Kryesore

Jetë të rreme në beze, një rilexim i Shkodrës në kronikën filmike të diktaturës

11:30 - 25.08.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit”- Shejzat dhe AQSHF

Fatmira Nikolli




Një prej të burgosurve të Spaçit (në shpatin e djerrë që  rrethohej nga kodra të zhveshura që shërbenin si mure për t’i ndarë me botën) më rrëfente në atë që kish qenë komanda, se në sheshin ku mblidheshin të dënuarit, dëgjoheshin me detyrim këngët e artistëve që jetonin në Tiranë e në “liri”. I këndonin dashurisë, lumturisë dhe begatisë së atdheut. Por në honin mes maleve, ku i burgosuri qe degdisur e nga ku nuk e dinte si do dilte, as nëse do dilte, ajo këngë dashurie pothuaj i dukej një mallkim, ajo këngë begatie një tallje dhe ajo mbi lumturinë një ridënim. Atë e kish harruar e dashura, begatinë e atdheut e njihte prej kothereve dhe lumturia (!) nuk rezononte kur i qe mohuar liria e dinjiteti. Shpjegimi i ish-të dënuarit që i kish dëgjuar këngët e para 1990-ës nga “pozicioni i armikut” ishte sa vetëdijësim për perceptimin mbi propagandën, po aq edhe përballje me tjetrin. Një rilexim i asaj që disa e merrnin për të mirëqenë dhe një lexim për së pari, i asaj që ndodhte diku larg nesh, që ne (të tjerët që nuk ishim atje) nuk e dinim as nuk e njihnim.

Ai i dëgjonte me detyrim si këngët, edhe leximet e veprave të shokut Enver. Ai nuk kishte zgjedhje dhe kjo për të qe një formë torture. Shpjegohej edhe kështu përçmimi për ato këngë, një tjetër shpjegim i refuzimit ishte pavërtetësia e tyre. Por këngët, nuk ishin të vetmet, që përçonin realitete të paqena, në fakt ato qenë vetëm pjesa më e vogël e asaj që servirej si e mirëqenë. ”Kujtesa historike ndërtohet dhe rindërtohet. Paradoksalisht për këtë arsye ne sot përdorim edhe atë çka ka prodhue ajo kohë – për me gjykue me distancim të kaluemen, për me njohtë shkaqet e të qenit këtu ju jemi. S’duhet të kemi iluzionin se gjuha filmike e atynekinoditareve nuk na përket ma, se mendësia e tyne asht e largët, se plasticiteti i saj asht tejkalue.

Po të shohim me vëmendje do të vërejmë edhe sot në përdorim shumë mjete shprehëse të asaj kohe”. Ardian Ndreca, profesor i filozofisë në Urbaniana në Romë, flet për kujtesa që ndërtohen e rindërtohen, pa lënë mënjanë, rileximin e tyre për të rilexuar veten. Nëse lind nevoja e rileximeve, shkasi është leximi i keq fillestar, ose paraqitja e mbrapshtë me arsye. Të mërkurën me 26 gusht, Shejzat në bashkëpunim me Arkivin e Filmit shfaqin në Art House filmin dokumentar “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit”. Materiali është një rilexim i kinoditarëve e materialeve filmime të periudhës së komunizmit, tashmë parë me sy kritik, për të qëmtuar mes zërit, imazheve, sekuencave, si servirej bota që nuk ish dhe roli i propagandës në jetët tona para 1990-ës.

E shtrirë kudo, që nga filmi artistik, te arti, parullat, librat, ajo nuk kishte se si të mungonte në lajmet e përditshme. Por e meta e “lajmeve të rreme” të epokës para “fakenews”, është se duke qenë krijuar për të dhënë të vërtetën ata e rikrijonin atë. “Manipulimi i imazheve, ndryshimi i realit, gërshetimi i demagogjisë me transformimin real janë tipike për atë kohë”, thuhet në ftesën për shfaqjen e dokumentarit këtë të mërkurë në Shkodër. Shpesh, është diskutuar në vend, nevoja për rishikim të filmave të prodhuar në diktaturë, pikërisht prej se përçojnë një realitet të paqenë duke krijuar përshtypjen në brezat e rinj, se e kaluara që dënohet nga ish të burgosurit, ka qenë si në filma, pra, aq e “bukur” dhe e vërtetë. Ndreca, duke lënë mënjanë qasjet e filozofit, është më i qartë dhe i drejtpërdrejte kur thotë se, “diktaturat prodhojnë dokumentacion, përfshi edhe atë vizual, prandaj këto kinoditare janë dëshmi të asaj kohe dhe deri diku flasin vetë, mandej kanë nevojë për diçka ma shumë. Kjo e fundit nuk bahet as me mallkime, as me premje, errësime, pulla të kuqe, por me vetëdijësim historik. Ky asht qëllimi i këtij aktiviteti”. Si drejtues i Shejzave, ai rrëfen edhe qëllimin e shfaqjes së dokumentarit mbi materialet filmike që “dokumentojnë” realitete të paqena. Përtej jetëve të paqta, xhirove të mbrëmjes, ecejakeve në anë të liqenit, punimeve artizanale, kulturës e gurrës popullore që rivlerësohej, përtej uzinave, fabrikave, arritjeve, përtej kësaj jete që na shfaqej kudo, e imponuar me madhështi, pothuaj duke na detyruar të jemi të lumtur e të dukemi si të tillë, kishte edhe një jetë tjetër, të cilën dihej vetëm që ishte ajo e armiqve.

