tij, ekziston rreziku që rreth 200–250 mijë vota të shkojnë dëm, duke i lënë këta qytetarë të papërfaqësuar. Gjithashtu, ish-ministri shprehet se pragu që rritet padrejtësisht dhe arbitrariteti i partive të mëdha në menaxhimin e votës është një rrezik real. “Synimi – shprehet Agron Duka është i qartë – përdorimi i një parlamenti të cunguar për të mbjellë kaos elektoral me shpresën e fragmentimit të votës opozitare”. Por kundrejt kësaj, z.Duka sugjeron: “Opozita duhet të futet në zgjedhje dhe duhet t’i fitojë ato, pasi nuk mund të dekurajohet nga gjestet e mbrapshta të Edi Ramës, i cili nuk po luan më për interesin e vendit, por për interesin e tij personal”. Nga opozita e bashkuar ai kërkon sa më shpejt një platformë konkrete dhe një ekip sa më cilësor, që detyrimisht duhet të përmbledhë ambiciet e shoqërisë shqiptare për të kaluar krizën pandemike dhe ekonomike.




Z.Duka, mazhoranca socialiste duket se u prishi “qetësinë” partive të vogla me ndryshimet kushtetuese. Sa të dëmtuara ndjehen “të vegjlit” e politikës në këtë rast?

Gjykoj se ky nuk është këndi më i mirë për të vlerësuar ndryshimet e njëanshme, sepse nuk kanë dëmtuar partitë e vogla, por në thelb të gjithë shoqërinë shqiptare, pasi e përkeqësojnë edhe më tej sistemin zgjedhor. Pasi përpjekja për të hequr koalicionet, e zbatuar në formën e një puçi kushtetues dëmton demokracinë, sepse ekziston rreziku që rreth 200–250 mijë vota të shkojnë dëm, duke i lënë këta qytetarë të papërfaqësuar. Një nismë që nuk ka asnjë efekt demokratizues, pasi duke hequr koalicionet dhe duke mbajtur ndarjen aktuale në 12 zona, shuan çdo alternativë edhe ato të rejat që do të duan të lindin.

Konkretisht, cili është dëmi që i shkaktohet Partisë Agrare Ambientaliste, të cilën ju e drejtoni?

Pragu që rritet padrejtësisht dhe arbitrariteti i partive të mëdha në menaxhimin e votës është një rrezik real, i cili deformon vullnetin e zgjedhësve. Kjo nëse do të vendosim të garojmë të vetëm. Nëse bëhemi pjesë e një liste të përbashkët, i gjithë faktori opozitar, ekziston rreziku i humbjes së identitetit të partive përbërëse, duke krijuar një zhvlerësim të siglave dhe njëkohësisht duke prodhuar një kakofoni programore, që mund të përkthehet në paqartësi përballë qytetarëve.

Çfarë do të thotë për ju “pa koalicione parazgjedhore dhe rritje e pragut elektoral”. Çfarë synohet përmes kësaj nisme?

Synimi është i qartë, përdorimi i një parlamenti të cunguar për të mbjellë kaos elektoral me shpresën e fragmentimit të votës opozitare. Nuk ka asnjë qëllim tjetër, as për lista të hapura dhe as për demokratizim të jetës politike të vendit. Është vetëm frika e humbjes që e shtyn Ramën bashkë me opozitën surrogato të kryejnë një paturpësi të tillë kaq pranë zgjedhjeve.

A do të hyni në zgjedhje, nëse nuk garoni si opozitë e bashkuar vitin e ardhshëm?

Sigurisht që ne do të garojmë në çdo formë dhe çdo mënyrë. Një parti nuk ekziston për veten e vet, por është produkti i një bashkimi vullnetesh që kërkojnë të jenë përfaqësues dhe te të cilët komunitete të ndryshme identifikohen dhe u besojnë mundësinë për të qenë zëri i tyre në parlament. PAA është një nga partitë e para të pluralizmit dhe do të vijojë të jetë në fushë për të qenë alternativa e fermerëve dhe blegtorëve dhe mbrojtësja e çështjeve të tyre specifike.

