Kryesore

Gëzim Kame: Qyteti pa kulturë, trishtim e mefshtësi e ministrisë

11:45 - 25.08.20 gsh

“Viti i vështirë 1989, kur vija shfaqjen ‘Vrasja e Kastijes’”

Fatmira Nikolli



Gëzim Kame sfidon pandeminë duke mbajtur një javë aktivitete kulturore në Ibë nën titullin “Verës Anës Tiranës”. Regjisori i njohur i teatrit kujton miqtë e tij aktorë në një mbrëmje homazh dhe shprehet se muajt pa aktivitete kulturore e egërsojnë njeriun. Ai kujton vitin 1989 dhe kërkon nisjen e sezonit artistik në kryeqytet.

Një javë aktivitete kulturore në teatër “Kame” në Ibë po thyejnë monotoninë e muajve të tërë ku kulturës i është vënë dryni. “Verës Anës Tiranës” organizon çdo darkë deri më 30 gusht, shfaqje filmash, pjesësh teatrale, ekspozita, koncerte e një mbrëmje poezish. Mbrëmja e së dielës solli shfaqjen “Vrasja e Kastijes” me regji të Gëzim Kames, vënë në skenë më 1989-ën. Si një homazh për 7 artistë të ndarë nga jeta, Kame mblodhi miqtë e kahershëm dhe të afërmit.

Gëzim Kame, regjisor thotë “një mbrëmje homazh për aktorët e ndarë nga jeta”. “Unë kam pas vënë një shfaqje më 1989-ën, ‘Vrasja e Kastijes’. E pashë para disa ditësh rastësisht në ‘Youtube’ dhe kuptova se 7 nga 12 aktorët me të cilët e kam vënë shfaqjen janë ndarë nga jetë në mënyrë të parakohshme. U përlota sepse këta ishin miqtë e mi, që nga Hajrie Rondo, Fatos Sela, Shpresa Bërdellima, MuhametSheri, DhimitërJani etj. U përlota kur konstatova që kanë ikur. Lexova një shkrim të vajzës e bashkëshortit të Hajrie Rondos, që ishin të dëshpëruar që një artiste e madhe iku e nuk po kujtohej më dhe mendova të bëja një natë homazh për ta, se kanë qenë artistë të jashtëzakonshëm e familjarë”.

Një prej personazheve në “Vrasjen e Kastijes” e interpreton Hajrie Rondo. E bija kujton 32 vite më parë, kur shfaqja u vu në skenë. Klea, vajza e Hajrie Rondos, thotë se, “mamaja e kishte punën në radhë të parë. Deri në rolin e fundit, puna për të ishte në vend të parë. Nuk i linte rastësisë asgjë. Kishte një disiplinë të hekurt. Në këtë shfaqje ka një rol karakteri të bukur. Unë isha e vogël, po si gjithnjë isha me të në prapaskenë, si në çdo shfaqje e ndiqja edhe në prova”.

Filozofia e shfaqjes “Vrasja e Kastijes” për Kamen është që askush nuk i shpëton drejtësisë njerëzore. Ndonëse kanë kaluar tri dekada, ai ndjehet krenar për punën e bërë dhe kujton sfondin historik të saj.

“E kam vënë në skenë në vitin 1989, vënia e shfaqjes qe në një kohë vështirë, diçka ziente. Shumë  vështirë ka qenë, ishte një nënshtresë shoqërore, që ziente e vlonte, ekonomia ishte përtokë. Kisha ikur nga Tirana në Fier dhe kam vënë këtë shfaqje. Larg familjes isha, ato kushtet e ngrënies në restorante të dobëta. Me mangësi të mëdha. Të tëra këto harrohen menjëherë kur futesh në punë e kur ke një filozofi të shfaqjes, që do ta shprehësh për një publik të gjerë. I përlotur vura re se më mungojnë shtatë miq. Profesionistë të shkëlqyer”, thotë Kame.

Ndërsa programi parasheh edhe filmin “Koncert ne vitin 1936”, Kame flet për kulturën në kohë pandemie. 

“Nuk di ta shpjegoj këtë mefshtësi të Ministrisë së Kulturës. Ky është një shembull pozitiv, që mund të funksionojë në ambiente të hapura. Shiko, në të gjithë Tiranën tani është pezulluar çdo gjë. Nuk ka gjë më të trishtueshme se sa ta lësh shpirtin bosh. Nuk mbushet shpirti vetëm me lajme, vrasje, politikë. E egërson njeriun akoma më shumë. Po të ketë aktivitete kulturore e sportive, njeriu shkarkon, mëson, merr kënaqësi hedonistike të jashtëzakonshme”.

Kame është regjisor i njohur, prej vitesh i tërhequr në teatrin e tij të hapur nëIbë, ku thotë se mirëpret këdo që do të bëjë aktivitete.

 

 

 

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.