Ndreca kërkon që “të kambëngulim te gjuha e imazheve, për me zbulue atë që qëndron përtej rrezes së objektivit, mbas shpatullave të kinoperatorit, me ndie zhurmat e shurdhëta që nuk shquhen, por që kanë qenë sfondi i gjallë i jetës që lëviz në këto pamje”. Është njësoj si të mbyllësh sytë, të mendosh të burgosurin në Spaç, që kishte rënë të flinte me trupin e dërrmuar dhe barkun bosh, pasi kishte dëgjuar në radio Tirana se Shqipëria e begatë kish tejkaluar planin pesëvjeçar. I drobituri shtrëngon duart e lidhun me gjalma prej plagëve. Nesër e presin karrocat e minierës, buka e thatë dhe fjalimet e udhëheqësit. Atë nuk e njeh asnjeri, këngët nuk janë për të, as filmat, as kinoditarët. Ai është mohuar dhe në mohim ku është lënë, vlen vetëm si kafshë pune për të arritur objektivat e atyre që nuk e llogarisin.

Detyra jonë, -thotë Ardian Ndreca, një prej organizatorëve të shfaqjes së dokumentarit “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit”, –  asht mos me e humbë rastin me meditue rreth së kaluemes, kjo asht nji sfidë për çdo kohë, por sidomos për ne që kemi aq nevojë për pavijueshmëni me atë të kaluemen që nuk kalon.

 

Dy anët e një qyteti, një portret real e një fiktiv
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Shejzat – Pleiades, këtë të Mërkurë në ora 21:00, mban shfaqjen unike të “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit” – hulumtimit të Profesor Ardian Ndrecës në kronikat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ky rrugëtim i ideuar nga Prof. Ndreca, do të shfaqet në kuadër të Shkodra jazz festival 2020 – në Art House, duke i krijuar mundësinë publikut që të përjetojë në formë kronologjike kronika dhe kinoditarë që pasqyrojnë transformimet kulturale, industriale dhe shoqërore, në segmente dedikuar: Artit dhe kulturës / Propagandës së regjimit / Sportit / Zhvillimit industrial / Shëndetësisë / Bujqësisë, zooteknikës & peshkimit, si dhe Artizanatit. Një natë për t’u mos humbur! Drejtoresha e Arkivit të Filmit Iris Elezi thotë se AQSHF është e lumtur që vijon bashkëpunimin me studuesin prof Ndreca.
“Sikundër vjet në Shkurt në kinema Agimin – Tiranë, shfaqëm dokumentarin ‘NE FRYME TE REVOLUCIONIT’ dhe diskutuam thellësisht me publikun mbi famëkeqin vit 1967, për herë të parë falë idesë dhe punës kërkimore të prof Ndrecës, ndërtuam një ‘portret’ sa real aq edhe fiktiv, të një qyteti nëpërmjet kronikave dhe kinoditarëve të prodhuar nga Kinostudio ‘Shqipëria e re”, thote Elezi. Ajo vëren se publiku ynë do të gjejë vetveten, njerëz të dashur që s’janë më, do dëgjojë zërin sinkron të personaliteteve dhe njerëzve të thjeshtë e për më tepër do reflektojë që edhe kur njerëzit performojnë përpara kamerës, sërish e vërteta vjen… AQSHF falenderon Prof. Ndrecën, Shejzat – Pleiades, Shkodra jazz festival 2020 & Art House, qe sebashku do tërheqin vëmendjen drejt rëndësisë së ruajtjes së materialeve arkivale!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.