Në çdo rast PAA do t’i nënshtrohet vendimit që do të marrë opozita e bashkuar…?

Sikurse e keni parë përgjatë këtyre viteve, pavarësisht se brenda opozitës nuk ka pasur konsensus për disa çështje, kemi pasur unanimitet të plotë në qëndrimin tonë kundër kësaj mazhorance. Megjithatë, për çështjet e fushatës që vjen, shumëçka do të varet nga procesi përmbyllës i Këshillit Politik. Në varësi të produktit që do të nxjerrë, do të përcaktojmë strategjinë tonë zgjedhore.

Nëse bëhen listat e hapura, do të garoni brenda një liste të përbashkët?

Kjo është një zgjedhje që nuk më takon vetëm mua, por të gjithë kryesisë së PAA-së. Sinqerisht nuk është çështja se ku dhe si do të garoj unë si kryetar i partisë, por sesi do të organizohet pjesëmarrja e gjithë forcës tonë politike në zgjedhje. Prandaj këto ndryshime janë një pabesi e pashembullt, pasi kanë krijuar një kaos vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve, me një imoralitet të madh të Ramës, i cili nëpërmjet këtij sistemi me koalicione erdhi në pushtet. Ndërsa tani që mbështetja popullore ka kaluar tek opozita, ndryshon rregullat e lojës. Ç’hipokrizi!

Në kushtet aktuale, në gjykimin tuaj, a duhet të hyjë opozita në zgjedhje?

Opozita duhet të futet në zgjedhje dhe duhet t’i fitojë zgjedhjet, pasi nuk mund të dekurajohet nga gjestet e mbrapshta të Edi Ramës, i cili nuk po luan më për interesin e vendit, por për interesin e tij personal. Ne si opozitë e kemi kryer detyrën tonë denoncuese, kemi treguar me fakte si janë vjedhur vota, si është përkeqësuar ekonomia dhe si ka degraduar në çdo indeks ndërkombëtar Shqipëria për shkak të “rilindjes”. Tani është momenti që të shkojmë në zgjedhje dhe t’i japim me votë përgjigjen e merituar.

Kujt i shërbejnë më tepër ndërhyrjet në Kushtetutë? Pse kaq shumë kundërshtime ndaj këtyre ndryshimeve?

Në këtë moment mund të themi që ndryshimet nuk kanë funksion të shërbejnë, por të prishin punë dhe të krijojnë çoroditje në radhët politike. Kaosi mund t’i sigurojë Ramës një shpresë për të qenë përcaktues në garën zgjedhore. Asgjë e mirë nuk mund të lind kur kushtetuta ndryshohet kaq pranë zgjedhjeve “online” në kohë pandemie, me një parlament jo përfaqësues dhe me një shpejtësi të rrufeshme. Prandaj ekziston kjo kundërshti e madhe mbi këtë çështje. Megjithatë, kur një politikan e mbështet shpresën e vet për fitore te hileja dhe jo tek alternativa, mund të them se nuk e ka të gjatë rrugën e tij politike.

Çfarë fshihet sipas jush pas ndryshimeve kushtetuese?

Fshihen dy mandate të dështuara, bllokimi i integrimit të Shqipërisë prej shumë vitesh, rënia e ekonomisë, taksat më të larta në rajon, mungesa e investimeve të huaja. Me pak fjalë fshihet një kryeministër që kërkon të zvogëlojë sa të mundet humbjen e thellë që e pret dhe e bën këtë duke futur duart në Kushtetutë sikur të ishte statuti i Partisë Socialiste.

Si i shikoni qëndrimet e lëkundura të ndërkombëtarëve…?

Ndërkombëtarët nuk janë të lëkundur, ata e kanë shprehur kundërshtinë e tyre, madje me vijimin e punës në Këshillin Politik, me mbikëqyrjen ndërkombëtare, opozita ka mundësinë që të mbrojë marrëveshjen 5 qershorit, duke mos lejuar heqjen e koalicioneve në formën aktuale nga Kodin Zgjedhor. Ata janë garantët e 5 qershorit dhe me mënyrat e tyre, që nuk janë përherë publike, do të gjejnë mënyrën për të vendosur ekuilibër në këtë çështje. Në fund të fundit ndërkombëtarët janë në pozicionin e tyre, ndërsa Rama ka një ndryshim 180°, duke u shfaqur tani si sovranist që nuk pyet më për partnerët tanë. Dhe këtë po e bën në kurriz të integrimit, prandaj edhe Shqipëria u shkëput nga Maqedonia për sa u përket negociatave dhe për izolimin e vendit përgjegjësi është vetëm një, Edi Rama.

A ka përçarje brenda opozitës?

Nuk ka asnjë përçarje brenda opozitës, ka vetëm një përpjekje të ethshme të Edi Ramës për të përçarë opozitën në përpjekje për të shpëtuar karrierën e tij politike.

A e favorizon opozitën e bashkuar reforma e re elektorale? A mund të manipulohen sërish votat?

Impakti i ndryshimeve nuk do të jetë pozitiv për jetën politike në tërësi, sepse nuk niset nga një analizë e nevojave të elektoratit dhe një studim për impaktin që këto ndryshime do të kenë në vitet në vijim. Sigurisht kjo është një përpjekje për të fragmentuar votën opozitare dhe dëmtuar opozitën, megjithatë me këtë manovër, Rama na ka bërë një favor, duke dëshmuar se sa i frikësuar është nga zgjedhjet dhe se është një politikan hilecak që nuk ka në qendër të vëmendjes interesin e qytetarëve, por të tijin. Qartësisht kur shfaq vullnetin për të ndryshuar Kushtetutën enkas për të deformuar vullnetin qytetar, do të thotë se Rama është i gatshëm të manipulojë ende votat dhe ndryshimet kushtetuese ishin vetëm një hapi i parë.

Çfarë garancie jep opozita për mbrojtjen e votës?

Ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2017, kur pretendimet tona për përfshirjen e krimit në zgjedhje konsideroheshin hamendësime, tani e gjithë bota ka prova që jemi përballë një qeverie të kapur në krim zgjedhor. Prandaj monitorimi do të jetë edhe më i madh, presioni i brendshëm dhe i jashtëm do të jetë edhe më i fort. Dhe më e rëndësishmja, pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare është tashmë e vetëdijshme për impaktin tejet negativ të zgjedhjeve ilegjitime, të cilat prodhojnë një qeveri jashtë kontrollit të qytetarëve, me pasoja negative për ekonominë dhe shoqërinë. Pra, ndërgjegjësimi që kemi arritur të prodhojmë do të jetë garancia më e madhe.

Çfarë kërkohet nga opozita në këto momente…?

Nga ne kërkohet të dalim sa më shpejt me një platformë dhe një ekip sa më cilësor, që detyrimisht duhet të përmbledhë ambiciet e shoqërisë shqiptare për të kaluar krizën pandemike dhe ekonomike. Puna që na pret është e madhe dhe javët në vijim do të shihni zhvillime të reja për sa i përket ekipit dhe programit.

Cila platformë rikthen opozitën ne pushtet?

Një platformë që vendos në qendër të veprimit të politikës mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Si një person me përvojë në fushën e sipërmarrjes shoh përditë biznese që mbyllen, familje që ulin konsumin, të rinj që largohen. Ne si opozitë duhet të kemi një përgjigje për këto sfida. Prandaj një program me taksa të ulëta, me subvencione për bujqësinë, me ulje të burokracisë, me lehtësime për investitorët e huaj është një prioritet që do të nxisë punësimin dhe do të rrisë mirëqenien. Po aq me rëndësi do të jetë vendosja e axhendës integruese në qendër të veprimtarisë së qeverisë. Integrimi në BE për Shqipërinë do të thotë më shumë mbështetje në financiare, më shumë integrim ekonomik, më shumë shtet të së drejtës dhe më shumë liri për qytetarët.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.